Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Artistët e teatrit: Presidenti Topi po na kthen në monizëm me dekorimet e tij qesharake

| E marte, 20.07.2010, 06:06 PM |


Regjisori Mihal Luarasi dhe artisti Suljeman Dibra, pohojnë se sot nuk ka më asnjë vlerë dekorimi nga Presidenca

 

Nga Julia Vrapi

 

Ajo që po ndodh sot me dhënien e titujve dhe dekorimeve nga Presidenca ka sjellë jo pak reagime në personalitete të ndryshme të artit dhe kulturës, por dhe më gjerë. Në një situatë të tillë kur shumë figura të njohura të botës së artit, por dhe të

 

fushave të tjera janë lënë në harresë nga ky institucion, emra të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e artit pohojnë se tashmë ka ardhur koha që duhet të ndryshojë kjo situatë. Sipas tyre nuk duhet të ketë më vlerësime vetëm me anë të miqësive, por ajo të jetë e merituar duke marrë si bazë kontributin që kanë sjellë në fusha të ndryshme. Në këtë “lumë” dekorimesh që jep sot Presidenca, artistët që dekorohen supozohet që përveç një vlerësimi shpirtëror, të kenë edhe një fitim material, por në realitet çdo gjë është ndryshe, ku dekorata është thjesht një medaljeje. E cilësuar si një vlerësim “i madh” kjo jepet sot nga ky institucion për dy kategori artistësh, duke vënë në një “peshore” atë që meriton dhe atë që nuk meriton këtë dekorim. Ceremonisë madhështore që organizohet në Presidencë i humbet shkëlqimi kur mendon se ajo jepet në këtë mënyrë. Medalja barazon dy kategori artistësh me njëri-tjetrin, duke humbur edhe vlerësimin shpirtëror të artistit për punën e bërë. Politika e dekorimeve në këtë institucion për fat të keq po arrin një standard të padëshiruar, duke sjellë në opinion përfundimin se ata që po dekorohen në të shumtën e rasteve nuk e meritojnë. Një prej regjisorëve të njohur të teatrit shqiptar Mihal Luarasi pohon se për këtë duhet të shikohet në mënyrë urgjente se si ndiqet procedura e dhënies së një titulli nga ky institucion. Ndërsa flet mbi dekorimet që bëhen gjatë këtyre kohëve ai pohon se mes atyre që e meritojnë këtë dekorim nga Presidenca sigurisht që ka dhe nga ato që janë të pamerituara, duke bërë një krahasim me nobelistët në letërsi. “Them se shumica janë të merituara, jo të gjitha, ashtu si jo të gjithë nobelistët kanë qenë të merituar, mjaft prej atyre që e kanë marrë atë çmim të lartë, janë harruar shpejt, ndërsa disa të tjerë që nuk e kanë marrë, janë bërë të pavdekshëm”, pohon regjisori. Mihal Luarasi është njeri nga tre regjisorët e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si: "Dragoi i Dragobisë", "Dhelpra dhe rrushtë" (fituese e të gjitha çmimeve te para në Festivalin e II-të kombëtar të teatrove) etj. Në vitin 2001 Luarasi shkruan dramën "Gomone" që u vu në skenë në TK, në 2003, nga regjisori Gezim Kame. Në 2006 shkruan dhe vë në skenë dramën "Korbi bardhë", po ashtu një vepër e tij është dhe “Antigona kërkon të atin”. Një tjetër personaliet që i takon artit dhe teatrit shqiptar është dhe aktori Sulejman Dibra. Në një prononcim dhënë për gazetën ai tregon se sot vërtetë janë dhënë tituj nga presidenca, por në shumë raste ato nuk kanë qenë mbi vlera të vërteta. “Defekti i këtyre titujve e dekorimeve veç asaj që po jepen shumë, mendoj se ato duhet të kenë dhe një vlerë monetare. Sot këto dekorime janë bërë si në kohën monizmit, që çdo gjë kompensohej vetëm me  një medalje, e cila nuk kishte asnjë vlerë monetare. Nëse në botë ti merr vlerësim të tillë, sigurisht që do të kesh dhe një shpërblim financiar”, pohon regjisori dhe aktori Dibra. Në teatër ka interpretuar në shumë pjesë si “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Lëvonjës etj. Në kinematografi ka interpretuar në 13 role. Roli i tij i parë do të jetë ai Partizanit të plagosur në filmin “Komisari i Dritës”. Më tej do të interpretonte në rolin e Kiços,agjentit 13 në filmin “Njësiti “Guerril”, rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni Zjarri” etj. Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009, roli i Myrtezait në filmin “Ne dhe Lenini”.

 

Mihal Luarasi: Të rishikohen procedurat e  kandidatëve për dekorime

 

