Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Atjola Hekurani: Zbulim i jashtëzakonshëm në Apoloni

| E diele, 15.08.2010, 03:12 PM |


Zbulim i jashtëzakonshëm në Apoloni

 

Nga Atjola Hekurani

 

Arkeologët gjejnë bustin e një atleti Konsiderohet si zbulimi më i madh i 50 viteve të fundit, ndoshta edhe më i veçanti prej zbulimeve në Mesdhe. Bëhet fjalë për bustin e plotë të një atleti, që i përket periudhës romake, i cili u zbulua krejt rastësisht dje në Apoloni nga arkeologët e ekspeditës shqiptaro-franceze. Sipas Marin Haxhimihalit, drejtorit të Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, kemi të bëjmë me një ekzemplar të rrallë. Punimi i bustit është i një niveli shumë të lartë artistik

 

Kush e ka thënë se e premtja dhe data 13 janë ditë tersi? Nuk ka qëlluar aspak kështu për arkeologët e ekspeditës shqiptaro-franceze në Apoloni. Në vitin e dytë të ekspeditës së tyre, arkeologët kanë hasur në një zbulim të jashtëzakonshëm. Krejt rastësisht, arkeologët kanë gjetur bustin e një atleti të epokës romake, gjendja e të cilit është shumë e mirë. Për herë të parë pas 50 vitesh, ndoshta që prej periudhës së ekspeditës shqiptaro-ruse të viteve ‘50-‘60 nuk është hasur në një zbulim të kësaj natyre. Busti, i cili është i plotë dhe aspak i dëmtuar, duket se është ruajtur që në antikitet me kujdes të jashtëzakonshëm, për t’i mbijetuar kohës. Marin Haxhimihali, drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, tregon me entuziazëm disa prej detajeve paraprake të këtij zbulimi, i cili sapo të nxirret, do të ruhet në kushte të larta sigurie në Muzeun e Apolonisë.

 

Z. Haxhimihali, sapo keni zbuluar një statujë, të cilën e konsideroni si një gjetje të jashtëzakonshme arkeologjike. Çfarë mund të tregoni më shumë për të?

 

Sot (dje), në ditën e katërt të ekspeditës shqiptaro-franceze këtu në Apoloni krejt rastësisht, pranë zonës G, në ambientet e vilës romake ku kjo ekspeditë po gërmon që prej dy vitesh, u gjet një statujë e pazakontë, shumë e veçantë. Fjala është për një statujë të ruajtur në gjendje shumë të mirë, e punuar në mermer të bardhë. Është koka dhe busti i një personi, për të cilin arkeologët paraprakisht mendojnë se është një atlet. Megjithatë, sapo të nxirret krejtësisht, do të kryhet edhe një studim i imtësishëm i saj, sepse në këtë moment që flas, statuja ende nuk është nxjerrë prej tokës. Ajo është lokalizuar dhe po pastrohet me kujdes i gjithë terreni përreth. Sapo të nxirret, statuja do të vendoset në kushte të larta sigurie në muzeun e Apolonisë.

 

Përse e konsideroni një zbulim të pazakontë?

 

Unë theksoj se është një zbulim i tillë. Nuk mbahen mend zbulimet e fundit të këtyre përmasave. Ndoshta të fundit kanë qenë gjatë ekspeditës shqiptaro-ruse të viteve ‘50-‘60, kur janë gjetur disa statuja, por edhe atëherë shumica e tyre kanë qenë pa kokë. Gjatë zbulimit, një koleg francez bënte shaka dhe thoshte: “Ka qenë një shenjë e providencës që pikërisht të premten e datës 13 të gjejmë një statujë, e cila jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë Mesdheun, është diçka e veçantë”. Kur ta shihni do ta kuptoni se kemi të bëjmë me një ekzemplar të rrallë. Punimi i saj është i një niveli shumë të lartë artistik dhe këtu gjej rastin t’i kthehemi shkollës së famshme apoloniate të skulpturës, e cila ishte me famë në të gjithë Mesdheun në antikitet. Me siguri që edhe kjo statujë është një produkt i kësaj shkolle, por këto janë vetëm disa përshtypje paraprake. Një proces i mirëfilltë studimi do të pasqyrojë më me hollësi karakteristikat e saj.

Gjetja e kësaj statuje ishte fryt i bashkëpunimit të suksesshëm midis ekspeditës shqiptaro-franceze dhe Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

 

Pas kësaj a do të kalojë statuja në proces pastrimi e konservimi?

 

Nga këqyrja paraprake që ne i kemi bërë statujës na rezulton se ajo është në gjendje shumë të mirë. Është ruajtur me kujdes dhe pothuajse nuk ka asnjë gërvishtje të vetme. Madje vendi ku u gjet dhe mënyra e mirë e ruajtjes na bën të mendojmë se është vendosur aty posaçërisht që në antikitet për t’u ruajtur. Nuk kemi të bëjmë me një vend normal të ekspozimit të një statuje. Ajo ishte vendosur në një kanal që ndan në fakt dy vila, në një qoshe të mbrojtur mirë nga toka, në një vend të nxehtë, ndaj mund të themi se kjo ka bërë ruajtjen në kushte të mira të saj. Por natyrisht që statuja do t’i nënshtrohet të gjitha procedurave të pastrimit dhe të konservimit. Që tani ne kemi marrë masat që ta zhvendosim në mënyrë shumë të kujdesshme, për të mos shkaktuar asnjë dëmtim.

 

A mund të themi me përafërsi se cilës periudhë i përket statuja?

 

Paraprakisht mund të themi vetëm që i përket periudhës romake, kjo për sa i përket mënyrës së punimit. Flokët i ka jashtëzakonisht të punuara mirë, janë kaçurrela dhe busti është mjaft i zhvilluar, i punuar nga pjesa e gjoksit. Pikërisht kjo na bën të mendojmë se mund të kemi të bëjmë me figurën e një atleti të epokës romake. Gjithsesi ky nuk mund të cilësohet një përfundim sepse është vetëm një përshtypje e parë. Më vonë do të detajohet. Ne menjëherë i kemi nisur të dhënat në një qendër të specializuar për kulturën antike në Paris. Kemi nisur atje një email me foto të statujës dhe presim një përgjigje të specializuar para se të shprehemi zyrtarisht në lidhje me përkatësinë e statujës.

 

A është punuar edhe më parë në të njëjtën zonë?

 

Në këtë zonë është punuar edhe më parë. Në këtë sektor janë bërë pastrime por nuk është zbritur në thellësi dhe tani me rastin e zgjerimit të kuadratit të gërmimit, në mënyrë krejt rastësore u gjet kjo statujë, çka na sjell në mend atë postulatin e famshëm që arkeologjia është shkenca e misterit dhe atje ku ti nuk e pret, mund të dalë një zbulim krejt spektakolar si ky i së premtes së datës 13 gusht

 

Gazeta Shqip - Për ZSH: Gjergj Kabashi