Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemaledin Salihu: Çezmat e vjetra në Preshevë

| E shtune, 04.09.2010, 07:45 PM |


Presheva është e njohur dhe e dëgjuar për nga burimet dhe çezmat e shumta, ku uji rrjedhë dhe nuk ka të ndalur shekuj me radhë

 

Çezmat e vjetra në Preshevë

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

 

Presheva është e njohur dhe e dëgjuar për nga burimet dhe çezmat e shumta, ku uji rrjedhë dhe nuk ka të ndalur shekuj me radhë.

 

Çezmat publike ishin burimet kryesore të ujit të pijshëm,vende larjesh të teshave, por ishin edhe vende takimesh e njohjesh.

 

Presheva me rrethinë është e pasur me ujë, sepse fusha e Preshevës është e rrethuar në dy anët : në perëndim me malin e Karadakut dhe në lindje me malin e Rujanit. Gjatë dimrit uji akumulohet në formë bore dhe me shkrirjen e saj, uji lajmërohet në rrëzë të maleve të përmendura, në formë burimi. Poashtu edhe gjatë pranverës dhe vjeshtës bien shira të mira në Preshevë dhe shtojnë sasinë e ujit në burime si dhe rrisin nivelin e lumenjve të Preshevës. Ndërsa gjatë verës shumë burime të ujit shterrin dhe nuk kanë ujë as për të pirë njerëzit, as për të pirë kafshët, por as për të ujitur kopshtet dhe arat. Pra burimet e ujit në Preshevë rrisin nivelin e ujit të lumenjve dhe përdoren për të pirë dhe për të ujitur kopshtet dhe arat.

 

Kështu mali i Rujanit, sidomos mali i Karadakut është përplotë me burime të ujit.

Burimet e ujit në Preshevë janë nëntokësor dhe tokësor apo sipërfaqsor.

 

Në Preshevë burimet e ujit marrin emrat sipas cilësisë së ujit : Uji i Ftohtë, Uji i Bardhë etjerë, ndërsa Çezmat marrin emrat sipas ndërtuesve të tyre.

 

Çezma e Madhe
Çezma e Madhe
Pos Çezmave publike, në Preshevë ekzistojnë edhe Çezmat vetanake-familjare.

Deri në vitet e 70-ta të shekullit XX, Çezmat publike kanë qenë burime kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të Preshevës me rrethinë. Derisa në disa vendbanime të Preshevës është zgjidhur çështja e furnizimit me ujë të pijshëm nëpërmjet ujësjellësave të vendbanimeve, të Mëhallës apo familjarë, në qytetin e Preshevës dhe në disa vendbanime, edhepse disa herë u provua me anë të ujësjellësave të ndërtuar të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm, asnjëherë nuk është zgjidhur si duhet. Qytetit dhe disa vendbanime të Preshevës i mungon uji i pijshëm, sidomos gjatë verës.

Në literaturën e shkruar hasëm në disa burime dhe çezma të vjetra, të cilat po i theksojmë sipas vendbanimeve:

 

Tërrnavë : Çezma e Sulës, Kadrijës, Tafilajve dhe në Ostrovicë.

Norçë : Currili, Çezma e Kishës, Çezma e Ftohtë

Kurbali : Çezma e Nuhisë, Çezma  dhe Burimi i Bardhë

Rahovicë : Çezma e Xhamisë, Burimi i Ramazanit dhe Ilixha

Ilincë : Ilixha e njohur

Shoshajë : Çezma e Limanit

Corroticë : Çezma e Xhamisë, dhe Burimi Gjeren.

Miratoc : Çezma e Kajoshëve, Çezma e Lugut, Çezma e Punarëve, Vrella, Ilixha, Çezma e Kacerëve, Çezma e Tosunëve.

Raincë : Burimi Uji i Ftohtë

Zhunicë : Ekziston një burim i vjetër i muratosur me orosan, gëlqere. Nga burimi rrjedhë ujë i fortë dhe i kulluar.

Lerani është i njohur më burime të shumta të ujit.

Poashtu mund të themi se pos Çezmave, ka pasur edhe burime dhe bunar  të Mëhallës, ku kanë mbushur ujë të pijshëm banorët e Mëhallës, apo për nevoja të tjera familjet e asaj Mëhalle, por edhe familjet të tjera si dhe ka pasur edhe Çezme vetanake apo Familjare, që i kanë shërbyer vetëm familjes së ngushtë.

 

Dymbëdhjetë /12/ Çezmat /krojet/ e Haxhi Abazit

 

Çezma e Xhamisë së Vjetër
Çezma e Xhamisë së Vjetër
Në Preshevë, në popull ekziston gojëdhana dhe flitet me të madhe për dymbëdhjetë /12/ Çezmat /krojet/ e Haxhi Abazit, të ndërtuara në kohën e Turqisë, atëherë kur Presheva ishte Kaza.

