Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shahbaze Vishaj: Poezia e Balajt, pikturë e gjallë

| E diele, 25.07.2010, 02:44 PM |


Shkruan: Shahbaze VISHAJ

 

POEZIA E BALAJT, PIKTURË E GJALLË

 

Islam Balaj, tashmë emër i veçuar në krijimtari, letërsisë për fëmijë i ka dhuruar shumë vepra. Ndër librat (veprat) e tij po përmendim poemat: Andi shikon në gjithësi, Andi zhytës i thellësive; romanin: Aventurat e Andit nën ujë; Vëllimet me vjersha për fëmijë: Dimri në pranverë, Zemra është zemër, Lulet bëjnë gjimnastikë etj.

Gëlltit lotin dhe përmallshëm /

vizaton dy zemra në xham /

dhe zë e flet me vete dhimbshëm /

k’to dy zemra i kam xhan!!! 

Shkëputem këto vargje nga poezia: Zemër në dritare, titull ky, të cilin e mban vëllimi poetik: Zemër në dritare, i poetit Islam Balaj, i cili në te ka përmbledhur 70 poezi të ndara në 4 cikle. Ky vëllim vjershash shquhet jo vetëm nga vlerat poetike, por edhe nga gjerësia, larushia e motiveve dhe temave që trajton. Ato, kryesisht janë nga bota që i rrethon fëmijët. Nga jeta e tyre në familje dhe jashtë saj, nga loja, imagjinata, shkolla etj. Libri nis me poezinë: IM ATË dhe ime MË. Ja vargjet e para të saj: Im atë dhe ime më /që ikën si zogj e s u kthyen më/ I vogël kur isha dhe rroja si në ëndërr / më thërrasin Yll e më thërrasin Engjëll. Këto vargje trokasin në zemrën e çdo lexuesi, se dashuria për prindërit dhe anasjelltas është e pafundme. Poezitë e ciklit të parë: Flokët e pemëve- janë shumë të bukura. Ato, te lexuesi sjellin ëndrrat e luleve, pyetjet për fëmijët, kujtimet që shkruan zogu, për Urën e Ibrit, ku autori shprehet qartë se çdo pëllëmbë e atdheut është dashuri e paskajshme si për të rritur ashtu edhe për fëmijë. Vargjet në vijim  vejnë në pah brengën e madhe të Balajt si: Çka që Ura rri e heshtur/ rri e shtangur e bërë vrer? Ah, ka vite/ këmbë fëmijë/ mbi kurriz ajo s’ ka ndjerë. Më tej poeti shkruan për flokët e pemëve, mallin për nënën, pikëllimin  e fjalëve, të cilin po e japim me disa nga vargjet e poetizuara: Fjalët ndodh  dhe me lot t’ qajnë/ në zemër fëmijët po të lëndohen/ me ne fatin  bashkë e ndajnë/ kur ne vuajmë ato pikëllohen. Vargjet kanë lirizëm poetik dhe mendimi është i veshur me figura artistike. Cikli i dytë: Letër nga një zemër, përmbledh poezitë, vargjet e të cilave flasin për Lulen e mërzitur, magjitë e natës, fëmijët në azil, këpucët e hënës, gjyshin e zogut, për lulet flasin me buzëqeshje etj. Në poezinë: Lulja e mërzitur, autori përshkruan  natyrën në stinën e vjeshtës me një pamje të veçantë. Ai, lexuesit- fëmijët i bën që ardhjen e kësaj stine, ata ta vërejnë me kujdes, më ndjenjë e në mënyrë estetike: Pemët krahët kanë përvjelur/ E shiu këmbëzbathur lodron nëpër fushë/ Diellin/ vjeshta e ka veshur/  N’pyll të reve nën gëmushë. Ndërkaq poezia: Letër nga një zemër, shkruar në varg të matur, sjell të lexuesi dashurinë, mallin që kemi për familjarët tanë, të cilët i kemi larg atdheut, ku këto poeti i shpreh në mënyrë artistike si: S’di pse sonte letra m erdhi/ me krahë ere krejt pa pritë/ Erdh dhe n zemër mall më derdhi/ Më trokiti ëmbël n shpirt. Poezia: Gjyshi i zogut pse s’mban syze, sjell një numër të pseve, e siç e dimë pseja është çelës i botës  për fëmijët, sidomos kur ato vërshojnë nga ata janë një lumë i tërë, të cilat në vargjet e formës së pyetjeve, sjellin humor të dëshirueshëm dhe ndërtohen në formën e dialogut, ku shfaqet një bashkëbisedim i këndshëm në mes personazheve si: Gjyshi i zogut pse s’mban syze? Ç’dritë shikimin ia mprehë? Kur lexon gazetë e libër/ shkronjat si i sheh? Autori përgjigjet se: S’dimë po gjyshi s’di a e dini/ i sheh zemra/ si sheh syri...! Vargjet me humor të mirëfilltë në letërsinë tonë janë edukim i mirë për brezat që vijnë.

