| E shtune, 14.08.2010, 07:23 PM |
ÇOMJA
Tregim nga Luan Çipi
Sot, është data 7 gusht 2010. Pas ca ditëve me zagushi, në Vlorën e bukur bregdetare, që në këto ditë vere zhurmon nga rendja e makinave dhe turmave të pafundme me turistë, po fryn një fllad i freskët. Janë orët e para të mëngjesit, ndaj po shkoj të këmbej dy fjalë e të pi një kafe, te Libraria e Universitetit Ismail Qemali, në lagjen Skelë, me shokun tim të fëmijërisë Teki Mukën. Jemi duke ndenjur në lulishten para Librarisë përfshirë në një bisedë me ngjarje të hershme, në diskutim e koment të librit të ri të mikut tonë të përbashkët, Enver Memisha, për Luftën e Vlorës të vitit 1920. Ndërkohë, Çomja, me biçikletën e tij të pa ndarë, hyn midis nesh, na përshëndet dhe na qeras me bujari, duke na ofruar kumbulla Vlore dhe rrush Vlosh.
Çome, i thërresin të gjithë në Vlorë Thoma Tol Konës, vëllait të shokut tonë të vjetër, Llambi Konës. Çomja është rreth 20 vjet më i ri nga ne. Tani punon elektricist ambulant (me celular) dhe të gjendet me përvojën, aftësinë, gatishmërinë dhe dashurinë e tij, sa herë që ta thërresësh, për të kryer dhe zgjidhur me cilësi dhe shpejt e lirë, çfarëdo nevoje për defektet elektrike në linjat e brendshme apo në pajisjet elktroshtëpiake.
Po, këtë radhë Çomja, nuk erdhi për të eliminuar ndonjë defekt elektrik. Jo. Ai erdhi, si altruist, të daroviste me prodhime të bahçes personale, dy miq të hershëm të vëllait të tij, shumë të nderuarit, të ndjerit Harallamb, po që janë njëkohësisht dhe shokë të vëllezërve të tjerë të tij, Arqile e Viron Kona.
Çomja, nuk është vetëm një mesoburrë nga ata të rrallët e kohës së sotme, që respekton miqtë e vëllait, që nuk jeton më, por edhe një njeri krejt i veçantë si lexues i pasionuar i letërsisë artistike dhe si një person me memorie fenomenale, që zotëron përmendësh me dhjetëra vjersha, që nga Ali Asllani, Fatos Arapi, Xhevair Spahiu, Irfan Bregu, pa përjashtuar Naimin, Migjenin dhe Poradecin. Ai deklamon rrjedhshëm dhe saktë citate filozofësh, qysh të Grekëve të lashtë, si dhe shumë fjalë të urta të popullit tonë. Edhe më shumë: Ai këndon aq bukur, sa vëllai i tij Llambi Kona (për të cilin kam shkruar gjatë), por edhe më tej: Çomja i bie bukur fizarmonikës. Dhe diçka tjetër: Ta shikosh sa mirë e ka selitur dhe e mban bahçen e tij me lule të shumëllojta dhe me pemë frutore e hardhi, do çuditesh.
Po unë, “sa s’lojta mendsh”, kur ai nisi të recitonte, si të ishte një aktor profesionist teatri, një vjershë të gjatë:
Doni ta kundroni, ngjituni në Çikë,
Tej e ndanë shikoni: Të dhjetë mrekullitë,
Ngjyrat e Ylberit, parajsë e pa parë:
E gjelbërt, e kaltërt, vjollcë, gri dhe ar.
S’janë prej njerëzisë, lindur me dëshirë,
Po prej Perëndisë, nga mëma natyrë.
Këtu, shkëmb e gur, kështjella për mbret
Çerdhe për shqiponjat. Atje, fushë e det.
Po sa gjinj të bukur dhe plazhe me kum,
Riviera shqiptare: Himarë - Orikum
Radhima, në qoshe, Tragjas e Dukat,
Jonufra më poshtë, Llogoraja lart.
................
Grupi Lapardhasë kalon simfonitë,
Me këngën ”Janinës se ç’i panë sitë”.
Trupa nga Himara qëndron mbi të tjerë,
Vajzat përmbi valë janë mall i pa shterë.
