| E premte, 06.08.2010, 09:58 PM |
Llampa e Salajdinit (I)
Nga Kastriot MYFTARAJ
“Gjeniu” e filloi ditën e punës duke kqyrur nëse Sorosi e kishte botuar ndonjë libër me poezi të tij edhe në vendin, apo gjuhën e njëzetepestë, kur “poeti” ka 24 lexues për çdo vend apo gjuhë. Pastaj “gjeniu” lexoi një sms të Velija Ramkovskit i cili e ftonte për drekë, dhe mendoi se ishte koha për të shkruar një poezi për kalvarin e atij që mbron të vërtetën, para se të vazhdonte më tutje me agjendën e vet. Pastaj “gjeniu” pa se çka kishte për të ligjëruar atë ditë në fakultetin e letërsisë në USHT dhe në degën e komunikimit në UEJL. Duhet të ishte në të dy universitetet brenda ditës, por “gjeniu” prandaj është “gjeni”. Pastaj filloi të shkruante kolumnen që duhej të dorëzonte në mbrëmje në gazetën e Velija Ramkovskit. Por vendosi që ta përfundonte gjatë mbledhjes së bordit të organizatës “jofitimprurëse” që drejton së bashku me Veton Latifin. Tekefundit në këto mbledhje Vetoni nuk i kërkon gjë përveç të firmojë atje ku i thotë ai dhe gjatë kohës tjetër mund të shkruajë poezi ose ta shëtisë mendjen si delet në kodrat e Sllatinës, katundit ku ka lindur. Pastaj “gjeniu” pa se mbi tryezë kishte ndarë një libër për të lexuar. Në serbisht natyrisht, siç e pohon në fejtonin e vet me të cilin polemizon me mua, çka do ta citoj më poshtë. Por si i del koha për të lexuar me gjithë këto punë që ka “gjeniu”! Ai ka për të shkruar edhe libra për letërsinë dhe gazetarinë. Kur shikon se sa punë bën “gjeniu” si mësimdhënës në dy universitete, drejtues organizate “jofitimprurëse” (shumë aktive dhe që vepron në shumë fusha nga më të ndryshmet), si kolumnist, si poet, njeriu nuk mund të mos pyesë se ku e gjen kohën për të lexuar “gjeniu”? Dita tekefundit 24 orë ka edhe për atë, dhe “gjeniu” nuk kalon pak kohë edhe në kafiqe! Por “gjeniu” prandaj është “gjeni” se ka disa dhunti që nuk i kanë të tjerët. “Gjeniu” jonë më shumë shkruan se lexon dhe në këtë pikë ai është në garë me shefin e vet Veton Latifin. Njerëzit si unë, që merrem vetëm me shkrime dhe lexime, më shumë lexojnë se shkruajnë. Por ky është dallimi mes një njeriu të rëndomtë si unë dhe një “gjeniu” si Salajdin Salihu. Prandaj “gjeniu” nuk ka kohë për të humbur me mua. Salajdin Salihu në shkrimin e vet “Shpifësi serik” të botuar në gazetën “Koha e Re” të Shkupit, ku polemizon me mua, shkruan: “O Zot, me kë merrem? Po a humbet koha kot me kokëshkretin e provincës, me një muhtar që ndërton shtëpi në rërë”.
Salajdini duke më quajtur mua provincial, madje në një rast edhe kooperativist (fshatar kolkozian në shqipen e kohës së diktaturës komuniste), në fakt tregon kompleksin e vet të inferioritetit. Një njeri i cili ka lindur dhe është rritur në katundin Sllatinë të Tetovës dhe sot banon në Tetovë, nuk mund t’ i thotë “provincial” dhe “kooperativist” një njeriu si unë që ka lindur në qytetin e Korçës (nuk do ta kisha për turp edhe sikur të kisha lindur në katund, madje në një pikëpamje më vjen keq që nuk linda në katund), dhe që banon prej shumë e shumë vitesh në qytetin e Tiranës. Salajdini ka një kompleks inferioriteti si katundar dhe provincial dhe i duket se çlirohet prej tij duke i quajtur të tjerët kështu. Nejse.
