| E diele, 29.08.2010, 01:30 PM |
Satirë
Intrigat e çarshisë
Shkruan: Ferid Selimi
Në këtë botë, s’ka njeri që nuk ka gajle, apo siç e thotë thesari popullor “njeri pa kasavet nuk ka”. Ama, Secili i rrit të vetat edhe u duken shumë të rënda e të pazgjidhshme. E pasi t’i heqin nga rendi i ditës, kthehen e thonë: Asgjë nuk paskan qenë ato, në krahasim me këto që kam tani. E kështu çdo ditë, javë, muaj e vit. Gjithnjë probleme të reja, varg e vijë, e me to edhe përvoja të reja! Sepse struktura jetësore është konstrutuar me arkitekturë të tillë. Vetë jeta është sa utopike aq inxhinierike e pjesë-pjesëshme. Bile më shumë ka atribute të kësaj të dytës, edhe pse shpesh ëndërrojmë për të arritur atë që mbase është utopi dhe e paarritshme. Duket, që, njeriun, vetë dalja në këtë botë e bën lakmitar.
Kushedi, mbase!
Si shumëkush, edhe unë kam hallet që më sillen rreth e rrotull. Ja, p.sh., nesër më duhet të shkoj në një dasmë të një miku. Kam gajlen e peshqeshit. Apo ta them troç: hallin e lekut. Sot e harxhova edhe lekun e fundit që më mbeti nga paga mujore. Prandaj, jam në dilemë: të shkoj a të mos shkoj!...
Po vendosa të shkoj, duhet t’ia bëj disi e të blej një dhuratë të majme, përndryshe, ime shoqe nuk do të pajtohet që t’i dërgojmë një pako me gota një eurshe. Më duhet të huazoj ca lek e të mos zihem me gruan, por edhe të mos koritem me mikun e mikeshën, në holin e sallonit të dasmave, kur të më shprehin mirëseardhje, e unë t’u uroj dasmën...
Tjetri, mbase ka gajlen e borxhit ndaj elektrodistribuimit, ujësjellësit, a pastrimit, se helbete i teket dikujt dhe shkon e çkyq nga rrjeti... druajnë që çkyqen nga rrjeti elektrik dhe ujësjellësi, se sa për borxhin ndaj Kompanisë që merret me pastrimin e rrugëve dhe të grumbullimit të mbeturinave, s’e rrahin mendjen fort... s’kanë ç’i bëjnë.
Bujqit, gajlen e bereqetit. Vera, në fillim me vërshimë shiu e breshëri, e tani me thatësirë. Gati sa janë tharë të gjitha pemët e perimet. Mundi do t’u shkojë huq. Ditë e natë me sy përpjetë, duke shikuar qiellin si të marrë, mos ndoshta diku do të paraqitet ndonjë re, shpresë kjo për ndonjë pikë shiu. Por, ama po u paraqitën re të zeza si ato të Shoshajës, që, sjellin breshër, mos pyet...
Vreshtari ka gajlen e plasimit të rrushit, sepse rezervat e verërave të mëparshme nuk qenkan harxhuar ende. Punëtori ka gajlen e familjes. Punëdhënësi, sigurimin e ndonjë tenderi për të siguruar punë dhe mjete për të paguar punëtorët...
Hoxha e prifti me hall tjetër. Presin të ketë dasma, lindje, kurorëzime, shkurorëzime, pagëzime e vdekje më të shpeshta. Ç’t’i bësh, kështu do ta “nxejnë” xhepin.
Nxënësit me gajlet e mësimeve dhe të detyrave shtëpiake. Studentët, gajlen e provimeve.
E mullisi... Mullisi ka gajlen e ujit dhe...
Pra, të gjithë të vetat dhe të gjithë… nga pak të huajat. Kur i shikon nga jashtë, duken mjaft, por sikur njerëzit nuk ngopen me të vetat. Sikur shpina e tyre duron edhe më tepër, andaj, mbi samar të shpinës së tyre ngarkojnë edhe të huajat.
Dhe... këtu fillojnë intrigat.
Ja ç’më tha një ditë njëri që endet nga kafeneja në kafene, e nga një sokak në tjetrin, e s’i shqitet fare çarshisë:
“Filani merret me intriga dhe bart vetëm gajlet e huaja...”.
Ç'është më e keqja. Pasi përfundoi për të, filloi për tjetrin, e më vonë edhe për të tretin, e kështu do të vazhdonte edhe për të katërtin a të pestin, po të mos e ndërprisja.
“Ngadalë” i thashë “Hajt se po të besoj për të parin, edhe për të dytin, po këta të tjerët? Edhe ata janë të tillë?”
“Po, po, për këta që po të flas, janë të tillë!” -më tha.
“Me leje!” -ia ktheva “mos po e tepron pak”.
“Jo!” -ma ktheu, “bile nuk po mund të t'i them të gjitha, di ende për ta”.
“Po ti” -i thashë “Nuk ke punë të tjera pos të merresh me intriga?”
“Me intriga?! -u çudit ai. “Unë të merrem me intriga? Kurrë jo, ata merren me to, andaj edhe t'i them të gjitha këto”.
“Po këto që thua nuk janë intriga, apo ndryshe, thashetheme çarshie?
“Jo, këto janë të vërteta. Bile edhe të tjerët e dinë, s'di si nuk paske dëgjuar ti?”
“More, unë i njoh, por s'dua të merrem me këto gjepura. Kam punë më të mençura”.
Nuk desha ta dëgjoj më, kisha gajlet e mia. Ai edhe më tutje vazhdoi të llomotit, por s'e ç’thoshte, s’e dëgjoja fare. Bluaja në mendje. Nuk e kisha të qartë kush merrej me intriga: ai, apo ata për të cilët fliste. Dikush do të thoshte mbase është bërë për hajmali. S’e besoj në do të bënin punë edhe hajmalitë e më të madhit hoxhë! ..
Një ditë, derisa rrija ashtu kotnasëkoti në një verandë të një kafeneje, m’u afrua i njëjti dhe m’u drejtua me një zë lutës:
“Kam probleme të mëdha”, më tha “nuk po di nga t’ia filloj”.
“Më lë të qetë...” -i thashë
“...se po të filloja unë t'i radhisja hallet e gajlet e mia, t'i shkërdhejnë tuat”.
Kjo shprehje, nuk di në ishte imja apo e kisha dëgjuar prej dikujt.
Ai, pa hetuar u largua dhe nuk m’u afrua më kurrë.
E pse, nuk e di.
Mbase ju e dini!