Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Lushi: Heshtje varri i një institucioni

| E merkure, 28.07.2010, 09:57 PM |


HESHTJE VARRI I NJË INSTITUCIONI

 

Nga Fadil LUSHI

 

       Të nderuar lexonjës të vemendshëm dhe të paanshëm.  Kësaj radhe do më duhet që këtë shkrim ta personalizoj pak. Ditë më parë, Nijati, ky nipi im, duke ma përgëzuar opinionin gazetaresk dedikuar Albin Kurtit, më tha: “Dajo, pse asnjë institucion kosovar nuk shkroi së paku një shkrim për lajmin e vdekjes së Bekim Fehmiut?!” Kjo pyetje më vuri në siklet e në dyshim! Fillimisht u dërdëllisa me vetveten, duke menduar se, o nipi nuk i ka lexuar me vëmendje shkrimet, o unë gabimisht e pranova pyetjen e tij për këtë ndodhi. Ndonëse nuk jam njeri i “xhevapit”, atë “xhevap” e ndava më dysh, me qëllim që të heq dyshimin e tij. Fillimisht mendova se e kishte llafin për institucionin e gazetarisë, qoftë ajo në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Maqedoni e diasporë. Me sa hetova, ai kishte aluduar në adresën e institucioneve politike të Prishtinës. Është gjynah të thuash se gazetat shqip nuk kishin shkruar gjë për këtë mesele. Shkruajtën edhe ato të Serbisë e të Vojvodinës, madje këto të fundit shkruajtën diç më tepër se këto tonat!? Mediumet e shkruara dhe ato vizive të Beogradit lajmin për vdekjen e Bekim Fehmiut e ndërlidhën edhe me institucionin e presidentit të shtetit, respektivisht iu referuan emrit të Boris Tadiqit! Për çfarë shkaku e bënë këtë nuk e di, por e di se Radio televizioni serb, duke ua “vjedhur lajmin” mediave shqiptare, ashtu shpejt e shpejt, thjesht e shtrembëroi këtë haber, ku pos tjerash tha: “Danas u Beogradu, preminuo “NASH” veliki gllumac, Bekim Fehmiu”!? Këtë fjali do e lë për paragrafin e fundit. Për Bekimin, shkruajtën e llafosën, miqtë e tij, për të shkruajtën edhe bashkëkohanikët e tij nga Tirana, Shkupi dhe Beogradi. Shkroi edhe një prishtinas, i cili në shkrimin e tij mëtoi të thotë se Bekim Fehmiu, ishte yni, ishte simboli ynë, ishte kampioni i të bërit aktrim shqip.

    Të nderuar lexonjës, nëse më lejohet, unë veprimtarinë artistike të Bekimit do e llafos në kohën e kaluar dhe të tashme. Rruga aktruese e Bekim Fehmiut, lëre që ishte profesionale, e lavdishme, torturuese, rraskapitëse, konfliktuale..., po ishte po aq dhe anashkaluese!? Anashkaluese, sepse dikur fort pak e kishte mbështetjen e institucioneve filmore prishtinase. Të gjithë ne që e njohëm Bekimin, duhet të themi se ai është gëzimi ynë, por edhe pikëllimi ynë, është ndërgjegjja jonë, por është edhe harresa dhe heshtja jonë INSTITUCIONALE - një heshtje që fsheh dhe shtrembëron imazhin dhe identitetin artistik dhe kombëtar të Bekim Fehmiut, një SUI GENERIS, që veproi përtej universit shqiptar. Njeriu që me punën dhe takatin e tij intelektual e bekoi Shqiptarinë. Njeriu i cili u “birësua”, u përbuz dhe u “lavdërua” nga Beogradi, u harrua nga politika zyrtare e Prishtinës, u kujtua nga shkupjanët dhe në instancë të fundit (pjesërisht) u hesht nga Tirana!?

