Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hektor Veshi: Përjetime dashurie, urtësie e krenarie

| E marte, 31.08.2010, 08:41 PM |


PËRJETIME DASHURIE, URTËSIE E KRENARIE

 

(Rreth vëllimit me tregime e poezi, “Gëzhoja në tokën kosovare”, të autorit Sami Xhango)

 

Nga: Prof. Dr. Hektor Veshi

studiues e publicist-Tiranë

 

            Ishte rastisi të përfundoja së lexuari këtë vëllim me tregime, pikërisht më 22 korrik 2010, në ditën kur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, supreme për mbarë Botën, dha mendimin për ligjshmërinë e Pavarësisë së shpallur të Kosovës. Krahas këtij lajmi të madh, që vinte nga Haga, ato që shkruheshin në temat e këtij libri, duke parë nëpër të kaluarën kosovare e që përligjnin të ardhmen e saj të pavarur, m’u dukën si mesazhe nga më të bukurat, që kishin pushtuar zemrën time.

            Po le të themi, së pari, diçka për autorin:

            Sami Xhango ka shërbyer për pak vite mësues, pastaj gazetar dhe studiues i fushës së arsimit. Shumicën e kohës është marrë me materiale të fushës arsimore, me studime dhe botime për shkollën në përgjithësi, për gjuhën shqipe dhe letërsinë, kryesisht. Që në moshë të re ka botuar tregime dhe poezi në organe të shtypit letrar. Ndër punimet, që iu përkushtua më shumë, siç tregon vetë, është ky botim, pra “Gëzhoja në tokën kosovare”. Këtij botimi i kam kushtuar edhe unë këtë shkrim.

            Një mbresë, që më shoqëroi, pothuaj që në fillim e deri në fund, ishte vërtetësia e gjërave, sikur autori të kishte qenë vetë atje, në ato ditë të përflakura nga lufta, në ato masakra... e krime çnjerëzore serbe, po edhe kur arma ndërkombëtare bëri ndërhyrjen e vet aq shpëtimtare, kur pasoi edhe përzemërsia masive dhe vëllazërore e “tokës amë”. Gati të mekur nga tundimet, por edhe plot besim, tregojnë vetë heronjtë nga çfarë ferri kanë dalë, dëshmojnë shqisat dhe mendimet e autorit. 

            Vëllimi, me mbi 210 faqe, përbëhet nga dy pjesë: e para, me 14 tregime dhe e dyta, me 19 poezi.

            Rreth tregimeve, vetë autori shkruan në krye të librit: “Në shekullin që iku, padrejtësitë më të mëdha i ranë Kosovës...Le të kujtojmë pak nga Lufta e Dytë Botërore dhe këndej. Këtë të vërtetë dëshmon në mënyrën më të plotë e aktive edhe Konferenca e Bujanit, më 31 dhjetor 1943, që vijoi tri ditë. Lufta mbaroi, po ç’u bë me Kosovën? Në fundin e viteve ’80 –të, Serbia i hoqi Kosovës edhe përfaqësinë krahinore në Federatë. Po nuk kishte mbaruar me aq. Erdhi ajo më e shëmtuara: në vitet1998-1999!” Me këtë hapësirë kohe dhe ngjarjesh, që tronditën Ballkanin, Evropën dhe Botën, lidhen ngushtësisht edhe temat e tregimeve nga Kosova, po edhe nga mbarë vendi, të përfshira në këtë libër.

           

“Kur flitet për jetën tënde, Kosovë, një ujëvarë të fuqishme dëgjoj pranë...” etj. Gjëmime me jehona të kësaj ujëvare kanë vënë në lëvizje shqisat dhe mendimet e autorit, kur mendon e hedh në letër fjalët, shprehjet, konceptet, skenat, kur përvijon personazhet, na lë në trashëgim ngjarjet...

            Dashuria e dhimbja në çdo temë, të trajtuara nga ky autor i pjekur artistikisht, por më shumë ndjenjat patriotike, është e vështirë të tregohen në pak radhë. Ato i zbulon vetë lexuesi, kur merr në dorë dhe ndjek me kujdes e dridhërimë fatin ose vetë rrëfimin e çdo personazhi, nëpërmjet fjalëve të kursyera të një autori të sigurt në vetëvete, fort të matur dhe të ditur. Duket se është një autor me kërkesa për tema të caktuara dhe skena domethënëse, për interpretime të thelluara të ideve të rëndësishme, si për shembull, tema që bën fjalë për shqiptarët dhe politikën etj. etj.