Në katundin Sllatinë, në afërsi të Tetovës, jetonte një djalë me emrin Salajdin. Salajdini u rrit nën hijen e minares dhe nën dashurinë e veçantë të hoxhës së katundit, i cili e donte veçan fëmijëve të tjerë që vinin në oborrin e xhamisë, për shkak të emrit që mbante ky djalosh. Hoxha thoshte se ky djalosh sillte fat të mirë se mbante emrin e madh e të bekuar të sulltanit që “çliroi” Jerusalemin nga të pafetë e krishterë. E kështu rritej djaloshi Salajdin në katundin e vet, ku në intervalin mes thirrjeve të ezanit gjatë ditës dhe mbrëmjes, ai formohej intelektualisht me Përrallat arabe të Njëmijë e një Netëve, në fillim duke i dëgjuar e më pas kur mësoi të lexonte, duke i lexuar vetë. Salajdini shkruan:
“Merr lexo Myftar se nuk mund të jesh i mençur nëse paske lexuar dy libra ‘të rrezikshëm’ në kohën e komunizmit! A thua t’i kesh lexuar librat e Edward Gibbonit apo Oswald Spenglerit? Mos i ke parë në vitrina librarish? Libra të këtillë, në hapësirat e këtushme, kuptohet në gjuhët sllave, janë botuar kaherë dhe janë me mijëra shqiptarë që i kanë lexuar, por jo dhe ‘burimet’ tua të këndejshme që të marrin për të mençur. Dije, pra, se i kam lexuar shumë kohë para teje”.
Unë i përmenda këto dy libra për t’ i thënë Salajdinit se në kohën e komunizmit kam lexuar të tjerë lloj librash nga ato që më atribuon ai, ose më saktë përveç tyre. Se unë nuk e quaj një humbje që kam lexuar literaturë komuniste, se ajo ende dhe sot studiohet edhe në universitetet më të rëndësishme të botës. Kjo literaturë pati vlerë për mua tash që jam duke shkruar një monografi për Enver Hoxhën në tre volume, nga të cilët dy me nga 500 faqe tashmë janë botuar. Salajdini thotë se ato dy librat që përmend unë i ka lexuar para meje. Unë i kam lexuar ato kur kam qenë 19 vjeç, në vitin 1985. Salajdini atëherë ka qenë 15 vjeç. Kështu del se Salajdini paska lexuar dy nga librat më të vështirë dhe voluminozë të krejt literaturës botërore të të gjitha kohërave që në moshën 15 vjeç në katundin Sllatinë të Tetovës! Kjo nuk duket asfare e besueshme. Që Salajdini rren kjo kuptohet dhe nga fakti se ai thotë se këto dy libra i kanë lexuar me mijëra shqiptarë të Jugosllavisë?! Nëse do të ishte kështu atëherë shqiptarët e Jugosllavisë do të qenë të parët në botë sa i përket leximit të librave të vështira. Se në atë kohë dhe madje edhe sot, këto dy libra të vështira, nuk i kanë lexuar as me mijëra anglezë, francezë e gjermanë, e jo më shqiptarë të Jugosllavisë! Libri i Gibbon “Tatëpjeta dhe rënia e Imperisë Romane” ka gjashtë volume me rreth katër mijë faqe, ka një stil të sofistikuar dhe strukturë të komplikuar. Libri i Spengler “Rënia e Perëndimit” është gjithashtu voluminoz, me dy volume me një mijë faqe dhe me një shtjellim e stil mjaft të komplikuar. Unë kur i kam lexuar për herë të parë, shumë gjëra nuk i kam kuptuar. Pastaj u jam rikthyer më vonë dhe tash që po shkruaj po rilexoj nga pak Spengler. Këta dy libra janë ndër ata për të cilët thuhet se shumë i përmendin por pak i kanë lexuar. Nëse mijëra shqiptarë të Jugosllavisë do t’ i kishin lexuar këto dy libra, atëherë ne sot do të kishim me siguri mijëra intelektualë të kalibrit të lartë ndër shqiptarët e ish-Jugosllavisë.
