Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


INTELEGJENCIA RURALE I NJË KOLLUMNISTI URBAN

| E merkure, 25.08.2010, 08:14 PM |


Fadil LUSHI

   INTELEGJENCIA  RURALE  I  NJË  KOLLUMNISTI URBAN

    Nëse sot u hedh një sy medieve të shkruara të Tiranës, qofshin ato ditore a edhe revyale, do të vëresh dhe do të konstatosh se ato janë vërshuar nga analistë, vështrues, opinionbërës, kolumnistë etj. Pjesa dërrmuese e tyre kanë  prejardhje rurale, të tjerët hiqen  shehërlinj.  Disa do mëtojnë të shkruajnë mirë për politikën e doktorit, ndërsa ata që thonë llaf bosh për atë politikë, e hanë dajakun dhe u mbyllet goja. Ca të tjerë e përkrahin politikën e Edvinit dhe tajfës së tij. Toptan do të shkruajnë, por ama disa do të kritikojnë, ca do të lavdërojnë, ca do të shtrembërojnë e ca të tjerë do të shkruajnë “përkujtime” për kosovarët dhe shqiptarët “maqedoncë” të padëgjueshëm! Njerëzit që një herë e mohojnë të vërtetën e cilitdo qoftë njeri, thonë se mund të justifikohen, por  nëse këtë e përsërisin, atëherë nuk mund të arsyetohet shovinizmi dhe higjiena cerebrale e tyre. Andaj, po qe se e gjithë kjo  bëhet me qëllim, atëherë këta njerëz, gjithsesi duhet të konceptohen dhe të konsiderohen si kolumnistë ngatërrestarë të dhjamosur me dialektikën e patologjisë së urrejtjes dhe me dufin e akumuluar, kush e di prej sa kohësh.

    Të gjitha këto opinione që janë pjellë e gazetave të Tiranës, po të analizohen mirë e mirë, mund të dalë përfundimi se ato lëngojnë seriozisht nga anarkia morale, anarkia patriotike dhe anarkia fetare e tjera anarki! Megjithatë në Tiranë ka kolumnistë seriozë  dhe të ndershëm, por ka edhe asi që me plotë të drejtë mund t’i konsiderojmë  njerëz që nuk arrijnë dot të esëllohen dhe të mendojnë me trurin e tyre. Një të tillë do ta “identifikojmë” edhe në këtë shkrim. Emrin e tij nuk do ta përmendim për faktin se ai asnjëherë nuk i është referuar emrit tim. Megjithatë do të themi se quhet N. N. I vetmi mjet i rebelimit është llafi dhe llafet e tij,  kur nuk peshojnë gjë  a kur nuk do meritojnë vëmendjen e “banuesve” të apartamentit ku jeton, atëherë ato llafe do t’i nxjerr jashtë mëhallës, jashtë Tiranës dhe shtetit. Kjo i vjen si puna e burrit, i cili kur qorton gruan në dhomë, kjo ik jashtë në lamë, prej nga edhe ia kthen burrit “hazërxhevapin”? Ju, lexues të dashur, a dini pse gruaja del në lamë? Ja, po jua them unë. Del për t’u dëshmuar te fqinjat se ka llaçkë!? Ky opinionist apo edhe kolumnist urban me inteligjencë primitive, ngatërrestare dhe në instancë të fundit rurale, do të karakterizohet a do të identifikohet me llaçkën e asaj gruaje?  Kolumnisti në fjalë përtej kufirit, do të njihet edhe si kampion i thashethemeve dhe i paragjykimeve, do të njihet edhe si deformues, degjenerues dhe kriminalizues i së vërtetës shqiptare jashtë amzës, fjalës së lirë, të njerëzve nga Maqedonia e Kosova, njerëz, të cilët bëjnë do përpjekje për të diskutuar çështje nga lëmi i politikës, letërsisë, gjuhës ose edhe religjionit. Dhe, sa herë që një pedagog i Universitetit Shtetëror të Tetovës, ose madje edhe i Universitetit të Evropës Juglindore, do të bëjë përpjekje për ta përcjellë fjalën e lirë atje ku e ka vendin, po qoftë edhe në oborrin akademik dhe intelektual të Tiranës, atëherë ky kolumnist që ka një identitet me shumë alternime apo një kombinim gjenetik, aq herë do katandiset, që kësaj fjale të lirë, t’ia zaptojë autonominë e frymëmarrjes.  Në shënjestër të shkrimeve të tij gazetareske gjithmonë do të jenë intelektualët shqiptarë në veçanti ata që kanë emra dhe mbiemra myslimanë (emra këto që janë dhuratë e hijshme prindërore, dhuratë e bukur e një gjaku apo edhe e një soji) pavarësisht se janë kosovarë ose  shqiptarë “maqedoncë”, dhe kështu në vijimësi me apo pa dashje, në emër të ateizmit të tij, (është e drejtë e tij të ndihet ateist dhe këtë asnjeri nuk ia konteston) do të mëtojë  të mohojë dhe të denigrojë qenien e harmonisë në trekëndorin fetar në Shqipërinë londineze dhe në veçanti në atë politike. Ai do të vazhdojë të dërdëllisë se në Maqedoni e  në Kosovë kinse jetojnë njerëz të paaftë dhe me kompetenca të kufizuara, njerëz të cilët nuk e kanë forcën intelektuale për të qenë “objektivë e të pavarur”!? Ai nga shqiptarët “maqedoncë” dhe kosovarë do të kërkojë që t’i kthehen origjinës respektivisht identitetit katolik apo edhe ortodoks!? Kur ai flet për shqiptarët me emra a mbiemra myslimanë, gjithandej ku jetojnë, gjithmonë majë gjuhës së tij e ka Tetovën si qendër islamike në Gadishullin Ilirik, shtëpinë e shqiptarit ku mund të hyhet vetëm pas zbathjes së këpucëve?  Atë do ta pengojnë xhamitë me “minare si raketa” prej nga jepet  ezani, e nuk merakoset fare karshi pushtimit (në paqë) të Kishës Autoqefale Shqiptare nga grekomadhi- i “ndrituri” Anastios Janullatos?

