| E diele, 25.07.2010, 02:53 PM |
Gjergj Zheji: Kjo është vepra
Nga Aurel Plasari
Në paravolitë moralizuese heroi, i mbërritur në pleqëri, si ka kryer një numër "mrekullish" duke e kurorëzuar jetën e vet me punë të frytshme, kryqëzon krahët dhe e pret vdekjen qetë-qetë: si çlirim të bekuar ardhur së lartësh, si shkepje të shpirtit nga ajo "mbështjellë e mortme" e lodhur për së tepërmi, siç e na e ka quajtur Shekspiri. Atëherë vdekja e bjer kuptimin e frikshëm. Është si ëndërr e merituar mbas një pune të rëndë. Nuk e keni vënë re se sa të paqme dhe të kthjellëta janë fytyrat e pleqve të shtirë në arka? Të tillë e pamë, së toku me miq, fytyrën e Gjergj Zhejit gjatë ceremonisë mortore për të. Vetëm se më duket që, këtu e dyzet ditë të shkuara, nuk na lejonte bestytnia jonë të kujtonim aventurën e "kapitenit Stormfild" me "fluturimin në parajsë", me 5 dollarët e tij, 25 centët etj.
Masa më e mirë për punën e një njeriu është dispozita me të cilën ai e kryen punën e vet, mendonte filozofi Benedeto Kroçe, që dinte të shihte bukur mirë në shpirtin njerëzor. Këtë kriter, që e kemi pas diskutuar kushedi sa herë me përkthyesin e Kroçes, pikërisht Gjergj Zhejin, do të na duhej ta kujtonim atë ditë kur punëtorit të madh të letrave shqipe vdekja ia përmbylli karrierën. Nëse një njeri e kryen punën gjithnjë duke rënkuar si skllav nën goditje kërbaçi, nëse i mungon një lidhje dashurie me veprën e vet, nuk do t'ia mbërrijë asnjëherë të luajë rol të ndjeshëm në jetën sociale, posaçërisht atë kulturore, të atdheut të tij. Kriteri i filozofit italian ka vlerë të veçantë - sadokudo të nënkuptuar - për situatat nën diktaturë: fashiste qoftë ajo, si në rastin e vetë Kroçes, ose komuniste, si në rastin e Gjergj Zhejit. Edhe më shumë, atëherë, dispozita me të cilën u vihet dikush punëve ka ndikim të jashtëzakonshëm në rezultatet që ai arrin. Në kulturën bashkëkohore shqiptare Gjergj Zhejin do ta quaj, pa ngurrim, njërin nga përmbushësit e padiskutueshëm të këtij kriteri. Ajo çfarë bën dikush është pjesë e personalitetit të vet: kështu ndodhi me Gjergj Zhejin dhe punën e tij. Duke parë atë që ka bërë dikush ne shohim atë vetë: kështu do të fillojmë ta shohim tanimë Gjergj Zhejin nëpërmjet veprës që ai kreu.
Ja ku po ia rindërtoj punën e tij si model të një vepre të shumëfishtë, që mund ta shoqërojë njeriun shqiptar prej fëmijërisë së hershme, kur vjen "ndër mend e shqisa", deri në ditët e fundit të pleqërisë.
Jemi fëmijë dhe shkrimtari ynë Gjergj Zheji na josh, na hamgjit me librat që na dhuron: novela-përrallë Pupagjeli dhe shokët e tij, përrallat në vargje Tenxherja magjike dhe Çupa e trëndafilave, përmbledhja Tregime të zgjedhura për fëmijë, mandej përkthimet prej dore së tij, ndër të parat Aventurat e Çipolinos nga Xhani Rodari dhe Rrugaçët e vegjël po nga ai, Fabulat e Krillovit, Majmuni dhe syzet po të tij, përmbledhja me përralla nga popuj të ndryshëm Pesë budallenjtë, Përralla e Car Sulltanit e Pushkinit, përrallëza kineze Sixhadeja magjike, krejt veçan një libërth që nuk harrohet lehtë: Kur isha e vogël nga Vera Inber, Libri i xhunglës i Kiplingut, Baloja i Xhek Londonit, kështu me radhë.
