Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (IX)

| E marte, 03.08.2010, 06:47 PM |


Shazim Mehmeti

 

 

BALADË PËR SHQIPTARIN QË ËNDËRRONTE BRENDA MEJE

 

ishte zemërvalë

me një shpresë  jetonte

ia kishte ëndja t'ëndërronte

për një godinë të lartë të bardhë

me dritare të kaltërta

si sy lirie

 

harxhoi shumë mend

u thinj si një arqitekt i vjetër i rrallë

e shtroi atë godinë në letër

të bukur të bukur

sa zemra iu bë mal

 

dhe po me zemrën mal

u ngjit në katin e sipërm t'asaj

në atë katin më të lartë

dhe murosi

si ca tulla me libelë

ca copëra eshtrash të ndara

nga kofshët e veta të vala

 

pastaj

i molisur paksa

u ngjit mbi njëmijë katet

dhe kokën e vetë e vuri

mbi muret atje lart

si kokën e një zoti të vërtetë

nga kundroi prej së larti

gjithë botën - atë halë

 

pastaj

zemërngacmuar ky zot

zbriti shkallëve teposhtë

dhe e kundroi nga distanca

këtë vepër të veten të rrallë

 

iu duk një mrekulli godina që sajoi

ndaj, për pak nuk fluturoi!

kur, hop! në fund të ëndrrës

nga maja e godinës një zot i tjetërsuar

me një pëllitje gomari e dëboi!

pastaj...

pastaj ,... nuk ëndërroi më!!!...

 

 

KJO S’ËSHTË VJERSHË

 

Kjo s’është vjershë

Aq jam i dehur sa vërtet pendohem

Pse fillova ta shkruaj këtë vjershë

Kaq herë e zateta atë njeri

Dhe përherë me fytyra të ndryshme

 

Herën e parë e zateta me fytyrë derri

Hante të pëgërë

Prej atij të WC-së së tim fqiu

 

Herën e dytë  në TV

Të ngjeshur e të trashë si bucel

Të veshur me këmishë të bardhë

Me kërpesh të kuq mbërthyer

Lehu e lehu ai fytyrëqen

Sa tim ati i plasi edhe delli i ballit të rrudhur

 

Për herë të tretë, zot

E zateta sot

Të ulur në rreshtin e parë

Të shqipteatrit në Shkup

Me shkëlqim prej burri kur iu kap mikrofonit

Desh më pëlcitën veshët nga duartrokitjet

Që mori prej kufomash që frymojnë!

 

S’më merr, zot, gjumi!

Mendtë po m’i qet

Mendimi për JOKURRIZORIN

Dhe VARRET E GJALLA

Që veç duartrokisin!

 

Shkup, 19 maj 1991

 

 

VARRE DHE LUMË

 

Vetëm një qime floku e ndan

Nga jeta vdekjen

Vetëm një çast

Një grimcë e lehtë kohe

 

Varre dhe lumë

Dhe gjithçka tjetër

Që mund të kuptohet për vetëm një çast:

Lart varret, apo qetësia më e përsosur e mundshme

Që zotërat arritën ta shpikin kurdoherë;

Poshtë lumi – jeta që rrjedh

Me gjithë lëvizjet, kobin, gëzimin

Shpirtheqjet, paralindjet, paravdekjet

Harenë, hidhërimin….

 

Vare dhe lumë

Dhe një gur i mbetur mes varresh e lumit

Si një monument që ngriti veten

Për të mbetur sadopak i gjallë mes nesh

Që veten s’guxojmë ta marrim për të gjallë

 

Ti akoma s’e di kujt do t’i përkuleshe më parë

Qetësisë madhështore të varreve

Apo jetës që rrjedh

Si lumi përplot valë atje poshtë

Me gjithë dhembjen që ka

Me gjithë gjallërinë, vajin kobin, rrjedhshmërinë…

 

Varre dhe lumë

Dhe një korb i zi

Që në ndërdije të sulet pandërprerë

Njërin sy ta merr në sqep

Me flatrat e vdekjes ta shpie

Atje lart në Mal të Thatë

Nën sqetullën e një shkëmbi të çarë

Rrezen e fundit të dritës ta varros

 

Varre dhe lumë

Guri i Bilallit në mes

Me një këmbë në varre

Me tjetrën në lumë

 

Oh, nënë!

As varre as lumë

Po njëqind shqiptarë

Të hedhur në gropë gjallë

 Të rinj sa unë

Që edhe të vdekur bëjnë jetë

Te Guri i Bilallit

Me nga një këmbë në varre

Me nga një këmbë në lumë!

 

 

DËGJOMA HESHTJEN, E DASHUR

 

Dëgjoma heshtjen, e dashur

tani kur erdhi koha

të nis të të dua nga këmbët.

