| E diele, 29.08.2010, 07:58 PM |
SULEJMAN KADRIU – ARTIST I DRAMËS NJERËZORE
E S E
Nga MAZLLUM SANEJA
Thonë se arti është një e vërtetë e bukur, e fshehur dikund mes nesh, që ndihet e përjetohet. I lumi ai që e zbulon këtë të bukur, që gjendet në gjirin e jetës. Ca thonë se arti nuk ka atdhe, ai u takon të gjithë popujve të botës. Sepse, sikur të mos kishte në ne vetëdije njerëzore për vdekjen, nuk do të ekzistonte as arti, atëherë përse njeriu i frikësohet vdekjes, kjo është çështja, po ashtu njerëzore, sikurse përse njeriu pikërisht jeton…
Po, të jesh poet, piktor, kompozitor – artist i vërtetë doemthënë t’i qëndrosh besnik idealik tënd deri në vdekje, ashtu sikundër jetuan dhe krijuan shumë artistë zulmëmëdhenj, që ngaherë në jetë kanë mbrojtur të drejtën, të vërtetën , të madhërishmën duke provuar torturat e shpirtit, të shkaktuara nga regjimet e ndryshme të dhunës, të cilët kanë parë ferrin e zi në jetë. Në heshtje të thellë kujtoj emrat e njerëzve të mëdhenj të artit si Betoveni, Goethe, Tolstoji, Van Gogu, Modigliani, Vagneri, Dante Aligieri, Zef Serembe, Adam Mickieviçi, Jul Sllovacki, Migjeni, Tagore, Kavabata,Sergej Jesenini, Rabindranath Tagore, Emil Zola, Cesare Paveze, Anton Çehovi e kush tjeter. Biografia e tyre është biografia e njerëzve të vuajtur dhe të durueshëm, që në jetë u përballën me sprova të rënda dhe tragjike. E di mirëfilli se udhët e partit nuk janë udhë të shtruara me lule e kurora, po janë udhë të rrëpirëta e përplot sakrifica . Krijimtaria doemos kërkon që krijuesi – artisti t’i takojë tërësisht: me trupin, me mendimet, me dëshirat, me ambicje, me ndjenjat dhe me ëndërrimet, me gëzimet dhe me vuajtjet. Flijimet e tij të pandërprera i shpërblen mendimi se me veprën e tij do t’i shërbejë popullit të vet, njeriut në përgjithësi; që ta ngris shpirtërisht dhe moralisht, që ta gëzojë dhe ngushëllojë në jetë...
Së këtejmi edhe udhët e jetës së artistit tonë, Sulejman Kadriut ishin udhë të vështira e përplot brenga dhe sëkëlldi sociale. Jeta e tij është si një rrëfenjë filmi të parrëfyer, përshkuar me dhembje e durim, vuajtje dhe stoicizëm. I lindur në Gjakovë (1936) , i shkolluar në Pejë dhe Zagreb, ku do të diplomojë Akademinë e Arteve Figurative (1964) në klasën e profesorit të mirënjohur kroat Milenko Stançiq, artisti ynë do të arrijë deri në qendrat më të qytetëruara evropiane të artit dhe të kulturës: në Luvër të Francës dhe në muzetë e galeritë e arteve të bukura të Gjermanisë dhe Anglisë, ku do të qëndrojë vite të tëra, duke vështruar dhe shijuara arrijtjet e artit evropian.
Nxënësi i shkollës së mesme të artit në Pejë, studenti i shkëlqyer i Akademisë së Arteve të Bukura të Zagrebit dhe Bohemi i pasionuar i udhëtimeve studioze nëpër qendrat e Evropës së qytetëruar, askurrë nuk do të harrojë prejardhjen e vet, askurrë nuk do të harrojë nënqiellin e Kosovës dhe banorët e saj me të gjitha gëzimet dhe hidhërimet, vuajtjet dhe sakrificat, ku më vonë do t’i pikturojë në botën e tij artistike figurative.