Shkojmë në shkollë dhe në çantat nuk na mungojnë: në fillim Leximi letrar (antologjia) për klasën VI, mandej ai për klasën VII, për klasën VIII etj. Deri në vitet '90 ato "lexime letrare" dhe antologji Gjergj Zheji i pasuroi e i përditësoi athua se u detyrohej përjetësisht nxënësve të tij. Them "nxënësve të tij", ngaqë si mësues, në të ritë e vet, duhet të ketë pasur me qindra - ndoshta me mijëra - nxënës në shkollat ndryshme dhe qytetet e ndryshme të Shqipërisë ku shërbeu. Ku janë sot? E kujtojnë vallë mësuesin e dikurshëm të letërsisë? Le të më lejohet që ta kujtoj unë për ta në këta rreshta. Dhe, meqë nuk e pata fatin të qëlloja nxënës i mësuesit, të shtoj edhe përkthimet e tij pikërisht për atë moshë: të famshmet Aventurat e Hakëlberri Finit nga Mark Tueini, tregimet zbavitëse të përmbledhjes 60 milje në orë nga Uiljam Sarojani, Njeriu i padukshëm nga Herbert Uellsi, i përkthyer së toku me të vëllain, Petron etj.
Jemi të rinj dhe përsëri ia kalojmë nëpër duar vëllimet me tregime e novela: Ngjarje në Çajup, Bie zilja, Tregimet e Krujës, sikurse kureshtja na shtyn te romanet e tij: nga Muret e Krujës te Kullat, nga Rusha - sidomos Rusha - te Mjellma, deri te përkthimet e tjera, si Qielli i Balltikut i Çukovskit, Mysafiri i natës i Nagibinit etj.
Na duhet të formohemi në dijet profesionale dhe ja: nuk bëjmë dot pa atë libër dore të titulluar thjesht Fjalorth termash letrarë përshtatur prej tij, pa studimet Vëzhgime metrike, Vargu i këngëve të kreshnikëve, Bazat e vargëzimit shqiptar, pa përmbledhjen kritike Artisti dhe jeta, pa monografinë nismëtare Andon Zako Çajupi, deri tek ajo dispensë tanimë e rrallë (me bashkautor Vehbi Balën) Hyrje në shkencën e letërsisë.
Burrërohemi dhe përsëri Gjergj Zheji nuk na lë vetëm, sepse na bien në duar autorë të mëdhenj botërorë të sjellë në shqipe dhe ne lexojmë Ibsenin e tij (Per Gynt, Shtëpi kukulle, Rosa e egër), Cvajgun e tij (Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje, Vaterloja), Çehovin e tij (Shkrepsja suedeze dhe novela të tjera), novela ose tregime nga Adrian Konan Dojl, Hejnrih Man, Xhejms Olldrixh, deri te Jonesko i tij (Rinoqeronti) etj.
Do të jemi pleq dhe do të na marrë malli prustian i rileximit dhe atëherë, krahas leximeve të reja, do t'u kthejmë librave të njëhershëm të çunakërisë: nga njëra anë Hakëlberri Fini, kurse nga tjetra Shkrimet filozofike të Benedeto Kroçes; këndej Kiplingu me Librin e xhunglës, andej Platoni me Republikën, përkthyer gjithnjë nga Gjergj Zheji.
Kështu na vërtetoi Gjergj Zheji se me të gjitha këto punë, jo vetëm në njëzetvjetëshin e lirisë, por edhe nën diktaturën nuk punoi me gjysmë zemre: punoi me respekt të plotë për veten. Kemi të drejtë të mendojmë që nën diktaturë ai të mos ishte i kënaqur me veten, - nuk mund të jesh i kënaqur me veten nëse nuk jep çfarë mund të japësh, - por kjo nuk e bëri të punojë duke e trajtuar punën si barrë, si mundim të papëlqyeshëm. Me këtë shndërrim të punës në art ai ra në sy mes shumë punëtorësh të fushave tona, që nuk e patën respektin e punës, që e panë atë vetëm si nevojë të pakëndshme, për të nxjerrë soje "bukën e përditshme", si lodhje së cilës nuk mund t'i shmangeshin, në vend që ta shihnin siç e pa Gjergj Zheji: si krijuesen e njeriut dhe si shkollën e lartë të jetës. Cilatdo të ishin rrethanat Gjergj Zheji e trajtoi çdo punë që bëri me respekt dhe dashuri: trajtimi i kundërt është ai që shpie për teposhtë shumëkënd në fushat tona. Histori letërsie, teori letërsie, kritikë letrare, metrikë, folkloristikë, krijimtari, përkthim: të gjitha ishin për të me interes dhe, njëherësh, sprovim e mësim.
