| E hene, 02.08.2010, 08:45 PM |
KALOSH ÇELIKU
PORDHA E NJË PELE
MA PRISHI GJUMIN
Gjumë. Nata e gjatë me ëndrra
Hëna e plot zbret në dritare.
Xhindet më hedhin dorë më dorë majë lisave
Parajsë. Lulet më rrinë mbi kokë.
Kush thotë se Zonja Vdekje s’është e bukur?!
Gjumë. Nata e gjatë me ëndrra
Pordha e një Pele ma prishi gjumin...
Aferë nëpër Qytet
Qyteti më merr nëpër gojë
pse rri me Ty në Tavernë
e më vë pusi me verë.
Qyteti kurdis edhe aferë
se u mbytëm në lumë.
Kot u përpoqën tellallët
Poet jam Unë.
Dexhalli shpalli shpërblim:
një nënshtetësi në Xhenet:
për atë që më zë në Tavernë
me dy shtamba verë...
Rrokullisje në Qeveri
Kur dilni në skenë
me buzë të kuqe - pispillosur
kravata e tespihe kuqezi
ngreni duart - bythët
luani popullorçe në foltore
e rokenroll në Qeveri
natë e ditë luteni në xhami.
Sa bukur ua tërheqin penjtë!...
Mikes me ferexhe
Tre vakte i fal në ditë
e mbuluar me sako nate të zezë.
Vështirë e ke ta fshehësh bukurinë
ballin - hënë, me dy yje me vesë.
E Unë kur të them sa e bukur je
përgjigjesh: „ është haram
t’i shijosh frutat që kam!... „
Shtatë orë mbyllur
në Tavernë
Zagushi.
Muzikë e vitit njëmijenënqineshtatdhjetedy
m’i kujton vitet e studimeve në Prishtinë.
Rrapin tim të vetmuar para „Bozhurit „.
Dhe, një dashuri...
Kamarieri i zi katran
Mikja trembet mos na vdes mbi tavolinë.
Mikja do të ikë në një shpellë
e ka lodhur jeta.
Civilizimi mes ferexheve...
Minare për ezanin
Vapa e ka mbyllur derën
terri nëpër dhomë e heq një valle.
Miken e kanë dhunuar fjalët.
Mëngjes. Mikja para mikrofonit
kërkon një minare ta thirrë ezanin...
Gratë besnike
Mikja dhe Unë mes ferexheve
bëjmë dashuri nën Rrap.
Ku dinë ç’është dashuria
të mjerët që i tredhi Partia
për një kolltuk, një apartmant.
Mikja dhe Unë te Shadërvani
e mbyllim sonte Natën nuse.
Ku dinë oborrtarët - hadumë
ta kosisin Livadhin:
që s’duan tjetër veç Partisë.
I tradhtojnë gratë besnike...
Nata e fundit
Më e bukur kurrë s’m’u duke
se atë natë kur më ike
u arratise mes ferexheve
për një gotë verë
për një poezi.
Më e bukur ishe asaj nate
kur para Agimit bëmë edhe një luftë
e nuk i thamë njëri – tjetrit:
Lamtumirë...
Shenjë Zotit
Nata i vari ibrikët. Shtambat
Shën Gjergji flinte nën Rrap.
Unaza Yte gjarpër e ngriti kokën
E zbuta me sy. E nxorri gjuhën.
Zingjirka Yte në qafë. Magji
E argjendtë që mi çmendi poezitë.
Vjeshta është grua vejushkë. Brymë
Që djeg pemët. Lulet. Mua kaçakun
Duke pritur lindjen e Diellit. Agimin.
Unë nuk jam poet. Bohem i vonuar
Përderisa nuk të zgjidh nga zingjirët.
Magjitë. Dhe, i dërgoi shenjë Zotit…
E përcjellim Ditën
E di, Ti je e çmendur. E egër
Edhe unë jam i çmendur. Ujk.
E përcjellim Ditën. Natën
Matanë, me verë. Dhe, poezi.
Ebu Xhehli vjen e të pyet :
Nga e kemi Mikun. Asganin.
Ti heshtë para shtambave me verë
Miku i përgjigjet: nga do ti të jem?!
Ebu Xhehli thotë: kjo tokë është e mallkuar
Miku i përgjigjet: nuk është ashtu.
Ebu Xhehli mbledh plaçkat. Frikën
Dhe, si këlysh
Me bishtin nën këmbë. Ikë.
