Kleriku Nikolla Marku: Janullatos nxitës i racizmit |
Gazeta Shqiptare, 17/08/2010 |
Fatmir Popja
ELBASAN Kryepeshkopi grek Anastas Janullatos, tregoi edhe njëherë se është një antishqiptar i tërbuar. Ai shfrytëzoi në mënyrën më të turpshme ngjarjen e fundit që ndodhi në Himarë, duke përdorur dinakërinë dhe poshtërsinë që e karakterizon për ta interpretuar atë sipas oreksit të padronëve të tij". Kështu deklaroi dje kleriku i njohur i Shqipërisë së Mesme, At Nikolla Marku, prift i kishës autoqefale shqiptare "Shën Maria" në Elbasan. Ai sulmoi sërish mjaft ashpër kryepeshkopin Janullatos. Në një intervistë ekskluzive për News 24 dhe "Gazeta Shqiptare", At Nikolla Marku e cilëson kryepeshkopin Anastas Janullatos si një nxitës të racizmit në vendin tonë. Sipas tij, veprimet e qëndrimet e fundit të Janullatos lidhur me humbjen e jetës së Aristotel Gumës, ishin të pasinqerta e të pamoralshme. Ndërkohë, kleriku elbasanas pohon se politika shqiptare gjunjëzohet para dyshes Janullatos-Bollano që me deklaratat e tyre cenuan rendin kushtetues.
Si do komentonit qëndrimin e kryepeshkopit grek Janullatos lidhur me ngjarjen e fundit të ndodhur në Himarë?
Nuk ka asnjë dyshim që edhe një herë kryepeshkopi grek Anastas Janullatos, tregoi se është një antishqiptar i tërbuar. Ai shfrytëzoi në mënyrën më të turpshme ngjarjen e fundit që ndodhi në Himarë duke përdorur dinakërinë dhe poshtërsinë që e karakterizon për ta interpretuar atë sipas oreksit të padronëve të tij. Shqiptarët kësaj radhe e kuptuan edhe më qartë cinizmin e tij, pasi në vend të lutjes për shpirtin e atij që humbi jetën, kryepeshkopi tregoi edhe një herë se misioni i tij është nxitja e racizmit etnik. Si gjithmonë Janullatos shfrytëzoi me dinakëri rastin për të shfryrë me urrejtje gjithë tërbimin e tij ndaj shqiptarëve. Edhe mënyra, me të cilën kryepeshkopi Janullatos foli rreth ngjarjes së Himarës ishte diskredituese për figurën e një kleriku. Nuk ka absolutisht asgjë të keqe që kryepeshkopi merr kurajën të flasë publikisht për ngjarjet, por kur ai shpreh tendencë për t'i politizuar, dhe aq më keq kur kjo bëhet për t'i shfrytëzuar ato për qëllime të tjera, është e patolerueshme.
Më konkretisht përse e keni fjalën?
Duke kërkuar që të mos paragjykohem, dua të them se të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se çfarë qëllimi kishte në të vërtetë kryepeshkopi Anastas Janullatos me prononcimin e tij të menjëhershëm pas ngjarjes së fundit. Në Shqipëri kanë ndodhur incidente e ngjarje tragjike që kanë tronditur botën dhe asnjëherë ky klerik nuk ka marrë mundimin të thotë dy fjalë. Mirëpo, kur ja do puna dhe kur kjo i kërkohet me urdhër nga qendra e tij e antishqiptarizmit në Greqi, ai flet me zell aq të madh sa frymëzon edhe politikën shqiptare të bëjë të papërgjegjshmin. Tashmë në Shqipëri dueti Janualltos-Bollano tingëllon kuptueshëm. Njëri ia merr në Himarë, tjetri ja kthen në Tiranë. Ndërsa, palo politikanët në shërbim të kësaj dysheje e të prapavijës së tyre dhe ata që nuk kuptojnë ose bëjnë sikur s'kuptojnë u mbajnë ison derisa u ngjiret zëri.
Reagimi juaj ka lidhje me përplasjet tuaja të vazhdueshme me Janullatos?
Jam për mbrojtjen me fanatizëm të çështjes kombëtare në të gjitha aspektet. Edhe në këtë rast po të gjykosh me qetësi, pjekuri e të flasësh me logjikë dyshja Janullatos-Bollano me deklarimet e tyre kanë cenuar rendin kushtetues. Kështu që qëndrimi im nuk ka lidhje me përplasjet e vazhdueshme me Janullatos, i cili kurrën e kurrës nuk ka bërë detyrën që ka si kryepeshkop. Ai injoron gjuhën dhe kulturën e kombit tonë, prandaj e meriton të përçmohet. Por, më çudit fakti që politika gjithmonë i gjunjëzohet.
Në ç'kuptim?
Në kuptimin e vërtetë të fjalës. Edhe së fundi po t'i hedhësh një sy komenteve të Janullatos rreth ngjarjes së Himarës, ato nuk kanë ndryshime esenciale me ato të politik bërjes me pushtet. Më qartë se sa kaq nuk mund të flitet për gjunjëzim të tyre para Janullatos, i cili e ripërsëris që është nxitës i racizmit dhe i çdo të keqeje tjetër në Shqipëri.
