Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Rama: Politika e verës në Shqipëri!

| E premte, 06.08.2010, 09:36 PM |


Politika e verës në Shqipëri!

 

Nga Besnik Rama

 

I nxehti po pushton shumë shtete të Europës Perëndimore dhe si pasojë ka edhe shumë viktima në njerëz e simptoma të shumta virozash stinore në fëmijë. I nxehti po vihet re edhe në Shqipëri, ku dita-ditës temperaturat po shkojnë në rritje. Por, ndryshe nga vendet e tjera popullsia shqiptare nuk interesohet për vapën e madhe që është problem për fizikun apo shëndetin e tyre, por shikojnë me vëmendje se sa e “NXEHTË” do jetë beteja politike mes PD-PS!

 

Kampionati Botëror i Futbollit shënoi edhe mbylljen e tij me shpalljen kampione të Spanjes. Mund të thoni me të drejtë se çfarë lidhjet ka kjo? Shumë e thjeshtë, pasi vëmendja e shqiptarëve nga lajmet politike të ditës ishte hedhur tek opinionet dhe komentet e ndeshjeve të këtij kampionati. Dhe politikanët tanë duke shikuar se populli nuk e ka mendjen tek ato njëherë për njëherë filluan të prodhojnë më pak zënka dhe informacione të përditshme për shtypin e shkruar dhe viziv. Në gjithë këtë situatë “heshtjeje” vihet re që njerëz pranë Kryeministrit Berisha dhe liderit opozitar Rama kanë qenë në lëvizje, pasi po projektojnë politikat e tyre të këtij postbotërori. Si mendoni do jetë kjo verë e “nxehtë” apo jo?!

 

Në opinionin tim të thellë mendoj që përsëri do ketë një valë të nxehtit i shoqëruar me hope-hope në politikën shqiptare. Vëmendja e shqiptarëve do sillet buzë detit, por në pamundësi një pjesë e konsiderueshme e tyre do ndezi ekranet e televizioneve, duke ditur që situata duhet të rindizet me patjetër. Partia Demokratike po vazhdon lobimin e saj me njerëzit e ngushtë të Prof.Dr. Sali Berishës dhe po përpiqet t’i mbush mendjen eurodeputetëve në Parlamentin Europian se vendi ynë ka përmirësuar shumë shkallë në renditje edhe në luftën ndaj antikorrupsionit në vend, gjë të cilën opozita socialiste e reklamon (së fundmi) me tone shumë të ashpra si të dështuar. Vendi po përballet me reforma të thella dhe të pëlqyeshme në rajon e më gjerë. Shumë ndërkombëtarë po japin çdo ditë “OK-in” për vendin tonë dhe kjo gjë pritej prej shumë kohësh. Liberalizimi i vizave tashmë është një akt formal, por për Partinë Socialiste dhe liderin e saj do të thote me pak fjalë ta shikoj “vdekjen” me sy hapur, prandaj edhe vapa do shtohet këtë verë. Gushti ndoshta pritet të jetë edhe më i ngrohtë, pasi duket sikur çeta e z.Rama po përgatitet që menjëherë sa maxhoranca të bëjë hapa përpara, ajo të dalë menjëherë nëpër konferenca milintantësh të ngarkuar me përgjegjësi që nuk i duan as ato vetë nga z.Rama për të hedhur akuza të rreme mbi qeverisjen e vendit. Në zhurmërinë e madhe që është mësuar të krijojë opozita, normalisht që kabineti qeveritar nuk do heshti, pasi ai do të informojë ashtu siç duhet opinionin e gjerë shqiptar, që arritjet e kësaj qeverie jane largpamëse dhe kanë si qëllim rritjen e mirëqënies sociale në vend, duke mohuar kështu përbaltjen që i bëjnë të majtët. Krijimi i vendeve të reja të punës dhe shtimi i pensioneve për pensionistët shikohet me pozitivitet nga popullsia dhe qeveria, por klishetë e rradhës së kampit rozë nuk do lejojnë që anët pozitive të kësaj qeverie të vihen në dukje.

 

Shumë nga mjedisi i PS-së kanë rezervuar pushime të shumta çlodhëse, e kundërta po shikohet në selinë blu. Përveç disave me pushime të shpejta, nuk mendohet të ketë ndonjë lëvizje kushedi se çfarë, pasi të gjithë janë në punë duke u përgatitur për shtimin e reformave në vend, marrjen përfundimtare të “OK” për lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe me mendjen e qetë për krijimin e hapësirave të nevojshme për zgjedhje të lira e të ndershme në pranverën e vitit qe vjen. Gjithashtu maxhoranca shihet e preokopuar edhe në propozimet e Presidentit të Rep. së Shqipërisë për kandidatët në Gjykatën Kushtetuese, e kjo i shton peshën njerëzve të angazhuar në detyra në selinë blu, pasi në kampin kundërshtar shikohet një braktisje në mënyrë absolute edhe e komisioneve të ndryshme. Megjithatë kjo verë do jetë e nxehtë, pasi mendja e opozitës është në një komision tjetër, shumë ndryshe nga këto të ligjeve apo ekonomisë. Mendja e kësaj çete është në komisionin hetimor të zgjedhjeve parlamentare të qershorit të shkuar, pasi duan maxhorancën e tyre dhe të kenë të gjithë hapësirën ligjore e aligjore për të bërë ç’të duan. Kjo është edhe arsyeja që PD-ja nuk do e pranojë një gjë të tillë, e si pasojë shqiptarët përsëri do kenë ‘‘NXEHTË’’…deri kushedi se kur…