| E enjte, 29.07.2010, 09:03 PM |
Ai po përpiqet të realizojë një ëndërr të hershme, një film për Skënderbeun.
Pretendimet e tij janë për studiot më të mira të Hollivudit dhe aktorët më të mirë hollivudianë. Thotë se do të kishte marrë Sean Connery-n, po të qe ca më i ri, ndërkohë që varianti më i mirë për të luajtur rolin e heroit shqiptar është pikërisht gladiatori, Russell Crowe. Është ish-kongresmeni amerikan Joseph J. DioGuardi, i cili ka shprehur ambicien e tij të guximshme për të realizuar një film për Gjergj Kastriot Skënderbeun.
* * *
Kur gazetari i “The New York Observer” u përpoq të takonte disa muaj më parë ish-kongresmenin republikan, Joe DioGuardi, i cili po mundohej të sfidonte Kristen Gillibrand për karrigen e saj në senat, ai ishte duke folur për një kokë të prerë. Flitej për kokën e kryekomandantit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, që i ishte dërguar atij në një valixhe nga Sulltan Mehmeti i II-të, mbasi Skënderbeu kishte dërguar mëkëmbësin e tij për të ofruar kushtet për një armëpushim. Nuk do të kishte asnjë armëpushim dhe osmanët do të vazhdonin të luftonin kundër luftëtarit rebel, deri në vdekjen e tij në 1468. Vetëm atëherë ata mundën të pushtonin vendin e tij. Nëse kjo tingëllon si një histori epike hollivudiane, DioGuardi është në të njëjtën mendje. “Është si “Braveheart”, - thotë DioGuardi. “Është një histori mbi lirinë, të cilën amerikanët kanë nevojë ta dëgjojnë. Kjo është arsyeja pse ne kemi një film në zhvillim”, - tregon ish-kongresmeni, që jo rrallë herë e tregon historinë e heroit të shqiptarëve nëpër tavolina me ish-kolegët e tij të Kongresit. Por kësaj here, duket se nuk do të mbetet vetëm në rrëfime tavolinash, por pretendon të arrijë Hollivudin. Ai i rrëfen gazetarit të “The New York Observer”, se është një nismë tejet serioze, për të cilën po punohet prej muajsh. Po punohet për mbledhje fondesh, ndërsa skenari është në proces. Në të tregohet historia e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, një i krishterë i lindur dhe i islamizuar me forcë. I marrë peng qysh fëmijë në oborret e sulltanit, ai u quajt Skënderbe (si Aleksandri i Madh) dhe u bë oficer në ushtrinë otomane (armenëve penën, shqiptarëve shpatën, është një shprehje turke). Me vdekjen e të atit, me një grup ushtarësh ai kthehet në atdhe, ku qëndroi deri sa vdiq. “Nuk ka asnjë dyshim në mendjen time”, - thotë DioGuardi. “Kjo histori është paralelja e “Braveheart”. Të gjithë elementët janë këtu dhe unë do t’i tregoj Amerikës fytyrën e vërtetë të popullit shqiptar. Ne nuk kemi ende një skenar të përfunduar, por ne kemi koncept në letër tashmë, nga një skenarist i ri i mrekullueshëm. Unë i dërgova atij një libër dhe ai tërhoq aq shumë prej tij, saqë kaloi 8 muaj duke studiuar karakteret. Ai zhvillohet mes viteve 1440-1455, kur Skënderbeu kishte edhe zgjimin e tij”, - thotë DioGuardi. “Koncepti tashmë i ka kaluar 11 faqe. Një skenar ka nevojë për më shumë përpunim dhe unë jam duke u përpjekur për ta financuar këtë nëpërmjet fondacionit. Kjo ka qenë një ëndërr shqiptare për vite me radhë dhe duhet të realizohet nga producentët më të mirë të Hollivudit. Nëse ke një skenar që është me të vërtetë profesional, me një histori të tillë, nëse e realizoni në një studio të Hollivudit, ai do të financohet pothuajse automatikisht. Unë nuk jam duke e bërë këtë për vete. Është për shqiptarët kudo që janë”, - thotë ai. Dhe shpresat e DioGuardit nuk janë pa baza. Një prodhim i përbashkët sovjeto-shqiptar i kësaj historie është bërë në vitin 1953 dhe një version jugosllav u shfaq në 1968. Po kush duhet të luajë Skënderbeun? “Nëse do të ishte i ri, unë do të merrja Sean Connery-n”, - tha DioGuardi. “Aktori tjetër do të duhej të ishte patjetër Russell Croëe. Performanca e tij tek “Gladiatori” ishte e jashtëzakonshme”. E teksa përmend këta emra gjigandësh, duket gati e pabesueshme, por ish-kongresmeni është tepër serioz në këtë çështje. Rrënjët e tij shqiptare janë ende tepër të forta dhe ai është i gatshëm ta tregojë këtë në çdo rast kur flitet për shqiptarët. “Babai im, Joseph Sr, ka emigruar në Amerikë nga Katundi, një fshat arbëresh në Italik, i njohur edhe si Greci, në vitin 1929, në moshën 15-vjeçare. Familja e tij rrjedh nga një prej dy mijë ushtarëve të Skënderbeut, të vendosur shekuj më parë në Katund dhe kjo është një kujtesë se fara e Skënderbeut vazhdon ende të përhapet në të gjithë botën”, - është shprehur DioGuardi. Mes tyre është edhe e bija, Kara DioGuardi, një kantautore e suksesshme, një nga anëtarët e jurisë së “American Idol”.