| E diele, 05.09.2010, 12:34 PM |
Valentina Dafa lindi në Fier më 5 Maj 1971. Mësimet e para i mori në shkollën 8-vjeçare "Koli Dimo" Frashër dhe më pas kreu gjimnazin në shkollën "Adem Vrapi" Roskovec. Përfundon studimet universitare në Shkodër, në Fakultetin Filologjik, Dega Gjuhë-Letërsi.Ka punuar në arsim për disa vite dhe më pas e në vazhdim në Bibliotekën Publike Fier.
Identiteti krijues: Vellimi i parë poetik "Nëse një ditë" botuar në Shkodër në 2000 dhe më pas "Digjem mes tingujsh", poezi, botuar në Prishtinë në 2005. Në proces botimi
"Kilometrat s`janë lamtumirë" poezi, Tiranë .
Është prezantuar në jetën kulturore të qytetit herë pas here në aktivitete të natyrave të ndryshme duke lënë gjurmë në kujtesën e gjithkujt për punën krijuese. Ka marë pjesë në takime poetike brenda dhe jashtë Shqipërisë duke përcjellë zërin femëror në botën e bukur të artit. Gjithashtu shpesh e pranishme edhe në faqet e shtypit letrar.
Nëse një ditë
Redaktor : Gazmend Krasniqi
Në kopertinë: Sytki Brahimi
“Dimër i thyer”
Art grafik: Gjon Sereqi
Botuar në Shkodër 2000
NËSE NJË DITË
Nëse një ditë,
udha na bashkon,
Ëndërr e çelur,
mbajtur në lak,
Do të çliroj nga kjo skllavëri,
do të lëshoj,
të më skllavërosh ti , tani.
NJË ÇAST
Degët e shelgut ,
fshehën fytyrën e fjalës.
Fjala u dogj.
U dogjën buzët.
Fryma u tha.
Shpirti mbeti nudo…
S`kërkoi të fshihej
Eci, ashtu ,
Sa mori ngjyrën e ëndrrës
Pasqyruar në ujrat e liqenit,
Në ujrat blu.
PËRGJYSMË
S`i ka shpëtuar ende shpirti,
vuajtje e mallkim,
plasaritur prej ere, rrahur që fëmijë?
Ylberi i shpresës s`është varur,
Jeta në çdo hap kris,
Pasqyrë e thyer me cepa buzëqeshjesh.
…u ndaka loti.
Vazhdoj të ec, rrëzuar-ngritur
Udhës së fatit tim,
Lagur përgjsmë, përgjysmë ngrirë…
I zakonshëm spektakli i pemëve lakuriqe
Trotuaret e lagura,
këmbët e përbaltura.
Nga shqetësimi i kotësisë,
Meridian dridhjesh
Përshkojnë trupin tim.
Psherëtij!
Unë dhe koha,
mëse të zakonshme në këtë fund dimri.
PAGJUMËSI
Jashtë kacafyten
shërbëtorët e dimrit,
kacafyten në vargjet e mi,
gazi, trishtimi.
Trazimi i kohës,
i shpirtit,
Më mban zgjuar.
REDAKTORIT
Redaktor ,
të lutem, kujdes!
Poezia ka shpirt, qan-qesh.
Sy të magjishëm ku lodrojnë ylberët,
Buzë të ëmbla që puthen…
Poezia është magji,
Ëngjëll, djall.
Kujdes!
Me sopatën tënde të mrehtë,
mos e krasit degën e njomë!
Kujdes në gishta,
hiqi veç thonjtë!
Poezia ka shpirt.
Qan.
Kujdes!
Mos ia zë diellin,
Lëre të qeshë!
po tkurren qelizat në pranverë,
pulsi damarëve u shmanget,
jetojmë pa perëndi në qiell.
E vranë perëndinë,
Si erë pa formë endet gjithkund,
përkëdhel butë, qëllon me shuplakë…
erë e paqtë, erë e marrë.
Ku po shkojmë vallë?!
Ferri-parajsa , të dy rivalë.
Njeri!
Hidh hapin drejt spektrit të dritës!
Jepi trajtë perëndisë,
Botës…
Pas një eklipsi,
pranvera të zgjohet.
ENDET GJITHKUND
Në trotuaret e qytetit,
endet shqetësimi njerëzor,
I harruar, i vrullshëm…
Në retinën e syve vishet-zhvishet.
Si hije e pandarë ecën me kohën,
s`ka nevojë për guidë.
Përzihet në palcën e eshtrës së jetës,
Si nyje lidhëse
mes shpirtit dhe ndjenjës.
IKËN PËR RINGJALLJE
Ikën njerëzit të vrarë,
Të ngrirë në akullnaja frike,
Të arnuar në shpirt me shpresë…
Ikën- loti i nënave djeg.
Mbetën embrione të përcëlluara,
duke i dhënë ngjyrë kohës…
Sot ranë këmbanat,
u dogj akulli i frikës,
koha ndërroi ngjyrë…
Ranë këmbanat për ringjallje,
do të bien sërish për përsosje…
SONTE
Sa dashuri u puthën sonte.
U prek dhe murgesha e zbehtë e Migjenit,
Bethovenin përqafuan të dashurit,
Humbi pesha e kanunit…
Jetë e zbrazët hyri në oaz.
Sonte ëngjëjt u bënë djaj.
Botë e marrë gjithë epsh.
Dashuria dogji një murgeshë,
Sonte…