| E premte, 06.08.2010, 07:32 PM |
Janaq Pani
MEDITIM PËR DOSJET
E kisha një dosje me siguri
të tjerur nëpër vite,
o shpirti im, ndjej krenari
që veten nuk e shite.
Sa faqe nxirë, ec e gjeje
në vite e vite varg,
që ngrin e shkrin gjakun në deje
e tremb foshnjën në bark.
Një dosje pata dhe nuk e di
në është tjerrur hollë,
o shpirti im, ish trimëri
të mbetesh i panjollë.
Një dosje që e mbanin gjallë
ca "miq" edhe "kolegë",
ahere s'di kë ngjanin vallë
tani ngjajnë shelegë.
Një dosje qe, një Zot e di
tani ku është hedhur,
o shpirti im, qe mrekulli
që mbete i paepur.