| E hene, 19.07.2010, 09:22 PM |
Lindi më 1960 në Dardanë (ish Kamenicë), Kosovë. Ka botuar këto libra me poezi: Edhe në varre këndova (2005), Kur vdes në mes të largësive (2005), Mbishkrim në lëkurë (2006), Përtej çmendisë (2007), Lule ajri (2009). Tani banon në Prishtinë.
Hasije Selishta-Kryeziu
E zbehtë është heshtja e lirisë
Rrugëton si e dehur
Të pathënat besnikërisht i ruan
Fiken qirinjtë
Pa e kuptuar se nën qiellin tonë
Koha e lashtësisë
Rigon në shpirtërat tanë
Dashuria për liri
Është rradhitur si krushqit
Kur e prunë nusen,
Ndërsa tani janë në mëdyshje
Se ajo shpejt është plakur
Pa e jetuar nusërinë
Ndarja
Nuk e di ç’të duhen sytë e mi
Kur nga terri janë lodhur
Një pjesë e kanë nga shiu
Një pjesë e vetullës
Te Molla e Kuqe
Pjesa tjetër në Ulqin
Njëra dorë në Rozafë
Tjetra në Shkup
Po Çamëria?
Më the kam gishtin
E Bukur për unazë
Por unë jam shumë larg
Si mund të përqafohemi
Kur trupi është ndarë
Mos më thuaj se më ke harruar
Kur unë yllëza jote jam aq larg
Po thahem shqip
Në një gotë pritje
Jam djegur
Së bashku me luleborën
Kam shumë etje
Po thahem shqip
Nëpër muret e zeza
Ende nuk dihet
Cilat gota
mbushen nga shiu
Aktori rri para Teatrit
Me duar në xhepa
Cka më duhet
Heshtja e tij
Dhe ëndrrat
Melodi tjetër
Tërë jetën jam lutur
Që të rrëzohen muret e larta
Të krijuara
Nga marrëzitë e stepura
Një letër kam shkruar
Pa i vënë pikë askund
Për të paralajmëruar
Kohën e vrarë
Në portën e alarmuar
Ajri po mbyllet
Nuk e dëshifrova
Nëse ajri prishet
Apo kujtesa avullon
Kur të gjitha këngët
Janë gati për t’u kënduar
Mendjefikurit bërtasin
Për melodi tjetër
Lule ajri
Një lule prej ajri
Çdo natë hap dritaret
Nga dhoma ime e gjer te hëna
Udhëtoj me frymëmarrjen e ajrit
Në përbashkësi aromash
Për të rifreskuar zalisjen
Në të gjitha ngjyrat
Pikturohet hëna e tretur
Në një kafaz universi
Përbrenda luleve rri në kornizë
Një syth pret rritjen
Lulja e ajrit të shumohet
Profili i zjarrit
Vjeshtë është
Nën hijen tënde fle
E ti ngutesh për në tempullin e gurit
Duart e vapës u shkrinë
Në vjeshtë
E ti si era barte vargun tim
Prej vjeshtës në ëndërr
Pastaj hyre në zemrën e shpirtit
Simfoninë e Bethovenit
Dëgjon nga tempulli i gurit
Pa e ditur se brenda saj
Digjesh
Çatia e gruas
Kurrë nuk e dita
Cila ishte
Çatia ime prej gjilpëre
***
Ndizet kandili
Në shpirtin tim
Ç’të bëjë me hirin
Në mur të zemrës
Shumzohen
Puplat e zogjve të ngordhur
Ngase i gjuaje me shigjetë
Për të mos dëgjuar
Cicërrimën e korit të tyre
Dhe për t’i mbyllur
Në unin e vetmisë
Që të ikin në harresë
Baraspesha
Gruaja është e lindur
Në ditën e shërbëtorëve
Tabaku në duart e saj të qara
Ruan baraspeshën për shpifje
Burri pi kafen e mëngjesit
Me gotën e ujit plot
E ku ta di sa është e rëndësishme
Të tregohet diçka
Asaj i duhet edhe buzëqeshja
Të arrihet baraspesha
Thneglat
Thneglat janë rradhitur
Në katror të zi
Kërkojnë kokrrat e tyre
Në gjetje i grimcojnë
Pikëllimi derdhet në hijen e tyre
Tmerrohen nga prejardhja
Futen në tokë
Duke kërkuar krahët
Copë e grimë u bënë
Për një thërrmijë
ç’krijesa të vogla
Te ura e mëkatit
Misteri i të madhit i shkeli
Zot
Mos i tërbo
Që të prekin varrtarë