| E shtune, 08.12.2007, 10:14 PM |
Intervistë me dirigjentin e mirënjohur “Artistin e merituar”, Prof. Milto Vako
Prof. Milto Vako u lind në Pogradec në 30 mars 1930. Kreu shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në vitin 1952. Nga viti 1953 – 1959 vijoi studimet e larta në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ku diplomohet si dirigjent kori, me profesorin e famshëm Sokollov. Pas studimeve u emërua dirigjent në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, njëkohësisht pedagog në ILA dhe në liceun artistik. Nga 1964- 1968 punoi si dirigjent në TOB. Në 1968- 1973 është udhëheqës artistik i AKVP. Në 1973 dënohet, largohet nga AKVP dhe internohet në Tepelenë, ku punoi për dy vjet rresht në kushte të vështira. Në 1975 arrestohet dhe dënohet për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin në burgun e Tepelenës e në Ballsh deri në vitin 1982. Pas burgut, deri në vitin 1991 punon si punëtor në ndërmarrjen e Mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Në vitin 1991 – 1993 kthehet pedagog në Akademinë e Arteve. Ndërsa nga viti 1993-2001 ishte shef i katedrës së kantos e dirigjimit. Nga 2001 e deri më sot është pedagog i katedrës së kantos dhe dirigjimit. Ka themeluar dhe drejtuar koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës. Ka dhënë me dhjetëra koncerte si brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Eshtë autor i shumë teksteve dhe mban titullin profesor, si dhe “Artist i merituar”.
***
Profesor Vako, sot jemi në jubileun e artë të 50-vjetorit të Ansamblit Këngëve dhe Valleve Popullore. Ju jeni një nga themeluesit e këtij Ansambli. Si e ndieni veten sot pas 50 vjetësh dhe si e gjykoni udhën e gjatë të këtij institucioni?
- E quaj një ditë e shënuar ditët kur u festua përvjetori i 50-të i AKVP. Në një mbledhjet posaçme, ku isha ftuar edhe unë si një ndër themeluesit e këtij Ansambli, si dhe në koncertin gala që u organizua me këtë rast, në të cilin merrnin pjesë mjaft të ftuar, artistë në vite, m’u dha rasti edhe një herë të dirigjoj si dikur, kur isha dirigjent i Ansamblit. Ishte një kënaqësi e nder i madh për mua. Në këtë festë madhështore pati mjaft spektatorë dhe kjo tregon se sa i dashur dhe sa i suksesshëm ka qenë ai ndër vite. Por periudhën e vet më të mirë, kulmin e tij artistik, ku Ansambël e ka pasur në vitet 70. Në atë kohë, jo se kam qenë unë dirigjent e udhëheqës artistik, por se u korrën frytet e suksesit edhe të punës së udhëheqësve të tjerë si Çesk Zadeja apo Tish Daija. Erdhi një pikë kur ky Ansambël në Dizhon të Francës në 1970 mori “Gjerdanin e artë”, në Kajro mori çmimin e tretë, ndërsa në Ohër çmimin special. Në të tria unë kam qenë i pranishëm, në të parin dirigjent, pasi udhëheqës artistik ishte Tish Daija, ndërsa në dy ngjarjet e tjera kam qenë dhe udhëheqës, edhe dirigjent. Ansambli arriti në pikën kulminante kur u dha një shfaqje e titulluar, një dasmë nga jeta jonë. Por në atë shfaqje, kur ne kërkonim të sillnim diçka të re dhe për kohën kjo gjë ishte e parakohshme, ndaj kërkesa ime nuk u pa e arsyeshme, sepse mbas saj unë edhe u dënova. Qe një shfaqje “revizioniste”, pasi dhashë urdhër që një valle kurbate të kërcehej zbathur për të qenë sa më origjinalë e të besueshëm, por kjo nuk përshtatej me ato gjëra të kohës. Aq më keq që pata si konferenciere Justina Aliajn, e cila doli me fustan të shkurtër mbi gjunjë për të cilën, sikurse edhe për kostumet e tjera, pata mjaft kritika.
