Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shqiponja Duro: Intervistë me shkrimtaren dhe studiuesen Irena Gjoni

| E shtune, 14.08.2010, 09:57 PM |


NJE “DALLGE BIONDE” MITOLOGJIE NGA JUGU

INTERVISTE ME SHKRIMTAREN DHE STUDIUESEN IRENA GJONI SARANDE SHQIPERI, DHENE GAZETES “ALBANIA” TE BRUKSELIT

 

INTERVISTOI SHQIPONJA DURO

 

Ju jeni poete, prozatare.  Jeni autore edhe e një  libri studimor shkencor mbi Mitologjinë  dhe ritet e Bregdetit  Jonian Shqiptar  në marrëdhënie krahasimtare me ato ndërkufitare. Ku e ndieni vetëveten më të lirë për të lëvruar?

 

(Irena Gjoni) Përshëndetje dhe ju falenderoj për  ftesën për të realizuar këtë intervistë, si dhe për mundësinë për të shpalosur  paksa nga profili im letrar në një gazetë prestigjioze si e juaja.

Si poezia, proza dhe studimi konvergojnë në një pikë: te Letërsia. Unë jam diplomuar për letërsi dhe jam në ndjekje te shkolles doktorale ne proces doktorimi.  Pra njëherësh  Letërsia është profesion dhe pasion për mua, një kombinim i rrallë që të ofron shumë sadisfaksion. Si e tillë, them se e gjej veten komode në secilën prej tyre  për ta lëvruar. Ai që bën dallimin, është impenjimi. Për të shkruar  prozë e  poezi  të nevojitet më tepër talenti të cilin o e ke, o nuk e ke, pra nuk mund të bësh diçka të sforcuar, sado  dëshirë të kesh. Ndërsa puna studimore kërkon  analizë e sintezë shumëplanëshe, qartësi të trajtimit, vetëdije, vështrim sipas këndvështrimeve bashkëkohore, shfrytëzim të një bibliografie të gjerë. Dhe për këtë të  nevojitet formim i përditshëm  dhe investim maksimal intelektual.

 

Në poezinë tënde të vëllimit poetik “Tatuazh në shpirt të detit”, hasim dashuri “të ngrena”.  Po kështu edhe në tregimet  e  vëllimit "Gjysma dashurish" që është botuar këtë muaj. A është ky një perceptim poetik i  fenomenit dashuri në shoqëri, apo autorja është ende në kërkim të dashurive të plota?

 

(Irena Gjoni) Shiko, kur flitet  për letërsi, çdo karakteristikë, çdo tipar, çdo fenomen del nga suaza personale, e kapërcen veten për t’u shndërruar në universale ku çdokush mund të gjej veten. Pra nuk mund ta konsideroj as si një perceptim i fenomenit dashuri në shoqëri, as se unë individualisht jam në kërkim të dashurisë së plotë. Më tepër e shoh si pjesë të natyrës njerëzore. Jam e mendimit që nuk ka dashuri të plotë, nuk ekziston plotësia njëherë e përgjithmonë. Nëse do të ndodhte kjo, do të humbiste edhe interesi për ta jetuar jetën dhe dashurinë. Në këtë këndvështrim, qenia njerëzore përditë gjithë jetën investon në mënyra të ndryshme për të pasur dashurinë e plotë. Aq më tepër që ekzistenca e kësaj plotësie nuk varet vetëm prej nesh. Tek libri im i fundit “Gjysma dashurish”, që ka vetëm pak ditë që ka dalë në qarkullim, diku një personazh shprehet: “Ti ishe një ishull. Një ishull që ndriçon në mes të oqeanit natën. I bukur deri në madhështi. Që krenohet dhe feston sikur nuk do të ketë kurrë fund. Aty kuptoj që dashuria nuk është te tjetri. Është brenda nesh si një flakë, si një bishëz. Por për ta zgjuar, për ta ndezur, për ta flakëruar, për ta parë, për ta ndier, për ta përjetuar, kemi nevojë për gjysmën tjetër. Dhe kjo “nuk do të ketë kurrë fund”, solli pasigurinë dhe ankthin në çdo pikë uji të oqeanit...”