Mirëpo lidhur me Çezmat e Haxhi Abazit ekzistojne disa alternative. Kështu plaka e Familjes së Abazëve, Hysnije Haliti e lindur më 1915 tregon dhe i numron shtatë /7/ Çezmat e Haxhi Abazit, Shaban Zymer Rashiti poashtu i Familjes së Abazëve tregon dhe numron dymbëdhjetë /12/ Çezmat /krojet/ e Mixhës Haxhi Abaz Halitit, plaku Isa Latifi i Begajve të Mëhallës së Kuklarëve tregon dhe i numron gjashtë /6/ Çezmat e Haxhi Abazit, Bejtullah Osmani mësimdhënës i matematikës nga Presheva, i Mëhallës së Alimetëve tregon dhe i numron 9 Çezme, ndërsa Qani Haliti në shkrimin e tij “Uji me rrjedhë përpjetë(!) në gazetën “Veprimi” shkruan : “Dymbëdhjetë krojet e Haxhi Abazit dhe Abdurrahman Zylfiu e Ismet Bajrami në shkrimin e tyre : “Kontributi i Preshevës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit shkruajnë për nëntë /9/ krojet e Haxhi Abazit.

Plaka Hysnije Haliti e Familjes së Abazëve në bisedën që e pata me te me shumë këthelltësi i kujtohen disa detale të Familjes së Haxhi Abazit. Kështu ajo tregon se ishin 5 vëllezër : Haxhi Abazi, Aga Kurtë, Aga Zili, Axha Kamber dhe Aga Veli.

Haxhi Abazi thotë ishte tyxhar /tregtar/ i njohur në relacionin Preshevë-Selanik-Prishtinë dhe sëpari kur bëri para bleu një ka, pastaj e shiti këtë dhe bleu dy e kështu me radhë. Më në fund vendos për të shitur të gjitha kafshët për të shkuar në Haxhilluk, e kishte bë nijet /qëllim/ dhe për të rregulluar e ndërtuar diçka për hajrat /mirësi/. Në Kumanovë shtron kalldërme /rrugë e shtruar me gur/ dhe ndërton një urë.

Në Preshevë ndërton shtatë Çezmat e njohura: 1. Në Mëhallën e Sheh-Halilëve ndërton dy /2/ Çezma, e para ndër Vila Letafet, ndërmjet rrugës së sotme të Gjilanit dhe të K. Xoxit, ndërsa e dyta në fillim të rrugës së sotme, Ivo Ribarit, 2. Te Xhamia e Epërme, Xhamia e Ibrahim Pashës, në qendët të qytetit, 3. Te Teqja , te Xhamia e Epërme, në qendër të qytetit, 4. Çezma në qendër të qytetit, para ndërtesës së komunës, 5. Te Xhamia e Poshtme dhe 6. Çezma te Loma e Majancës, në rrugën e sotme Abdulla Krashnica, në Mëhallën e Kuklarëve.

Çezma e Madhe në Mëhallën e Kuklarëve thotë plaka Hysnije Haliti është ndërtuar pas këtyre shtatë /7/ Çezmave, por edhe këte e ndërtoi Haxhi Abazi.

 

Plaka Hysnije Haliti e këthellët në kujtesë foli edhe për të tjera histori të Preshevës, por që nuk janë objekt i këtij shkrimi.

 

Çezma e Xhamisë së Vjetër u ndërtua më 1878, kurse sipas Hixhrës më 1275, bile kështu shkruan në pllakën e cila është në murin e Xhamisë.

 

Po edhe Çezma e Xhamisë së Poshtme është e ndërtuar më 1878, që do të thotë se edhe Çezmat të tjera të Haxhi Abazit janë ndërtuar në atë kohë, kur Presheva u bë Kaza.

 

Çezma e Vjetër e Teqesë është pronë e Sheh Salimit, e ndërtuar poashtu më 1878

 

Sipas fjalëve të Shaban Zymer Rashitit të Familjes së Abazëve të Preshevës, në bisedë me Hasan Emërllahun, Haxhi Abaz Kurteshi ishte marrë me tregti të kafshëvë dhe kështu ishte pasuruar dhe u bë ndër më të pasurit e kësaj nahije.

 

