| E shtune, 14.08.2010, 08:45 PM |
REFLEKSION MBI VËLLIMIN POETIK
“TINGULL I GJAKUT TIM “ TË SKENDER KORÇA
“Kam nisur këngën .Kur këndova unë mirësia e mëndjes tënde më kuptoi. Kur do të ndaloi unë, ka për të kënduar biri im dhe biri yt. Kur ndalen ata ka për të kënduar vetë tingull i gjakut tim, tingull që doli nga misioni i pambaruar…” Skënder Korça
Skënder Korça i njohur si publicist në fushën e letrave, starton, tashmë, në një tjetër gjini. “ Tingull i gjakut tim” është vëllimi i parë poetik i autorit, ku mozaiku i krijuar prej tij ka ngjyra të gurta, pasi janë rrjedhojë e një realiteti të ashpër. Gjithsesi autori është tepër largpamës, i sigurt për një të nesërme ndryshe.
Libri ndahet në pesë cikle, ku secili më vete është një vijë pentagrami dhe në tërësi në endjen e prurjeve shpirtërore e mendore, ndihet tingulli i kohës, tingulli i gjakut.
Ekuilibri midis ndjenjës dhe mendimit e bën të vështirë ndarjen e dy cikleve të para, sepse poezitë ecin në lakimin e një rrjedhe ndër relieve të thyera, ku gërshetohen socialja me emotiven.
Në ciklin e parë “ Stinët e mia, belbëzimi im” bota e poetit është e përqëndruar mbi unin që shpërthen herë pas here dhe godet muret e realitetit monoton, heshtjen e shekullit të pagojë, ku zërin e tij pak njerëz e dëgjojnë dhe e kuptojnë.
Piketat paralajmëruese që vendos autori për të ardhmen shfaqin karakter polemist midis realitetit dhe unit. Ai është i aftë të ngrejë marëdhënie midis unit dhe botës jashtë tij, ndaj ndjenja kthehet në mendim, në mesazh në secilën poezi duke fituar gjerësinë e hapësirës dhe kohës.
Ky detajim bën që të kalohet lehtësisht në ciklin e dytë “Këngë e kohës sime, kryqëzim tingujsh”, ku vërejmë të kryqëzuar jetën në pasigurinë e saj, ku autori luan me kahet e kundërta.
Shpirtkërkues poeti Skënder Korça ngre një kolazh statik përshtypjesh dhe ndërgjegjësimesh të njeriut të kohës që kërkon bashkëshoqërim në çdo hap të ecjes.
“Për dashurinë;
Këndo këngën tënde!
S`mund të përcaktosh një hapësirë racionale të limituar në dy ciklet e para, pasi ato mund të qëndrojnë edhe në një cikël, se autori ecën në një zonë neutrale midis ndjenjës dhe mendimit. Përfaqësimi i individit në shoqëri është imazi i unit.
Baladë pa tingull, pantomimë është kthyer jeta për njeriun që hesht. Po deri kur?
Nata, djalli, forca pa diell,
janë bërë belbëzimi im,
në këtë shekull… pa gojë…
“Belbezime”
Kjo heshtje ka një shpagim që del në revoltën e ndërgjegjes nga trysnia e realitetit problematik. Autori nxjerr nga vetvetja pjesën e munguar në hapësirë dhe në kohë, ëndrrën, të nesërmen e pritshme.
Realiteti kohor historik përfaqësohet me ciklin “ Reliev i thyer i gjakut tim” ku veç ndarjes së trojeve shqiptare, ndihet ndarja e njeriut nga pragu, nga nëna, nga biri, nga vendlindja për shkak të emigracionit.
Shkojnë larg për bukën e gojës,
për të mbetur fëmijë…
Zgjohen si thupra të dridhura…
Kthehen të thinjur…
As fëmijë e as prindër…
Çakordimi kohor e bën autorin të shpërthejë në një forcë ekstreme, për të sfiduar fatin e orës së lig, që troket në fatet e njerëzve si dhe në gjakun e tij, rezultat i së cilës është intesiteti i ligjërimit poetik, ku ngrihet monologu i pambaruar që ndihet gjithkund në vargje dhe kurorëzohet në poezinë “Autopsi” në ciklin “Ora ime edhe për ju”
Dhimbje transparente, e përcjellshme tek gjithkush që e lexon poezinë e Skënderit, në secilin këndrrotullim. Dhimbje e unit që kërkon të sillet me diellin, për të përcjellë shumë dashuri në jetë.
Dhimbje dheu tek “Thyer me natyrën “:
Shtrirë,
ndarë,
pëllëmbë toke,
reliev i thyer,
copëza trungu.
Bëhet histori
Dhimbje mëmëdheu tek i ” I huaj”:
Të huajt
Të duan si të huaj.
Të huaj sillen,
Të huaj të lënë.
…dhe në tokën tënde…
Ose:
As për Lisin nuk iu them, ku e mbolla!
Hija e tij ka për t`i verbuar, nesër.
Dhimbje për birin “Përmbysur me kusur” , dhimbje biri tek “ Për ty baba” dhe “Autopsi“
“ … po ngrihem për fatin tim,
për të ikur në gjirin e nënës sime,
sepse ajo, nuk më do përgjysmë”
Mes gjithë kësaj dhimbjeje ka shumë forcë, shumë krenari.
Poezia e S. Korçës është si një frymëmarrje, si një firzarmonikë (një nga pasionet e tij) që ritmikisht tingëllon për një të nesërme të bardhë.
“ Një ditë balada e dashurisë do jetë himni im për atdheun gjithandej...(S.K)”
Libri fillon me poezinë “ Po vrapoj” dhe mbyllet me “ Një mëngjes…dashuri” ku autori vrapon në stinët e tij për të trasmetuar shumë dashuri për jetën, vendlindjen, birin,sofrën dhe vatrën si elemente për të dashurën jetë, që një ditë do të bëhet dritë mëngjesi.
Prurja poetike në “ Tingull i gjakut tim” nuk është voluminoze, por interesante në trajtim.
Poezi mendimi ku ndeshim një gjuhë e figuracion të pusur, vargëzim të lirë, ndonjëherë rimë të rastësishme. Mund ta quaj poet të retiçencës për vetë monologimin e papërfunduar që poeti krijon në vargëzimin e lirë si dhe për faktin tjetër që ai është në kërkim të individualitetit të thekshëm poetik.
VALENTINA DAFA, MAJ 2010