Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Hanëmja - Dashuria më e madhe (IV)

| E diele, 01.08.2010, 07:04 PM |


HANËMJA - DASHURIA MË E MADHE

Jetëshkrim historik i dy vlonjatëve të moshuar

 

Nga Luan Çipi

 

PJESA E KATËRTË

 

Drekën e hëngrëm në Kampin e Pushimit të Punëtorëve Dhërmi, duke devijuar nga rruga kryesore për rreth dy kilometra, në mes të ullinjve shekullorë dhe plantacioneve me portokalle e qitro. Atje edhe fjetëm, në dhomat e Kampit, që gjatë dimrit shfrytëzoheshin edhe për hotel, duke e ndier aq afër erën e detit dhe gjëmimin nanuritës e gjumëdhënës të dallgëve të tij.

Ditën e nesërme, sa kaluam Spilenë, lagjen bregdetare të qytetit të Himarës, morëm në të djathtë, buzë detit Jon, në një rrugë të ndaluar, si zonë ushtarake, por ku u lejuam, ngaqë kishim marrë autorizim qysh në Vlorë, nga organet përkatëse kufitare. Sa e pamë detin, të fshehur nga kodrat me ullinj e valanidh, u befasuam nga panorama mahnitëse e mrekullueshme, e pa parë në asnjë vend tjetër: Gjiri i vogël i bukur i Porto Palermos, Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës dhe Kisha e Vasiliqisë. Nuk mund të përshkruhet në letër një bukuri natyrore kaq e rrallë: Ai det aq i kthjellët, që përqafon nga të gjitha anët ishullin e vogël shkëmbor, shpella e madhe e thelluar me aq mund nga skllevërit e socializmit, ku strehohen njëherazi disa anije, kalaja mesjetare dhe kisha, nga ana tjetër, kodrat e gjelbëruara me ullinj, valanidh e shqope dhe më tej, malet e lart me kësulë bore. Vet bukuria e natyrës të bën poet. Atje është zanafilla e vargjeve, që më lindën: 

 

Ne Palermo, poshtë, kur zbret

te Kish’ e Vasiliqisë:

valanidh, shqope dhe det,

vendqëndrim i Perëndisë.

 

Atëherë menduam, pa guxuar ta themi: Sa keq që kjo perlë e rivierës shqiptare, padyshim më e bukura në vend dhe ndofta nga më të bukurat e rruzullimit, nuk kënaq kërkesat e turistëve të mbarë botës, por përdoret si bazë ushtarake për raketa e nëndetëse, të destinuara për të vrarë njerëz? Pse kështu, “të bukurën e dheut” e kishin rrethuar me tela me gjemba, e kishin ç’tjetërsuar e izoluar?

 

Si e lamë në krahun e majtë fshatin Qeparo, të vendosur në mal, kodër dhe fushë, qëndruam në Borsh, në një tjetër bukuri të rrallë të rivierës shqiptare. Ujëra të shumtë, ardhur nga mali, aty, ndenë kollonatat e një lokali mjeran tregtie, përplaseshin me njeri tjetrin dhe me muret e një rezervuari dhe shpërndaheshin në qindra stërkale, që, po t’u afroheshe, të jepnin një freski, sikur të depërtonin lehtësisht në trup, të futeshin në mushkëri, në gjak e të shtonin jetën.

 

Pastaj, ujërat vareshin fushës së mbjellë me agrume dhe sikur, shuheshin të derdhura të qeta, në detin e pa fund.

O, se ç’kënd i qetë ndenje e pushimi, i mrekullueshëm, i paparë, mund të bëhej atje poshtë: plazh nën agrume, pikturë natyrore me përzierje ngjyrash: e kaltërta e detit, grija e rërës së detit, e gjelbërta e fletëve të agrumeve dhe ullinjve, e verdha e kokrrave të pjekura të portokalleve, limonëve dhe qitrove, e zeza e kokrrave të ullinjve të pjekur.

