Kanan Jakupi, ish-drejtori i Sanatoriumit rrëfen ngjarjen e ‘89
"Nënë Tereza nuk preku asnjë kokërr nga rrushi i zgjedhur i llojit moskat, që ta bënte me sy, vendosur me kujdes në një pjatancë të madhe. Ajo nuk vuri në gojë asnjë pikë nga lëngjet e frutave të banketit që kishim sajuar...
Vetëm tundi kokën dhe u largua me gjithë shpurën e saj, duke u justifikuar se nuk mund të hanim pa ngrënë më parë të sëmurët".
Ngjarja që rrëfehet ka ndodhur në Sanatoriumin e Tiranës, saktësisht 21 vjet më parë, në gusht 1989, kur më në fund shqiptarja Nënë Tereza ishte lejuar të vizitonte Shqipërinë. Ndërsa njeriu që e rrëfen këtë episod, quhet Kanan Jakupi, tashmë pensionist, i cili, dikur, kur ngjarja e mësipërme konsumohej, ishte drejtori i Institutit të Sëmundjeve të Mushkërive, apo siç njihej ndryshe, Sanatoriumi i Tiranës. Jeta e kishte përcaktuar që ai të ishte një nga njerëzit fatlumë që do i shtrëngonin dorën Nënë Terezës, që do e shoqëronin nëpër pavione, që do i rrëfenin se si mjekësia shqiptare, edhe pse e vonuar, kishte zgjidhur gjithsesi ca gjëra, sidomos me turbekolozin, sifilizin e malarien, duke e mrekulluar gruan e veshur me të bardha. Por Doktor Jakupi nuk dëshiron ta nisë kështu këtë histori.
"Për Nënë Terezën kisha dëgjuar për herë të parë 16 vjet të shkuara, nëse do të marrim si pikënisje kohën e vizitës së saj në gusht të 1989", - nis të rrëfejë në këtë formë renditjeje ish-drejtori i Sanatoriumit historinë, që për shkak të përmasave të personazhit për të cilin flet, merr automatikisht vlerat e një ngjarjeje të pazakontë. Kështu, Dr. Jakupi nis e tregon se si kishte dëgjuar për herë të parë për Nënë Terezën, pa e ditur se ishte shqiptare, në vitin e largët 1973, gjatë një kursi ndërkombëtar për Epidemiologjinë, organizuar në Romë. Aty, një mjek nga Zaireja e Afrikës, që sipas doktorit quhej Dr. Kieza, i kishte rrëfyer për një grua që e thërrisnin "Mother Tereza", e cila i kishte ndihmuar shumë të sëmurët me turbekoloz të këtij vendi afrikan. "Dr. Kieza më fliste pa pushuar për punën e madhe të Nënë Terezës në këtë vend dhe unë fatkeqi e dëgjoja me kureshtje duke i kërkuar të dija çdo gjë për të, pa e mësuar asnjëherë se kjo qenie humane, që i kishte përkushtuar jetën, të gjithën atë, të sëmurëve dhe të varfërve, ishte me origjinë shqiptare, se në damarë i lëvizte qind për qind gjak shqiptar", - rrëfen doktori.
Sërish i turpëruar
Dhe rasti apo fati e sjell që pas 16 vjetësh sërish doktor Jakupin të ndihej i turpëruar për shkak të Nënë Terezës. Edhe pse tashmë ai e kishte shumë të qartë se cila ishte Nënë Tereza apo shqiptarja Gonxhe Bojaxhi. "U gëzova shumë, madje u ndjeva krenar kur më lajmëruan se Nënë Tereza, që ndodhej në Shqipëri, kishte shfaqur dëshirën të njihej me punën që bëhej për mjekimin e turbekulozit. M'u kujtua edhe doktor Kieza nga Zaireja e Afrikës, vetja ime që në atë kohë nuk e dinte se Nënë Tereza ishte shqiptare dhe pamundësia fatale për të thënë para të huajit: Po, Nënë Tereza ka të njëjtin gjak që edhe unë kam, është shqiptare... Por sërish, edhe pse e shoqërova për rreth një orë nëpër Sanatorium, nga njëri pavion në tjetrin, edhe pse vura re kënaqësi, madje shkëlqim në sytë e saj, Nënë Tereza do më linte të turpëruar", - mbërrin në këtë pjesë të historisë doktor Jakupi.
Si më e shumta e shqiptarëve që e kanë zakon të alarmohen për të pritur sa më mirë një mik me qëllim që ta nderojnë atë, edhe doktor Jakupi ishte angazhuar që Nënë Tereza të pritej e përcillej siç e meritonte një figurë e tillë.
