Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vullnet Mato: Lagjia ime ngjyrë bronzi

| E shtune, 04.09.2010, 12:25 PM |


Vullnet Mato

 

LAGJIA IME NGJYRË BRONZI

 

Jetoj te lagjia e "Tironës" me gjuhë lirie,

ku jehon tallavaja me tonalitete histerike,

dëgjoj shprehjen:“Të bofsha me rob shpie!”

siç bie sahati i madh te xhamia islamike.

 

Quhem “gaxhoi i mirë që shkruan llogje”.

Kur  zbres nga makina bidonat me ujë Selite,

më rreshtohet skuadra ndihmëse me yje bote,

nga lista ndërkombëtare e futbollistëve.

 

Fundjavën e kam me net pagjumësie,

nga ekstazat dasmore të miqve komshi,

që më urojnë nga larg me litërshe rakie

dhe hedhin valle nate te rrugica me shi.  

 

Djemtë e vajzat me xhinse poshtë mesit,

me kërthizat si mikrofona që thithin deri tutje,

u dridhet barku nga ritmet marroke të xhezit,

tek kërcejnë si kukullat me fije të padukshme.

 

Zhurmëtarët e mi lindin e shuhen si meteor,

por humbjet ua plotëson karvani me kokorroçët.

Çuditen kur në zi i ngushëlloj mbi arkivol,

ku zbrazin dhimbjen më të hidhur të botës...