Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihallaq Qilleri: ‘’Sot putha armikun tim’’

| E enjte, 12.08.2010, 09:57 PM |


“SOT PUTHA ARMIKUN TIM”

 

-         një poezi nga Albina Idrizi-

 

Nga MIHALLAQ QILLERI, shkrimtar

 

          Ndodh në krijimtarinë letrare që në një vëllim me poezi, apo në një vëllim me tregime të shquaj për mbi të tjerat  kryevepra e atij libri. Ndodh gjithashtu, që libri të ketë tri-katër poezi, apo tregime të dobëta, të cilat gjithsesi nuk përcaktojnë talentin e autorit.

         Këto ditë në facebook, një faqe mes së cilës komunikojnë tashmë mliona njerëz, gjeta të publikuar një poezi të Albina Idrizit, emër i njohur në Kosovë për krijimtarinë e saj letrare. Kam pasur fatin të lexoj disa nga librat e saj, kam komentuar edhe romanin “Hijet e kullave”, por poezia   e fundit  Sot putha armikun tim”, është padyshim, për mendimin tim,  një krijim antologjik, ndoshta nga më të bukurit e veprës së saj, por edhe më gjerë.

        Një dorë e shtrirë ndaj armikut, ka qenë gati-gati, një temë tabu  në vitet e diktaturës, por edhe sot vazhdon të tingëllojë si një habi njerëzore. Në novelën e tij “Krushqit janë të ngrirë”, shumë vite më parë, I. Kadare bënte një përpjekje për të krijuar kolonën e krushqëve në drejtim të armiqëve shekullorë, kombit serb, i cili u kishte shkaktuar shumë fatkeqësi shqiptarëve, sidomos në shekullin e XX. Por edhe shkrimtari i madh besonte se “krushqit” ishin të ngrirë nga acaret nacionaliste dhe nuk mund të udhëtonin në drejtim të njeri – tjetrit për të këmbyer së fundi faljen e madhe. As sot nuk po ndodh kjo. As sot, kur Kosova është e çliruar së fundi...

     Poezia e Albina Idrizit është përpjekja më e fundit, jo diplomatike, por njerëzore, poetike dhe kulturologjike për të treguar se shqiptarët janë një komb paqedashës. Një komb që, megjithë përgjakjet që kanë pësuar,  pa sulmuar askënd në histori, janë gati të “puthen” me armikun e tyre shekullor.

     Albina Idrizi hynë drejtëpërdrejtë në temën e saj, ashtu thjeshtë e bukur..

     

       Sot putha armikun tim,

       Lehtë, butë, qetë...

 

        Ndryshe nuk mund të ndodhte. Nëse nuk do të ishte - Lehtë, butë, qetë,.. nuk mund të puthej. Por vini re, kategorizimin e armikut nga autorja..”Atij i dogj në buzë e imja”. Sigurisht. Nuk e mendonte, nuk e priste këtë dorë të shtrirë paqeje. Por, gjithsesi nga ky hap gjigand, tragjik, njerëzor, shpirtmadh çdo gjë e hekurt shkriu. E hekurt - thotë autorja. E gjitha makineria e luftës që pat vjellë zjarr, që pat shkaktuar aq e aq viktima, ndoshta 10.000 të vrarë, si në Kosovë, nga kjo puthje shkrin plotësisht, pa shpresën se do të ringrihet përsëri në këmbë. Vargu, .."Çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh.." është, për mendimin tim, një nga sintezat më driththëruese të konflikterve të sotme mes njerëzve, mes popujve, mes luftës dhe paqes ka një fuqi aq të madhe sintetizue sa poetikisht do ta quaja një nga vargjet më të bukura të letërsisë. Dhe e gjithë kjo ndodhi vetëm nga një puthje...

 

                   Nuk e bënte tjetër loti syrin e tij
                   Por lumturia ime e pushtuar
                   Se ktheva në vete Njeriun..

 

       Albina Idrizi mendon se njeriut po t’i kthesh lotin, i kthen vetveten, i kthen dhimbjen, i ul egërsinë, i kthen logjikën dhe ai ndihet tashmë i çarmatosur krejt.Ky zhbirim psikologjik i autores tregon se ajo ka për vete një shpirt të ndjeshëm, njerëzor dhe beson në pendimin, një doktrinë e lashtë sa bota dhe e publikuar thuajse nga të gjitha fetë e botës. Por autorja ka gjithashtu besimin se  nga kjo “puthje”, ky gjest fisnikërie “nesër... ai do të zgjohet i dashuruar”.

      Poezia  “Sot putha armikun tim” e shkruar nga një grua, e shkruar nga një grua kosovare, ca më shumë, e shkruar nga një poete, sikur të ngjit vetiu jo vetëm në majat e ideve më të bukura njerëzore, por në majat e diplomacisë, kulturës, traditës e miqësisë midis popujve. Albina Idrizi e ka selitur këtë mënyrë të menduari thuajse në të gjithë krijimtarinë e saj.

     Albina Idrizi është autore e disa librave poetikë,  libra për fëmijë, romanit “Hijet e Kullave” dhe ka merituar disa çmime kombëtare e ndërkombëtare për krijimtarinë e saj.

    Ja edhe poezia e plotë:

 

 

   SOT PUTHA ARMIKUN TIM

 

Sot, putha armikun tim
Lehtë, butë, qetë,...
Mua më dhembi në shpirt shije e tij
Atij i dogj në buzë e imja
Pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh.

Besomëni, sot putha armikun tim
Mu duk se preka me dorë Hyun
Nuk e bënte tjetër loti syrin e tij
Por lumturia ime e pushtuar
Se ktheva në vete Njeriun.

Po, sot putha armikun tim
Në paqe natën do e flej unë
Ai vetveten duke luftuar
Nesër fitues, e di nga sytë e tij
Do zgjohet i dashuruar.

                 ----------------------------