Nga këmbët që m’i ke

prej rëre dhe prej vale!

 

Me ëndrrën time të përdalë sikur habitesh?

mendon se jam i marrë pse të dua praptas?

Oh, kam rënë! Këtu asgjë s’qëndron, beso

bile një mendim i vetëm të më mplakej i mëkëmbur!

Kush gënjen, kush të bind se bëj jetë të majme!

Si shumë të tjerë të huaj të pa atdhe!

Dhe s’di kah shkel, dhe s’di kah ec

mbi këtë tokë të thinjur!

 

Lejomë të të dua nga këmbët, e dashur!

Unë jam ai i njëjti me sy të mekur

me shikimin fiksuar kah deti!

Mbase s’gaboj

pse të përfytyroj

si një copë atdheu!

 

Romë, 1990

 

 

MONA LIZA SHQIPTARE

 

Ra Mona Liza shqiptare

Pa shije gëlltiti natën

Si copëzën e bukës së mykur

Të lënë që para një jave

 

Shpresa s’i buzëqeshi me agimin

Ajo futi përgjumësinë nën sqetull

La ëndrrën e tmerrit t’i varet në qepallë

Dhe bëri pazar me ndërgjegjen

 

Në sheshin te Hotel Tirana

I rrethi taket mbi asfaltin e grisur

Si dorën e lodhur mbi një kitarë

Dhe krijoi atë muzikë të përmotshme

Sinjal për rënien e saj

 

Ra Mona Liza shqiptare

Kafshoi buzën e njomë

Dhembjen gëlltiti me një gllënkë

Mbylli sytë e përlotur

Dhe e shiti veten për një darkë

 

Nga ky çast

Për copëzën e basmës së minifundit të saj

Si një zgjebe e stërkequr u lëvar

Ky mallkim i rëndë perëndie

Dhe i vuri në një shtrat

Shëmtinë dhe bukurinë

 

Tiranë, 10 janar 1994

 

 

GRIMCAT E ATDHEUT

 

Si copëza të derdhura kristali

frymojnë nëpër botë

grimcat e atdheut

 

Për gjithë këtë dhembje

a mjafton një zemër?

 

Oh, zemër, zemër!

Aq e vogël je

për gjithë këtë dhembje!

E do të desha të ishe

sa zemra e Prometeut

të mund t’i vendosja

gjithë grimcat e atdheut!

 

 

MONEDHË KUSURIMI

 

Të hënën humba veten

e gjeta të martën

në grushtin e një tregtari makaronash

 

Sërish u humba të mërkurën

të enjten u gjeta

në xhepin e një tregtari flamujsh

 

Edhe të premten u humba

u gjeta të shtunën

në arkën e një shitësi gazetash

 

Të dielën e kuptova:

një monedhë kusurimi kisha qenë!

 

 

NJË DITË NË VLORË

 

I bukur mëngjesi

i bukur plazhi

i bukur deti përballë.

 

Të bukura fytyrat e njerëzve

edhe pse të vishkura

si kokrra të shtridhura limoni.

 

Dhe barqet e zbuluar të carrokëve

të bukur janë

edhe pse të përskuqur

nga një zgjebe e stërkequr kohe

që u ha lëkurët.

 

I bukur edhe ajo leckë

(flamur palarë)

që përpëlitet në erë

si trupi i vjetëruar i atdheut!

 

Si trupi i atdheut?!

Oh, pikëllimë!

Kjo ditë vërtet do të ishte e bukur

pa kufomën e bukur të vetvetes!

 

Vlorë, gusht 1993

 

 

VARREZA KOLEKTIVE

 

E pranoj;

një varr i gjallë jam!

 

Besoj, pranon edhe ti;

je një varr i gjallë që ec!

 

Edhe ai, besoj, e pranon;

një varr i gjallë është

që ec dhe flet përçartas!

 

Të gjithë e pranojmë

edhe unë

edhe ti

edhe ai

edhe kryevarri jonë:

një varrezë kolektive jemi!

 

Atëherë, përse hidhërohemi ne varret

kur tokë për varre s’na lënë?

 

 

KËSHILLË PËR TIM BIR

 

Po arrite ta keshë në duar

zhveshe, po deshe, si gruan

korridoreve të jetës përgjake lakuriq

si bukën shpenzoe

kafshoe, përdhunoe, bastardoe!...

Vetëm..., kujdes sytë!

Kurrë mos ia heq syzat!

Ka shikim të zjarrtë liria,

mund të të verbojë!

 

 

RRËSHQET LAKURIQ...

