| E diele, 01.08.2010, 09:58 PM |
Hitoria e një dashurie unikate
RRËFIMI PËR DASHURINË
DHE JETËN
Përkitazi mbi librin postmortum “Dashuri dhe besë” të Sokol Muhadrit,
Botoi SHB “P. Bogdani”- Prizren-Nju Jork, 2010
Shkruan Besim MUHADRI
(Pjesë nga e parathënia e librit)
Në verë të vitit 2004, në qytetin e Gjakovës, për herë të parë dhe të fundit në jetën time kisha rastin të takoja kushuririn tim, Sokol Muhadrin. Ishte një takim i rastësishëm, por shumë i pritur dhe shumë i sinqertë. Për Sokolin kisha dëgjuar vite më parë, se ai prej vitesh jetonte dhe punonte në qytetin e Beratit dhe se po aty punonte profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, por që nuk kisha arritur ta takoja asnjëherë. Edhe pse ishim kushurinj të afërt, ne padrejtësisht na kishin ndarë regjimet. Unë dhe një pjesë e madhe e familjes së muhadrajve jetonim në Kosovë, ndërkaq, pjesa tjetër në Shqipëri. Na kishte ndarë padrejtësisht kufiri që ndante atdheun përgjysmë, prandaj për një gjysëmshekulli nuk e kishim takuar njëri tjetrin. Sokoli në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, për shkak të përndjekjes nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, bashkë me babain, nënën dhe motrat qe detyruar të arratiset nga Shqipëria dhe të emigrojë në Kosovë. Pas emigrimit kishte lindur edhe vëllai i vogël i Sokolit, Petriti.
I lindur në Vlahën të Hasit (Shqipëri), babai i Sokolit, Mehmet Sylë Muhadri ishte njeri i shkolluar në kolegjin emerikan të Hary Fullcit në Tiranë, kolegj që ishte hapur në kohën e Mbretërisë shqiptare të viteve tridhjetë të shekullit XX. Më pas ai, gjatë kohës së luftës së Dytë Botërore kishte punuar si kryetar komune në Zym të Hasit. Ndërkaq, kjo, pas Luftës së Dytë Botërore e kishte shtyrë regjimin komunist, i cili mori pushtetin në Shqipëri, që ta përndiqte dhe ta burgoste Mehmetin. Nëna e Mehmetit, apo gjyshja e Sokolit, kishte vdekur nga torturat psikike të komunistëve në burgun e Vlorës. Ndërkaq, pas daljes nga burgu, Mehmet Syla, bashkë me familjen arratiset nga Shqipëria dhe shkon në Kosovë, ku jetojnë në Shtimje dhe më pas edhe në Prishtinë. Pas kalimit në Kosovë, ai burgoset nga regjimi komunist titist dhe dënohet me disa vite burg të rëndë, që i vuan në burgun e Mitrovicës së Sremit.
Në këso rrethanash dhe kushtesh, ku kishte vetëm tmerr, përndjekje, burgosje e persekutime do të rritet Sokol Muhadri. I lindur në gusht të vitit 1943, në Vlahën të Hasit të Shqipërisë, ai përherë do të jetë në zgripc të ekzistencës dhe shpesh edhe i rrezikuar për likuidim. Pas arritjes në Koovës së bashku me prindërit, Sokoli vazhdon shkollimin fillor, ndërsa në vitin shkollor 1959/1960 ai regjistrohet në gjimnazin e Prishtinës, i cili në atë kohë quhej “Ivo Llolla Ribar” (tash “Sami Frashëri”), ku i kryen tri vite, sepse pas kësaj kohe ai do të dëbohet nga Kosova. Gjatë viteve të shkollimit në Prishtinë njihet me një vajzë, të cilën e dashuron aq shumë, sa që do ta mbajë në kujtesë të zemrës dhe shpirtit gjatë tërë jetës së tij. Vajza që dashuronte Sokoli quhej Nermine Jusufi dhe ishte nga Prishtina. Por nuk ishte shkruar që jeta e Sokol Muhadrit, atij djaloshit të lindur e të rritur kampeve të tmerrit e të persekutimeve komuniste, të ishte një jetë normale. Gjetja e të dashurës së shpirtit dhe përjetimi i kësaj dashurie të sinqertë, nuk do të zgjatë më shumë se një vit. Pas kësaj kohe, të dashurën e Sokolit, bashkë me nënën dhe vëllanë i dëbojnë për në Turqi.
