Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Orgocka "rrëmben" në Poloni kupën e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës

| E marte, 04.12.2007, 09:39 PM |


Vepror Hasani

Një ofertë nga rusët për të luajtur Pushkinin

Vrosllavë- Regjisori rus Vladimir Kulagin kishte zënë vend në një nga teatrot e qytetit Vrosllav të Polonisë, ku ndiqte tejet i vëmendshëm Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës. Kishte një vështrim të përqendruar mbi lojën e aktorëve. Teksa e shikoje ashtu, të bënte të mendoje se ai ishte duke kërkuar diçka. Po çfarë konkretisht? Këtë nuk mund ta thoshte askush. Aktorët prezantonin monodramat e tyre njëri pas tjetrit, por ai vazhdonte të qëndronte në të njëjtin pozicion, krejt i vëmendshëm dhe i përqendruar, ashtu si edhe më parë. Në këtë festival merrnin pjesë 15 shtete, duke filluar që nga Polonia, Rusia, Anglia, Italia, Sllovenia, Austria, Shqipëria, etj. Ai ndiqte të gjithë pjesëmarrësit me të njëjtin interes. Ngulmues në vëmendshmërinë e tij deri në ekstremitet, regjisori vinte nga vendi i Aleksandër Sergejeviç Pushkinit, poetit, romancierit dhe dramaturgut të njohur rus. Vetë jeta e Pushkinit kishte qenë një dramë e madhe me një fund mjaft tragjik. Pushkini ishte plagosur për vdekje nga adhuruesi i gruas së tij, në vitin 1837. Ishte e çuditshme përse të gjitha këto u kujtuan atë çast nga një njeri që ishte ulur aty pranë. Pak më vonë, njeriu që vazhdonte të fliste me zë të ulët, tha se regjisori i ardhur nga Rusia, Vladimir Kulagin, ishte duke kërkuar një aktor që të luante Pushkinin. Pastaj ai përmendi një nga veprat e tij: “Mjeshtri i stacionit”. Me sa dukej, aktorit të përzgjedhur do t’i duhej të interpretonte mbi këtë vepër. Regjisori rus vazhdonte të ishte i zhytur në përqendrimin e tij. Hera-herës të dukej sikur ai sillte nëpër mend jetën e Pushkinit, që nga suksesi i tij i parë me poemën tregimtare romantike “Ruslani dhe Ludmilla” e deri tek romani në vargje “Eugjeni Onjegin”. Por regjisori kujtonte edhe vdekjen e tragjike të Pushkinit. Që nga ajo ditë tashmë kishin kaluar 170 vjet. Regjisorit do t’i kujtohej edhe një nga frazat e Apollon Grigorjevit, i cili me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Pushkinit kishte thënë: “Ruajeni Pushkinin, në të është shpëtimi dhe lumturia jonë”. Ndoshta kjo ishte arsyeja që regjisori rus gjendej aty.

