Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: O e Gurit të Zi, o e Vardarit (I)

| E hene, 09.08.2010, 09:58 PM |


O e Gurit të Zi, o e Vardarit (I)

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Çfarë mendoni ju se është njeriu i cili ka shkruar kështu për veten në një artikull në gazetë: “Autori i këtyre rreshtave ishte njeriu, i cili nxiti më shumë shkrepje aparati me hyrjen e tij në pritjen e organizuar në ambasadën e SHBA-ve, me rastin e 4 Korrikut”. (“Koha e Re”, Shkup, 6 korrik 2010)

Është fjala për pritjen në ambasadën amerikane në Shkup, në 4 korrik të këtij viti. Lexuesi sigurisht që do të mendojë se njeriu i cili shkruan kështu, është ose politikan, ose këngëtar, ose aktor. E pra, nuk është asnjë nga këta. Ai është imami i Xhamisë së Isa Begut në Shkup, Ramadan Ramadani. Hoxha është edhe kolumnist në shtyp dhe këtë episod e përshkruan triumfalisht në një kolumne të vetën të botuar dy ditë më pas. Atje hoxha e shpjegon edhe arsyen e kësaj vëmendjeje të veçantë ndaj tij: “Kjo pasi ndodhitë në dhe rreth xhamisë, ku unë shërbej si ligjërues tani që shtat vjet, ishin shumë të freskëta në opinion”. (“Koha e Re”, Shkup, 6 korrik 2010)

Ajo që ndodhi në dhe rreth xhamisë së hoxhës ishte se në 25 qershor 2010, nëntë ditë para se të mbahej pritja, pati një përleshje masive të besimtarëve mesveti. Të dërguarit e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, shkuan të marrin nën kontroll xhaminë, pasiqë më vendim të kryetarit të Bashkësisë Islame Sulejman Rexhepi, ishte shkarkuar imam Ramadani, i akuzuar për ushtrimin e praktikave religjioze në kundërshtim me linjën e Bashkësisë Islame. Hoxha akuzohej si ekstremist islamik dhe nën së si wehabit. Në fakt të dy palët, si Bashkësia Islame, ashtu dhe imam Ramadani e ushtrojnë fenë islame në sens wehabit, me ezanin që thirret në arabisht nga megafonët e minareve të xhamive. Kështu që konflikti mes tyre nuk ka të bëjë me religjionin por me interesa të tjera. Të dërguarit e Bashkësisë Islame ndeshën në kundërshtimin e dhunshëm të përkrahësve të imamit të shkarkuar. Ajo çka të bën përshtypje në këtë histori është roli i ambasadës amerikane në Shkup. Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, është njeriu i amerikanëve, ai ka ardhur në këtë post me mbështetjen e amerikanëve, të cilët sikur dihet janë shumë të ndjeshëm për çështjet religjioze në Ballkan, tekefundit, ashtu si dhe europianët. Sulejman Rexhepi, një njeri shumë i afërt i ambasadës amerikane në Shkup, nuk mund ta ndërmerrte këtë aventurë, që të merrte nën kontroll xhaminë e rebeluar të Isa Begut, më e madhja në Maqedoni, pa miratimin e amerikanëve.

Por, habia është se nëntë ditë pas konfliktit në xhaminë e Isa Begut, imam Ramadani ishte i ftuar në pritjen që dha ambasada amerikane në Shkup për festën zyrtare të SHBA-ve. Kjo gjë habiti shumë njerëz në Maqedoni dhe inkurajoi mbështetësit e imam Ramadanit. Amerikanët kanë praktikën që të shpallin të ashtuquajturat lista të zeza, me personat e padëshiruar për ta, ku vazhdimisht ka pasur edhe shqiptarë të Maqedonisë, deri edhe politikanë. Pas incidentit në Xhaminë e Isa Begut, ishte pritur që imam Ramadani të ishte në listën e zezë të amerikanëve. Por ndodhi e kundërta. Nëse doni një përgjigje për këtë pyetje duhet të lexoni shkrimin tim “Lobi saudit në Washington dhe Shqipëria” ku unë tregoj për ekzistencën e një lobi shumë të fuqishëm saudit në kryeqytetin amerikan, i cili influencon politikën amerikane në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, për të mbështetur ushtrimin e ritualit wehabit nga ana e muslimanëve shqiptarë. Prej këtej qëndrimi i ambasadës amerikane në Shkup ndaj këtij incidenti mes imam Ramadanit dhe Bashkësisë Islame.