Ishte viti 1961, kur e dashura e Sokolit, Nermini, detyrohet të lëshojë vendin dhe të emigrojë për në Turqi, atje ku në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar ishin shpërngulur më mijëra e mijëra kosovarë, duke lënë prapa tërë pasurinë, mallin dhe kujtimet. Sokoli i dashuruar, me pikëllim të thellë, por me bindjen se një ditë do ta takojë të dashurën e tij, qoftë në Turqi, qoftë në Amerikë, e përcjell atë fshehurazi deri në stacionin e trenit në Fushë Kosovë. I kishin dhënë besën njëri-tjetrit se një ditë do të bashkoheshin. Ata betohen se do ta prisnin njëri-tjetrin deri në vdekje. Ishte kjo një dashuri ideale, një dashuri e paparë, zjarri i së cilës përvëlonte zemrat e dy të rinjve.
Meqenëse Sokoli në Kosovë ishte emigrant, shpresonte se një ditë kishte të drejtë të kërkonte nga pushteti i atëhershëm jugosllav që të estradohej nga Kosova në një vend tjetër të Perëndimit. Ëndrra e tij dhe e babait ishte që të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej nga mendonte se do ta merrte edhe Nerminin e tij të dashur, nusen e ëndrrave të tij.
Mirëpo, nuk kalon asnjë vit dhe vjen koha e një dëbimi tjetër. Në një natë të tmerrshme të vitit 1962, të mbushur plot ankth pasigurie, edhe Sokoli bashkë me familje dëbohet nga Kosova. Ndonëse ai kishte ëndërruar që të shkonte në Amerikë, kjo gjë nuk ndodhi, sepse në këtë kohë Jugosllavia dhe Shqipëria kishin një marrë-veshje, në të cilën ishte e sanksionuar kthimi i të gjithë atyre emigrantëve që kishin ikur nga Shqipëria dhe kishin dalë në Jugosllavi. Prandaj, Sokolin dhe tërë familjen i kthejnë në Shqipëri.
Dhe tashmë ëndrrat e një dashurie të madhe po veniteshin përjetësisht. Në Shqipëri atë nuk e priste parajsa, por burgu, internimi. Mbase edhe vdekja, ashtu sikurse që kishte ndodhur me shumë të internuar të tjerë të asaj kohe, por edhe të viteve të mëvonshme. Kalojnë vitet dhe letërkëmbimi me të dashurën e shpirtit ndërpritet. Pa dëshirën e tij Sokoli detyrohet të krijojë familje, sepse vetëm krijimi i familjes atë dhe tërë familjen do t’i shpëtonte nga përndjekja e vazhdueshme e organeve të sigurimit të shtetit shqiptar. “Vetëm kjo do t’ia tërheq vëmendjen katilave komunistë që të na besojnë se ne nuk e kemi ndërmend të arratisemi më. Duke jetuar më gjatë edhe ti një ditë do ta gjesh nusen e ëndrrave tuaja, Sokol”, i kishte thënë Mehmet Syla të birit.
E dashura e Sokolit, Nermini ne moshën rinore
Dhe me pikëllim të thellë Sokoli e kishte pranuar këtë martesë, pothuajse të kushtëzuar. Nusja e Sokolit, po ashtu mësuese, që punonte bashkë me Sokolin në një fshat të thellë malor të Beratit do të jetë në dijeni të të gjitha këtyre. Duke punuar me të, ajo kishte dëgjuar nga Sokoli rrëfimet për dashurinë
e parë dhe të vetme të Prishtinës. Kishte dëgjuar edhe betimin e Sokolit se atë dashuri do ta kërkonte tërë jetën, derisa ta gjente. “Unë do ta kërkoj tërë jetën vajzën e ëndrrave të mia. Unë vetëm atë dua, sepse ajo është dashuria ime e parë dhe e vetme. Serma, ashtu sikurse edhe shumë vajza të tjera të Beratit që dëshironin ta kishin për burrë, ishte dashuruar marrëzisht në Sokolin, i cili nuk dëshironte ta pranonte këtë dashuri, jo se Serma nuk i pëlqente, por sepse ai i kishte dhënë besën vajzës së tij të ëndrrave, asaj që ia kishte falë të parën puthje. Asaj që për herë të parë ia kishte dëgjuar të rrahurat e zemrës. Asaj që iu kishte dridhur nga dashuria e madhe, sa herë që e takonte, në park, në shkollë, apo kudo. Sokoli kujtonte takimin e tij të parë, puthjen e tij të parë, aty në shkallët e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe fjalët e betimit se “kurrë nuk do të ndahemi”, prandaj e kishte të vështirë të pranonte cilëndo dashuri që i ofrohej. Ishte në gjendje të sakrifikonte çdo gjë, vetëm e vetëm të takonte vajzën e tij të ëndrrave, që ia kishin mërguar atje larg në Turqi. Ai fliste me hënën, me diellin, me yjet, por edhe me valët e detit dhe i porosiste ato që t’ia përcillnin fjalët e tij se ai po e kërkonte dhe nuk do të ndalej së kërkuari deri sa ta gjente. Duke ndier një dashuri të vërtetë, por edhe duke njohur sinqeritetin e Sokolit, Serma i kishte thënë atij se edhe ajo bashkë me të do ta kërkonte Nerminin. “Unë do të të jem pranë, Sokol. Do ta kërkojmë bashkë derisa ta gjejmë!”. Dhe ai kishte pranuar të martohej me të. Kjo martesë i shembëllente në një mort, sepse ishte një martesë të cilës i mungonte dashuria. I mungonte shpirti, sepse dashurinë dhe shpirtin ai ia kishte dhuruar tjetërkujt. “Njeriu ka vetëm një shpirt, vetëm një zemër dhe vetëm një dashuri. Njeriu dashuron vetëm njëherë”, i kishte thënë Sermës Sokoli.