Në skenën e Vrosllavit

Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Vrosllavë të Polonisë po i vinte fundi. Shfaqja përmbyllëse do të ishte ajo e regjisorit dhe aktorit të mirënjohur që vinte nga Shqipëria, Dhimitër Orgockës. Ai do të sillte para qytetarëve polakë “Amokun” e Stefan Cvajgut. Pas përfundimit të kësaj shfaqjeje gjithçka merrte fund. Në Vrosllavë do të mbetej vetëm jehona e festivalit. Regjisori i ardhur nga vendi i Pushkinit qëndronte në të njëjtin pozicion, i palëvizur. Tashmë ishte e sigurt se ai vazhdonte të sillte nëpër mend veprën e Pushkinit, “Mjeshtri i stacionit”, ndërsa mbetej dhe një aktor që të dilte në skenë. Ende nuk kishte vendosur asgjë. Befas në skenë kishte dalë Dhimitër Orgocka me “Amokun” e tij. Një zë i fuqishëm, i kristaltë, i qartë, depërtues, tingëllues dhe njerëzor gjithashtu, përshkoi gjithë sallën. Spektatorët mbeten të shtangur. Një zë i magjishëm po depërtonte në shpirtrat e tyre. Ishte zëri i regjisorit të mirënjohur Orgocka, por tashmë në rolin e aktorit. Ishte ky çast që bëri regjisorin rus, Vladimir Kulagin, të lëvizte në ndenjësen e vet. Edhe në vështrimin e tij pati një lëvizje të beftë. Ndoshta nisi të besonte se e kishte gjetur njeriun që do të luante “Pushkinin”, krijuesin e dramës historike në vargje të bardha “Boris Godunov”. Për regjisorin gjithçka kishte qenë befasuese. Një çast nuk po kuptonte, nëse ky aktor i ardhur nga Shqipëria, nga një qytet që quhej Korçë, fliste në gjuhën shqipe apo në gjuhën ruse. Gjithçka ishte tepër e çuditshme, fjalët, lëvizjet, plastika, theksi interpretativ, përcillnin kuptueshëm gjithçka që thuhej. Nuk kishte asnjë rëndësi gjuha me të cilën komunikonte. Të gjitha këto regjisori rus do t’ia thoshte Orgockës në përfundim të shfaqjes. Ai kishte mbetur i mrekulluar. “Amoku” bënte fjalë për një njeri që kishte mbetur larg vendit të tij dhe që kishte nisur të ndjente mall për të. Këtë mungesë e kishte ndjerë kaq shumë, sa nisi t’i kthehej në një fiksacion. Ky njeri ishte mbërthyer nga sëmundja e quajtur “Amok”. Edhe “Mjeshtri i stacionit”, shkruar nga Aleksandër Sergejeviç Pushkini, fliste për një njeri që kishte mbetur i izoluar, larg njerëzve të vet, larg miqve dhe të njohurve të tij, por mbi të gjitha kishte mbetur larg të dashurës së tij. Punonte në një stacion, madje në stacionin e fundit të një linje hekurudhore, aty ku ndalonin në shumicën e rasteve pak njerëz, por edhe kur zbrisnin nga treni shumë të tjerë; asnjëherë nuk gjente të njohur. Nuk kishte patur rast të shihte fytyrën e të dashurës së tij. Kjo mungesë, zbrazëti shpirtërore, i ishte kthyer në një tmerr. Ky njeri i quajtur mjeshtër i stacionit, kishte mbetur i izoluar. Kjo ishte drama e tij, një dramë njerëzore që vetëm Pushkini ka ditur ta tregojë aq mirë, aq dhimbshëm dhe me aq ndjeshmëri. “Nëpërmjet Pushkinit ne po kuptojmë botën në të cilën jetojmë”, ka thënë Grigorejev. Aty mjeshtri i stacionit njohu vetveten, njohu shpirtin njerëzor, njohu shumë. "E tashmë kjo vepër duhet të thuhet me zërin e një aktori të madh",- kishte menduar regjisori rus.

5 çmime për “Amokun” e Orgockës

Regjisori rus, Vladimir Kulagin, priste përfundimin e “Amokut”, të interpretuar nga Dhimitër Orgocka. Me përfundimin e shfaqjes, do t’i kërkonte Orgockës të luante “Mjeshtrin e stacionit”. Mbetej të merrte vetëm fjalën e tij. Tashmë nuk kishte asnjë mëdyshje. Regjisori rus ishte bindur se kishte mundur të zgjidhte aktorin më të mirë. Gjithçka e interpretuar nga Orgocka ishte e përkryer. Në të vërtetë nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Para fillimit të shfaqjes, Orgocka na kishte shpjeguar se në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Vrosllavë të Polonisë kishte shkuar me një përgjegjësi të madhe. Fillimisht me “Amokun” ishte prezantuar në Kiev të Ukrainës. Kishte qenë një shfaqje tejet tronditëse. Qytetarët e Kievit kishin patur rastin të shihnin lojën e një aktori të madh. Në këtë festival, Orgocka ishte nderuar me çmimin “Roli më i mirë për burra”. E njëjta gjë do të ndodhte edhe në Festivalin e Bitolas, ku u vlerësua si “Aktor i jashtëzakonshëm”. Orgocka kishte përcjellë të njëjtën ndjesi edhe tek njerëzit e artit dhe të skenës. “Gjuha shqipe, - ishin shprehur ata, - është një gjuhë skenike e gjallë dhe jashtëzakonisht shprehëse”. “Kemi patur rastin që këtë gjuhë ta dëgjojmë nga politikanë shqiptarë, por ajo çka përcjellë Orgocka përmes kësaj gjuhe mbetet e paharrueshme”. “Gjuha shqipe është një gjuhë e madhe...”

