Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Armët që "qëlluan" shekullin XX

| E diele, 09.12.2007, 12:04 AM |


Atentatet e famshme që nga ai ndaj Mbretit Umbeto deri tek ai ndaj Aldo Moros

Gjithçka që nga pistoletat, pushkët, apo thikat që në dorë të terroristëve e fanatikëve "gdhendën" një pjesë të historisë

Në qytetin e Meksikos, në bodrumin e një muzeu të vogël, u gjet edhe një tjetër armë e vrasjeve të shekullit të terrorit, me të cilën agjenti sekret Ramon Merkader, më 20 gusht të vitit 1940, goditi për vdekje revolucionarin Leon Trozkijin. Kjo ishte një nga ngjarjet më të bujshme dhe më mizore mes shumë të tillave të atyre viteve, ndaj që këtej lind ideja për të "analizuar" pistoletat, pushkët apo thikat, që në dorë të terroristëve dhe fanatikëve të ndryshëm, kanë goditur në zemër shekullin e kaluar, duke ndryshuar shpesh rrjedhën e ngjarjeve. Ishte e martë, një ditë e zakonshme si gjithë të tjerat, kur në qiellin e vrenjtur të qytetit të Meksikos, Merkader do t‘i merrte jetën njërit prej liderëve të Revolucionit të Tetorit, që ishte dënuar me vdekje "kudo që të jetë dhe me çdo kusht" nga Stalini, që në të ftohtin e acartë të Moskës, nuk hezitoi të urdhëronte vrasës me pagesë për ta asgjësuar. Thonë se në sëpatën e vogël alpine, që u gjet në bodrumin e një muzeu të vogël të qytetit të Meksikos, dukeshin ende njollat e thara të gjakut, sidomos në majën dhe bishtin e shkurtër prej druri. Laboratorët e policisë meksikane i bënë analizën e ADN-së, me qëllimin e vetëm për të mbyllur njëherë e përgjithmonë të gjitha intrigat, hetimet dhe shumë sekrete për një nga vrasjet politike, më mizore dhe më të bujshme të shekullit të 20-të, i quajtur ndryshe shekulli i terrorit, dhe i pagëzuar qysh nga nisja e tij me gjakun e Mbretit italian Umberto I dhe nga plumbat e anarkistit Gaetano Breski. Shekullit, të quajtur ndryshe i shkurtër, historiani i famshëm anglez Erik Hobsbaun dhe jo vetëm ai, i atribuon një tjetër vrasje të rëndësishme, më 28 qershor të vitit 1914, në urën e lumit Appel në qendër të Sarajevës. Në këtë ditë, ekstremisti serb Gavrilo Princip, do të gjuante me tre plumba mbi trupin e trashëgimtarit të fronit të Austro-Hungarisë, Franz Ferdinandit. Kjo vrasje do të ishte edhe shkaku i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Pikërisht në atë vend dhe në atë moment do të ndodhnin shumë gjëra njëkohësisht: do të tronditej ekuilibri i perandorive të shekullit të 19-të dhe sigurisht paqja e të gjithë Evropës. Por sipas historianëve të tjerë, shekulli i 20-të ishte edhe shekulli më i gjatë, që nisi me vrasjen e sovranit italian dhe e mbylli rrugëtimin e tij me terroret, komplotet, luftërat globale, me rënien e kullave binjake me njëzet muaj vonesë, më 11 shtator të vitit 2001, dhe me shpërthimin e kamikazëve, luftës asimetrike, terrorizmit eksponencial, frikës brenda kufijve elektronikë të Amerikës dhe brenda hapësirës mentale të të gjithë Perëndimit, të dhunuar me armë të pa imagjinuara dhe të pa eksperimentuara kurrë më parë. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për sëpatën që përdori Merkader, por për mënyrat që Muhamed Atta përdori për të goditur zemrën e Nju-Jorkut dhe gjithë botës. Në të vërtetë, terrorizmi është një fjalë me prejardhje franceze, që daton që nga koha e Robespierit, por ajo që ushqen substancën d.m.th, sekretin, bashkëpunëtorët, planin, i ka rrënjët në historinë e perëndimit latin, kur nga 23 goditje thikash, vetëm njëra do të ishte fatale dhe do t‘i sillte vdekjen Perandorit Çezar. Rruga e tij përgjatë shekujve, viktimat e pamëshirshme të të cilit janë bërë papët, mbretërit apo njerëz të tjerë të famshëm, ka bërë që njeriu për të arritur qëllimet e tij të armatoset me thika, helm, radikalizëm islamik me irredentizëm. Më pas në Rusinë cariste "adopton", barutin që përdorej nga revolucionarët e parë të shoqërisë punëtore, apo nga studentë e rinj nihilistë, bomba artizanale si ajo me të cilën një italian i quajtur Felipe Orsini donte të vriste në vitin 1858 Napoleonin II, në Paris, për t‘u hakmarrë ndaj gjakut të derdhur në Perandorinë Romake. Por ka edhe më. "Mjeti vrasës" mund të jetë një pistoletë e madhe e tipit "Colt" dhe ndonjë thikë rezervë, si ajo që aktori amerikan John Ëilkes Booth do të mbante me vete mbrëmjen e 14 prillit të vitit 1865. I "ndihmuar" nga pija dhe nga fati, Booth do të shkonte ngadalë dhe i pashqetësuar nga askush prapa kurrizit të Presidentit Abraham Linkoln, i ulur në skenën e teatrit "Ford" në Uashington për ta gjuajtur me një goditje në zverk. Vrasësi që u fsheh në një magazinë do të kapej shumë shpejt, ndërsa prononconte fjalët "Jugu u hakmor". Akoma më "mahnitëse" është mizoria me të cilën konti Felix Jusupov dhe të përbetuarit e tij vranë në natën mes 16 dhe 17 dhjetorit të vitit 1916, në Shën Peterburg, Rasputinin, monarkun siberian, magjistarin, alkimistin, "shpirtin e zi" të Carit Romanov, dhe i dashuri i careshës Aleksandra. Do ta vrisnin tre herë njeriun, që njihej si i pavdekshëm, në fillim duke i hedhur cianur në verë dhe pastaj me goditje pistolete. Rasputini ra në dysheme dhe në pamje të parë dukej i vdekur. Komplotistët dolën të festonin fitoren dhe thirrën një mjek për të vërtetuar vdekjen e Murgut të Çmendur. Por fitorja ishte e nxituar edhe kësaj here.

Fisnikët pritën deri në 3 të mëngjesit, orë kur kishin menduar të hidhnin kufomën në ujërat e ftohta të lumit Neva. Të gjithë u larguan të tmerruar dhe vetëm Jusupov shihte i paralizuar Rasputinin që filloi ta ndiqte, duke qeshur dhe i gjakosur me duart e ngritura si një shtrigë. Rasputini do të binte në tokë vetëm nga një goditje në kokë të Purishkeviç, ndërsa dy ushtarë i thyen të gjitha kockat. Më pas e morën të gjakosurin për ta hedhur në ujërat e lumit, por ai merrte ende frymë. Ishte vërtet i pavdekshëm. Ushtarët hapën një të çarë në akullin e lumit dhe e futën atje murgun. Trupi i tij u gjet me një krah jashtë të çarës dhe me gishtat e bashkuar, që formonin një gjest bekimi. Gjithçka ndodhi para syve të Carit të fundit Nikola II, tetë javë para se revolucioni të pushtonte gjithë Rusinë. Pas kësaj, fati i keq filloi të bjerë mbi fisnikërinë dhe shtëpinë mbretërore. Çdo gjë ndodhi siç e kishte predikuar ai. Revolucioni eliminoi familjen e Carit në tetor të vitit 1917. Kjo valë, që do të shkaktonte miliona viktima, do të mbërrinte edhe në Lagjen e Kojoakan në jug të qytetit të Meksikos, ku prej disa vitesh jetonte teoricieni dhe revolucionari, themeluesi i Armatës së Kuqe. Leon Trockij. Trockij ishte dëbuar dhe internuar nga Rusia, që nga viti 1928, në fillim në Kazakistan pastaj në Turqi dhe Francë dhe vazhdonte të zhvillonte një fushatë politike kundër diktatorit. Ishte Stalini që urdhëroi vrasjen e Trockit. Që prej vitit 1937 ai jetonte me bashkëshorten Natalia në një vilë në periferinë e kryeqytetit meksikan. Vila e tij ishte shndërruar në një fortesë të vërtetë. Rreth e rrotull shtëpisë së rrethuar me mure të larta, ishin vendosur dhe kulla vëzhgimi, ku roje të armatosura vështronin ambientin brenda dhe jashtë saj. Pasi shpëtoi nga sulmi i parë, në maj të vitit 1940, njëzet persona të armatosur rendë me mitraloza, granata dhe automatik, të veshur si policë, dhe nën udhëheqjen e David Alfaro Sikejros, sulmuan vilën e të internuarit, por Trocki dhe familja e tij shpëtuan për mrekulli. Aksioni përfundoi me 300 shtëna dhe plagosjen e disa prej rojeve të armatosura, megjithatë nuk arritën të kalonin dot pragun e vilës. Pas kësaj, Sikejros, i ndihmuar edhe nga poeti Pablo Neruda u vendos në Kili. Nga rezidenca e tij, Stalini i çmendur dhe i fiksuar për asgjësimin e tij, thurte planet për një sulm, të dytë. Për këtë qëllim, detyra iu ngarkua agjentit të ri 27- vjeçar Ramon Merkader, që për të fituar besimin e Trockit duhej të hiqej si një revolucionar i devotshëm. Mbasditen e 20 gushtit, Merkader hyn për herë të pestë në studion e tij. Merkader kërkonte një mendim për një artikull që gjasme e kishte shkruar sipas filozofisë së tij. Edhe pse ishte verë, Ramoni mbante veshur një xhaketë nën mëngët e së cilës kishte fshehur një pistoletë të kalibrit 45, një thikë dhe një sëpatë të vogël alpine. Trocki vendosi syzet për ta lexuar me qetësi çka ishte shkruar aty. Pasi ngriti kokën për të thënë se ajo çka ishte shkruar aty ishte shumë konfuze dhe e paqartë, maja e sëpatës i ngulet në pjesën ballore të kokës. Gjaku përhapet në të gjithë dhomën. Trocki bie për tokë dhe bërtet me të madhe. "Një ulërimë e dhimbshme dhe çnjerëzore", do të thoshte më vonë Merkander, i arrestuar nga rojet e sigurisë dhe i dënuar më pas me 20 vjet burg. "Një e bërtitur që nuk kam pushuar kurrë së dëgjuari", do të shkruante ai në vitet e fundit të jetës së kaluar në Moskë dhe pastaj në Kubë, ku mbylli sytë i prekur rëndë nga sëmundja e kancerit në vitin 1978. Një vit që na sjell ndër mend një tjetër ngjarje të madhe të ndodhur në Italinë fqinje, ku Aldo Moro do të mbyllte sytë i vrarë nga njerëzit e Brigadës së Kuqe. Në mars të vitit 1978, politikani i njohur italian do të rrëmbehej nga militantë klandestinë që mbronin idetë leniniste dhe ishin të armatosur me "Skorpion", prodhim çekosllovak i modelit Vz61 dhe kalibër 7.65 të quajtur nga ushtarët "si pronë e revolucionit". Pas disa muajsh, ditën fatale të 9 majit 1978 u gjet në bagazhin e një makine "Renault" në rrugën "Montalcini" në Romë, pak larg selisë së Partisë Demokracia Kristiane. Për të gjithë vrasësit me pagesë, atentatorët apo vrasësit, asnjë thikë, pushkë, helm, apo predhë është fatale se sa rasti ku vendoset për fatin e tij dhe të viktimës. Gaetano Breci u var në qelinë e tij vetëm një vit pasi ishte dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Nathuran Godse, që në mbrëmjen e 30 janarit të vitit 1948 në Nju Delhi goditi dy herë kraharorin e Gandit, u përkul tre herë para shpirtit të madh të pavarësisë indiane ("Un e adhuroja atë burrë", do të thoshte) u kap, u dënua dhe më pas u vra. Historia vazhdon më tej. Lee Harvery Osëald, që në Dallas, më 22 nëntor të vitit 1963 goditi një herë me pushkën e tij "Mannlicher Carcanoi", të kalibrit 6.5 mbi flokët e llakosura të John Fitzgerald Kennedy dhe mbi ëndrrën amerikane, ka një fytyrë të shastisur përpara modelit special 38, që me dy goditje Xhak Rubin e shtriu në tokë, duke i thënë: "Vdis o mi haleje". Të gjithë të dënuar përjetë për të kujtuar atë çast. Tamam si palestinezi Shiran Bishara Shiran, që në kuzhinat e hotel "Ambasador" në Los Anxhelos, "shkëputi" me tri goditje të një pistolete të kalibrit 22, rrugën drejt Presidencës, të Bob Kennedit, ndërsa një vit më vonë, dëgjonte si një i huaj procesin që do ta dënonte me vdekje. Apo djaloshi i bardhë, James Earl Ray, që urrente të zinjtë, urrente Martin Luter Kingun dhe për ta vrarë pozicionohet në një pallat përballë motelit "Lorraine" në Memfis. E inkuadroi në teleskopin e pushkës së tij "Remington" rreth orës 18 të mbrëmjes së 3 prillit të 1968-ës dhe godet një herë të vetme viktimën që plumbi do t‘i prekte qafën. Apo si ish- tipografi, Mark David Chapman, që nuk ishte aspak terrorist, por që në 8 dhjetorin e vitit 1980 do të ecte për rreth dy orë përballë Dakota Builing në Nju-Jork përpara se të godiste me pesë plumba shpinën e Xhon Lenonit, që e konsideronte si shkakun e dështimit të tij në jetë. Për vite me radhë, në qelinë e burgut të Atikës, e gjithë bota do të "trokiste" në ndërgjegjen e tij me qindra letra në ditë, plot me përçmim dhe urrejtje që i kishte marrë jetën idhullit të tyre. Ato do të ishin edhe dënimi i përjetshëm i një njeriu që në mbrojtjen e tij në gjyq kishte deklaruar "Unë nuk isha askush. Doja që bota të më kujtonte". Në fund, askush nuk mund ta harrojë shikim e përhumbur të turkut Ali Akça, drejt Papa Gjon Palit II, në foltoren e Rebibias. Në maj të vitit 1981 ai u plagos rëndë nga Mehmet Ali Akça, që me një "Browinning" të kalibrit 9, kishte vendosur të vriste njeriun e shenjtë. Në të fund, e gjithë historia e terrorizmit, e obsesioneve të tij, e vrasjeve ekzemplare, ndërlikohet kur njerëzit kanë një objektiv, atë të fikjes së një jete, dhe sigurisht pa e imagjinuar se errësira nuk sjell dritë, por fiksime të tjera, të përjetshme si gjurmët errëta të gjakut mbi një sëpatë të vogël alpine.

Njeriu i paqes

Në Nju Delhi, më 30 janar të vitit 1984, Nathuran Godse gjuajti dy herë me një Beretë automatike 9 mm në kraharorin e Gandit, pastaj u përkul tri herë përpara njeriut të paqes

"Pushkatimi" i Luter Kingut

Më 3 prill të vitit 1968, i riu i bardhë James Earl Ray, vrau liderin me ngjyrë Martin Luter King, me një pushkë "Remington"

Krimi Moro

Ai që qëlloi kundër presidentit të Partisë Demokracia Kristiane, më 9 majin e vitit 1978 ishte një mitraloz "Skorpion" model VZ61 i kalibrit 7.65, prodhim çekosllovak

Tre plumba për Bobin

Palestinezi Shiran Buishara Shiran vrau senatorin Kennedi me tre goditje të një pistolete kalibër 22 në kuzhinën e hotel "Ambasador" në Los Anxhelos, më 5 qershor të vitit 1968

Vrasësi në Dallas

Sipër, pushka Mannlicher-Carcano, e kalibrit 6.5 me të cilën Lee Harvey Oswald gjuajti një herë më 22 nëntor të vitit 1963 në Dallas. Sekuenca fotografike, lart, majtas, tregon Presidentin Kennedi të goditur për vdekje dhe përkrah, bashkëshorten e tij Xheki, që përkulet mbi trupin e së shoqit për t‘i dhënë ndihmën e parë. Më pas Oswald u vra nga Xhak Rubin me një 38 special

Krimi

Më 20 korrik të vitit 1900, mes pemëve të rezidencës mbretërore në Monza, anarkiku Gaetano Bresci goditi me një revolver Mbretin e Italisë, Umberton I, duke nisur kështu "shekullin e terrorit"

Revolucionari

Më 20 gusht të vitit 1940, Ramon Merkader qëllon për vdekje Leon Trocki, me një sëpatë alpinizmi. Themeluesi i Armatës së Kuqe do të mbyllte sytë një ditë më vonë

I fiksuari dhe ikona e popit

Më tetë dhjetor të vitit 1980, Mark David Chapman, vrau Xhon lenonin me 5 goditje pistolete në shpinë përpara "Dakota Building" në Nju-Jork

Erik Hobsbaun

"Askush nuk mund ta shkruajë historinë e shekullit XX në të njëjtën mënyrë me të cilën do të shkruante historinë e ndonjë epoke tjetër . Kjo sepse nuk mund të tregohet mosha e jetës tënde në të njëjtën mënyrë në të cilën mund të shkruhet historia e periudhave të njohura vetëm nga jashtë"

Shqip