Dekorimi i këtyre emrave që kanë dhënë një kontribut në fusha të ndryshme të jetës si në art, politikë, etj, i takon Presidencës, por kjo duhet bërë me më kujdes. Kështu pohon regjisori Mihal Luarasi në një prononcim të tij, i pyetur mbi dekorimet që janë bërë kaq shumë këto kohë. “Dihet se një nga “punët” e Presidencës është edhe ajo e dhënies së titujve dhe dekoratave për vlera e merita të shquara. Detyrë e vështirë kjo për institucionin më të lartë të shtetit, jo për shkak të funksionimit mirë apo keq të “peshores” së vlerave, por për shkak të hatërmbetjeve. “pse ai, e jo unë?!”, “Çka bërë ai më shumë nga unë?!” Rrallë mund të gjesh shqiptar që nuk e konsideron veten specialist për gjithçka, filluar nga futbolli deri tek politika e lartë. Ju pyesni, a janë të gjitha dekoratat e dhëna të bazuara në vlera? Them se shumica janë të merituara, jo të gjitha, ashtu si jo të gjithë nobelistët kanë qenë të merituar, mjaft prej atyre që e kanë marrë atë çmim të lartë, janë harruar shpejt, ndërsa disa të tjerë që nuk e kanë marrë, janë bërë të pavdekshëm me veprën e tyre”, pohon regjisori. Një tjetër problem shqetësues që ngre regjisori Luarasi është dhe rishikimi i procedurave për ta arritur deri tek dekorimi, duke vënë theksin dhe tek institucionet e tjera që i dërgojnë këto propozime. “Përsa u përket “korifenjve” dhe atyre që u afrohen këtyre, mund të rreshtohen emra plot nga të gjitha fushat, por koha e dekorimeve ende nuk ka mbaruar...Para se ta “gjykoj”-me situatën duhet të shohim procedurën, si veprohet për dhënien e këtyre dekoratave e titujve. Me sa di unë, janë institucionet, vendet e punës të “kandidatëve” që i dërgojnë propozime Presidencës, sepse ata i njohin njerëzit dhe krijimtarinë e tyre më mirë. Si në rastet e titujve të pamerituar, ashtu në ato kur njerëz me vlera harrohen, përgjegjësia e parë është e qendrave të punës. Nuk kam dijeni, nëse presidenti ka apo jo, ndonjë komision apo grup që i shqyrton propozimet në bazë kriteresh, për të parë nëse i propozuari e meriton vërtet dekorimin. Po ashtu, nuk di nëse Presidenca ka të drejtë të japë tituj edhe pa marrë propozime “nga poshtë”. Gjendja bëhet shqetësuese, atëherë kur kalohet masa. Inflacioni i titujve dhe dekoratave, e ul vlerën e tyre”, vijon Luarasi. Më tej ai pohon se duhet të rikthen dhe disa çmime që kanë qenë më parë. “Më lejoni të shfaq një mendim që më shqetëson prej kohësh. E kam fjalën për titullin e lartë “Nderi Kombit” dhe për çmimin e dikurshëm “Çmimi i Republikës”, që nuk jepet më prej kohësh. Dihet që në regjimet totalitare, siç ishte edhe i yni, u ngrihen statuja e buste edhe të gjallëve, u vihen emra njerëzish të gjallë rrugëve e shesheve, shkollave e çerdheve. Në republikat demokratike kjo gjë nuk ndodh, ose të paktën nuk duhet të ndodhë. Unë mendoj se edhe titulli më i lartë i yni, “Nderi i Kombit”, i takon atij rangu dhe duhet të jepet për njerëzit më të shquar të kombit, vetëm pas vdekjes së tyre. “Çmimi i Republikës” do të kish qenë më mirë të mos ish hequr, por mund të rivihet. Ka qenë i vetmi në atë kohë që kish prapa edhe një çek. Të gjitha vendet demokratike e kanë këtë çmim, si me këtë, apo me emër tjetër, si p.sh “Çmimi i mbretit” në monarkitë parlamentare”, përfundon regjisori Lurasi. 

 

Sulejman Dibra: Të nderohet ai që e meriton

 

I njohur në rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni Zjarri”, emri i njohur filmit dhe teatrit shqiptar Sulejman Dibra pohon se kjo që po ndodh sot me dekorimet që jep Presidenca, është diçka që duhet të ndryshojë, duke pohuar se presidenti kërkon të kapë kohën e humbur. “Titujt që janë dhënë këto kohë nga Presidenca, mendoj se kjo është analoge me shumë tituj që u dhanë më parë, ku mori ai që mund të marrë, por dhe pa vlera profesionale. Dekorimet që janë dhënë sigurisht që ka nga ata që e meritojnë pro ka dhe shumë raste që nuk e meritojnë. Them se me këto që po bëhet sot sa i takon dekorimeve them se presidenti kërkon që të kapë kohën e humbur për dhënien e titujve, duke u ngutur harron edhe cilësinë e këtyre titujve që po jepen kaq shumë, por dhe nga ana tjetër nuk kanë vlerë monetare. Kjo që po ndodh sot është qesharake, si në kohën e monizmit, që çdo gjë që jepej në atë kohë ishte vetëm një medalje, pa asnjë vlerë monetare. Të paktën bota që i ka këto tituj i ka me një vlerë të caktuar monetare”, pohon Dibra. Më tej duke folur mbi këtë fenomen ai pohon se ekziston frika, duke dhënë kaq shumë tituj të zhvlerësohet dhe titulli, ku do të humbasë vlerën një artist i vërtetë dhe një që nuk i ka këto merita. “Siç thashë dhe më lart janë të lidhura shumë gjëra sëbashku. Kështu ana ekonomike ka të bëjë shumë me marrjen e këtyre titujve, pasi janë disa tituj si “Naim Frashëri i Argjendtë”, “Naim Frashëri i Artë”, “Mjeshtëri i Madh” etj, që lidhen dhe me pensionin personal që duhet të jepet. Mesazhi im për këtë që po ndodh sot: “Të nderohet ai që e meriton, duke e vlerësuar në bazë të cilësisë artistike dhe të viteve të punës. Të jenë të përcaktuara kategoritë. Vazhdojnë akoma të jepen tituj dhe dekorime si në përvjetorë, përkujtimore etj, por duhet hequr dorë nga metoda socialiste e dhënies së titujve që ishte në kohën e komunizmit. Ka ardhur koha të shkëputemi totalisht nga kjo. Secili artist ka vlera, por duhet të shikohen më mirë raportet e dhënies së titujve”, pohon artisti Dibra.

 

Gazeta Sot - Për ZSH: Gjergj Kabashi