"Veç të tjerave menduam të sajonim një banket të vogël për Nënë Terezën, pa e tepruar aspak. Menduam se pas vizitës nëpër pavione, një banket i vogël ishte i natyrshëm. Blemë pije freskuese, aranxhata të kohës, ëmbëlsira e fruta. Kurse unë u kujdesa personalisht që të siguroja ca rrush të mirë. Sepse, nëse e kujtoni, Sanatoriumi në mes të vreshtave gjendej. Me drejtorin e fermës së Saukut, që rriste rrushin mbase më të mirë në vend, ishim bërë miq. Për shkak të një problemi që na kishte dalë dikur me kaldajistët të mi, të cilët me raste vidhnin rrush dhe fshehurazi e bënin raki. Kështu drejtori u interesua vetë që për Nënë Terezën të këputej nga rrushi më i mirë që në atë kohë vlerësohej varieteti 'moskat i zi'. Rrushin e vendosëm në një pjatancë të madhe dhe kuptohet që ai zuri vendin më të rëndësishëm në tryezë. Por pikërisht këtë rrush që ta bënte me sy, Nënë Tereza nuk e preku fare me dorë", - vazhdon të tregojë doktor Kanan Jakupi.
Kur Nënë Tereza kishte mbërritur me një makinë "Benz" me targa RSH, nga ato që në atë kohë përdoreshin nga krerët komunistë të vendit, doktor Jakupi bashkë me Pr. Shefqet Ndroqin, patën fatin e madh ta prisnin në shkallët e Sanatoriumit dhe kënaqësinë t'i jepnin dorën. Kështu, çmimi "Nobel për Paqe" i vitit 1979 ishte ulur në kolltuqet demode e të konsumuara të zyrës së doktor Jakupit për një bisedë të përzemërt. Doktori, me ndihmën e një përkthyeseje, Adelina Mazrekut, që në këtë kohë ishte drejtore e Spitalit Onkologjik, i kishte shpjeguar Nënë Terezës për luftën kundër tuberkulozit, për shifrat e dikurshme dhe progresin e atyre aktuale e të tjera të dhëna. Kohë kur kishte vëzhguar se si Nënë Terezës i ishte sajuar në fytyrë një shprehje kënaqësie. "Ndërkohë, kisha mësuar ca gjëra nga sjellja apo mënyra se si funksiononte Nënë Tereza. E dija thënien e saj monumentale: "Para se të flasësh është e nevojshme të dëgjosh, se Zoti flet me zemër në heshtje". Por nuk mund të dija gjithçka. Në përfundim të bisedës Nënë Tereza më kërkoi t'i përgatisja disa të dhëna për masat që kishim marrë për luftën kundër turbekulozit, për profilaksinë dhe metodat e mjekimit, për t'i përdorur në vende që ua kishin nevojën dhe unë nuk harrova që të nesërmen t'ia dërgoja. Më pas u ngritëm, pasi ajo shfaqi dëshirën të vizitonte pavionin e fëmijëve",- vazhdon rrëfimin doktor Jakupi, duke veçuar se i ka mbetur në mendje mënyra se si Nënë Tereza prekte fëmijët. I prekte me dorën e saj të rreshkur në kokë, i ledhatonte duke pëshpëritur fjalë, që askush nuk arrinte t'i dëgjonte. Më tej kishte vizituar pavionin e të rriturve, këtë herë duke biseduar lirshëm me ta, duke i pyetur për shëndetin apo edhe për ushqimin. Madje, në fund të vizitës ishte futur edhe në mensë e kuzhinë. Këtu momenti vjen sërish për atë historinë e banketit."Në përfundim të vizitës u rikthyem te zyra ime, ku në tavolinën e madhe ishte bërë gati banketi. Por Nënë Tereza nuk preku asgjë, asnjë kokërr rrush nga moskati i zi që ta bënte më sy, asgjë. U largua duke thënë: Nuk mund të hamë përpara se të hanë të sëmurët", - rrëfen doktor Jakupi këtë moment, ashtu siç rrëfehet një ngjarje që të mbetet peng për gjithë jetën. "U ndjeva sërish siç ndihesha sa herë që kujtoja atë historinë e 16 vjetëve më parë me atë doktorin nga Zaireja e Afrikës. Me kalimin e viteve kam menduar se Nënë Tereza veproi në këtë mënyrë pasi vuri re se në kuzhinë nuk kishte rrush për të sëmurët. Pra mendoi se rrushi atë ditë ishte vetëm për shkak të saj. Por gjithsesi edhe ky version nuk më ka ngrohur. Kështu unë ende vazhdoja të mos e njihja Nënë Terezën, të mos kuptoja domethënien e jetës së saj, e gjitha e kaluar në shërbim të atyre që kishin nevojë. Nuk e dija se ajo grua e rrallë ecte përpara sipas një filozofie pak të njohur ndër ne shqiptarët e kësaj kohe, një filozofi që fillonte e mbaronte me epigrafin 'asgjë për vete".
