Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


M I Q Ë S O R E

| E enjte, 26.08.2010, 07:31 PM |


M I Q Ë S O R E

 

Ju që adhuroni muzikën e poezinë

e fytyrës së Zotit i faleni në ikona

u përgjërohem e zbutni mërinë

mos bëjë vend në zemrat tona.

 

Krahët liruar nga prangat sollëm ne

dhe ëndrrën të porsazgjuar për fluturim

dhe etjen për të prekur çdo vlerë të re

dhe pritëm që shpresa mos kthehej zhgënjim.

 

Shpresuam dy dekada me hyrje e dalje

me kryet ulur e zemrën e dlirë

e me kurajon të lypim falje

për çka që nuk e bëm aq mirë,

 

e tokni këtë dorë të shtrirë.

 

NJË MESAZH

 

Tek shkel ti udhët me pëllëmbë

me bisht të syrit pa nis e gjuan,

me hap të lehtë, të lehtë pëndë

të vret e s'të paguan.

 

Rreze sysh të ndjekin zhbirues

e si në fokus ti i mbledh,

me hiret fund e krye tundues

në zjarr të gjithë i hedh.

 

Ti je tani n'agim të ditës

më tej çdo ndodhë në mend s'e shpie,

por jeta rrjedh e vjen cfilitëse

sa pendët një nga një të bien...

 

 

Janaq Pani