| E enjte, 12.08.2010, 09:19 PM |
Vështrim letrar
SIMETRI VARGJESH IDEO-EDUKATIVE
Aspektet përgjithësuese
Nga Arsim Halili
Bilall Maliqi vjen para opinionit lexues më përmbledhjen poetike për fëmijë ”Hëna flet me lule”.Titull metaforik, i cili i fle poezive të kësaj përmbledhje. Përderisa hëna simbolizon dritën, lulet mund të simbolizojnë fëmijët, dashurinë po edhe vetë poezinë, sepse fundja poezitë janë lule të cilat duhet të dijë poeti cilën të mbledh. Duket se Bilalli është kujdesur t’u ofroj lexuesve të vegjël poezi me aromën më të këndshme, jo vetëm për t’i lexuar por edhe për t’i përjetuar. Ky gërshetim na jep të kuptojmë se autori nuk i hyn në rastësi kësaj çështje edhe delikate, por jo më pak me përgjegjësi. Pas sprovave në dy librat e tij për fëmijë “Kodra e Luleve” poezi për fëmijë dhe “ Shtëpia afër pyllit” tregime për fëmijë dhe dhjetë botimeve të tjera për të rritur, ai ua rikujton lexuesve të vegjël se nuk i ka harruar, por ka dashur ta shpalos ndjenjën, se ata nuk pranojnë çdo dhuratë që u teket të rriturve.
Libri ka një volum poetik dhe natyrisht brenda tyre gjenden laryshi temash të cilat poeti i sheh në dy rrafshe:
- Nga prizmi i asaj që poeti gjykon botën e të vegjëlve dhe preokupimet ditore të tyre.
- Dialogun fëmijëve me botën që rrethon.
Në pjesën më të madhe të rasteve e vërejmë se poezia e Bilall Maliqit përshkohet prej mendimeve për natyrën si: “Nëpër fushë”,” Habitet Leta”,”Lisi i vjetër”etj, pastaj nuk harron dot ata që u rritën, jetuan dhe vdiqën me botën e fëmijëve poetët meritor si: Migjeni poezia” Ishin njëzetë e shtatë”, për Rifat Kukaj, poezia “ Krejt më duket ëndërr” dhe Qamil Batallin me poezinë “ Fëmijët do të çmallen”. Bilalli nuk përjashton vargjet që ndonjëherë kanë edhe formën abstrahuese për gjithësinë më së miri i shohim te këto poezi: “ Flas me diellin”, “Ylberi”, Në dritë të Hënës”.
Ajo që dëshiron Bilalli tua rikujtoj fëmijëve është dashuria dhe krenaria për vendin e tyre.
Skalitja e këtyre vargjeve për këtë moshë, ndryshe nga ajo që shkruhet për të rritur, për të njëjtë dëshmor, për vendlindjen ose atdheun etj, tregon qartë se autori di të përdorë këtë simetri poetike dhe ai ka për qëllim t’i ofroj psikologjisë fëmijëve atë që e kap veshi i tij. Te poezia e Bilallit gjejmë e përmbajtjen morale : Dashuria dhe kujdesi ndaj prindërve, gjyshërve dhe njerëzve të tjerë, vërejmë ndonjëherë fëmijët që janë çapkën ose ndonjë edhe i llastuar, autori sikur u bënë me dije të korrigjojnë sjelljet e tyre.
Aspekte ideo-edukative në librin “ Hëna flet me lule”
Veçanti e këtij libri është se dominohet nga këto shtylla ku e bëjnë librin të qëndrueshëm dhe në interes për lexuesit e vegjël.
Fëmija duke i dashur prindërit krijojnë një rreth të shëndosh të sjelljes, jo vetëm brenda oazës familjare, por tek ai krijohet vlera moralizuese për shoqërinë, ai koncepton shumë qartë se këshillat e nënës kanë fuqi të rrezes së diellit dhe kjo këshillë e shpërndarë tek pasardhësit e saj është por si dritë dielli.
“Nënë, rreze dielli
Lëshon ti për mua,
Më vijnë si pasqyrë
Këshillat e tua”
Fq 26
Fëmija duke e dashur natyrën ai krijon shijen e të bukurës, sjelljen në natyrë, mbrojtjen e saj, veç formimit për konceptin bukurën, ai krijon edhe shprehi për punën, sepse ai do të kuptojë gjithë ajo bukuri është rezultat i punës së njeriut më së miri e shohim te kjo poezi:
“Erona gëzohet
Kur zogu ciceron,
Dhe kur gjelbërimi
Hapësirat pushton
Fq 68
Bilalli përmes poezisë së tij kujton edhe dashurinë për vendlindjen dhe për atdheun në përgjithësi dhe përmes vargjeve të tij ai u jep kurajë fëmijëve. Se ç’kuptim ka liria poeti më së miri e shpreh përmes vargjeve hitpotezuse :
“Sa bukur do të ishte
Të isha shqiponjë,
Në qiell të Dardanisë,
Krenar të fluturoj”
Fq 50
Poeti ka një preokupim, ai nuk është i qetë derisa fëmijët përjetojnë varfërinë mbi supe të tyre, kjo gjë jo vetëm që e shqetëson poetin, por ai apelon që ky brez të mos nëpërkëmbët,qoftë duke kërkuar lëmoshë, apo duke punuar punë më të rënda se mosha e tyre, respektivisht duke lënë anash rrugën e dijes. Përmes vargjeve të tij shprehet si vijon:
“Karrocier medet...
Ti shkon treg më treg
Ty të lagën rrobat,
Djersa të bënë qull ballin
Askush s’ta qan hallin”
Fq 16
Vlerat dhe mesazhi interpretues i librit
Veçoria dalluese në të gjitha poezitë e Bilallit është veçoria edukative. Poezitë e këtij libri i plotësojnë kriteret psikologjike, sepse Bilalli, ulet në nivel të kërkesave të fëmijëve, ai e di se çka kërkojnë ata, nuk e ngarkon poezinë me terminologji që për fëmijët të jenë abstrakte. Përdorë figurat stilistike në vendin e duhur, ku vërehen: metafora, epiteti, sarkazma, antiteza, krahasimi. Qëndrueshmëria dhe artikulimi përmes këtyre figurave u jep dimension simetrik përballë anës artistike dhe edukative e them këtë se fëmija duke u kënaqur me vargjet e poetit ka përball edhe mesazhin e qartë për të ruajtur dhe kultivuar në kujtesën e tij mirësjelljen nga ajo që e rrethon.
Thjesht ai ka sendërtuar vargun varësisht nga situata emocionale, prandaj edhe shihet ana e tij ndijore dhe figurative që e bëjnë poezinë e tij me plotë kolorit. Prandaj edhe si përfundim i këtij vështrimi do të konkludoja:
Vepra “ Hëna flet me lule” ruan origjinalitetin e ndjenjës psikologjike në hapësirë dhe kohë.
Duke lexuar librin fëmijët do të përfitojnë aromën e poezisë që vërtet ka nektar dhe ja vlen te mblidhet.