Salajdini thotë se “burimet” e mia në Tetovë nuk i kanë lexuar librat e mësipërm. Ironia është se janë “profesorët” Salajdin dhe shefi i tij Veton Latifi, të cilët supozohet që t’ u sugjerojnë “burimeve” të mia se çka duhet të lexojnë, dhe ata nuk u kanë sugjeruar asnjë nga këta libra. Dhe kuptohet përse. “Burimeve” të mia u është sugjeruar nga që së pari të lexojnë librat e shefit të Salajdinit, “shkencëtarit” Veton Latifi, të cilat janë plagjiaturë ulëritëse. Në fakt, nëse lexon librat e Veton Latifit kjo është njëlloj sikur të kesh lexuar krejt literaturën politiologjike serioze botërore, ashtu sikur mund të shikosh një film që xhiron mbrapsht. Salajdini më tutje thotë: “Dije, gjithashtu, se për punë librash nuk debatoj me kooperativistë”.
Edhe këto fjalë i thotë njeriu studentët e të cilit mësojnë me skripte në lëndët e tij. Studentët të cilët shkojnë në UEJL për të studiuar për shkencat e komunikimit presin që të marrin një libër të lëndës “gazetari on-line” të cilën e ligjëron profesor Salajdini. Por në vend të librit marrin një script. Natyrisht që studentët nuk guxojnë që ta pyesnin profesor Salajdinin se përse nuk ka libër në lëndën që ligjëron. Derisa Salajdini ka thënë se nuk bisedon me mua që sipas tij qenkam kooperativist, do të thotë kolkozian për libra, atëherë besoj se ai do të pranojë të debatojë me mua për skriptet. Se Salajdini nuk thotë se nuk debaton me mua për punë skriptesh. Studentët presin që të merrnin një libër për të mësuar në lëndën “shkrimi dhe raportimi në media” që e ligjëron ersatz-profesor Salajdini, por në vend të librit ata marrin përsëri një script. E njëjta gjë ndodh edhe me lëndën “prodhim i medias” të cilën e ligjëron po Salajdini. Georg Christoph Lichtenberg (1742-1799), ka thënë: “Sot ne po provojmë që të përhapim dijen kudo. Por kush e di nëse në shekujt që do të vijnë nuk do të ketë universitete për të rikrijuar padijen tonë të kaluar”.
Këto fjalë duken sikur janë thënë për Salajdinin dhe mikun e tij Veton Latifin dhe për universitetin e tyre, UEJL. Salajdini më tutje shkruan: “Dije muhtar agai se jetoj me rrogën nga USHT-ja dhe me një honorar në UEJL, prej 230 eurosh, ku kam mbajtur orët e një lëndë praktike dhe lëndën Produksion medial (përgatitjen e një revistë), diç që kaherë u ka penguar “burimeve” që fshihen pas teje”.
Tash Salajdini nuk përmend dy pagat që merr në “organizatën jofitimprurëse” që drejton së bashku me Veton Latifin, nuk përmend as “honoraret” që merr nga Velija Ramkovski dhe as të ardhurat nga librat e tij me poezi që supozohet të jenë botuar në 24 vende a gjuhë të botës- në rastin e dytë edhe më tepër vende. Por në këtë rastin e fundit është i sinqertë se botimi i poezive të tij në botë është një fiksion medial. Ai thotë se në UEJL ligjëron dy lëndë, por në fakt ligjëron tre. Ai pretendon se “burimet e mia” paskan një llogari me të për përgatitjen e një reviste. Salajdini, i cili flet kundër teorive të konspiracionit, kur unë i bëj ato për interesa publike, dhe i quan paranojë, kur preken interesat e tij private fillon e bën teori konspiracioni nga më të çuditshmet! Salajdini më tutje më drejtohet: “A e di se kam shkruar edhe libër për gazetari, së bashku me një koleg nga Tirana, kurse recensentë janë emrat të nderuar të gazetarisë shqiptare?”