Rrugëtimi i Sokolit për gjetjen e të dashurës së tij të parë dhe të vetme nuk do të ndalet për dyzet vjet me radhë, derisa ai një ditë e gjen atë. Ndonëse kishin kaluar 43 vite e ata i kishin kaluar të të gjashtëdhjetat, dashuria e tyre nuk ishte shuar. Ajo kishte vazhduar aty ku ishte ndërprerë. Dhe ky ritakim kishte ndodhur në korrik të vitit 2003. Ishte një lidhje telefonike dhe biseda me Nerminin, e cila ata do t’i shpie drejt bashkimit të përjeteshëm, që do të ndodhë me 5 shkurt të vitit 2005.
Në ditën e takimit të parë dhe të vetëm në jetën time me bacën Sokol, ai ishte bashkë me gruan e tij, Sermën dhe të dashurën, Nerminin. Kjo ndodhi në gusht të vitit 2004. Ishte një takim shumë i shkurtër, sepse ata duhej të lëviznin për të takuar edhe njerëz të tjerë. Ashtu, shpejt e shpejt, u ulëm dhe pimë nga një kafe në verandën e hotelit “Pashtrik” në Gjakovë. Pas atyre çasteve, që kaluan në një atmosferë shumë të përzemërt, u ngritëm nga veranda e hotelit dhe ecëm qendrës së qytetit të Gjakovës. Luli, një shok i Sokolit, që gjatë atyre ditëve po e shoqëronte Sokolin nëpër Kosovë, Serma, gruaja e Sokolit dhe e dashura e tij, Nermini ecnin para nesh, ndërsa unë dhe ai vazhdonim të ecnim pas tyre. Ishte kërkesë e tij që ne të ecnim ndaras. Nuk ia prisha. Gjatë atij rrugëtimi të shkurtër, që nuk zgjati më shumë se dhjetë minuta, ai më rrëfeu tërë historinë e një dashurie që kurrë nuk ishte shuar në shpirtin dhe zemrën e tij. Madje ajo dashuri sikur ishte rinuar dhe forcuar akoma më shumë.
Sokoli dhe Nermini në shtëpinë verore të Nerminit në Çinarcik të Turqisë, 2004
“Dëgjo, Besim, më tha ai. Ajo zonja që po ec bashkë me gruan time, Sermën, është vajza ime e parë dhe e vetme që kam dashuruar ndonjëherë në jetë. Ajo është vajza të cilën e kam njohur që kur isha i ri. Që kur isha gjimnazist në gjimnazin e Prishtinës. Quhet Nermin dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa vite ka jetuar në Turqi, por në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar ka emigruar në Nju Jork...”
Dhe brenda atyre pak minutave ai më rrëfeu tërë historinë e një dashurie, që kurrë s’e kisha dëgjuar më parë. Më dukej se isha në ëndërr. Se isha duke dëgjuar një djalosh e jo një burrë që kishte kaluar të gjashtëdhjetat.
“Baca Sokol, i thash, kjo që po më tregon qenka vërtet interesante. Qenka një roman më vete. Keni shkruar diçka për këtë storie të jetës suaj?”