Çezma e Xhamisë së Poshtme
Çezma e Xhamisë së Poshtme
Në moshën 60 vjeçare nisët për të blerë kafshë në Prishtinë me dy nipat e vet. Aty takon një jaran /mik/ te vetin, i cili e pyet për pasurinë, pasi i tregon, jarani i thotë se boll kemi bë për këtë jetë duhet të bëjmë edhe për hajrat, për atë jetë. Në atë moment Haxhi Abazi vendos të ndërtojë objekte për popull : xhamia, ura, çezme e tjerë. Kështu, sipas fjalëve të Shaban Rashitit, para 150 vjetëvë blen pasurinë e Shehlerëve, te Kisha, e cila pasuri kishte burime të pasura me ujë. Prej aty me gypa të botës e bien ujin në Preshevë. Haxhi Abazi i ndërtoi 6-12 çezme. Punët në ndërtimin e Çezmeve e bëri një mjeshtër serb, i cili me tre ndihmësa punoi afër 6 muajë. Këta Çezmat i mirëmbajtën edhe pas ndërtimit edhe një vit. Për këto punë Haxhi Abazi i shpërbleu edhe me një dash. Po i numrojnë Çezmat e Haxhi Abazit sipas kujtesës së Shaban Rashitit : 1. Çezma e Kishës, 2. Çezma te Vila Letafet, 3. Dy /2/ Çezme te Mëhalla e Sheh-Halilëve: një në fillim të Mëhallës dhe tjetra në rrugën e sotme të Ribarit, 5. Çezma e Xhamisë së Vjetër, 6.Çezma e Teqesë 7. dy /2/ Çezme në pronën e sotme të Hfz Nexhatisë, 9. Çezma në pronën e Hfz Lutfisë, 10. Çezma në qendër, para komunës, 11. Çezma e Mëhallës së Pazhikut dhe 12. Çezma te Xhamia e Poshtme. Të gjitha këto i kishte paguar me para të arit, me lira.

 

Sipas Shaban Rashitit, Haxhi Abazi poashtu ndërton kalldërmenë e Xhadës së Vjetër Preshevë-Kumanovë dhe Urën e Kojnares, sepse në këtë fshat Haxhi Abazi e kishte pasur të martuar motrën. Pas ndërtimit të Xhamisë së Poshtme me Familjen e Isufit të Lutë Mehmetit shkon në Haxhillëk.

 

Haxhi Isa Latifi i Begajve i Mëhallës së Kuklarëve në bisëdë që pata i numroi 6 Çezma /kroje/ të Haxhi Abazit :

 

1. Çezma e Xhamisë së Poshtme,

2. Çezma në Mëhallën e Sheh-Halilëve,

3. Çezma e Xhamisë së Vjetër, 

4. Çezma në mes të Mëhallës së Sheh-Halilëve dhe Berbërëve,

5. Çezma në Mëhallën e Liçajve, te shtëpia e Muzafer Liçës,

6. Çezma e Qendrës së Qytetit, në rrugën e sotme M. Tita.

 

Bejtullah Osmani i numron këto Çezme të Haxhi Abazit :

1.Te Kisha,

2. Te Mëhalla e Berberëve,

3. Te Mëhalla e Sheh-Halilëve, ndër udhën e Ivo Ribarit,

4. Te Teqja e Qytetit,

5. Te Xhamia e Epërme,

6. Në Qendër të Qytetit,

7. Te ndërtesa e Vjetër e komunës, në rrugën e Sava Kovaçeviqit, karshi Mëhallës së Berajve,

8. Te ndërtesa e ish-Komitetit dhe 9.Te Xhamia e Poshtme.

 

Çezma e Teqesë
Çezma e Teqesë
Edhe ky bashkëbisedues fletë për dymbëdhjetë /12/ Çezmat e Haxhi Abazit. 

“Sipas gojëdhënave dhe bisedave që dëgjuam nga qytetarët e Preshevës si dhe bashkëbiseduesit Shaban Rashitit nga Mëhalla e Baballëkëve, para më se 13o vjetësh /biseda ka ndodhur më 1992-autori/ begatinë e ujërave të krojeve malore e kishte hetuar Haxhi Abaz Rashiti dhe nga dëshira e flaktë që t’i lë popullit të vet sihariq /lajm i mire/, shet një pjesë të pasurisë së vet të patundshme, meqë ishte tregtar i lartë mes tregjeve Selanik-Preshevë-Prishtinë dhe blenë nga një familje në zë e Shehlerëve vendin e quajtur Toplik, që gjendej mu në rrëzë të majës së Hurdhës dhe nga ai vend kishte nxjerrë burimet e kësaj rrëzë kodre të Preshevës dhe kishte ndërtuar dymbëdhjetë /12/ krojet nëpër rrugët e qytetit.”, shkruan Qani Haliti në gazetën “Veprimi” nr. 1 të vitit 1992.

Në shkrimin e Abdurrahman Zylfiut dhe Ismet Bajramit thuhet :

 

 “ Haxhi Abazi rrjedhë nga fisi Thaç, i një familje të pasur nga babai Hysen dhe nëna Zade që ishin me tradita kombëtare…Kontribuoi edhe në ndërtimin e shumë objekteve. Ndërtoi objektin e Xhamisë së Poshtme, në vitin 1878, poashtu Xhaminë e Epërme e ndërtoi në vitin 1878, sipas Hixhrit më 1275. Vlen të përmendet se ujin /burimin/ e bleu nga Maksut Efendiu që ishte pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vendi i burimit ishte te Kisha e sotme e Preshevës, që më vonë e morën serbët. Vlera e kësaj pasurie ishte 120 lira turke. Nga uji i këtij burimi Haxhi Abazi ndërtoi 9 kroje në Preshevë, prej tyre 2 kroje në të dy xhamitë, gjë që edhe sot gjenden mbishkrimet në to. Ndërtoi rrugë dhe urën në Xhadën e Vjetër te fshati Sopot, që edhe sot kjo urë gjendet.”