 

Sikurse në “Tatuazh në shpirt të detit”, në “Gjysma dashurish”, në “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve te Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare”(material me të cilin keni mbrojtur gradën shkencore “MASTER”), lexuesi shijon imazhin e detit me gjithë pasionin dhe misterin e tij. A ka inspiruar deti  Jon? Fakti që jeni ne relationsheep të përditshëm me detin?

 

(Irena Gjoni) Është i vërtetë ky konstatim i juaji për prezencën e detit në librat e mi. Komplimente se qenkeni një lexuese e vëmendshme për të kapur detajet. Diku kam lexuar që antropologët theksojnë se edhe kushtet gjeografike ku jetojnë njerëzit, ndikojnë si në pamjen e tyre fizike, ashtu edhe në disa veçori të karakterit. Të jetosh para detit, gjëja e parë  sa hap sytë në mëngjes të shohësh detin dhe të ndiesh erën e jodit, natën ëndrrat e tua si muzikë në sfond të t’i shoqërojë valëzimi apo dallgëzimi i detit, të soditësh Guvat e Kepit të Gjuhëzës, të Shpellës së Piratëve, të buzës së Gradecit në Krorëz, në thellinat e Grykës së Prodanit në Kakome, të Shpellës, të Sarandës, të jetosh rrëzë maleve të Vetëtimave (Akrokeraunëve) që vjellin zjarr karshi detit dhe të mos fantazosh apo të mos ndikohesh prej detit, është e pamundur. Sepse Deti në vetvete në Bregdetin Jonian është konsideruar si hyjni dhe gjithmonë i janë adresuar lutje. Madje këtu deti shfaqet me një funksion të dyfishtë: edhe si hyjni, edhe si altar ku adhurohej e lutej;

Veç kësaj, deti të sygjeron mijëra “lexime” dhe të jep dorë për të shtjelluar çdo ide artistike. Përmes tij bëhet e mundur përcjellja e çdo ndjesie njerëzore. Thellësitë jonike të detit paralelizohen me misterin e thellë e të pazbuluar të së ardhmes. Tani e kuptove sa e lidhur jam me detin dhe pse kudo në krijimtarinë time ka nga pak det?!

 

Nëse do t’i bënim një rezume të shkurtër krijimtarisë suaj si poete, prozatore (tregime), ju përdorni figuracione qe duket sikur edhe mitet i demitiligjizoni. Pse ju fasinon kaq shumë mitologjia?

 

(Irena Gjoni) Mitologjia gjithmonë më ka intriguar. Që e vogël në familjen time jam ushqyer me rrëfenjat me bazë mitike. Shumë herët kam qenë dashuruar pas letërsisë antike e ndërtuar kryesisht mbi ciklet mitike.  Diku te libri im studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian Shqiptar me ato ndërkufitare”, citoj: “Të studiosh mitet, do të thotë të hulumtosh mbi mënyrën se si e paraqitin njerëzit veten e tyre dhe marrëdhëniet me botën ku jetojnë. Nuk mund të zbërthehet dhe të analizohet një mit, pa bërë kërkime mbi funksionin që ai kryen në shoqërinë në të cilën është shfaqur. Pra, zhdukja, ringjallja, madje lindja e miteve janë elemente të rëndësishme të kërkimit të tipit antropologjik.” Niçe shkruan: “Vetëm një horizont i përvijuar nga miti  mund të sigurojë unitetin e qytetërimit të gjallë, që ai mbyll brenda.”. Pra kjo shpjegon gjithçka. Pjesë e kërkimit të tipit antropologjik është edhe tendenca për të zbërthyer artistikisht shpirtin njerëzor gjithmonë në evoluim. Dhe në këtë rrugëtim artistik aq sa është i nevojshëm miti, aq është i nevojshëm edhe demitoligjizimi.

 

Po ashtu vihet re se terminologjia që perdorni shpesh bazohet edhe në thesarin e folklorit gjuhësor: thënie disi tipike nga brumi i gojëdhënave. Kaq afër popullit dhe historisë së tij jeni ndier?