 

Rrëshqet lakuriq

gjarpëri i tradhtisë

nëpër kafkën e atdheut

akulli i vdekjes

nëpër dejtë e mi

 

 

KËNGË LIRIE

 

Një topth me rërë mbushur

është bërë koka ime!

Dhe trupi me gjymturët-

një trung i boshatisur

që pret t’i hedhin krahëve

pardesynë e vdekjes!

 

Po vdes?!

 

Jo, jo!

Këtu përposhtë prazmës

kjo zemër e përvuajtur

si kafshëzë e vogël lëviz.

Kjo bukëlz e strukur

që pëshpërit aq bukur

me gjuhën e lirisë

 

 

KOSOVË

 

Mendo një vdekje vertikale

dhe thuaj: KOSOVË

 

Mendo një vertikale të pavdekshme

dhe thuaj: KOSOVË

 

Po deshe, fare mos mendo!

Vetëm, KOSOVË, thuaj!

 

 

BALADË KOSOVARE

 

Mallkim të rëndë mbi supet mbajnë!

Mos i mallkoni barbarët!

Rregulloni oborret –

kujdesuni për varret!

 

Një popull që në oborre

vend për varre ka

jetë patjetër do të ketë!

 

 

ENKAS PËR ATDHEUN

 

Mal i zhveshur

me ngjyrë çokolate!

 

Fushë e palëvruar

me hithra mbuluar!

 

Det i trishtuar

pa barka pa valë!

 

Lumë pa rrjedhë

pa florë vegjetimi!

 

Vashë e pakrehur

në farfuritjen e akullt

të një ylli mashtrues!

 

Çast pikëllimi

në sfondin e ditës mondiane!

 

Maskë e shëmtuar

në fytyrën e përgjysmuar t’atdheut!

 

Oh, je dritë, je dritë!...

Një sekondë drite qofsha

në ditën tënde të maskës!

 

Shqipëri, 1991

 

 

BALADË PËR TJETRIN

QË VDIQ BRENDA MEJE

 

Qe fatkeq

jetoi aq keq

i gjori

 

Bota për të qe

(e madhe sa vetë ajo)

një nevojtëre me erë

 

E

aq shumë u lutë në jetë

për një zemër plastmase

dhe për një kokë hamalli

 

 

KJO DITË

 

Nga agu në muzg

nga muzgu në ag

 

Kjo ditë

na qas përballë njëri – tjetrit

të bukur, të bukur

si të ishim njerëz

 

E në të vërtetë...

E në të vërtetë!...

?!...

 

 

SKENË

 

I gjalli

që flente dhe ëndërronte

pështyu:

- Phu, ç’jetë!

 

I gjalli

që flente dhe nuk ëndërronte

poashtu pështyu:

- Phu, ç’jetë!

 

Phu, ç’jetë!-

pështyu dhe i gjalli

që as flente

as ëndërronte

 

Shpirti i të vdekurit

që vjedhurazi nëpër terr

kish kthyer për pak çaste

të çmallej me të gjallët

u tmerrua:

Phu, ç’të vdekur, tha

dhe u ngrit e iku!

 

 

KUSHTRIMI SHQIPTAR?

 

E pushtuan shqiptarët Shqipërinë!

O burra, t’u bijmë!...

 

PARADOKS

 

Krejt ç’stolisi zoti

e përmuti njeriu!...

 

 

FAT (ALIZËM)

 

Ku është njeriu?

 

Nuk është njeriu!

Nuk është njeriu!

Nuk është njeriu!

 

Ndiznin fanarët!

Duam ndryshime!

Të tjerë ademë duam

të tjera eva!

 

Duam uji

të bëhet serë.

Duam sera

të bëhet ujë!

 

Kërkojmë ti mbledhim

gjithë ademët e botës

(qofshin muslimanë a të krishterë)

të sajojmë prej tyre

një karrocë dheu të ftohtë me rërë përzier.

 

Kërkojmë ti mbledhim gjithë evat e botës

(qofshin të krishtera a muslimane)

të sajojmë prej sosh një kosh krahërori.

 

Duam dhe prej drite!

Duam dritë prej dheu!

 

Duam kafshë që flutorojnë!

Duam pemë që flasin!

 

Zotin dinak duam ta ndërrojmë

meqë për t’u fshehur vetë

sajoi njeriun

me një grusht dheu të ftohtë!

 

 

QEN I KUQ

 

U frikova mos vdes

pa u bërë symbullurazi fqinjëve nga një portret.

 

Fqinjët i dua shumë, aq shumë i dua

sa mund t’i vizatoj symbyllur.