“Po, më tha ai. - Kam mbajtur shënime, por jam duke shënuar ende.”
“Ne patjetër një ditë duhet të takohemi që të më tregosh më gjatë, sepse nga ky rrëfim do të dalë një libër. Mbase mund ta bëjmë edhe film”.
“Patjetër, më tha ai. Unë jam i interesuar të shkruaj dhe të botoj diçka, jo vetëm për këtë histori, por edhe për gjëra të tjera. Jeta ime është një roman i gjatë plot dhimbje. Kam vuajtur shumë gjatë tërë jetës. Unë që kur isha gjimnazist kam filluar të shkruaj. Madje në vitet gjashtëdhjetë edhe kam botuar te gazeta “Rilindja” e Prishtinës. Kam njohur shumë poetë që në ato vite sapo kishin filluar të shkruanin e të botonin, të cilët tash janë emra të njohur në letërsinë tonë. Unë kam shumë poezi, por edhe prozë, që i kam në dorëshkrim. Do të t’i jap që t’i shikosh”, më tha Ai.
Dhe unë i premtova se një ditë do të shkoja në Shqipëri dhe ta takoja. Do të rrinim më gjatë dhe do të bisedonim për të gjitha, sepse vërtetë kishim nevojë për njëri-tjetrin.
Pas pak minutash, ata u ndanë nga unë, me shpresën se do të takoheshim së shpejti në Berat apo në Tiranë. Por ky takim nuk u realizua kurrë. Në vitin 2005 unë shkova në Tiranë të takohesha me të. Më thanë së më 5 shkurt të atij viti kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë kishte realizuar ëndrrën e tij, përjetësisht bashkimin me Nerminin. Ata tashmë jetonin të lumtur, sepse kishin realizuar ëndrrën e tyre dyzet e trevjeçare. Sa u gëzova, aq edhe u mërzita. Kisha ndjenjën se më nuk do ta takoja. Se kurrë më nuk do të bisedonim për dorëshkrimet dhe për historinë e dashurisë së tij. Dhe ashtu ndodhi, sepse ai vdiq në Nju Jork më 3 tetor të vitit 2006, vetëm pas nëntëmbëdhjetë muajve të realizimit të ëndrrës së tij.
TE VARRI I SOKOLIT NË NJU XHERSI
Varri i Sokolit në Nju Xhersi
Më 10 qershor të vitit 2007 së bashku me time grua dhe dy fëmijët udhëtuam për në Nju Jork. Kisha fituar në lotarinë amerikane dhe fati e kishte dashur që të bëhesha banor i përhershëm i Amerikës. Udhëtimi për në Amerikë ishte një ndjenjë e përzier. Kishte më shumë mërzi dhe ngapak gëzim. Kurrë nuk e kisha menduar që një ditë do të lëshoja Kosovën. Madje as në ditët më të vështira e lëre më tash që Kosova ishte bërë e lirë dhe po hapëronte drejt ditës së pavarësisë. Në ditën kur udhëtova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti i atëhershëm amerikan, Gjorgj W. Bush po vizitonte Shqipërinë. Ishte një vizitë historike, storiet e së cilës i përcolla pasi që arrita në Nju Jork. Tërë ditën ato storie i transmetoi dhe i rintrasmetoi kanali më i madh televiziv amerikan, CNN. Udhëtimi dhe arritja ime në Nju Jork ishte e përzier me ndjenja të çuditshme. Si gjatë rrugës, ashtu edhe kur arrita atje, kisha në mendje një njeri që tashmë nuk jetonte më. Ai ishte Sokol Muhadri, që kishte ndërruar jetë më 3 tetor të vitit 2006. Gjatë kohë kërkova ta gjeja numrin e telefonit dhe adresën e të dashurës dhe gruas së tij, Nerminit. Por një gjë e tillë ishte e pamundur. U desh të kalonin gati dy vite dhe të bija në gjurmët e kësaj gruaje, për të cilën më kishte rrëfyer baca Sokol tri vite më parë, atë ditë kur ua dhurova një libër timin si shenjë kujtimi. E dija se edhe ajo priste të më takonte, sepse isha i bindur se Ai i kishte folur për mua dhe për planet që na kishin mbetur përgjysmë. Një ditë m’u kujtua një shkrim i shkrimtares dhe aktivistes shqiptare që jetonte dhe vepronte në Nju Jork, zonjës Mimoza Dajçi, të cilin shkrim ajo e kishte shkruar me rastin e një ceremonie të ditëlindjes së Sokolit në Nju Jork, që ia kishin organizuar vajzat e Nerminit, ku kishte qenë e ftuar edhe ajo. Ky shkrim ishte botuar në faqet e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, e cila botohet në Nju Jork.
