Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Ku jemi o shqiptarë?!!!

| E hene, 02.08.2010, 08:25 PM |


ENGJËLL KOLIQI

 

KU JEMI O SHQIPTARË ?!!!

 

në 125-Vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

 

Sot

Në këtë Ditë të Madhe

I Madhi Gjergj Kastrioti

Më pyeti e m'porositi:

Ku jeni shqiptarë

T'bashkuar u kërkon moti

***

Erdhi Abdyl Frashëri

Me Sylejman Vokshin

Me Gjergj Stefën e të tjerët

Më kërkuan:

Ku jeni shqiptarë ?

A jeni të gjthë gjallë ?!

***

Edhe Haxhi Zeka

Idriz Seferi e Isë Boletini

Dedë Gjo' Luli

Dom Nikollë Kaçorri e Luigj Gurakuqi

Edhe Ismail Bej Qemali

Vijnë e më thonë:

O shqiptarë

Po nuk u bashkuat

Nuk mbeteni të gjallë

***

Naimi, Samiu e Jeronim De Rada

Prapë lëshojnë kushtrimin

Fara Arbërore Vetëm të bashkuar

E fitojmë amshimin

***

Qetësishtë

Pa shumë zhurmë më thotë Fan Noli

Shqiptarë bashkë veproni

Se përndryshe

Skandali prapë do të lindi

Midis jushë!

***

Oh, ç'më thotë At Gjergj Fishta

O shqyptarë

Çonju njiher'

Me lavdinë komb'tare

Me kultur' e me njerëzì

Tregoni botës se s'jemi me bishta

Lidhni besën arbnore

Mbi t'gjitha trojet shqyptare

Nji shtet dhe vetëm nji Nanë me kenë

E Lumja Shqypnì

***

Atje poshtë në ferr

Ja po i shoh

Enver Hoxha

Tito e Stalini

Tek lëpihen e krekosen

Nën flakë

Duke planifikuar

Të na fusin brënda

Edhe ndonjë dreq sherr

***

Vjen Shaban Polluzha

Xhafer Deva e Hysen Tërpeza

Engjëll Zefi me flakadan

Ernesti e Kardinal Mikel Koliqi

Paprâ këndojnë:

Çohuni shqiptarë

Drita ju thërret

Mos u druani reve të zeza

Nanë Shqipnija ju pret !!!

***

Ja seç më vjen edhe Nëna Tereza

Bashkë me një rigë shi

Më lëshon të forta rreze

Me buzëqeshje më thotë:

O shqiptarët e mi

Sot e nëpër breza

Deri në amshim

Rrituni me plot dashuri

***

Jusufi e Bardhoshi thërrasin

Edhe Kadri Zeka

Adem Jashari lëshon kushtrim

Me Agim Ramadanin

Me Fehmiun e Xhevën

Me Sali Çekun e të gjithë heronjtë:

Çohuni o shqiptarë

Bashkë

Na thërret e vërteta

Me Nënë Shqipërinë

Mbi të gjitha trojet e veta

Sot e nesër

Përgjithmonë - deri n'amshim

***

Sot nga Prizreni i Shenjtë

Mbreti i Shqiptarëve

Leka Zogu i Parë

Na konfirmoi:

Mbi supet e Kosovës së Pavarur

Bashkimin do e gjej'

Mbarë Kombi Shqiptar

***

Edhe unë po ju pyes:

Ku jemi o shqiptarë ?!

A mund të bashkohemi ?!!!

A do e gëzojmë Nanën ?!

A do t'ruajmë farë ?!!!

 

Lecco, 10 qershor 2003