 

MJESHTRIA E VARGUT DHE CILËSIA ARTISTIKE

 

Veçori e krijimeve të Islam Balajt, është cilësia artistike. Poeti është mjeshtër i hollë i thurjes së vargut. Ai është i matur, me ritëm, rimë dhe ka muzikalitet. Rimat janë të zgjedhura me kujdes. Ato tingëllojnë bukur në motivet e trajtuara. Autori siç i ka temat e larmishme ashtu i ka të larmishme dhe strofat, ku janë thurur vargjet. Zakonisht është përdorur katrena (katërvargëshi), distiku (dyvargëshi) dhe më rrallë sestina (gjashtëvargëshi). Poezitë e ciklit të fundit: Në qiellin syve tu, shpalosin të lexuesi vargjet për albumin me foto, xixëllonjën, macen, hënën mbi kodrinë, gishtërinjtë e dorës, ku poeti vargëzon: Dhe vërtet të gjithë u binden/ se t’ përçarë nuk rrohet dot/ ndaj dhe gishtat më s’u grinden/ por si vëllezër rrojtën tok...! Më tej Balaj poetizon për Yllin xheloz, gjurmët nëpër borë, Arushën e Madhe, ku shprehet: Arusha e Madhe nga pylli i natës/ pa shihni si del/ mbrëmje për mbrëmje/ si nuse me vel! Vlen të theksohet se i tërë vëllimi është i pasur me ide. Në të dominon dashuria për fëmijët, botën e tyre, ndaj po japim disa nga mendimet e krijuesve për veprimtarinë e tij poetike.

Dritëro AGOLLI: Islam Balaj, poet brilant për të vegjlit dhe të rinjtë, por edhe për ne të lashtit.

Odhise GRILLO: Vepra e Islam Balajt të befason. Ajo tregon se me talent, punë e kërkesa të larta mund të ulesh në sofrën e përbashkët të letërsisë sonë për fëmijë dhe të “ hash” e të krijosh përkrahë autorëve më në zë të saj.

Agim DEVA: Poezia e Balajt, është një pikturë e gjallë plot sharm e kolor, ku çdo pjesë përbërëse e saj është në një lëvizje plot gjallëri dhe tërë kjo dinamikë bën që, megjithatë, kjo mrekulli metaforash e figurash të tjera dinjitoze të jenë në harmoni të plotë në mes vete, sikur duan ta ndihmojnë e ta ngrenë lart njëra- tjetrën poetikisht.

Gani XHAFOLLI: Vargjet e këtij artisti i përshkon një bukuri e rrallë. Një bukuri me shumë ngjyra dhe me një ritëm muzike mahnitëse. Gjen metafora të forta dhe çdo varg e përjeton dhe e tëhollon me në vokacion dhe mjeshtri artistike.

 

 

 

 

Shkruan: Shahbaze VISHAJ

 

LIRIKA MODERNE E MËRGIMTARIT

 

Isuf Grajçevci, krijues, tashmë pas librit të parë: Hapat e tu në mote, ka dal para lexuesit edhe me librin e dytë poetik: Gjurmë mërgimtari, ku ka sistemuar 48 krijime poetike, të  ndara në ciklet: Gjurmë mërgimtari; Aromë jete; Hapëronim për në shtegun e dritës dhe Ëndërr e pafjetur. Këtyre cikleve u prinë 3 krijime si: Dita në Kalendarin tim të jetës; Aty, ku uji e detit je Ti dhe Shtegu i Lirisë, të cilat  tok  me vargjet e thurura bashkudhëtojnë në jetën dhe synimin e autorit. Vëllimi poetik nis me krijimin: DITA NË KALENDARIN TIM TË JETËS,  ku autori në mënyrë të veçantë shpreh pritjen shekullore, gëzimin e  tij dhe të popullit, për Ditën e Veçantë në Kalendarin e Jetës. Pra,  e Diela  e 17 Shkurtit e Vitit 2008. Në gjithë vëllimin poetik, vështrohen për studiues bota  brendshme e poetit, lirika intime-  dashurisë, lidhja e ngushtë e poetit me atdheun- Kosovën, me familjarët (njerëzit e tij), me kujtimet e fëmijërisë, më shumëçka që ka rrethuar e rrethon jetën e poetit, deri në vitet e mërgimit të tij në Amerikë dhe gjurmët e mallin për gjithë atë që frymon lirshëm në tokën amë dhe që ka aromën e vendlindjes. Pra, shumë nga lirikat e këtij poeti tregojnë lidhjen e tij të vazhdueshme me vendin ku u lind, u rrit dhe me atë qiell ku së pari thithi ajrin e tokës mëmë, dhe më pas mësoi të thurë vargun e bukur poetik, si: Dhimbshëm/ pikon trishtimi i lotit/ në dyert tua Kullë e vjetër/ kohë e trishtë të kafshoi/ e rrjeta përreth të mbushi merimanga...( Pikon trishtimi i lotit). Poezitë e këtij vëllimi poetik, me tema të larmishme, nuk e lënë të qetë shpirtin e autorit, ndaj dhe ai me përkushtim poetizon për shqetësimet, kohën në të cilën po jetojmë, fatin e nëpërkëmbur të popullit tonë, mërgimin e shumë shqiptarëve, e në veçanti atë personal, i cili përmes shumë lirikave shpalos gjithë preokupimet e tij, si: Sa lot derdha për Ty/ kënga ime/ qiellin e bëra lotore ngashërimi/ po shpresën se humba dot/ se një ditë do ta këndojmë gjithandej mëmëdheut...(Jehonë e saj). Siç kuptojmë, shumë nga këto lirika të librit,me mendime të thella, sjellin shpresën se shtigjet e ardhmërisë- jetës, nuk janë të mbyllura, dhe pse dallgët e jetës kanë rrugë të vështira e të ndryshme, optimizmi fuqishëm spikat në shpirtin e poetit edhe kur kthetrat e armiqve na prangosën shumë herë, ndaj dhe Isuf Grajçevci poetizon:

