Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Dashamir Malo

| E diele, 29.08.2010, 07:30 PM |


Dashamir Malo lindi ne Permet. Pas mbarimit te Shkolles se Mesme ne Permet (sot Gjimnazi "Sejfulla Maleshova"), mbaroi Akademine Ushtarake dhe me vone Akademine e Policise. Prej vitit 1990 -1997 punoi ne profesionin e tij ne qytetin e Sarandes. Ne vitin 1997 emigron ne Athine Greqi ku punoi dhe jetoi deri ne vitin 2002. Ne Greqi frekuentoi perfundoi shkollen dy vjecare per picture. Ne vitin 2003 rifillon perseri pune ne profesionin e tij si Oficer Policie dhe aktualisht eshte Shef Administrate ne Komisariatin e Policise Kufitare Sarande.

Ka botuar librat me poezi "Midis vetmise dhe heshtjes", "Precedent" dhe "Fshehja e Lotit". Ka perkthyer nga greqishtja vellimin poetik "Poezi te zgjedhura" te poetit publicistit dhe gazetarit grek Jorgos Hronas si dhe librin me esse "Vallja e cmendur e Merylin Monroe". Gjithashtu eshte pjesemarres ne antologjite poetike "Portat e harreses", "Itaka e fjales" dhe "Korsi e hapur". Ka botuar vazhdimisht cilke me poezi ne gazetat letrare te tilla si: "Drita", "Fjala", "Nacional", “Shkrimtari”, “Art Jonian”. Gjithashtu ka botuar cikle me poezi ne gjuhen greke, norvegjeze dhe gjermane.

Poezi nga Dashamir Malo

Ylberë të rremë
Cikël me poezi shkëputur nga vëllimi poetik “Fshehja e lotit”, botim i Shtepise Botuse “Milosao”, 2006


Gjoni

gjoni e nisi këngën e tij të vjetër 
mbi një lis 
tani që mbrëmja e vagullt po bie 
nata sjell me vete një paqe të rreme 
teksa vështron me sytë e të pabesit 
dhe dëgjon me veshët e hajdutit 
si mahmurr rri atje tej 
mali plak 
me një qiell të shpërfytyruar 
mbi krye 
dhe një hënë 
që veten ha nga pikëllimi
kjo natë 
që përbujt ankthin 
i treti udhët tona në errësirë 
një carcaf të grisur reje 
si një flamur pas një betejë të humbur 
e tund era e tërbuar e janarit ...
hesht! 
kalon dikush 
apo shiu këmbëzbathur qëmëton 
nëpër gjethurina?! 
shëët hesht! 
dikush kalon… 

po dhe në kaloftë 
udhëhumbur do të jetë


Ylberë të rremë
Rekuiem


mbrëmjeve 
dëgjonim një moshatar që qante 
mëngjeseve gjithashtu 
u rritëm 
në sajë të urisë 
shpresonim 
kjo ishte e vetmja zgjidhje 
që na kishte mbetur 
dëshirat tona 
ishin ylberë të rremë 
që i treste koha 
prisnim të ktheheshin zogjtë e ëndrrave 
ata prej kohësh na kishin braktisur 
pritëm 
pritëm gjatë 
nuk duhet të qanim 
vetëm duhet të qeshnim 
ndaj dhe qeshnim trishtueshëm 
pastaj 
pastaj u bëmë të belbër 
forma sendesh morën qëniet tona 
dita-ditës vdisnim pak e nga pak 
dhe dyshonim 
shumë e më shumë


Ikja e doktorit

Kushtuar doktor V. Gjinit

ika tinëz 
pa ju lajmëruar 
sepse ju o njerëzit e mi të shtrenjtë 
me dashurinë tuaj 
nuk do të më kishit lejuar 
kurrësesi 
të mërrja rrugën e moskthimit 
vetëm Irisit të vogël i thashë: 
gjyshi do të iki për pak kohë 
larg 
në Amerikë 
të më falni… 
të dielën time të fundit 
u zgjova herët 
pashë lindjen dhe perëndimin e diellit 
cdo gjë e pergatita vetë 
larjen e fundit 
darkën e fundit 
në një sirtar lashë disa receta 
për të sëmurët që vizitova 
së fundmi 
lashë një shumë të hollash 
për zyrën e shërbimeve funerale 
pastaj vesha kostumin 
që e kasha blerë për ditën e nesërme… 

teksa muzgu ra e qyteti i ngjethur 
tulatej 
në mbremjen e fundit të dhjetorit 
dola në rrugë 
nëpër shtyllat elektrike ngjita njoftimet 
dhe ju lashë takim për në orën 14 
të ditës së hënë