Unë e pyes Salajdinin: Zotëri, mbi ç’ bazën e ç’ kualifikimeve shkencore, me ç’ kredenciale intelektuale guxuat që të bëni një libër të tillë? Ju jeni diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe pastaj keni kryer një master të dyshimtë të nivelit të parë (një vit) për gazetari. Fakti që ju keni marrë përsipër që ta shkruani këtë libër tregon sharlatanërinë tuaj dhe jo vlerat tuaja intelektuale. Pse ju ersatz-profesor Salajdini nuk shkruajtët libra për lëndët që ligjëroni, por shkruajtët një libër tjetër? Sa për librin që përmend Salajdini, e tepër të thuash ai është përkthim i keq i librave të ngjashëm që përdoren në Universitetin e Indianës në SHBA, klonim i të cilit është dega e shkencave të komunikimit në UEJL. Salajdini më tutje shkruan: “A e di ti se ka vetëm tre vjet që punoj në arsim, dhe kjo të pengon ti dhe ca lolove të këndejshëm që të marrin për të zgjuar?”
Unë natyrisht që e di këtë dhe pyes: A është koincidencë zotëri multi-profesor Salajdini që fillimi i karrierës suaj si mësimdhënës universitar koincidon me vendimin për shndërrimin në institut të “organizatës jofitimprurëse” të Veton Latifit dhe Salajdinit? Shndërrimi ndodhi në 2008, por përgatitjet dhe projektet në bashkëpunim me ndërkombëtarët filluan që në 2007. Me këtë rast “organizata jofitimprurëse” Instituti për Demokraci dhe Zhvillim do të vendohej me seli në një ndërtesë në kampusin e UEJL. Me këtë rast edhe drejtor Salajdini do të bëhej mësimdhënës universitar. Salajdini nuk e thotë se njeriu që e bëri atë mësimdhënës është Veton Latifi. Ata “lolot” për të cilët flet Salajdini atje në Tetovë, nuk bëjnë sharlatanin-“gjeni” si ai.
Më tutje Salajdini më në fund bën diçka me vlerë, flet për akuzën që i kam bërë unë për plagjiaturë: “Sa për esenë që vazhdon ta quash plagjiat, po të jap ca të dhëna që t’i rrëzojnë shpifjet sikur kulla kartoni. Si njeri që ke lexuar vetëm një libër mbi historinë e Evropës, nuk e merr me mend se çdo studiues mund të shfrytëzojë literaturën e njëjtë”.
E vërteta është se ne sot kemi një histori të Europës se, në botën muslimane, pas shekullit XII, kur jetonte Sulltan Salajdini, kryeheroi i luftrave islamike kundër të krishterëve, për fat të mirë qenë nuk pati shumë njerëz të cilët prindërit e tyre i quajtën “Salajdin”, ndryshe islamikët e gjithë botës, arabë, turq, mamlukë, tartarë, persianë etj., në vend që të luftonin mesveti do të msynin Europën bashkërisht dhe do të kishin dalë në Irlandë e Skandinavi që në shekullin XV. Salajdini si sharlatan par excellance, pasi mendon se më fyeu duke më thënë se unë paskam lexuar vetëm një libër për historinë e Europës, tallet me vetveten kur thotë se çdo studiues mund të shfrytëzojë literaturë të njëjtë. Këtë Salajdini e thotë për t’ u shfajësuar që ai ka ndjekur si manual literaturën e esesë së Plasarit. Por, duke konsideruar se sa e gjerë është literatura për historinë e Europës, është e pamundur që Plasari në fillim dhe Salajdini më pas, të kenë cituar të njëjtët autorë dhe paragrafë. Kjo është me të vërtetë qesharake.