 

Shkruajnë këta dy autorë në gazetën “Zgjimi” nr.13, të vitit 1998.

 

Pra, për herë të parë në qytetin e Preshevës kemi rrjetin e parë të ujësjellësit

me Çezmat e Haxhi Abazit, duke mos llogaritur ujësjellësin eventual në qytetin e vjetër të Preshevës

 

Edhe disa Çezma të Vjetra në Preshevë

 

Çezma e Limon Agës
Çezma e Limon Agës
Çezma e Limon Agës  i Mëhallës së Liçajve, në rrugën rajonale Preshevë-Stacioni Hekurudhor-Autostradë, te Livadhet e Qytetit, e cila sipas bashkëbiseduesit Selver Rexhepit të Mëhallës së Liçajve ka vjetërsinë e para 150 vjetëve, e rindërtuar disa herë nga Familja Rexhepi e Liçajve. Bile bashkëbiseduesi thotë: “Kjo Çezme është më e vjetër se Çezma e Madhe te Mëhalla e Kuklarëve.”

Fevzije Sherifi-Jakupi e Mëhallës së Liçajve thotë se kjo Çezme u ndërtua sipas muhabeteve që ka ndëgjuar prej babës Faik Sherifi në kohën e Turqisë, kur Presheva ishte kaza dhe se gjithmonë edhe familja, por edhe populli e kanë quajtur Çezma e Limon Agës.

 

Kroi i Keq /Çezmë sot-autori/ te Mëhalla e Derrajve, te Vreshtat e Preshevës, te Furrat e Qyreçit, në veri të qytetit. Kroi i Keq është i njohur shumë dhe i popullarizuar, sepse më 6 maj, Ditën e Shën Gjergjit , për çdo vit, populli, sidomos vajzat e gratë shkojnë për të kërkuar shëndet, duke i lajtë sytë me ujë Kroi dhe duke i mbushur enët e ndryshme për në shtëpi, ku i stërpikin anëtarët e familjes. Poashtu vajzat e reja, aty shkojnë për të kërkuar njohje dhe dashuri. Kroi i Keq më shumë vizitohet nga Romët, të cilët atë ditë e kanë festë të tyre, edhepse nuk qëndron ky mendim, ka literaturë të bollshme për Shën Gjergjin, në të cilin shprehet mendim tjetwr mbi Shën Gjergjin.

 

Çezma e Alimetëve apo më parë Kroi i Mëhallës së Alimetëve gjindej para dyerve të Mëhallës së Alimetëve, sepse ajo ishte e mbrojtur me dyerë, poshtë dhe lartë Mëhallës. Më vonë dyert tërhiqen brenda territorit të Mëhallës dhe Çezma bëhet publike. Bejtulla Osmani për Çezmen thotë se ka vjetërsi 300 vjetëshe. Burimi i ujit të Çezmesë ndahet në tri pjesë : tre vëllezër dhe tre burime : për Alimetët, për Shehlerët dhe për Sheh-Halilët. Së pari Çezma qenka në oborrin e Hfz Nexhatisë, sipas fjalëve të Beqir Miftarit i Mëhallës së Alimetëve /1862-1974/.

 

Ndërsa Fatmir Aliu i Mëhallës së Alimetëve thotë se ajo është ndërtua para 200    vjetëve dhe është më e herëshme se Çezmat të tjera në Preshevë.

Çezma e ka burimin larg nja 35 metra, rrëzë kodrës së Alimetëve dhe asnjëherë gjatë verës dhe dimrit nuk e ndërron temperaturën, gjatë dimrit e ka ujin të vokët, ndërsa verës të ftohtë. Kështu gjatë dimrit është përdorur edhe për larjen e teshave, por edhe të fëmijëve, sepse atëherë kur ka qenë Mëhalla me dyer të mbyllura, gratë e Mëhallës kanë dalur të pa mbuluara dhe se mysafiri sëpari është dashur të lajmërohet te dera, pastaj me përcjellje ka shkuar në konak.

 

Sipas Fatmirit janë dy burime, të cilë shkojnë në dy drejtime, njëri për Mëhallën e Alimetëve, kurse tjetri është lënë për Mëhallën e Sheh-Halilëve ose të Shehlerëve, menjëherë afër Alimetëve.

 

Çezma e Kroit të Keq
Çezma e Kroit të Keq
Burimi i ujit është i fortë, i cili ecë dhe nuk ndalet asnjëherë.

Çezma te Mëhalla e Liçajve, te shtëpia e Muzafer Rexhepit të Liçajve, sipas    bashkëbiseduesve Selver Rexhepit dhe Fevzije Sherifit të Liçajve, është e vjetër.

Më 1947, Aliu I Liçajve paska gjetur gypatë keramikës, gjatë punës.