 

(Irena Gjoni) Vërtet jam ndier shumë afër popullit dhe historisë  së tij. Dhe kjo për dy arsye: 1. sepse kam arritur në konkluzionin që nëse nuk njeh rrënjët, e ke të vështirë të jetosh të sotmen dhe të  projektosh të ardhmen. 2. ka ndikuar shumë edhe formimi im familjar nga dy prindër intelektualë që ma kanë kultivuar  që herët domosdoshmërinë e kësaj lidhjeje. Aq më tepër im at Minella Gjoni, një studiues i njohur në Shqipëri, i cili me shtatë librat e tij studimorë ka trajtuar pikërisht  historinë, etnosin, toponimine, gjuhen e gjithë pasurinë shpirtërore të një prej trevave më të rëndësishme në Shqipëri. Pra jam rritur me këtë thesar  folklorik e gjuhësor si e quajtët ju dhe përpiqem të  marr atë që është më e vyer duke e vendosur  në dioptrinë e modernitetit.

 

Në Shqipëri, në Sarandë ju punoni pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë dhe mësuese letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini”. Duke i bërë një sinteze të shkurtër evoluimit apo regresit të Letërsisë këto 10 vitet e fundit. Si e perceptoni ju atë? A ka talente të reja ne Letërsi?

 

(Irena Gjoni) Është e pamundur që në pak rreshta të bësh një analizë të ecurisë së letërsisë së disa viteve. Megjithatë në tërësi, në konceptin tim unë e shoh letërsinë si një proces. Në këtë evoluim rrugës ka dhe skarcitete. Ajo që  më shqetëson, është një masivitet i njerëzve që lëvrojnë letërsi. A thua se më shumë se gjysma e shqiptarëve kanë lindur poetë dhe shkrimtarë, ku çdokush bërtet se është më i miri në “fushatat” publicitare që kanë mundësi financiare t’i bëjnë. Problemi i dytë i lidhur me të parin, është pamundësia e seleksionimit në mënyrë institucionale të vlerës së mirëfilltë. Institucionalisht ekzistojnë disa konkurse letrare ministrish shumë të kontestuara. Ashtu si mungon kritika letrare që do të orientonte lexuesin si dhe do të evidentonte edhe talentet. Më tepër kritika merret me emrat e konsoliduar në letersi (me meritë apo pa meritë qofshin) dhe nuk “rriskon” të sjellë emrat e rinj.  Madje “institucionet” e mësipërme bëhen nihiliste edhe ndaj përfaqësuesve tanë më dinjitozë të letërsisë shqiptare në botë.  Dhe ne na ngelet që këta individë të na i “njohë” dhe vlerësojë maksimalisht bota dhe të mos “i njohim” vet si në rastin e Jeton Kelmendit, apo të Shpend Sollaku Noe librat e të cilëve po bejnë xhiron e botës. 

 

Cili ështe satisfaksioni me i madh si krijuese letrare ne raport me lexuesit? Cili eshte mesazhi qe ju doni te kultivoni te lexuesi shqiptar?

 

(Irena Gjoni) Sadisfaksioni më i madh i krijuesit, është që libri të shkojë te lexuesi. Këtu është bekimi dhe mallkimi më i madh i krijuesit sepse janë në luftë të vazhdueshme dëshira me pamundësinë, ose mundësinë e reduktuar. Flas gjithmonë për në Shqipëri. Nuk ka politika te shpërndarjes, të reklamimit që do ta lehtësonin dhe të bënin të mundur realizimin e misionit të krijuesit. Atij i duhet të bëjë gjithçka vet, kur ai duhet të realizonte vetëm një gjë: Krijimin. Megjithatë ky është një problem në përgjithësi, sepse personalisht ndihem mirë që librat e mi e kanë gjetur rrugën për te lexuesi, aq sa për dy librat e parë po mendoj mundësinë e ribotimit. Sadisfaksioni më i madh është kur gjendesh në një ambient me njerëz të panjohur dhe sapo dëgjojnë emrin tim, reagojnë duke më thënë: “Unë i kam lexuar librat e tu”. Komentet e tjera nuk po i vazhdoj ... (qesh)

 

Të qenit Grua në lëvrimin e krijimtarisë suaj brenda segmentit të shkencës Letërsi, ka qenë një favor apo një thyerje tabush? Cili është përjetimi i juaj?