Gjatë kohës që isha drejtues artistik e dirigjent, isha njëherësh edhe pedagog në ILA, në degën e dirigjimit. Punoja edhe në Liceun Artistik, në TOB. Kam nxjerrë me dhjetëra studentë ndër vite. Pra aktiviteti im artistik e pedagogjik nuk ka qenë i mbyllur brenda AKVP, por edhe në institucione të tjera. Sot më vjen keq se nuk është më ajo lavdia e dukshme. Ansambli i Ushtrisë u mbyll fare. Ndërsa AKVP është reduktuar shumë. Jo se unë jam një nga themeluesit e tij, themeluesi kryesor është Çesk Zadeja, dhe me këtë rast mund të përmend edhe një pjesë të madhe balerinësh, koristësh, solistë e artistë të tjerë të shquar ndër vite, si Lili Këlliçi, Lefta Mulksi, Shpresa Terezi, Adivjie Alibali, Veronika Mano, Mediha Lubonja, Lejla Kuçi, etj., apo Besim Zekthi, Enver Birko, një kërcimtar elegant, Gëzim Kaceli, një nga iniciatorët e koreografët e parë, apo mjeshtri Panajot Kanaçi, Engjëll Tërshana, solistë si Drita Papajani, Naile Hoxha, Luçie Miloti, Tom Nikolla, Fitnete Rexha etj. Ansambli u shkurtua, u mblodh një dorë. Ansambli ishte si një flamur kur shkonim jashtë. Duhej që ky ansambël të mos prishej, të shkurtohej, të organizohej më mirë, të rinovohej por të mbahej i ri i freskët. Sot ai ndihet i mplakur dhe po nuk mori ndihma nga vende të tjera ai nuk të krijon më emocione, nuk është më ajo trupë, nuk ka as artistë, as repertor të ri.
- Profesor, megjithë sukseset tuaja, ju, edhe pse ishit edhe anëtar partie, ju të paktën kishit mbi dhjetë vjet që survejoheshit nga Sigurimi Shtetit, i cili vetëm në vitin 1973 mori masa ndaj jush. Si e gjykoni sot, pas kaq vitesh këtë gjë?
- Janë disa arsye që unë me qetësi i gjykoj sot. Pati disa gjëra në lidhje me reformën e AKVP. P.sh kishte raste kur udhëheqësit vinin për të parë shfaqjet e Ansamblit dhe kur i shoqëroja unë më thoshin më vete për persona të veçantë, “Akoma me këta ju?!”. Pra reforma që duhej bërë në Ansambël dhe unë isha një nga këta nismëtarë që të bëhej e u bë kjo reformë, pasi një pjesë e madhe e tyre ishin amatorë. Këtu lindi kontradikta. Unë nuk doja t’i largoja përfundimisht, pasi ata mund të jepnin kontribute të tjera, por Ansambli kishte nevojë për fytyra të reja, për kuadro të specializuar e të aftë. Pra të vjetrit ishin komunistë, por nuk ishin të aftë dhe unë, meqë isha vetë komunist, i vura në listë që t’i zëvendësoja, por kjo ngjalli reagime e pakënaqësi. Kjo ishte një nga kontradiktat armiqësore që u krijua ndaj meje. E dyta, nuk e fsheh dot faktin se më parë isha i maturar me grua ruse. Po ashtu edhe vetë qëndrimi im ndaj punës, ndaj shoqërisë, gjithmonëë në kërkim, kritik, me kërkesa për të rejat në art, kishte rënë në sy për keq. P.sh unë fusja në repertorin e TOB një Bah, Moxart, Hendel, dhe erdhi një kohë që edhe klasikët ndaloheshin në TOB dhe këta u zëvendësuan vetëm me këngë, marshe e kantata. Fill pas një periudhe të tillë, në 1967, ku nuk lejoheshin më pjesët e huaja, shkroi edhe gazeta kundër meje, ku ndër të tjera thuhej se një artist i quajtur Milot Vako, ka krijuar një kor që edukon brezin e ri me misticizëm, me ndjenjën e sentimentalizmit, e jo me vrullin revolucionar. Pra pata kritika të ndryshme, të cilat u grumbulluan e dalëngadalë e dhanë rezultatin e tyre, pas Plenumit të IV famëkeq.
- Si erdhi dënimi juaj dhe cilat qenë pasojat e këtij dënimi?
- U bënë disa mbledhje njëra pas tjetrës për të më larguar mua. Pakënaqësi kishte edhe në teatër, por edhe udhëheqja. Në frymën e dënimeve të shumta në institucione, edhe në TOB duhej dënuar dikush. Mbas mbledhjes së tretë, më larguan nga TOB, më dërguan për riedukim në Tepelenë, në fermë. Ishe viti 1973, fillimisht në minierë e pastaj në fermë për të më izoluar fare. Punova dy vjet në fermë, me kokën ulur, si qeni , me rroba të vjetra, korrekt sa më s’bëhej dhe kur prisja të rehabilitohesha, ndodhi gjëma. Më arrestuan e më dënuan shtatë vjet për agjitacion e propagandë. E kreva dënimin në burgun e Tepelenës e pastaj në Ballsh. Duhet të të them diçka. Gjatë kohës së burgut më vunë në pozita të vështira. Me bënin presione, kërcënime, tortura fizike e shpirtërore. Gruan time, Shpresën, ma hoqën nga TOB dhe e çuan punëtore në fermën “Gjergj Dimitrov”. Më kërcënonin se do ta sillnin edhe atë në burg. Më kërcënonin, më shtynin e më detyronin që të dilja dëshmitar për filanin apo të firmosja ato që shkruante hetuesi dhe nëse unë kërkoja të lexoja çfarë shkruhej aty, ata ma grisnin e më thoshin “armik, ti nuk ke besim tek Partia!” Pastaj e firmosja të dytën. Kur je në burg, e bën çdo gjë. Kur të vënë para familjen. Çdo gjë duhet analizuar para se të futsh brenda. Nuk ka heronj në burg, ka viktima...
Kur dola nga burgu, deshën të më internonin, por për fat nuk më internuan, por më çuan në punë të vështira, punoja nëpër kanalet e Tiranës. Më kujtohet një ditë kur po hapja një kanal, një njeri vjen e më ve dorën në sup. “Mos je Miltua ti?”, më pyeti. “Po”, i thashë. “Po çfarë bën këtu?” “Po hap kanal”. “Pse ka ngelur ta hapësh ti kanalin, ta hajë dreqi këtë punë!”, shau ndër dhëmbë dhe iku pa më thënë as mirupafshim. Ky ishte regjisori Mevlan Shanaj, me të cilin kisha punuar disa shfaqje, por edhe një shfaqje që më kritikuan. Kishte raste që më flisnin edhe artistë të tjerë, por u thoja të ikin, të largoheshin, mos hapnin telashe vetes. Më ka ndjekur një herë Çesk Zadeja, i mbuluar në djersë kur më arriti. “Ikë, i thashë, pse e ngatërron veten?”.
Kur filluan lëvizjet nga 1990 -1991 nuk pata besim dhe u mbylla në shtëpi, ndërsa ime shoqe dilte e nuk mbahej nga gëzimi, pro pak më vonë e kuptova se kishte marrë fund ajo kohë e keqe.
- Si erdhi rehabilitimi juaj?