Por, jo! Edhe kjo bukuri ishte “zonë e ndalueme“ ushtarake, kufitare. Atje, qeveritarët komunistë, kishin vendosur një kamp përqendrimi të burgosurish ordinerë, që vuanin dënimin dhe bënin punë të detyruar në agrumishtet.  Po, pse nuk mund të gjendej një vend tjetër për kamp pune e përqendrimi? Ata, që thyenin normat e moralit aktual të shoqërisë, në se i kishin thyer vërtetë, pse duhet të izoloheshin e të ruheshin këtu, pse duhet pikërisht ata ta gëzonin këtë bukuri të rrallë? Nga ana tjetër, si mund të shijohej kjo mrekulli e natyrës dhe të merrje kënaqësi shpirtërore, pa seksin delikat, në shoqërinë e meshkujve të dënuar, të lidhur me pranga dhe që hanë vetëm çorbë kazani?

 

Megjithatë, kam dëgjuar nga protagonisti kryesor i ndodhisë së më poshtme, vite më vonë, se dhe të burgosurit inspiroheshin nga ky mjedis i perëndishëm. Ata, hera herës, i harronin dhe u dukej se çliroheshin nga vuajtjet dhe prangat.

 Pikërisht aty, përpiqej të mbijetonte dhe një dervish bektashi i dënuar, i miri Bajram Çerçizi, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës, ish shoferi i Ahmet Myftar Dedejt, Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Pikërisht ky, Barjam Çerçizi ishte një burrë shumë interesant, trupmadh e i mençur, i dënuar për shkak të mbrojtjes së vendosur të pronës së Teqesë së tij. Krimi i tij ishte se, në territorin e Teqesë së vetë, kishte kapur, qortuar dhe rrahur, lehtazi, po për ta mbajtur mend, një vjedhës. Pra ky soj burri, që peshonte mbi 120 kile, veç të tjerave, këndonte shumë bukur dhe ligjëronte mahnitshëm, duke treguar ngjarje nga jeta dhe mësime të Imam Aliut.

Dervish Barjami shpesh herë, aty në kamp, i printe kolonës së të burgosurve. Të burgosurit, në njësh kolonë, dilnin nga fjetoret për në punë, duke kënduar, këngën melodioze të kolonës zanore të filmit “Stjenka Razini”. Në fillim këndonte solo, me atë zërin e bukur bas, dervish Bajrami, veshur me dollomanë e gjelbër të uniformës fetare bektashiane dhe me taçin e hijshëm në kokë. Ai besnik i sektit të vetë, për të cilin ish sakrifikuar, nuk pranonte ta hiqte uniformën fetare, pa urdhrin e prelatit të tij, megjithëse e pengonte se i zgjatej deri të fundi këmbëve. Më pas, për shumë kohë, ushtonte i kombinuar kori i improvizuar, disa zërash, i të burgosurve të tjerë, për deri sa mbërrinin te fronti i punës së detyruar.

Rruga e asfaltuar, e ngushtë dhe me shumë kthesa, thuajse, nuk i ndahet bregut të detit dhe ne, me Hanëmen, patëm fatin të shihnim fshatrat e tjerë piktoresk të rivierës si: Shënvasinë, majtas, lart në kodër fshatin Sasaj; më tej Lukovën deri sa arritëm te Qafa e Gjashtës, ku na u shfaq pamja e bukur e qytetit të vogël të Sarandës; me tej deti Jon dhe në thellësi ishujt e shumtë grek, me Korfuzin e famshëm, si kryeishull.

Atë natë ne fjetëm në Hotelin Turistik të Sarandës, që shquhej, në shkallë vendi, për gatimin dhe pritjen e mirë. Me Hanëmen e dashur rikujtuam “muajin e mjaltit”, dhe na u duk vetja si në atë kohë, kur bujtëm disa net në këtë hotel.   

Të nesërmen u nisem, si grup, për në qytetin e lashtë historik të Butrintit. Kaluam lumin e vogël të Kalasës, nëpërmjet një trapi me argano. Një pllakë e vogël ku shkruhej BUTHROS na bëri të mendonim se po hynim në qytetin antik, ish pronë  krenarie kalimtare e Romakëve, Grekëve dhe Ilirëve, i dëgjuar për gërmimet dhe për zbulimet interesante të amfiteatrit të madh dhe të kollonatave, statujave dhe prerjeve të shumta monetare. Unë me Hanëmen vizituam Muzeun, ku nuk rruheshin më zbulimet e famshme, që kishim dëgjuar, nga që ato ishin grabitur dhe shpërndarë nëpër botë, por pamë disa shtatore të dëmtuara, kokën e famshme të Deas së bukur, ndofta kopje dhe mozaikë, basoreliev e shtylla prej mermeri të latuar. Të dy u ulëm në shkallët e amfiteatrit të lashtë, ku bëmë dhe disa fotografi, duke menduar se sa mirë do ishte që ky amfiteatër i madh e i bukur antik të rehabilitohej, të gjallërohej e të përdorej për festivale kombëtare, e pse jo, botërore teatrore.

