| E hene, 19.07.2010, 09:49 PM |
Suzana Kuqi
Një mijë herë...
… Se njëmijë herë kam qortuar vehten,
njëmijë...
E njëmijë e një jam ngatërruar nxitimthi gjykimit...
… ç'do ish e mira e keqja për ty...
… e bardha e zeza..., ç'ngjyrë duhej të të kishte ëndrra
të të mbaja, të të mbroja si dritë e syrit në log të zemrës...
… Se njëmijë herë kam mallëkuar vehten,
një mijë...
E një mijë e një kam shuar ngazëllimin në ata sy e buzë
fjalë dashurie, memece janë bërë e s'kanë gjetur dot udhë
… në vend të puthjes, fjalë qortimi...
ëndrrën të ta peshoja me krahët e mi...
Më fal bir...
Ji vetja, merr fluturimin me krahët e tu...
Ndënë zë...
Shëëët... ndënë buzë shpirti im, ndënë zë e ngadalë
edhe se veshin... e kam bërë shurdh si këmbanë
ç'duan të më thonë ata sy, e di, e thonë pa fjalë
...me mua... me ty... asgjë s'është si më parë...
Ulmu përbri shpirt, mos më rri përballë
të mbështes kokën dhe një herë mbi atë sup
gjithë ç'ka mbetur nga ai univers dashurie të marrë
me ajrin ta thith, e... të të lë të lirë...
ndënë buzë shpirt, ndënë zë e ngadalë
edhe se veshët mundohem t'i bëj më shurdhë se një këmbanë...
Emocion
Ma more frymën sërish
ashtu thjeshtë, ashtu ëmbëlsisht...
me një shikim
e ma shpure tutje...
Zemra, lule hazdisur në ajër
pjalmohet mbi një shtrat hyjnish
emocionesh...
Merrma frymën sërish...
Ashtu thjeshtë, ashtu mrekullisht...