| E diele, 15.08.2010, 01:00 PM |
Janaq Pani
MONOLOG NE VETE ME DRITERONË
Më ngjan poet u "gatova" dhe unë
çapitem në gjurmë të Driteroit,
e ç'ka Devolli i tij më shumë
se fshati im Qeparoi?
Ka devolli jeshillëkun e lëndinave
dhe lumin që u lan këmbët kodrave,
ka flladet që u bien mandolinave
dhe zogj që humbin mbas lodrave.
Dhe baltë në ara ka me siguri
të ëmbël e rrit bereqetin,
në kohëra brazdat thurrën poezi
e Muzën e ruajtën për poetin.
Iu fala poetit që nga balta e arave
qëmtoi më ajkën dhe e mori në shpinë
ta sillte dikur në Lidhjen e Shkrimtarëve
t'iu rrëfejë ngadhnjyes origjinën.
Iu fala njeriut që shishet i zbrazi
e nxorri andej me dhunë shejtanin,
njeriu që pi nga dhimbjet a gazi
s'e përmbys asnjëherë sofranin.
Iu përula poetit që ëmbëlsoi poezinë
iu përula njeriut që lartësoi poetin
e vuri shumë herë në mendime njerinë
e jetës në ngjitje ia gjeti sekretin.
HUMB NJË JETË NË HIMARË - Elegji mallkimi
Lajm të hidhur sot kam marrë
dhimbjen mezi e kam mbartur,
humb një jetë në Himarë
djalë i ri nga një i çartur.
S'di se mendjen kush ia ngriti
kët' urrejtje kush e solli,
por e nëm: " Iu thaftë shpirti!"
asaj dore që e mbolli.
Atë dorë e ndjektë nëma
hap më hap si re e zezë
të mos i gëzojë zemra
zjarr në vatrë të mos ndezë.
Kush hedh gurin e mërisë
e më fshihet s'di se ku
veshtë vetë robën e zisë
e të qajë me ku...ku.
BISEDË E HAPUR ME LEXUESIN E VOGËL - poemth
Diploma katedrash
më janë privuar,
veç shkolla e jetës
më pati "zdruguar".
Për vite me rradhë
ngado që jam endur
të gjithë librarët
miq më janë gjendur.
Çdo libër të bukur
që përcillte vlerë
nga "poshtë banakut"
me mik e kam blerë.
Mëngjesi pastaj
më gjente mbi libër
pranverë e verë
vjeshtë apo dimër.
Në vlug emocionesh
dhe shënime mbaja,
për fate heronjsh
qeshja apo qaja.
Eh, sa ëndrra lindën
n'atë moshë me vlerë
ëndrrat u përndritën
veshur me ylberë.
Me këshilla t'urta
libri m'u bë prind,
nga qiejt e ëndërrt
një krijues u lind.
Eca këmbadoras
duke shkelur vitet
e një ditë veten
e pashë të rritet.
* * *
Thesari i popullit
i tjerrur aq hollë
ka qenë në vite
shkollë e mbi shkollë.
Dhimbjes e gëzimit
me afsh përvëlues
këndoi anonimi
me pathos krijues.
E fjalën e mençur
e fjalën nektar
ma bëri dhuratë
ky popull bujar.
Me shprehjet e urta
ninullat e djepit
u vesh gjelbërim
udha e poetit.
Me njerzit e thjeshtë
u ula pa qibër
t'u lëçit mendimin
ashtu si në libër.
Nëpër rrjedha vitesh
emocionet mbarten
si lumi me prurjet
që e zgjeron shtratin.
* * *
Në vite durimi
mësova sekretin,
te fjala e gdhendur
do ta gjesh poetin.
Fjala gdhend vetveten
po gdhend edhe gurin,
sendërton fëmijën
sendërton dhe burrin.
E fjala e mençur
ka peshë e metër
të urtë mendimin
ta gdhendë në letër..
* * *
Në pemën e jetës
fruta lidhin vitet,
një i pret të bien
tjetri lart i ngjitet.
Kush guxon e ngjitet
më tej do provojë
dhe në qiej ëndrrash
që të fluturojë.
Gjithkush uron veten
shqiponjë të ngjajë,
shumë mbeten rrugës,
ngjiten pak në majë.
Në majat s'i ngjite
mos shih me zili,
që përbrenda shpirtit
të mbetesh njeri.
* * *
Me këtë devizë
Driteroi bujar
n'armatë krijuesish
më rreshtoi ushtar.
Një kafe të pish
me njerëz të zgjuar
minuta e orë
rrjedhin pa kuptuar.
E me kokën mbas
do ndahesh prej tyre,
një hare e gas
të ndrit në fytyrë...
* * *
Sa rrëfeva sot
them do kenë vlera
dhe fjalën e shkruar
nuk e fshin dot era.
Kjo ishte receta
që më dha ca vlerë,
vogëlush lexoje
në dorë kur të t'bjerë.
Toronto gusht 2010