Më 30 maji të vitit 2009, në Nju Jork, Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikan organizoi panairin e parë të librit, në të cilin mora pjesë edhe unë. Mendoja se aty do të vinte edhe Mimoza Dajçi, të cilën nuk e njihja fizikisht. E kërkova gjithandej, por ishte e kotë, sepse ajo nuk kishte ardhur. Pranë tavolinës ku unë dhe profesor doktor Agron Fico kishim ekspozuar librat tanë, ekspozonte librat e saj edhe zonja Eleonora Gjoka. Ajo, kur më dëgjoi që po bisedoja me profesor Ficon për Mimoza Dajçin, m’u afrua dhe më pyeti se përse e kërkoja Mimozën. I tregova se përse e kërkoja. Ajo u gëzua shumë, sepse kishte mundësi të më ndihmonte ta gjeja atë. “Nuk kam numër të telefonit të Mozës, por e di adresën e saj”, më tha ajo dhe ma dha adrenën.
Për mua ky ishte një moment i veçantë në jetën time, sepse më në fund po bija në gjurmët e një njeriu që mund të më ndihmonte ta gjeja njeriun e ëndrrave të kushuririt tim, që nuk jetonte më, por që kisha shpresë se së paku do të takoja Nerminin, e cila do të më çonte te varri i tij dhe ta vizitoja. Por qëllimi im ishte që edhe të gjeja dorëshkrimet e Sokolit, për të cilat kishim biseduar pesë vite më parë në Gjakovë.
Së bashku me mikun tim dhe poetin, Pal Ndrecaj dhe bashkëshorten e tij, po ashtu poete dhe shkrimtare, Margitë Markajn, pasi morëm adresën shkuam në apartamentin ku jetonte Mimoza Dajçi. Nuk isha me fat që ta gjeja aty, por megjithatë nuk u ktheva duarthatë. Aty gjeta babain e saj, një plak në moshë të shtyrë, i cili më dha numrin e Mimozës.
Në mbrëmje i telefonova Mimozës dhe, pasi që i tregova se kush isha dhe përse e kërkoja, më siguroi se do të më kontaktonte me Nerminin. Më vonë e thirra prapë dhe mora numrin e telefonit të Nerminit. Më tha se edhe Nermini ishte shumë e interesuar të më takonte dhe se më kishte kërkuar gjithandej gjatë këtyre dy viteve.
Nerminin e kontaktova menjëherë me telefon. E lam që të vinte të më merrte dhe të shkonim në shtëpinë se saj. Ajo jetonte në një apartament dhe adresa ishte Apt A33 100 Cedar St, Dobbs Ferry. Do të thotë në Nju Jork. Që do të thotë se nuk ishim edhe larg njëri-tjetrit, sepse në ato ditë unë jetoja në Morshollu Park... të Bronxit. Vetëm pesë minuta rrugë me makinë. Ajo erdhi të më merrte së bashku me motrën e saj, Nezahatin. Ndërkaq, me mua në darkë te Nermini erdhi edhe miku im, publicisti Qazim Doda. Ajo, për të na nderuar ne, në atë darkë kishte ftuar edhe mysafirë të tjerë.
Pranë varrit të kushëririt: Besim Muhadri, Nju Xhersi, Qershor 2009.
Pritja në shtëpinë e Nerminit ishte një pritje e veçantë. Një pritje ku folëm gjatë për Sokolin, për të dhe për peripetitë e tyre gjatë dyzet viteve. Rrëfimet e saj ishin të dhimbshme, prekëse dhe shumë emocionuese. Gjatë kohës sa qëndruam aty ajo më shfletoi shumë albume, shumë letra dhe më tregoi shumë videoinçizime, ku shiheshin ajo dhe Sokoli gjatë asaj pak kohe lumturie. “Të kemi kërkuar shumë. Sokoli qëkur dëgjoi që ke fituar lotarinë, të priste që të vije. Të kemi telefonuar, por numri juaj nuk funksiononte. Vdiq me mallin dhe dëshirën që të të takonte, sepse më thoshte se e kishit lënë përgjysmë bisedën. I kishit lënë përgjysmë planet. Pasi që vdiq Sokoli, unë nuk dija se ku t’i dërgoja dorëshkrimet, prandaj ia dhash një mikes sime në Prishtinë, Sanije Gashit, e cila do t’i botojë një pjesë të kujtimeve që ka lënë Sokoli e ku flitet për dashurinë tonë. Për vuajtjet tona dhe për besën tonë të madhe. Për bashkimin tonë pas 43 vitesh. Por kam ende shumë letra, shumë poezi të Sokolit, të cilat kam dëshirë t’i botoj”, më tha Nermini.