Derisa e bëj këtë shkrim për artistin tonë, sakaqë më kujtohet ajo vjeshtë e vitit 1965, ku thuajse përditë e shihja me një tabak letrash, që bënte portrete. Asokohe ai ishte nje artist bredhacak, qe injorohej dhe mohohej nga mjedisi dhe bota që e rrethonte, sikur ishte një “mollë e ndaluar” , dhe e gjithë këtë e theksonte me një fjalë “moskuptim”. Mbaj mend se sa i zhgënjyer e ndjeu veten nga mjedisi që e rrethonte dhe i pa mbështetje nga shoqëria. Me nje valixhe në dorë do të lë vendlindjen dhe nënën e sëmurë, duke marr botën në sy për kafshatës e gojës. Më parë do të zë pune në atelienë e piktorit kroat me famë botërore Krsto Hegedushiq në Zagreb. Më vonë(1967-1970) artisti ynë do të kalojë katër vite në Evropë(Itali, Gjermani, Francë dhe Angli) duke punuar si punëetor me mëditje. Duke jetuar në botën perëndimore ai i pa dhe i ndjeu në supet e veta të gjitha pazarllëqet dhe allishverishet, botën finoke dhe egoiste si shfrytëzimin e pashpirt dhe të pamëshirshëm të botës kapitaliste, që i bëhej klasës punëtore, vegjëlisë së pambrojtur. Dhe të gjitha këto pamje dhe imazhe tronditëse që të rrëqethin edhe trupin edhe shpirtin, artisti ynë do t’i pikturojë në pikturat e tij.
Sa pikëllim i madh është për artistët, të cilët në jetë kërkojnë ngaherë të vërtetën, mendimin e lirë, lirinë, dashurinë dhe fatin, derisa gjejnë fatkeqësinë, mjerimin, tmerrin e mospërfilljes dhe më në fund vdekjen. I këtillë ishte fati i artistit gjenial Vincent Van Gog. Bukur i ngjashëm me jetën e Van Gogut është edhe jeta e artistit tonë, përplot peripeci, me vuajtje e mundime, shqetësime, travaje e trauma gjithëfarëshe të shkaktuara nga një shoqëri e paudhë dhe e shthurur.Jeta e tij qe arti i tij, qe dashuria dhe etja e tij dhe, tërë jetën i mbeti besnik artit, ku as vitet e vështira në vendlindje e as vitet e kaluara përplot skamje në botën perëndimore nuk mundën kurrë të ia shuajnë ethet e krijimtarisë, ku atje njohu dhe zbuloi shoqërinë në klasa: klasën shtypëse dhe klasën e shtypur. Aty zbuloi vetveten dhe ferrin e vërtetë të jetës. Ç’antitezë e fuqishme qe arti me natyrën e tij të shqetësuar?! Arti tij është i ndritur, po edhe i zymtë e melankolik, që shpreh botën e tij komplekse dhe të ndërlikuar. Qetësinë dhe prehjën e shpirtit të shqetësuar përpiqet ta gjej, në shkruarjën e letrave dhe të Ditarit, qe mban vite e vite. Aty i rrëfen ravgimet e tij jetësore plot peripeci, përsiatjet e tij mbi artin, shoqërinë dhe botën.
Në pikturat e tij zbulojmë dramën e stuhisë në natyrë dhe dramën e vuajtjës në jetë. Në veprat e tij “Elegji për Kosovën”. “Femra e plagosur”, ‘Pa titull”, “Kompozicion”, “Fatkeqësia tragjike në Shqipëri”, “Vertikalja tragjike”, ”Epilogu”, “Kokat e djegura”, “Peizazh nga lufta”, “Fatkeqësia në Amerikë”, “Pasojat e fuqisë”, “Gjurmët e zeza”, “Maca e zezë”, “Gjurmët e
zeza”, “Pa titull”, “Viktimat naga regjimi”, “Toka e djegur”, “Tragjedia në Irak”, “Improvizion”, “E kombinuar”, “Asociacion”, “Pa titull” etj. etj. zbulojmë apokalipsin e kohëve moderne, gjëmën dhe hatanë e madhe që ka ndodhur në hapësirën tonë, ku artisti ynë përmes brushës na shpalos pamje rrëqethëse: dhembjen dhe tragjizmin e një epoke. Të gjitha pikturat e tij duket sikur jetojnë në ne, në thellësitë tona, duke na zgjuar nga gjumi, duke na tronditur e pushtuar me pikturat e tij, që pasqyrojnë një histori të hidhur dhe të vërtetë të botës së vuajtur dhe të paepur, që është një konglomerat psikik e psikologjik i njerëzimit, i epokës, në të cilën jeton dhe krijon artisti ynë Sulejman Kadriu tashmë gjashtëdhjetë vite, duke i qëndruar besnik artit...
Varshavë,
fillimi i gushtit 2010
![]() |
Femra e plagosur 1998 |
![]() |
Vertikalja Tragjike 2008 |