Në Preshevë nga Çezmet e Vjetra po cekim edhe Çezmen e Sahajve, që e shfrytëzojnë për ujë të pijshëm familjet e Sahajve, në Mëhallën e Derrajve, te Vreshtat, Çezmen e Selim Hoxhës të Berberëve, mu në rrugën e K. Xoxit, ndërmjet Mëhallës së Berberëve dhe Karaponxhëve, për të cilën më foli Nazmi Kadriu i Karaponxhëve të Preshevës dhe Çezma e Mëhallës së Hanucëve, kah kodra, për të cilën më foli Reshati i Mëhallës së Pamukëve.

 

Pesëmbëdhjetë  /15/ Çezmat e Qytetit të Preshevës

 

Në Preshevë, më 1958 u ndërtua rrjeti i parë i ujësjellësit me pesëmbëdhjetë Çezme publike, pas Luftës së Dytë Botërore, në ish-Jugosllavinë socialiste.Këtë të dhënë e argumenton në bisedë Shefqet Sadiku, ish drejtor i Ndërmarrjes “Moravica” në Preshevë dhe T. Jovanoviq, me shkrimin e tij në Vranjski glasnik, 1971 : “Sanitarne prilike u Vranju i okolini (1952-1965)”/Rrethanat sanitare në Vranjë dhe rrethinë (1952-1965)-autori/.

Poashtu, sipas të njëjtit autor, më 1961, në Strezoc u ndërtua një /1/ Çezme publike me lugun për ujë, në të cilin mund të pijnë ujë edhe kafshëte fshatit dhe më 1965, në Corroticë u ndërtua një /1/ Çezme publike, poashtu me lug për ujë.

Po i cekim Çezmet publike në qytet, sipas shënimeve të Shefqet Sadikut nga Presheva :

1.Çezma te Kisha, 2. Çezma te Mëhalla e Doganëve, 3. Çezma te Mëhalla e Berberëve, 4. Çezma te Mëhalla e Sheh-Halilëve, ku puthen rrugët e sotme e Gjilanit dhe e Ivo Ribarit, 5. Çezma te Mëhalla e Shëh-Halilëve, në rrugën e Ivo Ribarit, 6. Çezma në rrugën e Gjilanit, karshi ish-kafesë së Xhavit Qorrit, 7. Çezma në Qendër të qytetit, 8. Çezma te Hamami i Preshevës, te Xhamia e Poshtme, 9. Çezma te Mëhalla e Bugarinëve, në rrugën e K.Xoxit, 10. Çezma në rrugën e Karposhit, karshi shtëpisë së Bejxhet Sallahut, 11. Çezma te Mëhalla e Kuklarëve, në rrugën e A.Krashnicës, ku puthet kjo rrugë me rrugën e Ivo Ribarit, 12. Çezma në rrugën e sotme Sv. Tomiq, 13. Çezma në rrugën e T.Selimit, te shtëpia e Haxhi Avdisë, 14. Çezma te ish-Komitetit dhe 15. Çezma te Kooperativa Bujqësore.

 

Çezmat dhe burimet të tjera në Preshevë 

 

Çezma e Haxhi Hasan Miftarit e ndërtuar më 1974, në rrugën rajonale Preshevë-Gjilan.

Çezma e ndërtuar më 1979, në rrugën Preshevë-Gjilan, përmbi Kishën.

Çezma e Riza Jusufit e Hysenëve-Kurbali, e ndërtuar më 1964, karshi Kishës.

Çezma e Zabelit, përmbi Mëhallën e Kuklarëve.

Çezma familjare e Ibush Selimit, e ndërtuar më 1948, në oborr të shtëpisë.

Çezma e Reshat Selimit, e ndërtuar më 1973, në rrugën e Karposhit.

Currili i ujit te Kisha, ku laheshin fëmijët dhe të rinjtë e Preshevës. 

 

Kroi i Mahmutit përmbi Mëhallën e Kuklarëve.

Kroi i Ymer Efendisë te fusha, në Llapincë.

Bunari i Haxhi Muharremit të Rrahmonëve, në udhën e Vorreve, i ndërtuar më 1940.

 

 

Bunari i Haxhi Maliqit, në udhën e Vorreve, më poshtë se bunari i Haxhi Muharremit.

Bunari i Qani Qerimit në fushë-Llapincë.

Këtu kemi të bëjmë më Çezme , burime dhe bunarë publikë, ndërsa të tilla vetanake-shtëpiake janë të shumta dhe nuk do t’i numrojmë.

Poashtu është me rëndësi të cekim se bunare hapte Nazif Dolleci i Mëhallës së Liçajve, i njohur mjeshtër në Preshevë, me ekipin të përbërë nga Abdurrahim Hasani, Rahmi dhe Ismajli i Mëhallës së Liçajve.

Gjithashtu duhet cekur edhe dy /2/ bazenet e ujit të qytetit të Preshevës. Sipas Nazmi Kadriut, i pari është ndërtuar më 1940, në pronën e Agim Sinanit, ndër urën për në Kishë dhe i dyti është ndërtuar më 1961, përmbi urën.                             