Kështu e shndërroi Gjergj Zheji çdo punë në art dhe u bë "artist i punës", d.m.th. vuri në çdo punë diçka nga personaliteti i vet, me gëzimin dhe harenë e një artisti. Ngjan sikur mjaftuan dyzet ditë nga ikja e tij për ta përkapur mësimin që na paskësh lënë: po t'i afrohesh punës si artist dhe jo si zanatçi, po të jesh i vendosur të vësh tek ajo tërë zellin tënd, atëherë nuk do të të duket barrë e rëndë dhe/ose poshtëruese çdo punë që bën. Asnjë punë nuk është pa dinjitet, na mësoi Gjergj Zheji, përveç asaj që kryhet pa gëzim, pa hare. Kush nuk ka mësuar artin e punës si ai, po shtoj, nuk ka hedhur as hapin e parë drejt lumturisë. Fisnikëria e punës varet vetëm nga shpirti me të cilin asaj i qasemi: ashtu iu qas punës zotëria e tij. Dhe arti i punës është ndoshta i vetmi art që mund ta mësojë kushdo: prandaj i ngjan aq shumë asaj që e emërtojmë "fe".
E quaj fat që kam pasë bërë të njohur me të këtu e gati dyzet vjet të shkuar, kur sapo filloja të botoja përkthime, - përkthime u thënçin atyre të asaj moshe, - por sidomos që kam gëzuar miqësinë e tij për gati njëzet vjet të tjerë, nga 1990 e këndej. Numëroj me mend mësimet vetjake që kam nxjerrë nga bashkëpunimi i afërt me të në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ku qemë ftuar të dy pakashumë në të njëjtën kohë (1992): punën e pakursim që kreu për modernizmin e lëndës së "folklorit", për tekstin e ri Hyrje në folklor (1995), për librin e dorës Hyrje në folkloristikë (1997), për botimin e ri universitar Folklori shqiptar (2000) etj. Kujtoj, të gërshetuar, pasionin dhe profesionalizmin gjatë punës për antologjinë e letërsisë bashkëkohore shqiptare Maja e çelur (1994), - e para antologji "e hapur" e pakapërcyer ende sot, - së cilës i isha redaktor. Isha redaktor edhe i botimit të plotë prej tij të Fjalorit të terminologjisë së letërsisë (2000), ende i vetmi i llojit të tillë në letrat shqipe, ndërsa mbaj mend ngulmimin e autorit për të ballafaquar termat jo vetëm me rusishten e dikurshme, të detyruar, por tanimë me frëngjishten, me italishten, me anglishten etj.: gati dhjetë vite punë. Këtë quaj punëtor të madh. Ishin vitet kur përkthente Republikën e Platonit, kur konsultohej me sa më shumë variante përkthimesh të saj: gjeti tek unë një botim në spanjishte dhe e mori edhe atë, - më habiti që i hynte në punë edhe spanjishtja, - me gjasë diç përfitoi edhe nga ai dhe sot më kanë mbetur në të si suvënire nënvizime aty-këtu me laps, të tijat. Ky është shndërrimi i çdo pune në art.
Nga një anë tjetër, ndoshta pakkush e ka llogaritur përfshirjen aktive të Gjergj Zhejit në rivlerësimin e figurave të padrejtësuara - "të mbuluara me pluhur", siç thoshte - të letërsisë shqipe: Prennushi, Gazulli, Palaj, Kurti, Arianiti, Delvina etj. Edhe më pak mund të jenë tani ata që e dinë bashkëndihmën e tij në themelimin e edicionit të ri të revistës Hylli i Dritës (1993-1997). Numërohen me gishtat e njërës dorë kolegët që janë dëshmitarë të bashkëndihmës - krejt të veçantë për nga vetë përvoja që zotëronte në mësimdhënie dhe në hartimin e teksteve shkollore - që dha në punimet e komisionit të përbashkët Shqipëri-Kosovë për njëjtësimin e programeve dhe përafrimin e teksteve shkollore (1993-1997): ruaj në kujtime çaste të paharrueshme nga urtësia e tij në mbledhjet jo aq të lehta të atij komisioni.
Një tjetër kujtim, gjithashtu të vyer, e mbaj ende mbi tryezë: ka të bëjë me telefonatat e fundit që kemi shkëmbyer disa muaj para se të ikte. "Kam dy përkthime shqipe të Eneidës, - thoshte, - por dua të jem i bindur për disa vargje. I dua për një epigraf. Si do t'i propozoje ti...?" Do të ketë marrë, me gjasë, edhe mendime të tjera, sikurse vepronte dendur për të ballafaquar variante. Vargjet, i kam shënuar në një pusullë, janë: "Facilis descensus Averno notes/ atque dies patet atri ianua Ditis;/ sed revocare gradum superasque evadere/ ad auras, hoc labor, hic opus est...". Në shqipe: "I lehtë është të zbriturit n'Avern, / se ditë e natë për aty është hyrja e hapur,/ porse të kthesh mandej e të shohësh prapë yjtë/ këtu është puna dhe kjo është vepra...". Më ngacmon veçan fundi "kjo është vepra". Kjo është vepra? Në të vërtetë, po: kjo është vepra. E donte për epigrafin e Kujtimeve të veta? Apo çfarë po shkruante? Nuk do ta dimë hëpërhë. Mund të ketë qenë fjala edhe për rishikimin e raportit me "transcendenten".