Kur ia shfaqa mendimin, ashtu me zë të ulët, Hanëmja, që studionte për gjuhë letërsi më tha:

        -Këtë po mendoja dhe unë, por ne jemi thjeshtë ëndërrimtarë romantikë. --   “Ti, nuk të qasin në fshat e vete më kërkon vajzën e priftit për grua!? “

       --Ule zërin se, po të dëgjuan, rrezik të na mbysin në ato ujërat e pista, nën këmbët tona, për t’u bërë pre gjarpërinjsh.

Po atë ditë, pa u ndalur gjatë në vend tjetër, u kthyem në Vlorë.

                                                               *

Në gusht te vitit 1977, me Hanëmen si gjithmonë, kaluam pushimet verore në Kampin e Punëtorëve në Dhërmi. Së bashku me ne erdhi dhe Tina, kushërira ime, me të shoqin, Besim Resuli si dhe miku im i mirë, Ejup Mita, për të cilin kam shkruar posaçërisht.

Kaluam shumë mirë një pesëmbëdhjetë ditësh, që do ta mbajmë mënd: diell dhe det, ushqim i zgjedhur dhe fruta të freskëta, shfaqe filmash e deri vallëzime në pistë, ping-pong, volejboll, bilardo, letra, libra, muzikë. Patëm shumë ngjarje interesante, që i kam shënuar në ditarin tim. Ja njëra prej tyre, që ka lidhje me Hanëmen:

Po vallëzonim, në një mbrëmje të këndshme, që freskohej nga flladi i detit Jon. Orkestra ishte cilësore, me instrumentistë profesionistë, të zgjedhur ndër më të mirët e Tiranës. Kështu bëhej ç’do muaj vere. Ata, varfanjakë, si gjithë shqiptarët, pushonin falas në kamp dhe, në mbrëmje, shisnin falas profesionin e tyre, u binin veglave dhe këndonin, për pushuesit. Ishin të rinj të talentuar, gazmorë, edhe që bënin aheng për kampistët dhe pse jo, më shumë për qejf të tyre. Afër muzikantëve ishin disa gazetarë dhe kineastë, gjithnjë kërkues dhe krijues, që përpiqeshin të improvizonin variacione të këndshme dhe gazmore.  Më kujtohet se midis tyre ishte dhe Toqo Zoto, drejtor i Agjencisë Telegrafike Shtetërore të lajmeve (ATSh). Ata, atë natë, për gallatë, kishin krijuar një komision që klasifikonte dhe stimulonte vallëzuesit më të mirë në disa lloje vallëzimi. Kërcimet bëheshin sipas një programi të paracaktuar.

   -Stop, muzika! Komandon Toqoja. Ju, të dy! Afrohuni! Në emër të “Zhurisë Kombëtare”, ju si çift, shpalleni “Mis dhe mister vallëzimi” Ju meritoni kurorat e fituesit, që ne, si komision, i kemi përgatitur, posaçërisht, me gjethe ulliri. Uluni, ju të tjerët. Çifti kampion kërcen vallëzimin e triumfit. Orkestra: Danubin Blu!”

Hanëmja tridhjetë vjeçare dallohej ende, bile akoma më shumë, jo vetëm për bukuri dhe elegancë, po për një kërcim plotë finesë, me ritmin e nevojshëm, afrohej dhe largohej, përkulej para dhe prapa, shkëputej dhe bashkohej, rrotullohej lirshëm, sa majtas djathtas, në majë të gishtave, si një balerinë e vërtetë.

Të gëzuar për fitoren e pa pritur, në këtë atmosferë festive, ne, këto degë ulliri i shpumë, menjëherë, në dhomën e gjumit dhe i ruajtëm në vazo me ujë e me aspirinë, duke i spërkatur çdo ditë.

Ato lule simbolike, na kujtonin se ishim edhe ne qenie të gjalla të kësaj prapsie, në mes të shokëve dhe shoqeve gazmorë, të mbledhur nga disa qytete të vendit, që përpiqeshim t’i grabisnim jetës së vështirë e të mundimshme, qoftë dhe pak çaste të lumtura.

 

vazhdon