 

Të përmendin edhe Hamamin, te Xhamia e Poshtme, të ndërtuar më 1896/97, sipas disa zërave të mbrojtur nga UNESKO, pastaj më 1947/48 u ndërtua Mulliri dhe më vonë u prish i tëri dhe u ndërtua Ndërtesa e Bardhë.

 

Çezmat dhe burimet e shumta në Rahovicë

 

Të dhënat dhe shënimet i mora nga Selajdin Latifi, Rexhep Rushiti dhe Nexhbedin Rashiti.

Duke i përmendur çezmat, burimet dhe krojet, njëherit po e përmledhë një toponomi të bollshme të fshatit Rahovicë.

Ilixha te Mëhalla e Dukajve, me ujë të bollshëm dhe të kulluar si loti.

 

Burimi i Ramazanit,Çezma e Sadri Kamberit, e ndërtuar më 1960, ndërsa e rindërtuar më 2000 nga Ruzhdi Kamberi, te Tërrllat e Rahovicës.

 

Çezma e Nijazi Hasanit të Kishajve, te Tërrlat e Rahovicës, Çezma e Haxhi Ejupit të Kishajve, e ndërtuar më 2002, te Tërrllat e Rahovicës, Dy /2/ Çezmet te Perroi i Manastirit të Rahovicës, Çezma e Dëshmorëve, e ndërtuar më 2008, Çezma e Musë Bukocit, e vjetër 50 vjetë, te Përroi i Fatës, Përroi i Kishës, Përroi i Kishës, Përroi i Kajës, Gjerizi /banjo në natyrë/ ku laheshin Kaçakët, Lugu i Shtogave, Përroi i Qershisë, Kroi i Qershisë, Kroni i Batllakit, Vrella, Lugi i Qyreçit.

 

Penda, Liqeni artificial akumulues i Rahovicës, Lugi i Urës, Përroi i Humishtës, Përroi i Trupit, Përroi i Garës, Përroi i Bicit, Përroi i Plepave, Pusi i Çardakut, Lugi i Demirit, Lugi i Thanave, Përroi i Fejzës, Përroi i Markit, Lugi i Palpadinës, Pusi i Thiftë.

Të përmendin edhe fushën e Burimit të Rahovicës, kah Hekurudha është përplotë me burime.

 

Çezmat dhe burimet e shumta në Miratoc

 

Shënimet dhe të dhënat gojore i mora nga Sami Agushi, professor i gjeografisë dhe Xhafer Aziri, të Miratocit.

Çezma e Xhamisë apo e Fezllahëve, e ndërtuar më 1735, e rindërtuar më 1936.

 

Çezma e Vogël, në lindje të Xhamisë së Madhe.

Çezma e Lugit, e Mëhallës së Malokëve, e ndërtuar më 1898, e rindërtuar disa herë. Më herët në këtë vend nuk kishte shtëpia banimi.

 

Çezma e Zejnës së Malës, e ndërtuar shpejtë.

Çezma e Nezës, e ndërtuar në shek.19, në Mëhallën e Kodranëve-Qosëve.

Çezma e Latës, në fushë të Miratocit.

Kroi i Saçës, tash Çezma e Saçës.

Çezma e Kodranëve, e ndërtuar në shek. 19, para 150 vjetëve.

Çezma e Haxhi Abedinit i Mëhallës së Kajoshëve, në Mëhallën e Kodranëve, burimi te bunari artezian.

Çezma e Bacit Xufë të Mëhallës së Kajoshëve, uji i pijshëm dhe më i miri në Miratoc.

 

Përroi i Kajës.

Çezma e Xhelepëve-Haxhi Rexhepit, e vjetër, e ndërtuar në shek. 19.

Çezma e Axhës Vesel, e ndërtuar më 1936, e rindërtuar më 1997 nga Haxhi Emintë.

Çezma e Spahillarëve.

Çezma e Haxhi Bajramit të Punarëve e shek. 19.

Çezma e Punarëve e shek. 19.

Çezma e Mixhës Tosun e shek. 19, e rindërtuar më 1992.

 

Çezma e nipit të Mixhës Tosun, më 2010.

 Çezma e Haxhi Sylejmanit të Kajoshëve, e ndërtuar më 1980.

Çezma e Ademit në mal.

Çezma e Destan Malokit, Çezma e Livadhit të Thanës, Çezma e Bllatës së Brahimit, Çezma e Ftohtë /sot është Krua/ te Banjka.

Çezma e Dervishit, në anën lindore të Xhadës së Vjetër, dikur prej Çezmës së Dervishit deri te Kisha janë gjetur gypa të keramikës, burimi i ujit është përcjellë deri te Çezma e Kishës, në largësi prej 1,5 km dhe është e kohës romake, vendburimi Banjkë.

 

Burimet në Tërrnavë

 

Shënimet i mora nga Isak Behluli i Tërrnavës.

