| E enjte, 05.08.2010, 09:44 PM |
(E plotësuar)Pas dy orësh marrjeje në pyetje, ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla, ka lëshuar i qetë ndërtesën e Prokurorisë Speciale të EULEX-it, ku ishte ftuar që të përgjigjej, në lidhje me dyshimet e ngritura kundër tij nga Nazim Bllaca, dëshmitar i EULEX-it, i cili veten e deklaron si ish-pjesëtar i SHIK-ut.
I shoqëruar nga avokati i tij, Tomë Gashi, Syla i njohur me nofkën “Daja i Madh”, të mërkurën nuk ka dashur të bëjë komente në lidhje me pyetjet, që i janë shtruar nga prokurori special i EULEX-it, por shkurt është përgjigjur se nuk ndjehet përgjegjës në lidhje me akuzat që i ngarkohen nga Bllaca.
“Po, unë iu përgjigja ftesës që e kisha dhe të gjitha pyetjeve të Prokurorisë nga ana ime, kështu më tepër, do të thotë të gjitha atyre pyetjeve, që janë përfolur qe sa muaj nga personi Bllaca”, ka thënë Syla.
Avokati Gashi, ndërkohë ka sqaruar se paraqitja e Sylës ishte një procedurë e rregullt në lidhje me akuzat, të cilat Nazim Bllaca i kishte bërë kundrejt tij në nëntor të vitit të kaluar. Paraqitja para prokurorit, ishte një mundësi që Syla të sqarojë të vërtetën rreth atyre, që kishin shokuar, siç tha Gashi, publikun kosovar.
“Nuk do të ketë arsye më, që ne të përballemi me kërkesa të tilla. Gjithçka është sqaruar dhe në bazë të kohës që e shihni, edhe pse në përkthim prej anglishtes në shqip, kjo ka qenë një seancë e rëndomtë, e thjeshtë dhe jo në kohë e stërzgjatur”, ka thënë Gashi.
Paraqitja e Sylës para Prokurorit Special të EULEX-it, është bërë pas bastisjes që i është bërë shtëpisë së tij në Kishnarekë të Drenasit javën e kaluar, përderisa Syla ishte në pushime në Shqipëri. Ai është detyruar t’i ndërpres pushimet, në mënyrë që të paraqitet para prokurorit të EULEX-it, ashtu siç i është kërkuar.
Avokati Gashi, është i bindur se nuk do të ketë më nevojë që klienti i tij të paraqitet në Prokurori, ndonëse është shprehur i gatshëm ta bëjë këtë.
“Nuk ka pasur kurrfarë kërkesa sensacionale, është kërkuar një deklaratë e tij në bazë të ftesës së rregullt, që i është dhënë javën e kaluar dhe kjo është e tëra. Me siguri që në të ardhmen, prokurori nuk ka arsye që ta ftojë për deklarata shtesë edhe pse ai e ka atë të drejtë ligjore dhe ne konsiderojmë se kjo aferë, ku përfshihet ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i Shtabit të Përgjithshëm ka përfunduar me sot”, ka thënë Gashi.
Pak para orës 10:00, Syla bashkë me avokatin e tij, kanë lëshuar zyrën dhe këmbë ia kanë mësyrë Zyrës së Prokurorit të EULEX-it që ndodhej pak metra më larg. Para se të hynte, ish-komandanti i UÇK-së ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm. Duke ironizuar, ndërkaq avokati Gashi ka deklaruar se po të ishte Syla përgjegjës, sigurisht që nuk do të dilnin të dytë nga Zyra e Prokurorit Special.
“Sigurisht që nëse dikush ish ndier fajtor ose nëse prokurori kish gjetur eventualisht ndonjë element, ne kemi hyrë të dytë dhe do të dilnim vetëm njëri, por në këtë rast kemi hyrë dy dhe kemi dalë të dy”, ka thënë Gashi. /kosovapress/
Syla jep deklaratën në Prokurorinë Speciale
Pas dy orësh të marrjes në pyetje, ish-komandanti Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, ka dal nga zyra e prokurorit special të EULEX-it, dhe me këtë sipas avokatit Tomë Gashi, kjo procedurë është e kryer.
“Azem Syla ka sqaruar para prokurorit special të EULEX-it dyshimet që ishin ngritur ndaj tij nga Nazim Bllaca, me qenë se Bllaca kishte përmendur emrin e tij në një dvd të publikuar vitin e kaluar”, ka thënë Gashi pas përfundimit të marrjes në pyetje te Sylajt.
Avokati Gashi po ashtu ka sqaruar se kjo ishte një procedurë e rëndomtë dhe shprehu gatishmërinë që klienti i tij të paraqitet sërish në prokurori, nëse do të ketë ftesë.
Azem Syla paraqitet në Prokurori
Azem Syla, ish-komandant i UÇK-së, sot është paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
I shoqëruar nga avokati i tij Tomë Gashi, Syla para gazetarëve është shprehur se ndihet i pafajshëm.
“Ndihem absolutisht i pafajshëm. E kam thënë edhe më herët se nuk ka arsye të ndihem ndryshe. Ato që i kam thënë më herët vlejnë ende”, deklaroi Syla, para se të paraqitej në Prokurori.
Ditë më parë, Policia e EULEX-it kishte bastisur shtëpinë e Sylës, i njohur me nofkën “Daja i Madh”, në Kishnarekë të Drenasit, ku kishin konfiskuar vetëm disa dokumente.
Azem Syla në momentin e bastisjes nuk kishte qenë në shtëpi. Ai i pati thënë Expressit se gjendet për pushime në Shqipëri dhe se do të paraqitet në Prokurori ashtu siç zyrtarë të EULEX-it i kishin lënë një ftesë për paraqitje.
Emri i Azem Sylës përmendet nga Nazim Bllaca, i cili publikisht, në xhirimin e shpërndarë, ka deklaruar se ka punuar si agjent i ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).
Në këtë deklarim publik, Bllaca e bën përgjegjës veten për vrasje, dhunime, tentim vrasje e tortura, të cilat pretendon se i ka kryer duke zbatuar urdhrat e Azem Sylës.