Rezultati final i të gjithë kësaj do të jetë instalimi i një konflikti subreligjioz ndërmjet muslimanëve suni shqiptarë në Maqedoni. E gjithë kjo ka një interes të madh për perëndimorët dhe në rradhë të parë për amerikanët, të cilët janë fuqia perëndimore, e cila më së shumti është e angazhuar në botën islame. Strategjia e Perëndimit dhe posaçërisht e SHBA për të neutralizuar dhe kontrolluar botën islame është nxitja e konfliktit ndërislamik, jo veç mes shitëve dhe sunive, por edhe brenda vetë sunive. Prej këtej një nga arsyet e mbështetjes që Wehabizmi në Arabinë Saudite ka pasur dhe ka mbështetjen e SHBA. Incidenti në Xhaminë e Isa Beg është një eksperiment i kryerjes së kësaj strategjie. Natyrisht se amerikanët kanë interesa strategjike në hapësirën shqiptare në dy anët e kufirit, por nëse këto interesa nuk do të jenë kompatibël me paradigmat globale amerikane, si ajo që përmenda më lart, atëherë do të sakrifikohen pa hezitim.        

Partitë politike shqiptare në Maqedoni u pozicionuan pas incidentit, por shumë pak e kuptuan atë. PDSH e Mehduh Thaçit, në opozitë, në një konferencë për median denoncoi mosemetimin e kronikës televizive për ngjarjen nga ana e Alsat-M, si dhe imam Ramadanin: “Në materialin filmik shihet se si hordhitë dhe bandat kriminele të Izet Mexhitit, të cilët tashmë një kohë të gjatë terrorizojnë shqiptarët e Shkupit së bashku me mbeturinën e shërbimit sekret, satrapin e shejtanin Ramadan Ramadani i veshur si hoxhë, përndryshe vëllau i Sasho Ordanovskit, sulmon xhematin në xhaminë ‘Isa Beg’ në Shkup… Të gjithë këta janë anëtarë të shoqatës për sigurim ‘Shpata’ përndryshe dora e zgjatur e krimit që reketon, dhunon e kërcënon shqiptarët dhe biznesin e tyre… Kush ia ka dhënë licencën për punë kësaj shoqate për sigurim ‘Shpata’-përndryshe organizate kriminale që reketon, kërcënon e dhunon shqiptarët në Shkup?”.

Kështu partia e dytë shqiptare në Maqedoni bëri të ditur se në vend ekziston, me status legal, një forcë paramilitare wehabite, e kamufluar pas një shoqate private për siguri, çka i lejon asaj të posedojë armatim, të kryejë stërvitje të llojit ushtarako-policor dhe të mbajë një grupim legal të armatosur, të përqendruar në Xhaminë e Isa Begut në Shkup. Merret vesh, këtë shoqatë e kanë lejuar autoritetet maqedone, duke pasur mendimin e mbrapshtë se kështu do të nxisin edhe më tej konfliktin ndërmjet shqiptarëve. Bashkësia Islame e Maqedonisë, në një komunikatë të saj u ankua se policia maqedone nuk kishte pranuar të vepronte pas denoncimit të saj për ngjarjen në xhaminë e Isa Begut. Maqedonët qartësisht mendojnë se zgjidhja më e mirë është që shqiptarët të vriten mesveti.

Në komunikatën për media të PDSH thuhej se dhunuesit qenë njerëz të BDI, partisë shqiptare në pushtet. E gjithë ngjarja u filmua nga tv Alsat-M, por nuk u emetua për shkak të ndërhyrjes së partisë në pushtet BDI. Megjithatë video qarkulloi në youtube pasi u paraqit në një konferencë për mediat të partisë tjetër shqiptare, PDSH. Ky projektim i konfliktit religjioz në politikën shqiptare në Maqedoni është një histori më vete. Por vrulli i PDSH ra kur imam Ramadani hyri triumfalisht në ambasadën amerikane në Shkup, katër ditë pas deklaratës së PDSH.

Gjithsesi, politikanët shqiptarë këtë herë refuzuan ta marrin rolin e yllit medial dhe ia lanë krejt skenën atij më të shkathtit, hoxhës së Xhamisë së Isa Begut. Hoxhë efendia qartësisht e shijon shumë këtë situatë të re për të. Ai ka një sens të veçantë të spektaklit. Në vitin 2009 hoxhë Ramadani ishte i ftuar në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, në Top Channel, ku u diskutua për shqiptarët e Maqedonisë. Hoxha ekzotik ishte një ndër pesë të ftuarit së bashku me Kim Mehmetin dhe dy mësimdhënësit e Universitetit të Europës Juglindore, në Tetovë, Salajdin Salihu dhe Ymer Ismaili.

Hoxhë Ramadani edhe këtu tregoi se e ka sensin e talk show, pasiqe emisioni filloi pikërisht me pëlqimin që ka hoxha për këngëtaren Tuna, gjë që e habiti disi drejtuesen e emisionit. Kundërshtarët e Hoxhë Ramadanit bënë një video të cilën e vendosën në youtube ku paraqitej kjo sekuencë nga emisioni si dhe disa fotografi të Tunës, ku duhet të kesh një elegancë të veçantë etike për ta quajtur veshje performancën elegante të saj në zhveshje. Por imam Ramadani nuk ka gjasa që të jetë pezmatuar nga kjo gjë. Në të vërtetë ai bën të njëjtën gjë që bënin politikanët stalinistë të Kominternit në vendet perëndimore dikur. Ata, derisa predikonin dhe ushtronin stalinizmin në partitë e veta komuniste, shtireshin sikur pëlqenin këngëtaret ekstravagante “borgjeze”, çka e bënin për të fituar popullaritet tek rinia dhe për t’ u dukur më pak të frikshëm se sa i paraqisnin kundërshtarët e tyre. Natyrisht se, kur vinin në pushtet, ata tregonin një fytyrë tjetër, dhe “Tunat” përfundonin në kampet e punës së detyruar së bashku me adhuruesit e tyre.