 

Fillimisht e portretova fqiun më të afërt

që ishte disi më i vjetër dhe më i mbushur

dhe mbante një kapelë tejet katërkëndshe

mbi kokë

 

Me fqiun e dytë e kisha diç më lehtë

paksa simpatik ishte

me zë të hollë fëmije si piskamë

 

Ju them të drejtën

me fqinjen e kisha shumë më lehtë

Ia njihja karakterin dhe ç’ish me rëndësi

kisha shëtitur ca kohë mbi grimasat e saj

 

Gjithë ditën e ditës

vizatova

portretova

 

Para se të binte muzgu i çela sytë

dhe të tri portretet i vara në një mur:

Fqiu i parë më doli derr! Fqiu i dytë- maçor!

Ndërsa fqinja, (ah, fqinja!) më doli bushtër!

 

Në duart e mia dyshova

ndaj, s’vazhdova më tej me fqinjët  tjerë

Thashë ta provoj me vetveten një herë

 

Dhe hapa sytë para pasqyrës

dhe shih e vizato

derisa e vara portretin tim në mur

 

Dhe hap sytë e shih

dhe fshij sytë e shih:

Unë... e unë... e unë!

 

Me zërin e dyshimit i thirra të tre fqinjët

dhe ua tregova portretin e parë

Fqiu i parë tha: jam unë.

Klithën fqiu i dytë dhe fqinja: Jo, jo! Është derr!

 

I trishtuar ua tregova portretin e  dytë

Fqiu i dytë tha: Jam unë.

Klithën fqiu i parë dhe fqinja: Jo, jo! Maçor është!

 

Fare i hutuar, portretin e fqinjes ua tregova

Fqinja tha: jam unë.

U turrën dy fqinjët: Jo, jo! Është bushtër!

 

Zot, thashë, mbarova!

dhe me duart që më dridheshin portretin tim ua tregova

Dhe klithën tre fqinjët hareshëm:

Qen! Për zotin qen! Qen i kuq!

 

 

NË VDEKJE TË SIGURTË

 

Një rob i ri i ikur

rri në mes të urës

i trishtuar

 

As majtas

as djathtas s’mund t’ia mbajë

 

Majtas

jeta s’është e sigurtë –

rrojet i kanë drejtuar pushkët

e mbajnë në shenjë

 

Djathtas

jeta s’është e sigurtë-

rrojet i kanë drejtuar pushkët

e mbajnë në shenjë

 

Të gjorit

as i bie ndërmend

të hidhet nga ura

në vdekje të sigurtë

 

 

PLEQ

(baladë për Prishtinën)

 

Bosh qyteti si mordja

Paskan mbetur vetëm pleqtë!

Pleq të lëvizshëm si hijet

që s’i vëreje më pare

Pleq me bastune në duar

dhe pleq duarthatë

Pleq të rralluar si ky vend

dhe pleq të parralluar

Pleq të kërrusur si plisat e bardhë të kësaj toke

dhe pleq të drejtë fare

Pleq me fytyra meitësh

dhe pleq të dhembshur bujarë

Pleq të mësuar me të keqen

dhe pleq që mezi mësohen me atë

I sheh ngado: perms qytetit

dhe në sheshet perifere;

në parqet pa të rinj

dhe nga përmendorja e varrezave

(në Prishtinë nuk ka përmandore lirie!);

nga Dardania dhe nga Kodra e Trimave

Pleq, pleq, pleq!...

Pleq të lëvizshëm të menduar

Çdonjëri më i menduar se tjetri

me një dashuridhembje që s’i ndahet!

Shikojini, ju lutem:

një plak mjekërborë kullon sytë mbi një gazetë;

një tjetër mplak ditën mbi një libër të vjetër;

një i tretë mban për dore të dashurën e vet thinjoshe;

një tjetër i fëmijëruar loz me një barbikë!

Pleq që lëvizin, lëvizin

i japin qytetit jetë!

Zot, them, sa pleq të gjallë!

Pleq që kanë vendosur ta bartin jetën tutje!

Pleq të përmalluar, në dhembje të topitur!

Pleq që në grykëra u lidhen nyje

e nuk qajnë!

Pleq të gjallë, të gjallë!...

Sa të gjallë, sa të gjallë, Zot!

Pleq që sa s’të kanë thënë:

VDEKJA JETON NË NE TË GJALLËT!

                                                

Prishtinë, gusht, 1997

 

 

NJË POETI

 

Oh, mos e kërkoni!

Ai kishte dhembje

ai i ra jetës rreth e qark

me veten lakuriq

ngarkuar mbi shpinë

 

Më shumë se krahë

më shumë se buzë

trupi i tij qe bimë e zbuluar

që bashketeroi me një pikë shi

 

Shpirti i tij i harres4hëm

kish sens të veçantë për avullim

 

Qe era që e barti!

Por, mos e kërkoni

në një degëz ajri!

Prekni ku ju dhemb

dhe do ta ndjeni!