- Fillimisht më emëruan pedagog të jashtëm në Akademi, më pas në 1992 më bënë Shef Departamenti. Pastaj mora gradën pedagog. Vazhdova dhe për vite me radhë isha shef i katedrës së kantos e dirigjimit. Dhe tani vazhdoj ende si pedagog i jashtëm, pasi mosha bën të vetën! Mora në dorë tekstet, pasi një pjesë të madhe të tyre janë tekstet që kam bërë vetë, por që u politizuan e u ndryshuan gjatë kohës që mua më larguan. Çfarë janë tekste të degës së dirizhmit, korit, orkestrës etj, pothuajse i kam bërë vetë dhe sot jam autor i shumicës së tyre . Organizova korin e vajzave, ku futa gjithë degën e kantos, ku kishte zëra nga më të mirët, sopranot më në zë sot, madje edhe në botë, si Oriana Kurteshi Shirli Polena, Sonila Baboçi, Eriona Gjyzeli etj. Me këtë kor fillova të shkoj jashtë shtetit. Kemi bërë shumë koncerte në mjaft vende të botës dhe kemi marrë edhe tre çmime të para ndërkombëtare. Kam dhënë një kontribut edhe në Opera, edhe në Ansambël, kur më jepej rasti. Ngrita e edhe korin e Kishës, që vazhdon edhe sot me sukses.
- Ju, profesor, keni lindur në Pogradec. Çfarë është për ju ky qytet?
- Për Pogradecin më preke shumë. Unë i jam borxhli këtij qyteti. Ndonjëherë kur nuk shkoj në Pogradec, shkoj në Strugë, rri aty në buzë të liqenit dhe me orë të tëra vështroj Pogradecin. Unë kam lindur në Pogradec dhe shtëpia ime ka qenë në një strehë, në një kulm me shtëpinë e të madhit Mitrush Kuteli. Për mua ishte një kënaqësi kur ai më dërgonte të blija një paqetë cigare. E dija që ishte i shkolluar dhe ëndërroja të bëhesha edhe unë një ditë me shkollë. Aq më tepër se disa metra më tutje shtëpisë sonë ishte shtëpia ku u ngirt shkolla e parë shqipe në Pogradec, më 14 mars 1987, vetëm një javë pas asaj të Korçës. Kjo mësenjëtore e parë e Pogradecit na mbushe me krenari. Të mendoja se pak metra më tutje ishte edhe shtëpia e poetit të shquar Lasgush Poradeci, pra, ishte fat i madh të gjendeshe mes këtij trekëndëshi. Kur rrinim te mani, flisnim me Lasgushin, Kutelin dhe mendoja se a mund të bëhesha edhe unë i shkolluar si ta. Nuk e mendoja kurrë se do arrija të isha dikush një ditë Pra ato shin shkëndija e para të forimit tim. Ata ishin një lloj frymëzimi që më vlejtën shumë në jetë. Për Pogradecin, në lagjen Toplec, një lagje autoktone, lagjja më e vjetër, kam mall gjithmonëë. Në moshën 7-8 vjeç, aty afër shtëpisë sonë ishte shtylla me një dritë elektrike, rreth së cilës grumbulloheshim e rrinim me orë të tëra e këndonim. Eshtë e çuditshme, por Pogradeci, një qytet provincial në ato kohë, kishte një bandë muzikore që drejtohej nga Luigj Filaj, kishte një shoqëri patriotike ku ne fëmijët shkonim aty dhe mësonin të këndonim. Unë kam kënduar odën e Bethovenit, blinin e Shubertit. Pra edukimin e parë klasik unë e kam marrë aty, në atë qytet, me ata mësues. Po ashtu në formimin tim të parë ka ndikuar edhe Mitropolia, pasi kishte një kor dhe unë u futa aty, ku këndova ato gjeneratat e para. Ishte puna e edukimit muzikor, edukimit koral, edukimit estetik të fjalës. Në një kohë të atillë, i gjithë rrjeti familjar, e gjithë mëhalla, edhe pse nuk kishte ndonjë kulturë të madhe, kishte një edukimin të lartë muzikor. Unë jam borxhli ndaj Pogradecit, pasi më dha edukimin tim të parë, mundësia e shtysat e para për t’u bërë më vonë muzikant, ashtu sikurse jam edhe sot.
- Profesor, cila është lidhja juaj me Mokrën?