Lë të dëgjohet zëri yt/ kënga ime/ rrugë të gjatë kemi bërë bashkë/

edhe atëherë kur të këndova pa fjalë/ kur më kërcënuan edhe pse heshta...(Zëri yt).

 

UDHËTAR ME DHEMBJE E SHPRESË

 

Një vend të veçantë në këtë vëllim kanë poezitë me temë nga ekzili, të cilat shpalosin te lexuesi fatin e shumë shqiptarëve, fat ky që e ndoqi edhe poetin I: Grajçevci. Të tilla janë vjershat: Gjurmë mërgimtari, Në krahët e tij, Udhëtari, Trishtim kohe, etj, vjersha këto lirikat e të cilave bindshëm paraqesin dashurinë për atdheun, mallin e zjarrtë për çdo gjë të vendlindjes, baticat dhe zbaticat e jetës, ëndrrat për një jetë me shpresë dhe dashuri, pa hijen e zezë dhe krrokatjën e korbave siç poetizon autori:

Udhëtar i uritur/ bredhë bulevardeve tua/ aty vetëm një yll/

më fal shpresë dhe dashuri/ vargu i fshehur ndjen dhembje, e zemërimi shpërthen brenda kraharorit/ këtë natë/ etja për Ty/ më ka plakur shumë . (Udhëtari). Ndërkaq poezia: Gjurmë mërgimtari, titull ky që e mban dhe vëllimi poetik, përcjell të lexuesi fatin  dhe peshën e rëndë të kohëve që poeti bart mbi supe, siç shprehet:

Gjurmët e mërgimtarit / i lexova në rrugët e metropoleve tua Evropë e Moçme/

Ato / i qava prajshëm/ në këtë natë tetori/

loti e kënga u bashkuan në buzë/ e gjurmët e mërgimtarit vazhduan pa mbarim... Botën intime të poetit, e shpalosin një numër poezish, lirikat e të cilave, kundruall vetmisë, ndjekin shtegun e lirisë, shtegun e takimit me bashkëbisedues etj. Ja vargjet në vazhdim:

Eja/ hiqe plagën e shpirtit tim/ ky acar dhjetori/ po ma hedh dashurinë/

andej e këtej Oqeani/ degë e saj nuk dua të thyhet/ le të bulojë sikur pranvera...(Eja). Më tej lirikat: Të dua Mbretëreshë e zemrës. Edhe pse larg teje/ më agon dita, e err nata/

në damarët e mi/ rrjedh gjaku yt, te poezia (O ime amë), japin mesazh të qartë për dashurinë ndaj nënës edhe kur nuk është në jetë. Një cikël tjetër vjershash, sjellin të lexuesi  lirikat moderne për hartën e zemrës, mbylljen e plagës së shekullit, ëndrrat e shiut, pikëllimin e luleve, ëndrrën e pafjetur,rrezet e lirisë, litarët e shirave, syrin e përlotur, ku poeti vargëzon: Në qytetin tim/ çdo ditë/ sa duar zgjatën për lëmoshë/ sy të përlotur e këmbëzbathur/ që vrasin çdo çast jetën...lirika këto që vërtet therin çdo zemër lexuesi, e që fuqishëm trokasin në ndërgjegjen e atyre që qeverisin vendin. Vlen të theksohet se sipas redaktorit dhe studiuesit P. Buzhala, në këtë vëllim poetik: Gjurmë mërgimtari, frymojnë lirikat për amësimin e lirisë, lirikat që ligjërojnë për dashurinë dhe që bashkudhëtojnë me këngën. Dhe në fund, libri ka vlerën e duhur  ideoartistike që tërheq vëmendjen e lexuesit.