Me Nerminin e lamë që të shkonim të nesërmen në Nju Xhersi për të vizituar varrin e Sokolit. “Nuk ishte dëshirë e tij që të varrosej këtu, po në Shqipëri, por u krijuan rrethanat e atilla dhe u desh që ta varrosja këtu”, më tregonte Nermini, nga sytë e së cilës asnjë minutë nuk pushuan lotët. Edhe pse i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, ajo thoshte se humbjen e Sokolit e kishte përjetuar dhe mungesën e tij po e përjetonte shumë rëndë dhe se e kishte shumë vështirë të pajtohej me atë humbje. “Përse o Zot ma bërë këtë të padrejtë. Kur e pave të arsyeshme të më bashkoje me të, përse nuk na le të kënaqeshim, përse?”- shprehej Nermini dhe shkrehej në vaj. Lotët e saj rridhnin të vakët nga faqet e saj gjatë tërë kohës sa ne shikonim videoinçizimet ku shiheshin ajo dhe Sokoli.
“Nuk kam lënë vend pa e çuar për ta shetitur. Në vendet më të bukura të Amerikës dhe të Turqisë, vetëm e vetëm që ai të kënaqej. Vetëm e vetëm që të kënaqeshim, sepse kishte vuajtur. Sepse kishim vuajtuar. Sepse ne i kishim munguar njëri-tjetrit për 43 vite dhe Zoti e tha që të bashkoheshim ”, thoshte Nermini dhe tregonte për Sokolin, për dashurinë ndaj tij, për ato ndjenja të zjarrta që kurrë nuk ishin shuar, edhe pse kishin qenë larg njëri-tjetrit.
“Që ditën kur u ribashkuam, ne e përjetuam dashurinë sikur të ishim të rinj. Ne e vazhduam atë aty ku e kishim lënë. Ku na e kishin ndërprerë. Unë 16 e ai 18 vjeç. Kështu më thoshte edhe Sokoli, por kështu mendoja edhe unë. Por ja që Zoti, i cili e kishte parë të arsyeshme të na bashkonte, ai e pa të arsyeshme që edhe të na ndante. Ndoshta Sokolit i kishte dhënë “ymër” vetëm kaq. Të realizonim ëndrrën e bashkimit dhe pastaj të ikte atje lart në qiell. Unë nuk besoj se ai ka vdekur, sepse Ai është atje lart dhe më shikon. Më ruan mua, sepse më do. Unë do të jem me ty edhe kur të vdes. Këtu më ke, pranë teje do të jem. Do të jam në mes lulesh, në frymëmarrjen tënde, në shpirtin dhe në trupin tënd, më thoshte Sokoli. Dhe Ai iku, por unë nuk dua të pajtohem. Nuk dua të besoj”.
Kështu tregonte Nermini storiet me të dashurin e saj, që tashmë s’e kishte në jetë. Ai kishte ndërruar jetë në qytetin e Nju Jorkut, në Phelips memorial Hospital të Nju Jorkut, në Sllepy phollow NY, 701 Brodway. Trupi i tij prehej në varrezat muslimane në Millstone RD të Nju Xhersit. Të nesërmen që kishim planifikuar të shkonim te varri i Sokolit, nuk mundëm, sepse ishte mot me shi dhe bënte shumë ftohtë. “Atje te varrezat ku prehet Sokoli, është shumë baltë dhe e kemi vështirë të shkojmë. Po e lëmë për një ditë tjetër. Po e lëmë për nesër”, më tha Nermini.