Për vete do të më pëlqente të lidhej me "kapitenin Stormfild" të Mark Tuejnit, që rrallë e tek lexues sot mund ta njohin. Nënqeshte kur e nxisja ta ribotonte dhe i ikte bisedës me fjalinë: "Duhet ta shikoj përsëri, ta punoj përsëri, atëherë e kam pasë përkthyer nga rusishtja...". Te Fluturimi i kapitenit Stormfild në parajsë Mark Tueni tregon se si heroi e lë Tokën duke ndërmarrë një udhëtim mes "trupave parajsorë", me vetëm 5 dollarë e 25 centë në xhep: skepticizmi i njohur i satirikut amerikan ndaj fesë, madje cinizmi, mbërrin kulmin në të. Gjergj Zheji ishte gjithë dyshime për disa vepra postume, haptazi antikristiane, të Mark Tueinit: Letra nga Toka, Tuhafi i mistershëm etj. Nuk i besohej që të ishte përnjëmend e Tuenit thënia "Sikur Krishti të ishte tani mes nesh, një gjë nuk do të bënte - të bëhej i krishterë". Ishte koha - fundi i viteve '90 - kur përkthente Benedeto Kroçen dhe punën me të e kishte nisur pikërisht nga eseja Përse nuk mund të mos jem kristian.
Por, me sa vështroj tani veprën e tij, marrëdhëniet me "transcendenten" kishin zënë ta shqetësonin shkrimtarin herët: e pakta qysh në kapërcimin e të 50-ave. Qysh atëherë u bë, me gjasë, ai që introduktoi në letërsinë moderne shqipe dyshimin që në ato vite sapo kishte qitur krye në debatin botëror për kibernetikën. Dhe ku? Te Rusha, roman të cilin para do kohësh një mik yni shumë padrejtësisht e pati qesëndisur.
Ishte koha kur kibernetikanët qenë shfaqur në fusha të ndryshme, por sidomos në biologji. Për Maturanën, Varelën, Atlanin etj. metaforat kibernetike të programit në të cilin ishte bazuar biologjia molekulare e bënin të pamundur një konceptim të autonomisë së vetë qenies së gjallë. Si rrjedhojë, pikërisht në fillim të viteve '70 të shekullit të kaluar, u vunë të shpiknin një "kibernetikë të re", më përshtat organizimeve që njerëzimi zbulon në natyrë, organizime që ai nuk i ka shpikur vetë etj. "Kibernetika është rruga për t'i bërë të thjeshta ta koklaviturat, por njeriu është shumë më i koklavitur nga kibernetika..., - thoshte shkrimtari ynë në romanin e botuar më 1971. - Shkenca po ha njeriun, të gjitha pjesët e trupit tonë po zëvendësohen prej makinës, kodi i të menduarit, mendimi algoritmik po kthehet në formula algjebrike, të cilat tani mund të bien në dorë edhe të një maturanti. Shkenca po ha njeriun". Nuk di të them nëse shkrimtari u informua apo jo më vonë, gjatë viteve '80, që çështja nëse kjo "kibernetikë e re" mund të aplikohej apo jo në format sociale të organizimit mbeti e hapur për debat, pakashumë sikurse e kishte intuuar ai me personazhet e tij.
Por të mos na pengojë "transcendenti" për të vënë re realitetin: para disa javësh sapo ka pasë dalë në vitrinat e librarive ribotimi i njërit prej romaneve të tij të mira, Muret e Krujës; një shtëpi botuese përgatit botimin e ri të Republikës së Platonit të përkthyer prej tij; një tjetër botues ka nënshkruar kontratën për 60 milje në orë të Sarojanit po në përkthimin e tij. Gjergj Zheji është, padyshim, njëri ndër autorët shqiptarë më të ribotuar gjatë dhjetëvjetëshave: në hollin e Bibliotekës Kombëtare, në ekspozitën e ditës së ceremonisë mortore, nuk mjaftonin vitrinat për botimet dhe ribotimet e punës së tij. Tani, mbas zisë njerëzore, kthimit prej varrezave, sillave të përshpirtshme etj., është vepra e punëtorit të madh të letrave, vepër që ai e ngriti me mundin e vet të shndërruar në art, ajo që për ne mbetet gjallë: ndokush parapëlqen kalkun foljor "mbijeton". Ky pra qenkësh kurorëzimi, që e përmenda, i jetës me punët e frytshme, të cilat në paravolitë e dikurshme i përshkruanin si një numër "mrekullish".
17 qershor 2010