E megjithatë, “Amoku”, i Dhimitër Orgockës do të nderohej sërish me çmim në Festivalin e Maqedonisë, ku vlerësohet si “Aktori më i mirë për burra”. Festivali ishte i përmasave evropiane. Me sa duket, regjisori rus kishte patur të drejtë. Edhe ai e kishte përzgjedhur si një nga aktorët më të talentuar. Këtë përzgjedhje e kishte bërë gjatë kohës që qëndronte i vëmendshëm në një nga teatrot e Vrosllavës në Poloni, teksa mendonte se kush do ta luante Pushkinin.

Polonia i jep Orgockës kupën e festivalit

“Ruajeni Pushkinin, në të është shpëtimi dhe lumturia jonë”, dukej sikur regjisori përsëriste fjalët e Grigorjevit. Është e kuptueshme, regjisori rus qëndronte në pritje të përfundimit të shfaqjes së Orgockës, ndërsa priste që oferta e tij të konkretizohej. Dhe shfaqja kishte përfunduar. Gjithçka u shndërrua në duartrokitje. Nga mesi i sallës dëgjoheshin fjalët “bravo”, “të lumtë”, falënderimet vinin nga gjuhë të ndryshme. “U ndjeva tejet i emocionuar”, tregon Dhimitër Orgocka. "Në këtë festival kisha shkuar me mjaft përgjegjësi. 'Amokun' e Cvajgut e kisha pasuruar nga njëri festival në tjetrin. Kjo vepër se ç’kishte diçka të ngjashme me jetën e shqiptarëve. Gjithnjë kemi qenë në Evropë, por gjithnjë larg saj. Sa herë dilja në skenë, më dukej se flisja me zërin e gjithë shqiptarëve. Tashmë në Poloni kisha për të thënë shumë më shumë. Ndoshta ia kisha mbërritur qëllimit. Po. Nuk isha gabuar, juria më nderoi me kupën e festivalit. Mbërritja e Shqipërisë në Evropë, do të jetë kupa më e madhe e shqiptarëve. Isha tejet i emocionuar. Pikërisht në këtë çast, m’u afrua regjisori rus. Më falënderoi me përzemërsi, më shtrëngoi dorën. Një çast më vonë do të më kërkonte të luaja një nga veprat e Pushkinit, 'Mjeshtrin e stacionit'. Vepra nuk ka qenë e përkthyer në shqip, por dikur kisha patur rastin ta lexoja atë. M’u kujtua drama e madhe njerëzore e mjeshtrit të stacionit. Brenda një çasti të shkurtër munda ta përfytyroja si personazh. Ishte një dramë njerëzore e fuqishme, ashtu siç ishte në krijimtarinë e Aleksandër Sergejeviç Pushkinit", rrëfen Orgocka, ndërsa shton se atë çast iu kujtuan disa vargje të vetë Pushkinit: “Do të isha i lumtur dhe plot gaz / që në këtë botë pa mbarim / diçka dhe unë e lashë pas…”.

“'Jam gati ta luaj këtë vepër', - iu përgjigja regjisorit rus. Ai përsëri më shtrëngoi dorën. Mbeti i heshtur, i heshtur isha edhe unë. Mes nesh kishte hyrë Pushkini. Vitin që vjen do të konkurroj me monodramën ‘Mjeshtri i stacionit’, vepër kjo e shkruar nga Pushkini i madh".