Imazhi yt 

tek eci i vetëm buzë mbëmjes 
dehur prej flladit të luginës 
më shfaqet befas para syve 
hija jote që shkon tinëz

vërtet je ti që më ndjek pas 
a ndoshta është imazhi i rremë 
tek më shfaqet në një breg 
tek më fshihet në një pemë 

ky imazh më del përpara 
nis më flet me emrin tënd 
lëviz trupin si purtekë 
më dalldis më josh më çmend

pastaj hop më ikën tutje 
dhe zhvishet buzë liqenit 
eja me mua më thotë 
hidhi gradat e kapitenit 

si hyjneshë duket zhduket 
nëpër ujët krejt të qetë 
prapë më thotë: nëse nuk vjen 
çfarë kupton ti nga kjo jetë!? 

por veten pyes: vallë si mund 
të dashurohesh me një hije 
jepu këmbëve kapiten 
nata korb i zi po bie


Bie një shi vjeshte

rrugët krejt i lag 
gjethet krejt i shtie 
bie një shi vjeshte 
një shi vjeshte bie

as gëzim më sjell
as trishtim më bie 
bie një shi vjeshte 
një shi vjeshte bie 

udhës së përbaltur 
të prisja të vije 
bie një shi vjeshte 
një shi vjeshte bie

iki pastaj muzgut 
tinëz si një hije 
bie një shi vjeshte 
një shi vjeshte bie

nis këndoj me vete 
një kënge vetmie 
bie një shi vjeshte 
një shi vjeshte bie


Një grua plakë

një grua plakë 
zgjohet ndaj të gdhirë 
nxitimthi del nga shtëpia 
zgjat dorën 
një copë gris prej yllit të mëngjesit 
një copë 
dhe si shami e lidh në kokë 
një plakë çemberbardhë 
me draprin e hënës në sup 
shkon nëpër ara 
të korri vetminë 
mbjellë vite e vite më parë


Humbur ti e humbur unë

nata mbeti murgatore 
pa një yll përmbi Dhëmbel 
bregu i Vjosës në shelgjishte 
gjethe pikëllimi çek

mbetën ëndrrat diku larg 
si një re që i tret era 
nëpër rrugët me gëzhoja 
ndoshta vjen a s’vjen pranvera

dhe në zemrat plot lektisje 
prilli vjen e sjell furtunë 
pas mëngjesit mjegulluar 
humbur ti e humbur unë

 

 

Fshehja e lotit

nënë 
ma dërgove çajin 
mbledhur me mundim 
nëpër rrëpira, 
unë i fsheh lotët 
para vajzës 
nga ky mall i beftë 
nga ky dreq 
që e martë 
e mira!

Athinë 1999


Eh kjo vjosë!

kjo Vjosë 
e ardhur 
degë më degë 
hakmarrëse ndaj gushtit 
qe e shteri 
ecën si e tërbuar 
shkul 
thyen 
rrëmben 
përplas 
mbyt gjithcka 
që i 
del përpara

eh kjo Vjosë 
e papërmbajtshme 
si një grua 
e tradhëtuar 
prej burrit!

Shkurtima

* * *
zogjtë e dashurisë 
nis korijeve 
dhe bregoreve të tua 
të ëmbla 
e bashkë bëjmë pranverën

* * *
me dhimbje 
shkoj 
drejt dhimbjeve të mia
veç kthehem 
më njerëzor


Gramatika e gjuhës shqipe

ah 
të kasha 
të kishe 
të kishim!

ah 
të isha 
të ishe 
të ishim!...


* * *
ullinj 
nëpër kreshtat e kodrave 
si udhëtarë mitikë 
të palëvizshëm
që s’do të arrijnë 
kurrë 
për atje ku janë nisur

* * *

jam 
çasti i mbetur 
i një kohe 
të vidhisur 
e mbi vetë mbaj 
dëshmi gjuhëprera

 

Miqësia jonë

miqësia jonë 
gjelbërim që s’i bindet 
vjeshtës

* * *
si kufomë jam këtu 
tek valët e Jonit 
shpirti më llapaçitet

athinë 2002

* * *
shprusheni hirin 
e vatrës së shkretë 
emrin aty do ma gjeni

* * *

sërish në Cajup
ndjej hapin e lehtë të një sorkadheje
e supit më ulet një harabel

* * *
s’u kthyen më dallandyshet 
gjoni 
vajton nëpër qarre

* * *
shumëngjyrëshe 
kurmet e hurmave në vjeshtë 
si gra 
të përfshira 
nga flakë pasioni