| E diele, 29.08.2010, 02:00 PM |
Agjërim me shpirt ndër dhëmbë
Nga Arbër Luznaku
Këto ditë të nxehta gushti si në gjithë Shqipërinë, edhe në Dibër, besimtarët myslimanë kanë filluar agjërimin në Muajin e Madhnueshëm të Ramazanit. Besimtarët agjërojnë, siç thonë ata, për të kryer një detyrim ndaj të Madhit Zot dhe e konsiderojnë këtë muaj të Shenjtë.
Muaji i agjërimit nuk është statik, ai lëviz nga viti në vit, herë bie në dimër, herë në pranverë, në verë e në vjeshtë, sipas kalendarit fetar. Këtë vit filloi në 10-ditëshin e dytë të gushtit dhe përfundon me datë 8 shtator, kur është nata e Bajramit.
Besimtarët agjërojnë, po si agjërojnë?!
Fati ka sjellë që koha ditore e agjërimit këtë vit të jetë shumë e gjatë afërsisht nga ora katër e mëngjesit deri në orën tetë të darkës, plot 18 orë. Janë 18 orë në këto ditë të nxehta gushti kur besimtari është i privuar nga e drejta e të ngrënit, e pirjes së ujit e lëngjeve aq të domosdoshme, apo duhanit, që konsiderohet ndër më të vështirat e agjërimit (pas ujit) për ata që janë përdorues.
Sikur të mos mjaftonin këto, koha e gjatë dhe vapa e tmerrshme, faktorë të tjerë "po ua nxijnë" agjërimin besimtarëve dhe po bëjnë që ata të kalojnë ditët me shpirt ndër dhëmbë.
Është më se e vërtetë që një pjesë e tyre "agjërojnë" gjatë gjithë vitit, pasi mendo se si mund të kalojë muajin një familje me katër anëtar me 3900 lekë ndihmë ekonomike (pa le kur thonë se është dyfishuar) me të cilat duhet të paguajë dritat, ujin që nuk e ka, telefonin, nëse e ka, ilaçet e të tjera e të tjera dhe për bukë e gjizë nuk mbetet.
Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit presupozon një Syfyr të begatë, ku e zonja e shtëpisë të zgjohet të paktën një orë para të tjerëve e të gatuajë, një Iftar të pasur, ku të mos mungojë asgjë. Syfiri i begatë dhe Iftari i pasur mbeten përralla të Andersenit, agjëruesit nuk kanë më elementaren, nuk mund të blejnë qepën e vezën për të gatuar gjellën tradicionale për Iftar (kimë me vezë) që është një normë e pashkruar, por e domosdoshme për çdo agjërues.
Varfërisë ekstreme të mjaft familjeve me një a më shumë agjërues i shtohen dhe faktorë të tjerë që bëjnë të kalohet caku i durimit. Po bëhet një javë që KESH - i (i privatizuar) ka gjetur "alibinë e remontit" për të ndaluar dritat në shkallë rrethi nga ora nëntë deri në orën 16 e tridhjetë minuta pas dite. Ku e gjetën këtë remont në ditë Ramazani dhe kaq të gjatë e dinë ata!!! Uji, ah uji. Na thanë se do të kemi 24 orë ujë në ditë që para 5-vitesh.
Ëndrra nuk doli. Miliarda u shkruan në evidencat e investimeve për ujësjellës e jo vetëm nuk ka ujë, por nuk janë as ujësjellësit vetë si objekte (Përmendim këtu vetëm pak nga lekët e ujësjellësve "që kanë shkuar në lumë" shiritat blu, prerë me dorën e djathtë të Kryeministrit në komunën Maqellarë në Dibër për ujësjellësin që kushtoi 4 milionë e treqind mijë euro dhe atë të Peshkopisë me mbi një milionë euro, por ujë e ujësjellës nuk ka, ndonëse firmat janë vënë për kolaudim, supervizion, marrje në dorëzim). Agjëruesit sot presin orarin e lëshimit të ujit, një orë në ditë dhe kjo as në Syfyr e as në Iftar, por kur t'u teket në mëngjes, e aty rreth orës nëntë në darkë.
Në vapën përvëluese agjëruesi jo vetëm që nuk mund të pijë ujë, por as nuk mund të freskohet në çezmën gojëmbyllur, nuk mund të vejë një freskuese në korrent (kondicioneri është "mollë e ndaluar), edhe ajo familje, që ka diçka për të gatuar, nuk mund të gatuajë se, kur ka ujin nuk ka dritat, nuk mund të shkojë as në banjë se nuk ka me çfarë ta lajë.
Vetëm sa thamë, për të mos hyrë në malin e halleve që ka ky milet, mund të thuash se agjërimi këtë vit po bëhet me shpirt ndër dhëmbë. E në anën tjetër "qentë e pamëshirshëm me bark shekullor gjithmonë të pangishëm" servirin në pjata të arta miliona euro zhvatur nga djersa e gjaku i pikërisht këtyre që agjërojnë e të tjerë bashkëhallexhinj.
Më shumë se kurrë Zoti ua pranoftë atyre që agjërojnë se vërtet po sakrifikojnë shumë e ndërkohë po Zoti u ardhtë hakut atyre që majmen me paratë e ujësjellësve të pandërtuar, rrugëve që nuk janë asfaltuar, shkollave me çati zbuluar, minierave e hidrocentraleve të privatizuar, pronës së zhvatur e tjetërsuar, tenderimeve që tashmë "janë modernizuar".
Të vjen realisht të vjellësh nga qafa, kur ndonjë soj e sorollop nga këta të fundit ngrefoset të agjërojë, numëron në duar tespi e guxon deri aty sa shkon në xhami të falet. Vidh ditën e falu natën. Besoj se Zoti kurrë nuk mund të falë këtë lloj specie, që vetëm njerëz nuk mund t'i quash e t'i barazojë me ata që në Syfyr e Iftar hanë bukën lyer me vaj e kripë dhe mendjen e besimin e kanë të palëkundur tek i Madhi Zot.