     Ndoshta do të na thotë se jemi mbeturinë e kombit, që jetojmë në periferi, krahas atij që jeton në një lagje të katundit të madh të Tiranës. Nuk di nga e ka marrë këtë të drejtë që këtë vendbanim tonin ta konceptojë  provincë ose edhe fshat, aq më tepër kur dihet se në hapësirat e kësaj “periferie”, në periudha të caktuara kohore, janë sjellë vendime me rëndësi historike, politike, gjeografike, janë organizuar kongrese, konferenca, marrëveshje e të tjera. Ndoshta sot, kjo trashëgimi e “provincialistëve” shqiptarë të Maqedonisë dhe të Kosovës, këtij farë kolumnisti ia kanë sjellë shpirtin majë hundës. Për këtë dhe ndonjë arsye tjetër, nuk duhet të habitemi, sepse mosqenia jonë do të artikulohet në mënyrë provokuese nga ky provokator arrogant. Dhe kjo do dëshmohet me patetizmin e tij patriotik, folklorik, të sajuar dhe urban. Dhe ky patetizëm e pengon që ta pakësojë vrerin e tij.

                                      PËR FUND

     Të nderuar lexues të vëmendshëm dhe të paanshëm, këtë farë opinionisti a edhe kolumnisti, nuk e pengon emri dhe mbiemri mysliman i shqiptarit, por e pengojnë vlerat që ndërtohen nga ana shqiptarëve këtej kufirit. Këtë nuk e bën pse është ateist, por pse është i rrjedhur nga mendja e tij me havale! Dhe ky zotëri a intelektual rural, me adete dhe huqe urbane, me konfeksion urban e me shije rurale dhe me çallëm katundarësh si dhe me pikëpamjet e tij të shtrembëruara qofshin ato filozofike, politike, fetare dhe megalomane, nuk mund të bëhet FENER NDRIÇUES i mendimit të lirë (autonom) në Tiranë ose në Shkup e Prishtinë. (Këtu në Maqedoni, kur bëhet fjalë për njerëz të tillë, ka një mesele që lidhet me fenerin dhe të cilën nuk do ta kallëzoj se është shumë denigruese)

     Tekefundit, nuk e besoj që këtë inteligjencë rurale t’ia ketë falur natyra, përkundrazi duhet ta ketë blerë në ndonjë pazar në periferi të Tiranës. Ndoshta shovinizmi i tij e ka folenë diku në Athinë, në mos edhe në Beograd. Ku ta dijë njeriu. Le të jetë kjo vetëm një kronikë e një opinionisti shovinist, megaloman dhe të dështuar. Në mbyllje, edhe një porosi: që një ditë ai të mos lebetitet nga  zhgënjimi, do të ishte mirë që refrenin paranojak ta zëvendësojë me atë të arsyes. Fundi i fundit, rrugaçëria mediatike nuk të shpie askund, madje edhe në qofsh kolumnist urban me inteligjencë rurale.