- Edhe Mokra është një dashuri më vete. Mokra është origjina e babait tim. Babai ishte nga Potgozhani. Gjyshi jetoi gjatë në Mokër, kur isha i vogël shkoja sheh aty, shkoja edhe nga Maro Mokra se e kishim tonën atë. Shkoja e rrija gjatë. Më bënin shumë përshtypje ato kostumet e bukura, këngët, ritualet e Pranverës, festat që bënim, ajo natyrë e bukur, sidomos ajo rrjedhja e ujërave, Kozica, ato male për rreth. Të gjitha këto i kam ende në kujtimet e mia. Pastaj në Mokër vajta edhe partizan, në Çetën e Mokrës së Reshit Çollakut. Bëja pjesë në grupet kulture të çetës dhe jepnim shfaqje në fshatra. Kemi shkuar në Velçan, në Çezmën e Madhe, në Homdisht, në Trebinjë, etj. Mokrën e kam shëtitur në këmbë dhe ruajt kujtimet më të bukura. Por më vonë, kur u bëra udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, në fund të viteve 60 apo fillimvitet 70, unë e mora Ansamblin dhe dhashë koncert në fshatrat e Mokrës. Më ndihmoi xhaxhai pasi më dha një makinë të madhe nga miniera, në të cilën hipnin artistët e jepnim koncert fshat më fshat. Pas koncertit shpërndaheshim nëpër baza në fshat. Ishte luks i madh për kohën të çoje Ansamblin atje!
- Si e gjykoni artin sot?
- Më vjen keq por gjendja e artit nuk është e mirë. Ne kemi art e traditë shumë të bukur, por në kohën e demokracisë kjo sikur doli jashtë kontrollit. Në botë thuhet se “po shkoj të dëgjoj filan artist”, “të shoh filan balet”, kurse te ne thuhet “të shikoj filan artist”, pasi këngëtari tek ne efektet nuk i krijon me zë, por merr pamje, me veshje e zhveshje, me xheste të tepruara. Aq më keq nuk është i drejtë përdorimi elektronikës, pasi janë bërë me mijëra këngëtarë. Më vjen keq se dhe në drejtim të kompozimit të muzikës ka influenca të muzikës së huaj, influenca të muzikës arabe, greke, bullgare, d.m.th një muzikë që të ngjall një monotoni, larg muzikës së vërtetë shqiptare. Por edhe shkolla nuk po bën atë që duhet. Shkolla jonë është shkollë ruse dhe shkolla ruse është më të famshmet në botë. Me kalimin e kohës filli të degradohet edhe shkolla. Janë pranuar edhe studentë të dobët, me rryshfete që kanë ulur ndjeshëm nivelin e saj. Ishallah merren masa dhe mesa kam dëgjuar se ministri Pollo po merr masa për ta vendosur shkollën në pozita të drejta. Ka një tendencë të brezit të ri për të na mënjanuar. Por përsa i përket trajtimit shteti duhet të bëjë më shumë. Unë jam “Artist i merituar”, me titullin “Profesor”. Më ka dalë prej mëse një vit emri për përftimin e pensionit të veçantë, por edhe nuk kam parë ende të zbatohet ky vendim i Këshillit të Ministrave. Kush nuk e kam marrë pensionin veçantë, madje edhe nxënës të mi, unë që kam tituj, kam çmime, kam libra aktivitet të madh në Ansambël, në TOB, në Lice në Akademi, e çfarë s’kam, por jaqë pensionin e posaçëm, jo.
- Cili është mesazhi juaj?
- Mesazhi im është se nuk duhet të dorëzohemi, nuk duhet të nisemi nga interesat e çastit vetjake, por me pak më shumë idealizëm të ecim për të krijuar artin e vërtetë që të krijojmë traditën tonë në borë e të njihet ajo, sikurse njihet edhe ajo e shteteve të tjera. Media, institucionet televizive që grumbullojnë këngëtarë, artistë, ekzekutues, etj, duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj kulturës kombëtare. Kam edhe një thirrje ndaj shtetit, i cili të jetë më i rrepte ndaj këtyre që krijojnë, mbushin kaseta e shesin për hir të fitimit, lloj – lloj krijimesh. Edhe muzika është mënyra më e mirë për të shkruar në Evropë dhe ne duhet të shkojmë si shqiptarë jo si të huaj.