Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


LIBRI MBI SHKRIMTARIN E VETMUAR DHE TRAGJIK TË ETNISË SHQIPTARE

| E marte, 24.08.2010, 09:26 PM |


Rilexime

 

LIBRI MBI SHKRIMTARIN E VETMUAR DHE TRAGJIK

TË ETNISË SHQIPTARE

 

(Vështrim mbi librin e Sambri Hamitit: “Poeti i nemun Bilal Xhaferri)

 

Nga Besim Muhadri

 

Sabri Hamiti është njëri ndër studiuesit më serioz të letërsisë shqiptare. Seriozitetin e  vet në studimin e kësaj letërsie ai e ka shprehur në librat e shumtë që ka botuar deri më tani, të cilat studimit të letërsisë sonë i bëjnë nder, duke e çuar përpara, me këtë rast, mendimin kritik shqiptar. Deri më tani, përveç punës krijuese në poezi, prozë dhe dramë, ai ka botuar dhjetra vëllime në fushën e kritikës e të studimit, qw janë një ndihmesë e madhe për studimin e letërsisë sonë, pothuajse të të gjitha periudhave. Në veprat e tij shprehet mprehtësia dhe serioziteti i një studiuesi erudit.

Një ndër librat më të arrirë, padyshim, është edhe libri i tij për poetin dhe prozatorin e etnisë shqiptare, siç e quan ai Bilal Xhaferrin, me titull “Poeti i nemun Bilal Xhaferri”, e cila, siç shprehet edhe vet diku në faqet e këtij libri, vepra në fjalë është rezultat i një pune dyvjeçare të leximit dhe të studimit të veprës letrare të Bilal Xhaferrit. Libri ka trajtën e eseve të lidhura për këtë autor.

 

1.      Rrënjët etnike të një shkrimtari

 

Letërsia shqipe është një letërsi që ka pësuar shumë nga  ekskomunikimi që i është bërë autorëve të letrave të saj dhe të veprave të këtyre autorëve. Këtë gjë e bëri regjimi pesëdhjetëvjeçar komunist, i cli, në radhë të parë, parapëlqente ideologjinë e thatë dhe lavdet që i bëheshin kësaj ideologjie, pa marrë parasysh nivelin artistik të saj, që është edhe një nga kushtet parësore të përcaktimit dhe të zhvillimit të një letërsie të mirëfilltë. Në mesin e këtyre shkrimtarëve që patin fatin e keq e t’i përfshinte “fshesa” ideologjike e ekskomunikimit letrar, është edhe Bilal Xhaferri dhe vepra e tij letrare, e cila para lexuesit shqiptar paraqitet, pothuajse e plotë, vetëm tash pas rënies së diktaturës komuniste.

Duke folur për rëndësinë e veprës së Xhaferrit, Sabri Hamiti në pjesën e parë të librit të tij, që e ka titulluar “Shkrimtari i etnisë”, ndalet në radhë të parë te autori, të cilin e cilëson si një shkrimtar të rrënjëve të etnisë. Sipas studiuesit, Xhaferri është një shkrimtar i vetmuar për kohën, letërsia e të cilit lidhet me letërsinë e paraluftës, ku shkrimi mbi të kaluarën nuk është një shkrim i stilit himnizues e lavdërues në mbështetje të protekturave aktuale, siç bëhej zakonisht në atë kohë, por një qëndrim kërkues e kritik i kapjes së esencave krahas situatave kalimtare. Kërkimin letrar të B. Xhaferrit në të shkuarën, në rrënjët etnike, Hamiti e sheh si një kërkim të ndërkomunikimit të kohëve dhe jo si shpalim dhe fascinim me të kaluarën.

Biografinë letrare të Xhaferrit Hamiti e konsideron si një biografi tmerrësisht të thjeshtëzuar, të interpretuar nëpërmjet parashenjës së biografisë së tij. Sipas Hamitit, B. Xhaferri ishte një i dënuar i letërsisë e cila iu bë shtëpi dhe arrati njëkohësisht. Fati i shkrimtarit është një fat paradigmatik në letrat shqipe, një nga paradokset e saj më të mëdha.

