| E shtune, 24.07.2010, 09:43 PM |
Vangjush Ziko
NOSTALGJI
SHTËPIA
Shtëpia nuk desh të më priste,
Derën e ndryshkur nuk desh të më hapi.
Dhe dyshemeja zu të kërciste
Sikur hajduti hidhte hapin.
Nga mur'i çarë bulk'i thinjur
M'i tundi rreptë dy mustaqet.
Pasqyr' e vjetër,e ciflosur
Më puthi ftohtë në dy faqet.
Levenx'e kuqe me xhami
U ndez si prushi i dremitur,
Boroja zgjati një shami
Ku lot'i vjetër ishte mpiksur.
E fshiva lotin tim të ri
Dhe psherëtimën e mbështolla
Dhe heshta unë si qiri
Që digjet heshtur para ikonës.
ZJARRI VATRËS
Më foli zjarri megadalë
Me gjuhë flakësh edhe tymi
Dhe m'i përktheu ato fjalë
Grykshkallisuri gjymi.
Dhe pastërma zjarri më poqi
Nga mish' i ftujës së qëmotshme.
Pa më mbështolli me rrathët buti
Ku ver' e vjetër ëndërronte.
Tymi i hidhur m' u duk i ëmbël
Si Odiseut,endacakut.
M' i ledhatoi flokët në tëmbëlth
Siren' e fshehur pas oxhakut.
Sirena gjyshe,gjyshk'e shtrenjtë,
Që nga mërgimi mua më thirri,
Edhe në djepin e legjendës
Mua të thinjurin më nanurisi.
ALBUMI
E fhsiva pluhurin me pëllëmbë,
Pluhurin e artë të kujtimeve.
S'pandeva kaqe të më dhembë
Muskul i thinjur i zemrës sime.
Rini e bukur më buzëqeshi
Me syt'e saj ëndërrimtarë.
Dhe zemra ime një çast heshti
Ta ndjente vetë frymëmarrjen.
Të mbushej gjoksi im me flladin
Që thinjët lehtë m'i përkëdheli,
M'i numëroi thinjat e ballit
Dhe ves'e ndritur në to mbeti.
Pëllëmbën time nuk e ngre,
S'dua ta fshij vlagën e saj.
E mbyll albumin.Më një anë e le.
Dua të qesh edhe të qaj.
Dua të qaj edhe të qesh,
Në pyll kujtimesh unë të humb,
Dhe pleqërisë që më përqesh,
T'ia hap si zemrën këtë album.
Harron plakushka grindavece,
Siç e harron mbrëmja agimin,
Se ata yj që natën feksin,
N'atë mëngjes kanë burimin.
NOSTALGJI
Ka rrënjë fija e barit.
Ka rrënjë gonxhja e lules.
Ka rrënjë lisi dhe selvia.
Unë kam rrënjët e kujtimeve të mia.
E di saksinë ku mbiu fara e tyre
(Një vazo shkëmbi nga rrufeja thyer).
Dheun dhe plehun aq të shëndetshëm
(Hir'i stërgjyshve të mi të ndershëm).
Kroin dhe ujin që u ka rrjedhur
(Djersa e prindërve që është derdhur)...
Fotosinteza është e imja.
Dhe klorofili.Edhe limfa.
Dhe ato gjethe që bëjnë hije
Nga fëminia tek pleqëria.
Vangjush Ziko
Korçë-Toronto,2010