 

(Irena Gjoni) Po e nis përgjigjen nga fundi. Nuk besoj se marrja ime me letërsi dhe shkencë letrare përbën ndonjë thyerje tabuje. Nuk jam as e para dhe nuk do të jem  as e fundit. Kapitullin e “thyerjes së tabuve” e ka mbyllur Safo që në antikitet. Por nuk kam hasur dhe në ndonjë favor për faktin se jam grua, përkundrazi. Është më e vështirë të hapësh dyert e së ardhmes tënde në këto fusha, sidomos në atë të studimit. Të duhet shumë punë për të qenë bindëse se ti ke kapacitete intelektuale të merresh me punë shkencore, pse jo shumë më tepër se një mashkull. Unë përherë i kam mëshuar faktit që vlera nuk njeh gjini as femërore, as mashkullore. Ajo që është vlerë, është vlerë dhe ngelet e tillë.

 

Nga Letërsia Mbarëshqiptare dhe ajo Botërore, cilët janë idhujt tuaj më të spikatur që në një farë mënyre ju kanë inspiruar apo ndikuar?

 

(Irena Gjoni) Si trashëgimi familjare kam pasur një bibliotekë shumë të pasur dhe që herët kam nisur të lexoj shumë libra. Kjo “etje” për dijen më ka shoqëruar gjithë jetën. Kam qenë një konsumuese e jashtëzakonshme e letërsisë, por që me kalimin e viteve jam bërë më selektive. Çdo lexim e kam parë në funksion të formimit tim letrar e më gjerë. Kam pasë preferencat e mia në rryma dhe autorë, por jo deri në shndërrimin në idhuj, apo të më kenë inspiruar. Kam preferuar atë që është konsideruar vlerë në letërsi, pavarësisht nga vendi, koha apo rraca e autorit që e ka shkruar. E përmenda pak më lart preferencën time për letërsinë e antikitetit. Por kjo nuk do të thotë se po kaq shumë mund të mos më  pëlqejnë autorë modernë e postpodernë. Apo që letërsia e realizmit magjik, ndonjëherë më le pa frymë etj. Apo që letërsia e viteve 30’ në Shqipëri  më shijon ta rilexoj etj. etj. etj.  Dhe ndër të preferuarit e mi (por jo idhuj), përmend Lasgush Poradecin, Faik Konicën, Petro Markon e Anton Pashkun, apo Gabriel Garcia Markez, Marin Soresku, Pol Elyar e Ernest Heminguej

 

Cilat janë planet e së ardhmes?

 

(Irena Gjoni) Plani i parë është të shijoj rrugëtimin e mbarë të librit tim të fundit “Gjysma dashurish” (qesh). Sapo ka dalë nga botimi dhe ështe  shpërndar në të gjitha libraritë kryesore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Shpresoj dhe uroj që ky libër të shkojë bukur te lexuesi sepse është shumë i dashur për mua dhe çdokush do të gjejë nga pak veten mes faqeve të tij, ku çdonjëri mund të thotë pa frikë që kjo është historia ime. Matësi më i mirë që ky libër është konsideruar i tillë, është shitja e të gjithë ekzemplarëve që gjendeshin në panairin  e Prishtinës të zhvilluar javën që kaloi.

Ndërsa plani më i afërt  është përfundimi i volumit të dytë të librit studimor  “Marrëdhënie të miteve e kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” që e kam në proces.

Po kështu kam nëpër duar shumë projekte si në planin artistik dhe studimor, por për supersticizëm, po i mvesh pak me mister. Kryesore është që po punoj për gjëra të bukura dhe që gjithmonë dua të shkoj bukur te lexuesi.