 

2.     Artikulimi i dramës kolektive

 

Çamëria është një nga temat e plagës dhe e kujtimit të Bilal Xhaferrit. Duke i analizuar të tri vjershat e Xhaferrit për Çamërinë, Hamiti vjen në përfundim se vjersha “Baladë çame” është një artikulim i një kufizimi të gjallë, një dhembje për shpronësim, shpërngulje me dhunë, çatdhesim të popullsisë, që e identifikon edhe me fatin e autorit. Duke kërkuar rënien e kokës së poetit si individualitet krijues, si person apo anëtar i një kolektiviteti, Hamiti këtë e gjen përmes leximit të poezisë së këtij autori si një dëshmi e përjetshme, ndërkaq, përshëndetjen Lamtumirë Çamëri ai e cilëson si një përshëndetje e fundit, si një shenjë e përfundimit tragjik apo përfundim i baladës çame. Ajo, sipas studiuesit, është një artikulim i poetit për veten, për vendin, për popullin. Në aspektin e kuptimit kulturor-historik poezinë “Baladë çame” Hamiti e sheh si një dëshmi të një tragjedie kombëtare, një vepër e përsosur arti dhe artikulim i fuqishëm i dramës kolektive dhe i ankthit individual.

Përderisa “Baladë çame” është një thirrje tragjike e të ndodhurës së përjetuar dhe të ruajtur si kujtim, e dyta, “Natë çame”, në vizionin kritik të Hamitit është një pasojë e së parës, një gjendje e përgjithshme e vendit të lënë pa zot; një poezi e artikulimit të figurave të forta e origjinale, poezi e një mesazhi tronditës.

Te poezia e Xhaferrit Hamiti gjen figurën e njeriut të munduar, të torturuar. Duke lexuar këtë poezi ai fascionohet, sa që me të drejtë Xhaferrin  e quan një lirik të lindur, që krijon tekstin poetik të ngjeshur me emocione pa asnjë mbetje e kursim. Dhe, nga e gjithë kjo, rrjedhin edhe shprehjet e studiuesit Hamiti në vlerësimin e Xhaferrit si poet i dhembjes etnike, poet i emocioneve të forta, poet i pasioneve përvëluese që ka kulturë historike dhe që di të tërhiqet nga miti duke lexuar realitetin.

Në vazhdën e kësaj pjese të librit për poetin e nemun B. Xhaferri, Hamiti flet edhe për prozën tregimtare të Xhaferrit, përkatësisht për librin me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, vlerat e njëmendta të të cilit i gjen te tregimi “Purpuranti” dhe novela “Përtej largësive”. Në fund të kësaj pjese Hamiti ka rezervuar dhjetë faqe për të shqyrtuar vlerat letrare të Xhaferrit të paraqitura në romanin e tij të botuar 25 vjet pas shkrimit. Është ky romani “Krastakraus” apo Kreshta e Krujës, për të cilin jep vlerësimin se ai është një roman historik për nga tema dhe situimi i ngjarjeve, por edhe një roman me një përshkrim bashkëkohor shqiptar, duke e renditur në veprat e klasikes moderne të shqipes.

 

3.     Trishtimi real dhe teoria e aplikimit

 

Në pjesën e dytë të librit të tij Hamiti është përqëndruar në veprën  poetike dhe tregimtare të mbetur dorëshkrim të Xhaferrit. Këtë studim e fillon me poezinë “Lule të vona”, në të cilën ka gjetur tërë artin poetik dhe situatat krijuese të B. Xhaferrit. Pas kësaj poezie, në laboratorin e analizës së vetë  letrare, Hamiti ka vënë edhe poezi të tjera nga libri “Lirishta e kuqe”, në të cilat ai gjen shenjat e para dhe artikulimin e programit poetik të artistit Xhaferri. Sipas Hamitit në ideologemën poetike të Xhaferrit peizazhi dramatizohet me veprimin e njeriut duke dhënë shenjat autobiografike të autorit. Vjershat e botuara pas arratisjes së Xhaferrit, por që ishin të shkruara edhe më herët, S. Hamtiti i cilëson si vjersha të trishtimit real, kurse duke kërkuar thellësitë poetike të Xhaferrit, ato i gjen te mbetjet e poemës “Mjegulla”, të cilën e ka konceptuar si një tekst të ruajtjes së njësive nëpërmjet ideve themelore të qëndresës dhe paprishjes shpirtërore, ndërsa këndimet elegjiake Hamiti në poezinë e Xhaferrit i gjen te poezitë “Sa shpejt kaloi jeta” dhe “Ti lulëzon peizazhet e trishta”, në të cilat Xhaferri e këndon vetminë në variante të shkallëzuara, sepse ajo (vetmia) për poetin ishte bërë një gjendje shpirtërore. Duke hulumtuar edhe më tutje ai do ta gjejë edhe epitafin për një brez ( Rini uloke ) dhe testamentin e ideve të Xhaferrit ( Dredhëzat e erës ), të cilën njëherësh e koncepton edhe si një shpërthim vullkanik të frymëzimit poetik të Xhaferrit.

Duke shqyrtuar më tutje veprën e Xhaferrit S. Hamiti ndalet edhe te tregimet “Errësirë e ndriçuar”, “Dallëndyshja e furtunës”, “Largimi” dhe “Personazhi i vogël”, nga të cilat tregime ai kërkon të gjejë njerëzit e rinj në diotemën e këtij shkrimtari e ku gjen përshkrimin e ambientit të Shqipërisë veriake (Në rrugë), rrëfimin e burrit për gruan dhe shenjën e himnit për dashurinë, moraliteti i së cilës zhvillohet në trajta frenuese (Largimi) dhe shfaqjen e vërtetësisë jetësore (Reportazh i vogël) etj. Teoria e Xhaferrit për shkrimin letrar sipas Hamitit është teoria e aplikimit, të cilën e përmbys shkrimi i tij letrar.

Duke analizuar tregimet e librit “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, te personazhet e tyre Hamiti heton karakteristikat e shkrimit autobiografik të Xhaferrit dhe shkrimin e problemeve të ndërliqme të letërsisë lirike e autobiografike; trajtimin e rrënimit të jetës njerëzore individuale në burgjet dhe internimet shqiptare; portretin e vajzës çame që krijon identitetin e vet shpirtëror nga e kaluara e familjes; rrënjët e tragjedisë shqiptare të Çamërisë; teorinë e përforcimit të dramacitetit të të ndodhurës, idenë dhe dëshminë, apo teorinë e letërsisë si dëshmi për të ndodhurat dramatike në botën shqiptare. Hamiti këtu flet edhe për romanin e papërfunduar të Bilal Xhaferrit “Hëna e kantiereve”.

 

4.     Paradoksi apo tautologjia e një shprehjeje

 

Në pjesën e tretë të librit, që autori e ka titulluar  “Krijuesi i  vetëmësuar” flitet për Xhaferrin dhe rrugën e tij jetësore e letrare, për veçimin, mënjanimin dhe disidencën e Xhaferrit, të cilën e sheh, në radhë të parë, te shenjat biografike të poetit. Sipas Hamitit disidenca e rrallë, e mbështetur në vetëdije krijuese e kombëtare, e çojnë Xhaferrin në kërkim të rrënjëve etnike, ndërsa ndërtimin e ideologemës shqiptare të Xhaferrit e sheh në përmbysjen e ideologemës politike e shoqërore. Ndërkaç shprehjen  se Bilal Xhaferri i kthehet letërsisë shqipe, Hamiti e sheh si një paradoks apo si një tautologji. Me një fjalë, autori i librit “Poeti i nemun…” Xhaferrin e konsideron si një disident, një të arritur, një autor të ndaluar, një njeri të rrezikshëm dhe një autor të nemun, prej nga edhe e ka titulluar librin. Duke e llogaritur si një shkrimtar të përafërt me I. Kadarenë dhe me A. Pashkun, si për nga mosha dhe për nga vepra, B. Xhaferrin Hamiti e renditë në radhën e krijuesve më të njohur shqiptarë të viteve ‘60-të.

Pjesën e katërt të librit Hamiti e ka rezervuar për paraqitjen e disa krijimeve më të zgjedhura të B. Xhaferrit, për të cilat ka folur në kapitujt pararendës.

Libri “Poeti i nemun Bilal Xhaferri” është një libër mbi shkrimtarin  e vetmuar dhe tragjik të etnisë shqiptare, vepra e të cilit, si shumë vepra të autorëve të tjerë, qe ekskomunikuar dhe larguar nga fondi i letërsisë sonë. Libri në fjalë është një libër mbi njeriun, i cili nga pësimet jetësore fiton në letërsi. Libër mbi paradokset dhe tautologjitë e shumta të letërsisë dhe botës shqiptare. Libër, para së gjithash, mbi poetin e nemun Bilal Xhaferri, jeta e të cilit, siç e pohon edhe studiuesi, është më tragjikja.

Dhe, libri “Poeti i nemun…” nuk është zbulim i personalitetit letrar të Xhaferrit, sepse ai ishte i zbuluar në saje të veprës dhe talentit të tij letrar, por ky është një libër që, para së gjithash, ndriçon zbehtësinë e errësirës së krijuar mbi figurën e këtij personaliteti të letërsisë sonë, errësirë kjo e hedhur padrejtësisht nga inkuzitorët e artit që për pesëdhjetë vite me radhë letërsisë sonë arritën t’i shkaktojnë atentatet e humbjeve më të mëdha, për çka edhe sot ekziston  shprehja se letërsia jonë është një letërsi e humbjeve të mëdha. Andaj, vepra në fjalë  e Sabri Hamitit është një kontribut i rëndësishëm, një vlerë e pakontestueshme në ndriçimin, konstituimin dhe kompletimin e paraqitjes së vlerave të mirëfillta letrare të shkrimtarit Bilal Xhaferri.