Në Ostroivcë janë dy /2/ burime të ujit. Pastaj Vrella e Poshtme, nga e cila furnizohet fshati Tërrnavë, Vrella e Epërme, Burimi  Rekës së Zezë dhe Pusat e Sherrave.

 

Të dhënat i mora nga shënimet e Sadri Qazimit të Norçës.

Sipas të dhënave që i njohim deri më sot, Norça është ndër fshatrat më të vjetra të Preshevës. Banorët e këtij fshati me shekuj janë furnizuar me ujë të pijshëm nga burimet-krojet, jo nga bunarët.

Burimi më i madh i Norçës është Kroi i Madh. Ujin e këtij burimi e shfrytëzojnë banorët e Lagjes së Zhvolajve.

Në vitet 1930, në këtë burim u ndërtua një Çezme me tre çepa ujë. Në vitin 1974, këtë Çezme e prishën fshatarët dhe e shndërruan në ujësjellës, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm 50 shtëpi. Për t’i ruajtur kujtimet e këtij burimi të madh, në atë vend është ndërtuar një Çezme e Vogël.

Një burim tjetër i ujit është DELUJI. Në vitin 1975 banorët e Lagjes së Gerajve, këtë burim të madh e shndërruan në ujësjellës nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm rreth 60 shtëpi. Vlen të theksohet se para 40-50 vjetëve, këto dy burime shfrytëzoheshin edhe për mbjelljen e duhanit.

Burimi i tretë me sasi të madhe të ujit është KROI NDËRGURË, te rrëza e SHARKUQIT. Nga ky burim një fshatar, Rufat Emini e pat ndërtuar një Çezme. Në vitin 1976 këtë burim banorët e fshatit e ndan në 13 pjesë të barabarta dhe e shndërruan në ujësjellës, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm rreth 100 shtëpi-familje.

 

Çezma e Xhamisë, të cilën e ndërtuan për hajrat Kadri Norça, Muharrem dhe Remzi Rexhepi, më 1942.

 

Shadërvani /fontanë/ i Haxhi Nexhip Ramadanit, i ndërtuar më 1995, në oborr të Xhamisë. Ujin e Shadërvanit e solli nga një burim i largët, rreth 1,5 km.

Çezma e Gjinajve, Çezma e Bllutajve, Çezma e Palajve, Çezma e Gerajve, Çezma e Osmanajve. Këto janë emrat e lagjeve të vjetra të Norçës, sipas të cilave e morën emrin edhe çezmat.Nga këto Çezme dhe burime janë furnizuar banorët e Norçës, sidomos të këtyre lagjeve me ujë të pijshëm,me shekuj të tërë.

Bunarët në Norçë janë shumë të vonshëm, thekson bashkëbiseduesi Sadri Qazimi.

Vlen të përmendet bunari i Salih Mustafës i hapur para 100 vjetëve.Salih Mustafa është shpërngulur me familje për Turqi në vitin 1959.Ky bunar me ujë të ftohtë shfrytëzohet edhe sot nga banorët e Norçës.

Çezma e Zenelit-Çezma e Mixhës e quajnë banorët e lagjesë së Bllutajve, mund të quhet edhe Çezma e Mixhës Zenel, sepse kemi të bëjmë për të njëjtin person.

Burimi i kësaj Çezme rrjedh nga prona e Islam Mustafës, baba i prof. Nebi Islamit.Koha e ndërtimit të kësaj çezme nuk dihet, por sipas Sadri Qazimit dhe Muharrem Agushit, i lagjes së Bllutajve është shumë e vjetër. E rindërtuar më 1998 për hajrat nga Vebi Salihu.

 

Çezma e Musa Spahisë rreth 3 km larg nga Norça. Është e ndërtuar shumë herët dhe nuk dihet koha e ndërtimit.

Çezma e Haxhi Hajredinit, 2 km nga Norça, e ndërtuar më 1972.

Çezma e Rexhep Rexhepit, 2 km nga Norça, e ndërtuar më 1972.

 

 

Çezmat dhe burimet në Karadak

 

Karadaku është plotë burime dhe çezma të ndërtuara më herët, por edhe në kohën e sotme. Duke filluar nga Muçibaba menjëherë hasin në perëndim të rrugës Preshevë-Gjilan në Çezmen e Bejxhet Sallahut, të ndërtuar më 1993.

 

Çezma e Depcës, karshi shkollës.

Çezma e Delive, te shkolla fillore e Caravajkës, e ndërtuar më 1990.

Çezma e Idriz Seferit, te shkolla fillore e Caravajkës dhe në pllakë shkruan Kroi i Idriz   Seferit, e ndërtuar para 150 vjetëve.

 

Çezma e Xheladin Maliqit, e ndërtuar më 1987, me ujë të ftohtë dhe ujë të mirë të pijshëm. Më shumë e pijnë personat që kanë gur në veshkë dhe për ta zbritur shtypjen.

Çezma e Hydaverdi Sherifit i Mëhallës së Liçajve, e ndërtuar më 1990, te Livadhi i Shehit.