Idrizi: Janullatos të mos merret me shkrime hartash |
Gazeta Shqiptare, 16/08/2010 |
Kryepeshkopi Janullatos duhet të merret me qetësimin e shpirtrave, dhe jo të reagojë me shkrime hartash etnike. Kreu i partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në një prononcim ekskluziv për “Gazeta Shqiptare” mban këtë qëndrim për ngjarjen e ndodhur tri ditë më parë në Himarë. Gjithashtu i bën thirrje shtetit grek dhe kryepeshkopit të kishës Ortodokse, Anastasi Janullatosit të mos nxitohen në qëndrimet e tyre. “Hirësia dhe politika e nxituar të merret më shumë me qetësimin e shpirtrave dhe t’i kërkojnë organeve kompetente gjetjen dhe dënimin urgjent të fajtorëve sesa me shkrim hartash etnike”, reagoi ashpër Idrizi. Kreu i PDU-së, të partisë që mbron në veçanti interesat e popullsisë çame kërkon që të me këto deklarata të mos politizohet krimi dhe të lihen organet kompetente të drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Mbi të gjitha, Idrizi kërkon nga Greqia respektimin e normave ndërkombëtare në lidhje me këtë ngjarje të ndodhur. “Në emër të PDU-së, dua të them se duhen lënë institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Kjo është dhe thirrja ime për fqinjët bashkë me kryepeshkopin Janullatos duhet të vetëpërmbahen, nga politizimi i krimit dhe të respektojnë normat ndërkombëtare të mospërfshirjes në punët e brendshme të të tjerëve”, deklaroi Idrizi. Tre ditë më parë si pasojë e një përplasje automobilistike në rrugën nacionale që të çon në Himarë gjeti vdekjen Aristotel Guma. Kjo përplasje erdhi pasi i ndjeri Guma shkëmbeu më parë disa debate me të rinjtë që udhëtonin me makinë me targa
Vlore. Kjo solli më pas bllokimin për disa orë të rrugës. Ndërkohë, për këtë vrasje të minoritarit Guma, për herë të parë u përfshi dhe kryepeshkopi Janullatos, i cili pak orë pas ngjarjes mbajti dhe një deklaratë. “Veprime të tilla dhune të paargumentuara, të dënueshme pa asnjë ekuivok nga çdo person me arsye, përbëjnë kërcënim për cenimin e klimës së bashkekzistencës paqësore, për të cilën të gjithë qytetarët e përgjegjshëm të Shqipërisë kanë bërë vazhdimisht përpjekje. Dhe për më tepër janë rrezik për të ndezur përplasje dhe urrejtje të reja”, - tha kryepeshkopi. Gjithashtu hirësia e tij, Janullatos u shpreh se “në këtë moment kritik prej çdokujt kërkohet përgjegjshmëri dhe gjakftohtësi, shmangie të akteve të hakmarrjes, investigim për të vërtetën dhe imponim të drejtësisë. Për më tepër, është e domosdoshme që të intensifikohen përpjekjet që të sigurohen liritë e çdo qytetari dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut”. Ndërsa për këtë ngjarje reagoi dhe zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, që e cilësoi ngjarjen si stimulimin e tensioneve etnike.
Eqerem Spahiu: Janullatosi, qëndrim me dy standarde |
Gazeta Shqiptare,16/08/2010 |
Partia Lëvizja e Legalitetit e cilësoi si aspak fisnike tendencën për politizimin ngjarjes së ndodhur tre ditë më parë në aksidentin tragjik në Himarë. Kreu i PLL-së, Ekrem Spahiu në një konferencë për shtyp tha se “aksidenti rrugor në të cilin humbi jetën i ndjeri Guma është po ai episod që fatkeqësisht vazhdon të përsëritet rëndom çdo ditë në rrugët e Shqipërisë. Tendenca për politizimin e këtij aksidenti buron nga qëllime aspak fisnike dhe njerëzore”. Spahiu ndërkohë ka dënuar qëndrimet e ardhura nga shteti fqinj, Greqia. “Nuk është rastësi që aktivizimi i korit të zërave greqisht folës vjen pas inaugurimeve të shumta të investimeve përgjatë bregut Jon dhe deklarimeve të kryeministrit Berisha në kalanë e Himarës, ku ai foli për lidhjen e ngushtë të kësaj kalaje me historinë e kombit shqiptar. Me sa duket, kjo nuk i ka pëlqyer qarqeve ekstremiste greke, të cilat mezi pritën një shkak për të nxjerrë në pah të gjithë mllefin e tyre antishqiptar. Kombi shqiptar ka treguar prej shekujsh se nuk manifeston asnjë urrejtje etnike. Përkundrazi, në historinë e vjetër dhe të re, ai ka qenë viktimë e kësaj urrejtje që është ushtruar ndaj tij prej kombeve të tjera, ku Greqia zë një vend kryesor”,- tha Spahiu. Në të njëjtën kohë kreu PLL-së ka rezervat e saj për rolin e kryepeshkopit Janullatos. “Genocidi ndaj popullsisë çame, masakra e Peshkopisë, thirrjet rrëqethëse të ushtarëve grek ndaj shqiptarëve, vrasja e Gramoz Palushit dhe plot emigrantëve të tjerë, e deri tek “shkuarja në hell” e një emigranti shqiptar në prill të këtij viti, janë shembuj tipik të urrejtjes greke ndaj kombit shqiptar. Heshtja e qarqeve greke për të gjitha këto raste dhe ngritja e zërit për aksidentin e të ndjerit Guma, është një fakt komprometues që dëshmon sjelljen e tyre me dy standarde. Do të kishte qenë mirë që Janullatos të prononcohej edhe për ndodhitë e mësipërme, e sidomos të lutej për shpirtrat e 15 vetave që humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor më 17 korrik në Gjegjan të Pukës”, përfundoi Spahiu.
Dergoi per Zemra Shqiptare z. Gjergj Kabashi