     “Vetëvrasja e tij” është vetëvrasja e institucioneve tona, në veçanti ato prishtinase, “vetëvrasja e tij” është vetëvrasja e mbamendjes sonë (dhashtë zoti që kjo mbamendje jona, të jetë selektive dhe jokolektive), “vetëvrasja e tij” është vetëvrasja e ndërgjegjes sonë, ikja e tij nga ne, është ikje jona nga e vërteta, ikja e tij është edhe një indiferencë e jona e rradhës..,xpse jo edhe një katandisje jona. Dhe, sot institucionet kulturore dhe politike që duhet t’u dalin në mbrojtje figurave tona të ndritura, veçanërisht të atyre që jetuan dhe vepruan përtej anit, nuk kanë të drejtë që ta heshtin heshtjen! Kjo heshtje institucionale e tyre të krijon përshtypjen a dyshimin lidhur me të vërtetën e Bekim Fehmiut! Ç’është kjo heshje varri e institucioneve të Prishtinës?! Vallë pas kësaj heshtje fshihet idioti që pandeh të sajojë gjëra të paqena, apo gënjeshtra, apo mos mëton të thotë se në Beograd, një “gjysëmshqiptar” vrau veten!?, apo mos vallë, ky idiot, më vonë të gjithë këto të paqena do ia faturojë biografisë së Kampionit të kinematografisë shqiptare! Shih për këtë shkak, njerëzit që paguhen të udhëheqin institucionet sidomos ato kulturore, nuk kanë të drejtë, që në emër të një pseudopatriotizmi, pseudohistorie dhe një pseudogjeografie politike provinciale (shqiptare) ta heshtin lajmin për vdekjen e Bekimit, nuk kanë të drejtë të merren me gjepura, nuk kanë të drejtë të thonë se Bekimi na paskësh jetuar jashtë Kosovës!?..., se Bekimi paska bërë fare pak për kinematografinë kosovare, se Bekimi, paska jetuar në Beograd, tok me sharrëxhinjtë shqiptarë, se Bekimi nuk e paska parë të udhës të kthehet në Prishtinë, se Bekimi që bekoi filmin shqiptar, paska identitet me shumë alter-nime!??, apo identiteti i tij paska qenë “një kombinim gjenetik”... Çfarë idiotësie dhe, dhe, dhe... Kur ta dëgjosh këtë mut fjali nga njeriu me imagjinatë trilluese, hë, mos luaj nga vendi, ti i nderuar lexues. Nëse kjo sështë e vërtetë, gjë që edhe kurrën e kurrës nuk mund të jetë e vërtetë, atëherë pse edhe një zyrtar i vetëm kosovar, respektivisht një shtrembërues i historisë së Bekimit, nuk gjeti guximin të marr pjesë në ceremoninë mortore të mbajtur në Beograd, dedikuar identitetit të denigruar të aktorit tonë të madh. Apo mos vallë, për “zotëriun” ndoshta më i rëndësishëm ishte “Botërori afrikan, penalltitë e akorduar nga gjyqtarët me tarafe, apo edhe vuvuzelat që nuk kanë të ndalur”!? Dhe toptan zyrtarët, nuk siguruan as një të vetme provë, karshi mungesës së tyre në ceremoninë në fjalë. Kështu është higjiena mentale e “burrave politik shqiptarë” të cilëve kur u shteren llafet e arsyes, kapin shpatat për të ia hequr kokën njëri-tjetri. 

     Nëse tekanjozët dhe shtrembëruesit e së vërtetës, duan të mësojmë diç më tepër për identitetin artistik të Bekimit, duhet ta pyesin arkivistin e kinematografisë italiane, atë arkivistin amerikan, evropian po pse jo edhe atë maqedon. Nëse duan të mësojmë diç më tepër për vlerat artistike të Bekimit, duhet të trokasim në dyert e institucionit të festivalit prestigjioz të Kan-it, dhe jo në dyert e diletantizmit dhe paragjykimit, nëse duan të mësojnë diç më shumë për vetëdijen e tij kombëtare, le të trokasin në dyert e gjenealogjisë së familjes së tij, e jo në dyert e “hamamit të...”

   Heshtja dhe shtrembërimi i historive të figurave markante shqiptare, nuk fillon dhe as përfundon me Bekim Fehmiun. Këtë heshtje dhe këtë shtrembërim ndoshta ne shqiptarët e kemi në gen. Kush më thotë se, disa shqiptarë nuk mëtuan të ndërtojnë qëndrime të gabueshme dhe madje madje edhe të rrezikshme ndaj figurës së Nënës së përbotshme-Tereze, të cilës ia vunë në dyshim identitetin e saj kombëtar, duke llomotit apo duke thënë se, ç’bëri ajo, për shqiptarët dhe Shqipërinë? Do i ngjesin “bishtin” asaj humanistes e cila “u arratis” në Kallkutën e skamnorëve, ajo e cila gjithmonë thoshte se krejt këtë e bëj në emër të vendlindjes, në emër të njerëzimit dhe, në emër dhe vetëm në emër të Zotit.

    Edhe figura e një shqiptari të madh siç është ai i Faik Konicës, o do shtrembërohet, o do të heshtet, o do pezullohet vite me radhë nga ana e një diktatori, do lakohet edhe e vërteta e Lahutës së Malcisë të Gjergj Fishtës, po nga i njëjti diktator. Edhe historia e kombëtarit me “alternime” Skenderbeut,(strategu dhe njëkohësisht edhe i zhgënjyeri  dhe i inatosuri i sulltanit dhe Perandorisë otomane)  nuk do të kursehet nga shtrembërimet..,ca do ia lakojnë identitetin kombëtar, ca  do ia kontestojnë fenë, ca do e heshtin!?

    Unë, të nderuar lexues të vëmendshëm dhe të paanshëm që ju bezdisa me llafe, në krahasim me ca zyrtarë të.., të cilëve u është kallkanosur mbamendja, mbaj mend, kur në vitin 1964 Bekim Fehmiu, pat ardhur në Tetovë, aty pari te Xhamia e Larme, për të aktruar rolin kryesor (të një shqiptari) në filmin “Pod isto nebo”-Nën qiell të njëjtë. Mbaj mend edhe plisin e bardhë, të cilin axha Nafi, babai i doktor Nehatit ia huazoi që ta përdorë në filmin në fjalë. Eh, sa i kishte hije plisi, eh sa i pashëm që ishte. Kur Bekimi pa Prishtinën, Prizrenin, Shqipërinë, Evropën dhe Amerikën, dikush i shkonte pas bollicës dhe cjapit.

   Moralistët thonë se është njerëzore nga ndonjëherë njeriu të harroj, por ama është amorale të heshtësh dhe të shtrembërosh një të vërtetë. A mos ka dëshmitar të dëshmoj prezancën e Boris Tadiqit në ceremoninë mortore të të madhit Bekim Fehmiu!?, si dhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd.