| E hene, 19.07.2010, 08:58 PM |
 PILO  ZYBA
PILO  ZYBA
 
- cikël  poetik  -
 
 
BARDHËSIA E FLOKËVE TË MI
U zbardhën flokët e mi,
Morën ngjyrën e dallgëve
Nga lundrimi i gjatë
Në detin e thellë të jetës.
U përplasën
Në brigjet e shpirtit, të mendimit,
Dhe morën ngjyrën e së vërtetës.
Këto marr nga deti 
Dhe i hedh në faqet e letrës,
Fytyrën time, shikoni në brëndësi të veprës.
 
 
ROZAFA IME 
Fëmijët e mi prura, nuk janë të mitur, 
Krahëhapur fluturojnë botës së qytetëruar, 
Dua të ulen nga lodhja e gjatë e të uritur 
Të pinë te sisa jote e bardhë, e zbuluar. 
Pjesa në thellësi që është e muruar 
Mes gurëve, murit që nuk duket, 
Krahu, zëmra punon pa pushuar 
Qumshti te sisa që është jashtë të futet. 
Mijëra vizitorë vijnë nëpër shekuj 
Buzët vënë dhe pinë te kjo sisë, 
Atje të pinë dhe fëmijët e mi të etur 
Qumshtin e legjendës, historisë... 
Pastaj, të fluturojnë tja tregojnë gjithësisë! 
 
PËR NJË KRISËM TË HESHTUR 
Të futa 
Në shënjestrën e ndjenjës sime, 
Të ndiqja 
Livadheve në mbrëmje dhe agime. 
Kisha frikë 
Me krismën dashuri, mos të vrisja, 
Më shumë më trëmbte zhurma, 
Dhe për gjithnjë të humbisja. 
Një jetë 
Në shinjestrën e pasosur, 
Unë i vrarë 
Ju përjetësisht e plagosur... 
Për një shkrepje ndjenje të murosur. 
DASHURI 
Gjithë jetën 
Piva në gotën tënde mbushur plot, 
Të piva ndjenjat 
Por shpirtin s’ta boshatisa dot. 
Ti qesh pranë 
E bukur dhe e lumtur: 
“ Thellësia e detit tim 
Nuk thahet kurrë me të puthur”!... 
 
U KTHEVA NËNË, U KTHEVA
U ktheva nënë nga mërgimi, u ktheva,
Nga rruga e humbjes, e harresës së gjatë,
Pasurinë me djersë nënë e bleva,
Pagjumësinë, lodhjen, për të dhashë kamatë.
U ktheva nënë në gjirin e ngrohtë
Dy rrudha më tepër më janë shtuar,
Por nëna dridhet e ndihet e ftohtë,
Nga mjekra e djalit, e zezë, e pa rruar
Kur iku ishte lëndinë e praruar,
Blerimin fali për tu pasuruar!