Jo vetëm për kodra, për fushë e për mal,
Jo vetëm për këngë, valle e aheng,
Po edhe për punë, për besë dhe për fjalë
Po edhe për mënd, për penë e dyfek.
Ismail Bej Qemalit po i shkëlqen nuri,
Luftëra legjendare në Gjorm e Tragjas,
Nga maj e Smokthinës sokëllin Ziguri
Për liri, o burra, më ndiqni nga pas!
Naftë prej Gorishti, Serë Selenice
Ullinj, portokall, qitro e limonë
Dolomit dukati, gipsi prej Babice
Gjithë rrethi Vlorës mirësi bulon.
Unë ri e mendoj me ditë e me natë
Për Vlorën e bukur mund të shkruash gjatë.
Dhuratë mbi dhuratë, në qytet e fshat
Virtyt edhe nder - Njeriu Vlonjat.
-Çome, o vëlla, po kjo është vjersha ime! Kur e paske mësuar përmendësh. Sa shumë më befasove, sa shumë ma bëre qejfin. Dhe më vonë, si u qetësova dhe i largova emocionet e lindura nga dashuria që mu shtua për këtë lexues tejet të vëmendshëm dhe njeri të veçantë, nisa ta pyes: Po ku e gjete? Unë nuk e kam botuar, veçse e kam postuar në setet internetike të diasporës shqiptare.
Dhe Çomja, që i dredhoi pyetjes, më çuditi sërish: nxori nga trasta gazetën e ditës “T” dhe e hapi te faqja 22.
-Lexoje, tha. Një artikulli yt, që titullohet: ”Xhebro Gjika dhe dashi përçor”.
-Po më befason për së dyti. Po unë nuk i kam nisur asnjë shkrim “T”.
Kthehem në shtëpi i nervozuar dhe sipas adresës elektronike anas gazetës, nis në drejtim të saj, këtë tekst:
I nderuari kryeredaktor i Gazetës T,
Lexova i çuditur sot, në gazetën tuaj “T”, shkrimin tim “Xhebro Gjika dhe dashi përçor” dhe shtroj disa pyetje për ju:
-Ku e keni gjetur shkrimin, pse nuk ka referencë?
-Si mund të botohet, çfarëdo lloj shkrimi, pa lejen e autorit? Ju, mund të pretendonit, po të kishit referencën, se shkrimin e kemi marrë nga libri im, i blerë prej jush. Duhet të dini se të gjitha librat e mi, duke përfshirë dhe ’’Për të qarë e për të qeshur” unë nuk i kam shitur, po vetëm i kam dhuruar, duke ruajtur plotësisht të drejtën e autorit.
- Sa është detyrimi që më keni?( Kjo edhe për shaka).
-Kur keni dëshirë të botoni prej shkrimeve të mia, ose të bashkëpunoni, (se unë kam gati publicistikë dhe rrëfenja të shumta) pse nuk korrespondoni me mua, që pas kësaj edhe mos t’u mundojë, po ti nis me internet nga kompjuteri im dhe ju, veç ti faqosni dhe ilustroni?
Unë, që ju respektoj: Luan Çipi
Brenda ditës erdhi dhe përgjigjja:
Shumë i nderuar z.Luan!
Shkrimin që kemi botuar në gazetën T është e vërtetë që nuk ju është marrë leje Ju për botim. Por këtë shkrim na e solli, me konsideratën me të lart për ju por edhe për personazhin Gjika, shefi i politikës së gazetës T. Unë do komunikojë me të që gabime të tilla të mos ndodhin më. Për sa i përket shkrimeve tuaja jemi të hapur por edhe të kënaqur që ti botojmë, dhe ti reklamojmë .
Miqësisht Drejtori
Ja kështu mu prish imazhi dhe bukuria e ditës, se nga njëra anë Çomja më gëzoi, madje më qerasi edhe me rrush e kumbulla, pa i bërë ndonjë shërbim dhe nga ana tjetër, Drejtori i T, më dëshpëroi.
Shkrimin e bëra për disa qëllime:
Të ndaj me ju gëzimin që më dha Çomja, ta evidentoj atë dhe veprimin e tij të pazakontë dhe ta falënderoj publikisht.
T’u tregoj se në qytetin e Vlorës lexohet shumë dhe cilësisht.
Të bind Drejtorin“T” për të më dërguar një përgjigje më të plot.