Ne vazhdojmë ta përcjellim Ditën. Natën
Te “Hani i Dy Robertëve”. Rezidenca
Me koçi e krushka matanë Atdheut…
Nuk e di
Nuk e di ç’kisha bër për Ty. Nesër
As Ti për mua mbi varr. Rrëzë Çukës.
Natën e gjykimit kur do më merrnin në pyetje
Pa dy shtamba me verë. Rrapin.
Dhe, pa Ty. Qiririn e ndezur mbi kokë
Zonjën Vdekje me të cilën ngrita dolli.
Nuk e di. Vërtetë, nuk e di. Nesër
Mëngjes i Ditës
së pestë
Mëngjes i Ditës së pestë. Turpfitoreve
Bërllok ende më hedhin para Shtëpisë.
E kanë mbuluar gjelbërimin. Parkun
Veranda ime me parje në hedhurina.
Shteti nuk mërzitet. Qeveria sakate
Partitë politike çdo katër vite zgjohen
Dhe, vinë gjatë zgjedhjeve parlamentare.
Bërllokun ende ma hedhin para Shtëpisë
Trusakatët me gojën plot fe - demokraci.
Dhe, presin të shpërngulem në Turqi...
Rihabilitim i Dexhallit
Dexhalli e heq vallen artistike
në një Akademi solemne
me Kopenë e vet komuniste.
E ndjekin hap pas hapi:
Dumdumët, rrumaducët
Faqekuqët e poetucët
se mos i bien udhës...
Dritë e ndezur
Ditën vdes, natën zgjohem jerm
kështu jetoj me ZonjënVdekje
në një dhomë me ditë, muaj e vite
e kurrë s’u lodha mes librave.
E ndez llambën, vjen Vdekja
i them: prit ta shuaj dritën!
Ajo pret matanë hekurave
Unë harroj ta shuaj dritën.
Zemrohet, ikën më lë për nesër...
Kush do më shpie në varr
Gjithë natën vras Veten
mes librave, bocave me verë
në mëngjes e ringjall.
Gjithë natën vras Veten
e s’ka njeri të më shpie në varr...
E pashë Vdekjen
në Voskopojë
E ndeza një qiri në kishë. Voskopojë
Meshë bëra me poetë. U luta për Ty.
Matanë flakës e pashë Zonjën Vdekje
Buzëqeshi. Edhe ma bëri me sy.
Ia ktheva përshëndetjen. Buzëqeshjen
Edhe për Të ndeza një qiri.
E ngrita me fund një gotë raki…
Ditë e bukur
për vdekje
Nesër, kur do të kthehet Moti i Madh
E do të na e hapë kafazin drejtë maleve.
Poeti do t’i hipë këngës, shalojë vargun
Penën do ta shkrep në Hënë. Diell.
Zgjohuni! Nisuni burra drejt varreve!
Nesër, kur do të kthehet Moti i Madh
Nisuni! Është Ditë e bukur për vdekje...
Zonja Vdekje nuk më deshi
në Qafë Thanë
Edhe një herë erdha nga mesi i të vdekurve
Shkaku: premtimeve. Borxheve ndaj Atdheut.
Ende nuk e fitova Lirinë. Gruan besnike
Hajmalinë e Baba Shehut në Baba Tomor.
Edhe një herë erdha nga mesi i të vdekurve
Shkaku: premtimeve. Borxheve ndaj Atdheut.
Zonja Vdekje, në Përrua. Në Qafë Thanë
Përsëdyti më bëri remont ta vazhdoj jetën.
Edhe një herë erdha nga mesi i të vdekurve
Zonja Vdekje, nuk më deshi në Qafë Thanë...
Testament para Vdekjes
Ebu Xhehli më pret te xhamia
e di, do të më shpjerë në Xhehenem.
E Unë do ta lë me testament:
të më përcjellin rrugës pas Çuke.
Mike, shqyeji daullet e ciganëve
poetë, mbani një minutë heshtje
para dy shtambave me verë
sa ta mashtroj Ebu Xhehlin
t’i futem tinëz në Xhenet!...
Kohë do të ketë
për takime
Mos u shtyni me bërryla. Dhe, bythë
Vend ka për të gjithë në Ferr. Parajsë.
Pas dere nuk do të mbesë njeri
Dikushi arnë kazani. Dikushi qen.
Mos u shtyni me bërryla. Dhe, bythë
Kohë do të ketë për takime. Ferrparajsë...