Pikërisht në 4 korrik 2010, në ditën kur imam Ramadani do të shkonte në ambasadën amerikane, si i ftuar në pritjen për festën zyrtare, gazeta ku ai është kolumnist, “Koha e Re”, botoi një lajm me titull “Triumfoi paqja në Isa beg”, i cili qartësisht ishte shkruar nga vetë imami. Në këtë lajm thuhej: “Në xhaminë “Isa Beg”, të Shkupit triumfoi paqja dhe qetësia. Mijëra besimtarë të konfesionit islam të premten e kryen ritin fetar, faljen e namazit të xhumasë pa asnjë problem. Kjo njëherësh i demantoi disa informacione se për shkak të incidentit që ndodhi të premten e kaluar nuk do të falet namazi i xhumasë në ‘Isa Beg’. Incidenti javën e kaluar ndodhi si rezultat i mosmarrëveshjeve mes përfaqësuesve të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM) dhe imamit aktual të xhamisë ‘Isa Beg’, Ramadan Ramadani, i cili të premten ua fali namazin e xhumasë besimtarëve myslimanë. ‘Jemi dëshmitarë se u kthye qetësia në shtëpinë e Zotit dhe në xhaminë më të madhe dhe në vakëfin më të madh në Maqedoni të ‘Isa Beg’-ut. Kjo nuk është luftë për ‘Isa Beg’-un e asnjë problemi për xhaminë dhe xhematin, por për kthimin e autonomisë së xhamisë dhe të çdo punonjësi fetar në Maqedoni”, deklaroi imami i xhamisë, Ramadani”.

Titulli më i saktë do të ishte “Triumfoi dajaku në ‘Isa Beg”. Kësaj i thonë Pax Ramadanicus, paqe me dajak, dhe nëse dikush nga xhemati nuk është i bindur, një shenjë bën komandant Ramadani (apo mos është më mirë të quhet Komandant “Tuna”?) dhe djemtë e “Shpata” e shtrojnë në dajak sa “vëllau” të mos përkulet dot në sexhde deri në daljen e albumit të ri të Tunës. Hoxhë Ramadani, alias Komandant “Tuna” e ushtron ritin sipas asaj këngës së Tunës “E boj nxehtë”: “Sonte du me nejt me ty./Yeah e boj nxet/e kom let/e boj nxet, veq per mu kce./E she sa muj met lon permas,/kur une i dho ma shum gaz/lsho veten se me shum t’ pelqen/ sa herë pe e nin zonin tem”.

WOW! Allahu Akbar!

Pasi imam Ramadani, alias Komandant “Tuna”, u ftua në ambasadën amerikane në 4 korrik të këtij viti, ai dy ditë më pas botoi në gazetën “Koha e Re” kolumnen me titull “Sandokani”, (ajo ku rrëfeu për vajtjen e tij triumfale në ambasadën amerikane), ku “Sandokan” quante kryetarin e PDSH, Menduh Thaçi, të cilin e etiketonte si pirat. Hoxhë Ramadani nuk guxoi t’ i përgjigjej publikisht Menduh Thaçit para se të shkonte në ambasadën amerikane. Pasi doli triumfalisht nga ambasada amerikane hoxha u trimerua aq sa e quajti Menduh Thaçin “Sandokan”. Menduh Thaçi sigurisht që mund të kritikohet për shumë gjëra, por në këtë rast ka diçka shumë shqetësuese. 

Në kohën që Hoxhë Ramadani nuk merret me punët e xhamisë, dhe me Tunën, ai merret me problemet e shqiptarëve të Maqedonisë dhe krejt kombit shqiptar, në çdo rrafsh, si kolumnist në shtyp. Si i tillë hoxha është shumë aktiv. Në shkrimin e vet “Me e pas ni djal si Mema, me i hi vezirit mrena”, botuar në gazetën “Koha e Re”, në 15 korrik të këtij viti, imam Ramadani shkruan: “Në tekstin e tij të shumëpërfolur Samuel P. Huntington (v. 2008), thoshte për myslimanët se janë të bindur në superioritetin e kulturës së tyre, kurse janë të opsesuar me inferioritetin e fuqisë së tyre. Një modifikim, përkthim dhe, para së gjithash, zbutje e këtij konstatimi do të mund të vlente edhe për shqiptarët e Maqedonisë”. (“Me e pas ni djal si Mema, me i hy vezirit mrena”, 15 korrik 2010)

 

Gazeta Sot - Për ZSH: Ilir Dardani