| E enjte, 22.07.2010, 08:59 PM |
SHAHBAZE VISHAJ
DHOMA MEMECE
Ajo, çdo natë
me gishtat e dorës
vizaton dashurinë
në shtratin e vetmisë
lotët i mbledh
në jastëkun e tradhtuar
e fjalët i mbyllë
në dhomën memece
sa keq
ia vranë lumturinë
sytë ia mbuluan
me çarçaf të grisur
ku ankthi pafund
gërryente trupin e mërdhirë
BOTA GËNJËSHTARE
Dhe dielli
shuhet nën re
kur dashuria pret
në netët pa kthim
sytë lodhen
nga pagjumësia
çdo ditë
buzët kërkojnë buzëqeshjen
në shtratin e heshtjes
shpirti digjet
për lotin e lumturisë
Atë
çdo çast e kafshon
bota gënjeshtare
NË SHKALLËN 77
Edhe kur mungon
flet hija jote
hapat numërojnë pritjet
fjalët lakojnë
durimin nëpër rasa
Ti
kur shkon
në katin e shtatë
gjurmët i lag loti
bora pikturon akuj
në damarët e zemrës
Ti
kur vë këmbën
në shkallën 77
mushkëritë mbesin pa ajër
trokitja në derë
është pa ngjyra jete
shtrezë në vetull
bëhet tërë Arbëria
SYTË E HESHTJES
Ti
fat i harruar
tani je shfaqur
kur koha të ka plakur
në ç ‘drejtim je nisur
ç’ formë të ka mbetur
nga vitet e shkelura
ç’ kërkon
pranë zemrës së thyer
e gishtërinjve të vdekur
largohu
sërish jeto i harruar
pa të kafshuar vetmia
e parë sytë e heshtjes
shko
mos u kthe
se ëndrra e jetës
është balsamosur
LOTI BËHET LUMË
E heshtur dashuria ime
thellë brenda meje
shtegun s’ mund ta kalosh
ta prekësh dëshirën e ngrohtësisë
për dorën që zjarri
po e bënë hi
sytë dhe dashuria
janë thellë në shtegtimin tënd
zgjohu nga heshtja
nga brendia ime
fali jetës ngrohtësi
brenda shpirtit
rritet loti
e bëhet lumë
LOTI I DASHURISË
E lodhur jam sonte
nga vetmia e vetmisë
dashuria është mërdhirë
nga shpresa të akullta
Ti, ndjenjë mashtruese
më vret e më ngjall çdo natë
shfaqu të te shoh vetëm një orë diell
se malli gërryen shpirtin
nga vetmia e vetmisë
u shndërrova në borë
e lulet i ujita
me lotin e ftohtësisë
duke të pritur Ty
jam zhytur në oqean
po e përkëdhelë valën
ku lot i saj
puth lotin e syrit tënd
duke të pritur Ty
u bëra lotore ngashërimi
u shndërrova në dimër
me lotin e dashurisë
u bëmë copa akulli
të akullnajës...
LIQENI I JETËS
Merrmë në zemër
dhe shpjermë ku të duash Ti
mjaft jam rrahur nga lot
të ftohtë vetmie e zemërimi
nga lot të hidhur të dhimbjes
sa e sa vite
në heshtje
pa të drejtë e vrava dashurinë
ndaj, më merr me vete
të lahem në Liqenin e jetës
le t’ më lag
lot i nxehtë i saj
i pastër
pa termete e rrufe
pa prapaskena të ndyta njerëzore
më merr...