Dhe ne shkuam një ditë pas asaj dite që e kishim lënë të shkonim. Bashkë me ne erdhi edhe motra e Nerminit, Nezahati. Deri te varrezat bëmë dy orë me makinë. Gjatë tërë kohës unë shikoja një videoinçizim në kamerën e Nerminit, ku ajo kishte inçizuar Sokolin gjatë kohës kur ai ishte në spital dhe deri kur kishte mbyllur sytë përgjithmonë. Ishin pamje të zymta dhe prekëse. Fytyra dhe trupi i Sokolit, të atij Sokolit plot energji, plot dashuri dhe plot optimizëm, ishin zbehur dhe bërë meit. Por megjithatë ai mundohej të mbahej. Nuk e kisha dëshiruar t’i shikoja ato storie, por ishte dëshira këmbëngulëse e Nerminit që unë t’i shikoja deri në fund, sepse dëshironte që të mësoja gjithçka për Sokolin dhe për dashurinë e tyre. Për sakrificën e tyre. Aty ishte një jetë e tërë, që për mua do të thotë shumë. Nuk kisha parë ndonjëherë një dashuri kaq të flaktë, kaq të sinqertë, kaq të fuqishme. Madje as në film. “Kjo është një diçka që mund të ndodhë rrallëherë. Ndoshta në një miljon njerëz vetëm një rast i tillë mund të përseritet”, më thoshte Nermini, e cila më tregonte edhe për dëshirën e fundit të Sokolit që të varrosej në Shqipëri.
“Kohëve të fundit shihte ëndrra të çuditshme, të cilat kur m’i tregonte nuk më vinte hiq mirë”, vazhdoi të më tregojë Nermini. “Një ditë më tha se kishte parë në ëndërr Dadën. Kështu e quante ai nënën e tij të dashur. E kishte parë me rroba nusërie që i hapte krahët dhe donte ta merrte n’ngryk. Një ditë tjetër më tha se kishte parë në ëndërr Ibrahim Rugovën, ish-presidentin e ndjerë të Kosovës dhe babain e tij, Mehmet Sylën. Që të dy të vdekur. Sokoli sikur ishte shtrirë në mes tyre. Edhe kjo ishte një shenjë e keqe, që mua më dëftonte një ogur që do të më shkaktonte dhimbje. Herën e fundit thoshte se kishte parë në ëndërr atë plakun me mjekër të bardhë, i cili iu kishte përfytyruar Sokolit në vitin 1999 në derën e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, që ndodhet afër gjimnazit “Sami Frashëri” për t’i treguar njeriun që mund t’i ndihmonte për të gjetur adresën time dhe pastaj ishte zhdukur. Ai i kishte thënë se duhej të varrosej në Shqipëri, ndërsa varri i tij duhej të bëhej tyrbe, në të cilën do të shkonin të kërkonin shërimin e brengave të shpirtit vetëm ata që kishin pasur fatin e njejtë si Sokoli dhe unë. Do të thotë njerëzit që kërkonin dashuritë e humbura. Njerëzit që dëshironin t’i shëronin zemrat dhe vuajtjet. Dhe pas vdekjes unë kisha përgatitur të gjitha dokumentat që të dërgoja trupin e tij në atdhe, por nuk ndodhi ashtu sikurse që kisha planifikuar, prandaj Sokoli u varros këtu, pa dëshirën e tij. Prandaj e varrosa këtu. Këtu do të varrosem edhe unë, sepse këtu kam blerë një copë vend për varr që të varrosem pranë Sokolit tim të shtrenjtë...”- rrëfente dhe qante njëkohësisht Nermini.
Më në fund arritëm te varrezat muslimane që ndodheshin në Millstone RD në Nju Xhersi. Nuk kishim marrë me vete lule që të vënim mbi varrin e tij, sepse mendonim se ato do t’i blenim dikund në Nju Xhersi. “Këtu dikur kishte lule, por qenka mbyllur shitorja në të cilën shiteshin lulet”, më tha Nermini me pikëllim derisa shikonte një shitore e cila dikur kishte qenë shitore lulesh, por që tani nuk funksiononte më. Por nuk e kishim problem, sepse ne u ndalëm në një lendinë dhe mblodhëm lule të freskëta pranvere. Ato ishin më të mira, sepse ishin të freskëta, natyrale, ashtu sikurse ishte natyrale edhe dashuria e Nerminit ndaj Sokolit. Te varri i Sokolit Nermini krijoi një situatë të rëndë që na e shtoi mërzinë, dhembjen. Ajo filloi të qante dhe t’i tregonte Sokolit se kisha ardhur unë. “Ka ardhur Besimi të të vizitojë, Sokol. Ka ardhur ai që e kërkoje gjatë tërë kohës. Ka ardhur nga Kosova dhe të ka sjellur mallin e atdheut. Të ka sjellur kujtimet e vendlindjes, që aq shumë e deshe, Sokol”, i thoshte ajo. Pasi që i vumë lulet dhe bëmë homazhe, ne u munduam ta pastronim varrin nga bari. “Sokoli është duke na parë dhe po na përshëndet”, thoshte Nermini. Në sytë e saj dhe në sytë tanë kishin shpërthyer lotë malli e dhembjeje për njeriun, trupin e të cilit e kishim aq pranë dhe nuk e shihnim, nuk e preknim. Nuk mund të na fliste dhe të na përshëndeste, sepse e kishte mbuluar dheu i zi i tokës së Amerikës, të cilën e deshi dhe e ëndërroi.