            Për arsye vendi, vetëm do të veçojmë disa vlerësime: Egërsia e jetuar, kur tregohet me fjalë, duket se është vështirë ta rrokë mendja e njeriut normal. Ja, lexo tregimin “Ia plasi të qarit” ose tregimin “I njëzetegjashti” etj., që të rrëqethin, aq sa të duket sikur heronjtë kanë shpëtuar “vetëm për me tregue” krimet serbe të atij viti në Kosovë.

            Në vargun e temave, i është lënë një vend plotësisht i rëndësishëm edhe krimit të kamufluar nga dora serbe. Kjo temë trajtohet me theks të veçantë, sidomos në tregimin “Një letër në fund të librit”, që ka në qendër krimin e maskuar serb në Shqipëri. Është një luftëtar i shquar i Brigadës I Sulmuese ai, që i thotë në letër familjes:  “Unë kam besim në veten time, se çdo gjë që do të më ndodhë, do ta kapërcej, çdo situate do t’i bëj ballë...Ju mos u mërzitni...Fati do të këmbehet...”. Mugosha kishte qenë figura qendrore, që e ndëshkoi atë dhe ishin këto qëndrime të tij, që ai mori mallkimin shqiptar, “Monstruoz Mugosha”. Gjerësisht, kjo temë është trajtuar në tregimin “Hasmi”. Aty heroi është një ish-i internuar, që u gjend në rreshtat partizane jugosllave. Atje vritet pas shpine nga “vëllezërit bashkëluftëtarë serbë”.

            Populli zgjohet, qëndron, feston, nuk harron. Po mbetet themelore pavarësia. Drejt saj ecet edhe në forma të tjera lufte, jo me armë. Lexo “Një tubim që nuk u bë”, “Si e dëbuam nga ora e mësimit Presidentin”, “Kthimi” etj.

            Një mësuese pensioniste dëgjon se në fshatin, ku kishte shërbyer gjatë, qenka kthyer gjakmarrja. Ndihet e shqetësuar, duhet të bëjë diçka. Dhe autori e gjen një zgjidhje: sjell shembullin e prof. Anton Cetës, pajtuesit të madh të gjaqeve. Atij i kushton poezinë me titull : “Një trëndafil mbi ngricë”, që fillon me vargjet: “Një gjak u fal, dritaret e zemrës u çelën”....

            Ja, Pavarësia erdhi... Është koha e re e provave të tjera. Duhet të fitohet paqja. Autori këtë temë madhore e trajton në tregimin “Apashët”, në të cilin përshkruhet një skenë shumë domethënëse për nga gjerësia, ndërthurja dhe idetë e mëdha, që mbart. Skena është kjo:

            Lufta ka mbaruar. Në një magazinë ushtarake luftëtarët e lirisë, UÇK-së, po dorëzojnë armët. Aty kanë ardhur dy gazetarë për të hartuar një reportazh, me fakte të dhëna e të thëna edhe nga vetë luftëtarët. Po, rastësisht, u ndodh midis tyre edhe një oficer britanik, nga ata të asistencës ndërkombëtare për sigurimin e paqes në Kosovë. Në bisedën midis tyre, del padrejtësia historike e vitit 1913 për Kosovën, që u desh tërë ajo sakrificë dhe tërë ajo kohë për ta korrigjuar. Në një prej betejave të fundit, shoku i të dy gazetarëve, gazetar me ta, që kishte përshkuar frontin i pajisur edhe me aparat incizimi, ishte vrarë. Në këtë reportazh do të shfrytëzoheshin, natyrisht, edhe vëzhgimet e tij. Incizimin e dëgjoi edhe vetë ushtaraku britanik. Ai u bë dëshmitar i gatishmërisë së kosovarëve për të fituar edhe paqen.

            Siç thamë, pjesa e dytë e librit përmban poezi nga ky autor. Jemi të mendimit se ato edhe mund të përbënin një botim më vete, modest nga madhësia, por i bukur artistikisht. Mbase, autori i ka përfshirë me tregimet bashkë, sepse edhe ato janë vërtet “gëzhoja në tokën kosovare”. Kur i lexova, më lanë përshtypjen sikur i përkisnin një poeme, aq në lidhje dhe vijueshmëri të njëra-tjetrës qëndrojnë.

S’mund t’i mbyllim këto shënime pa shprehur edhe dëshirën që vëllimi me tregime dhe poezi, i shkruar nga Sami Xhango, të bëhet pjesë e bibliotekave shkollore, të Kosovës e Shqipërisë. Kjo kërkon interesimin e organeve përkatëse arsimore etj., me bindjen se kështu u dhurohet një libër i vyer lexuesve të vegjël e prindërve të tyre.

 

Tiranë, gusht 2010

 

Për ZSH: Murat Gecaj