Çezma e Selver Ramadanit të Kajallarëve, në Livadhin e Valevës, e ndërtuar më 1970.

Çezma e Hajrës, e ndërtuar shpejtë.

Çezma e Fehmi Nuredinit të Alimetëve, e ndërtuar më1962,në anën perëndimor të Preshevë-Gjilan.

Çezmat dhe burimet kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e banorëve të Preshevës, sepse ato janë përdorur pë ujë të pijes, për pastrim të njerëzve, për larje të teshave, për ujë të pijshëm për kafshët dhe për ujitjen e kopshteve, arave e fushave.

Nga e shkruara më lartë përfundojmë se Presheva me rrethinë ka qenë e pasur me Çezme dhe burime të ujit, ka pasur begati burimesh dhe ajo asnjëherë nuk e ka ndi thatësinë e madhe të burimeve, sepse Burimet në rrëzë të malit të Karadakut dhe atij të Rujanit gjithmonë I kanë siguruar burime të bollshme të ujit.Por kanë munguar ndërtimet e ujësjellësve. PRa, natyra dhuroi ujë, por dora e njeriut ose e prishi ose nuk nërtoi kapacitete të bollshme pë plotësimin e nevojave të qytetarëve me ujë të bollshëm të pijes.

 

Referencat

 

1.Bisedë me plakën Hysnije Halitin e familjes së Haxhi Abaz Halitit, e lindur më 1915, në shtëpinë e Bakush Halitit më 06.08.2010

2.Bisedë e Hasan Hajrullahut nga Rahovica me Shaban Rashitin e familjes së Haxhi Abaz Halitit, më 10.10.1992

3.Bisedë me Haxhi Isa Latifin e Begajve, të Mëhallës së Kuklarëve, më 04.08.2010

4.Bisedë me Bejtulla Osmanin e Mëhallës së Alimetëve, mësimdhënës i matematikës, më 30.08.2010

5.Bisedë e Fevzije Sherifin-Jakupin e Mëhallës së Liçajve, më 28.08.2010, e lindur më 1929.

6.Bisedë me Rexhep Salihun e Mëhallës së Alimetëve, më 27.08.2010

7.Bisedë me Fatmir Aliun e Mëhallës së Alimetëve, më 10.08.2010

8.Bisedë me Selver Rexhepin e Mëhallës së Liçajve, më 28.08.2010

9.Bisedë me Shefqet Sadikun e Mëhallës së Hallaçëve, më 04.08.2010, ish-drejtor i Ndërmarrjes “Moravica” në Preshevë.

10.T. Jovanoviq, Sanitarne prilike u Vranju i okolini(1952-1965)/Rrethanat sanitare në Vranjë dhe rrethinë/ Vranjski glasnik VII, Vranje, Narodni muzej, 1971, f. 377-384

11.Bisedë me Nazmi Kadriun e Mëhallës së Karaponxhëve të Preshevës

12.Bisedë me Sami Agushin nga Miratoca, professor i gjeografisë, më 14.08 dhe 29.08.2010

13.Bisedë me Xhafer Azirin e Mëhallës së Kajoshëve të Miratocit, i lindur më 1918, më 06.08.2010

14.Shënime nga Sadri Qazimi i Norçs, më 31.08.2010

15.Shënime nga Muharrem Agushi i Norçës, jeton në Preshevë, më 31.08.2010

16.Bisedë me Rexhep Rushitin e Rahovicës, më 02.08.2010

17.Bisedë me Nexhbedin Rashitin nga Rahovica, më 23.07.2010

18.Shënime mbi toponominë e Rahovicës të Selajdin Latifit nga Rahovica, të mbledhura nga Rexhep Emini, Enver Saqipi, Nexhat Shaqiri dhe Ismailhaki Rexhepi nga Rahovica

19.Shënime të Demush Berishës nga Buhiçi i Preshevës, më 30.08.2010 apo nga libri në botim, Demush Berisha, Karadaku gjatë shekujve, Preshevë, 2010

20.Bisedë me Isak dhe Idriz Behlulin nga Tërrnava, më 29.07.2010 dhe më 10.08.2010

21.Jahi Murati, Savremene socijalno-geografske i ekonomske karakteristike Presevske komune, Vranjski glasnik XI, Vranje, Narodni muzej, 1975, f.377-428

22.Mehmet Jusufi, Vështrim gjeografik i Preshevës dhe rrethinës, “Përparimi” nr.7-8, Prishtinë, 1965, f. 482-495

23.Qani Haliti, Uji me rrjedhë përpjetë(!), “Veprimi” nr. 1, Preshevë, 1992, f. 7

24. Abdurrahman Zylfiu, Ismet Bajrami, Kontributi i Preshevës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, “Zgjimi” nr. 13, Preshevë, 1998, f. 8-9

25.Skender Rizaj, Kaza Presova 1896/97. godine, Vranjski glasnik, IV, Vranje, 1968, f. 437-441

 

Presheca.com - Preshevë, më 03 shtator 2010