U larguam pas një ore. Po largoheshim të pikëlluar që aty po linim njeriun tonë të dashur. Po e linim atje larg, të vetmuar. Të ftohtë, të heshtur, në mes asaj lëndine të shkretë që kishte filluar të mbushej varre të njerëzve nga të gjitha vendet e botës. Sokoli, që dikur fliste me aq dashuri, tani, i heshtur, bënte jetën e përtejvarrit në mesin e atyre që s’i kishte parë kurrë. Që s’i kishte takuar kurrë. Në mes njerëzve të huaj e të panjohur. Ne po e linim të vetmuar, sepse nuk kishim ç’të bënim tjetër. Ashtu e kishte thënë Zoti. Po ktheheshim duke i lënë lamtumirën dhe premtimin se një ditë do të takoheshim në atë botë. Po largoheshim të pikëlluar për njeriun që na mungonte aq shumë...
TESTAMENTI I SOKOLIT
APO TESTAMENTI I DASHURISË
Nermini më premtoi se do të m’i jepte poezitë dhe letrat që ia kishte dërguar Sokoli pas vitit 2003, kur edhe kishin vënë kontaktet e humbura për 41 vjet me radhë. Por asaj i vinte keq që nuk kishte arritur të m’i jepte edhe kujtimet e Sokolit të lëna përgjysmë, që (në atë kohë) po përgatiteshin për botim në Prishtinë nga zonja Sanije Gashi. Dhe premtimin e saj ajo e realizoi në gusht të vitit 2009, kur m’i solli në Prishtinë, ku kishte ardhur të merrte librin e përgatitur nga zonja Gashi, të cilin, ashtu sipas kërkesës së Nerminit e kishte botuar në pesëdhjetë ekzeplarë.
Poezitë dhe letrat që m’i solli Nermini tani po i botojmë në këtë përmbledhje. Duke i lexuar ato, vërejmë se brenda tyre ato ngërthejnë rrëfimet aq të sinqerta për jetën dhe dashurinë. Rrëfimet e sinqerta të një njeriu të sinqertë. Brenda tyre shihet dhe lexohet një jetë e tërë e një njeriu që kurrë s’rreshti së kërkuari njeriun e zemrës. Njeriun që ia kishte falur dashurinë dhe shpirtin. Njeriun të cilin e kishte humbur, sepse ia kishin rrëmbyer me pa të drejtë. Në këto poezi dhe letra klithmat e Sokolit janë klithma për jetën dhe dashurinë. Klithma dhe kërkesa drejtuar Zotit që ta takonte dhe ta bashkonte me vajzën e ëndrrave. Me vajzën e shpirtit, të cilës i kishte dhënë besën se do ta kërkonte deri në vdekje.
Klithmat e Sokolit, qoftë në poezi, qoftë edhe në letrat që i dërgon të dashurës dhe vajzave të saj, janë klithma për bashkim, klithma që rrezatojnë ndjenjën njerëzore të njeriut që kërkon të ikë nga vdekja. Sepse jeta pa dashuri atë e kishte shkallmuar, e kishte ngulfatur dhe sfilitur. Këto poezi dhe letra dashurie, janë storia më interesante, më bindëse, më humane, por edhe më e dhimbshme. Ato në vetvete ngërthejnë shpirtin e palodhur të njeriut që kërkon diçka të humbur për të cilin lufton që ta gjejë dhe, ndonëse nuk dorëzohet asnjëherë, më në fund edhe triumfon. Ky është triumfi i njeriut këmbëngulës, i njeriut që asnjëherë s’pajtohet me humbjen, qoftë duke bërë edhe të pamundurën.
Poezitë dhe letrat e Sokol Muhadrit, të publikuara në formë libri, janë një testament i fuqishëm i lënë nga njeriu që e deshi jetën. Atë jetën e dinjitetshme, në të cilën ka vetëm dashuri dhe sinqeritet. Janë një testament i pavdekshëm për të gjithë njerëzit që e duan jetën dhe njeriun. Atë jetën brenda së cilës nuk kanë vend intrigat, urrejtja dhe mashtrimi.