| E hene, 19.07.2010, 09:58 PM |
Daniel Gàzulli
RRËFIME ZADRIMORE
Peng dashnie për Vendlindjen
11. Paluca i Kashnjetit
Paluca i Kashnjetit ishte tanë urtì e kudo e thirrshin me pleqnue sherre.
Ndodhte që e thirrshin edhe në Zadrimë, e nji ditë e pyet nji troshanas:
- Kush t’i ka mësue tanë këto urtì, o Palucë?
Plaku as u mendue:
- Budallejt.
- Si, budallejt?! – çuditet tjetri.
- Po po, bash ata. Tue ndigjue budalleqet e tyne, kam mësue me i peshue fjalët.
12. Ajo bulla
Dikur grave myslimane veshë me branavekë e ferexhe, u thojshin “bulla”. S’di si u ka mbetë kështu.
Nji mabasor, fort i kërkuem prej turqish se kishte vra nji oficer të naltë në Saraje të Dajçit, ishte veshë si “bullë”, se i duhej me kalue në Va të Gjadrit e kishte frikë mos e kapnin xhandarët turq. Ishte i ri, truphollë, por jo fort i naltë, kështuqë ashtu i veshun dukej taman si grue, pse edhe gjoksin e kishte mbushë mirë.
Hipi në lundër me nja dy të tjerë, nji dragushali që e njihte dhe nji plak s’dihej prej kah.
Aty kah gjysa e lumit i dragushaliu zgjati dorën kah “bulla”, e “ajo” i dha nji të shtyme dhe e hodhi në lumë. Mandej i foli lundërtarit: “Shpejt! Shpejt!”
Lundërtari e njofti në za, e la dragushaliun në mes ujit dhe nxori lundrën në breg saora.
“Bulla” nxitoi kah Gazullorët e Dajçit, por pa vrapue, se, si “grue” që ishte, nuk i kishte hije të vraponte.
Kur dragushaliu arrijti me kapë bregun me njëmijë halle, nji djalë që e kishte ndihmue kah metrat e fundit, e pyeti:
- Kush të hodhi në lumë, o Ndrecë?
- Ajo bulla! – u përgjegj Ndreca i turpnuem, po pa e ba të madhe, se fajin e kishte pasë vetë që kishte zgjatë dorën në kopësht të tjetërkujt.
Beglerët e Bushatit mundoheshin mos me i prishë punët me katundarë, se e dinin që pak po i preke, baheshin besabesë me njeni tjetrin e atëherë ishte edhe ma e vështirë me i shtrue.
Mirëpo nji sish, Maksut Beg Bushati i thonin, s’e kishte për gja me ua thanë fjalën e randë katundarëve për kurrgjasend.
Shkoi ky nji ditë në Plezhë. Mbasi pa bereqetet e u tha sa kishte me pague njeni e sa tjetri atë sende, desht me kthye në Shkodër, po zuni nji shi që ruena Zot: Drini shtoi breg e në breg e s’kishte as trap me kalue. S’kishte çka me ba e fjet në Plezhë.
Mirëpo qeni lehu fort atë natë, kushedi pse, e Maksut Begut iu prish gjumi.
U çue ky e i thotë të zotit të shtëpisë:
- Dil e vrite atë qen! U bane edhe ti me mbajtë qen e s’ka shka të ha mini mbas darke!
- Si me e vra qenin, Maksut Beg?! Ai më ruen shtëpi e gja! – i thotë mikpritësi.
- Të thash, vrit qenin, se, ymri i Allahut, ta numrova ty në ballë!
Të zotit të shtëpisë nuk i luejti as qerpiku. Vuni buzën në gaz e i foli paqtë begut të Bushatit:
- Maksut Beg. Gjithçka mundet me ba vaki. Mundesh edhe me më vra, se Zoti t’i merr mendt kur s’e pret, po s’kishte me qenë mirë as për ty e as për mue.
- Kush je ti, more, që po më kacagjelohesh!? Unë, ymri i Allahut, të qes fare me të madh e me të vogël!
- A ta mbyllim me kaq, Beg efendi, e po ia lamë fajin rakisë. Se, qysh se e poqa atë të bekueme, më pat thanë im vëlla: E ke lanë tepër të fortë.
Maksut Begu u kthye në odë e fjeti a s’fjeti nuk dihet, po nuk bani za ma deri sa iku të nesërmen pa thanë as lamtumirë.
14. Dom Mëhilli
Dom Mëhill Çunin e njihin Shkodër e Zadrimë, e njihnin kendej Matit e andej Drinit: meshtar i zellshëm, burrë trim, bujar, i gjetun për skamnorë, e që nuk kishte lanë shtëpi pa shkelë kur ishte puna me pajtue gjaqe. Por ishte edhe hokatar i madh.
Mirëpo hoket, pak si të tepërta për nji meshtar, sa me ia kalue edhe një shekullori tepër të çliruem në prralla, kishin ba që ndokush të thonte edhe ndoj fjalë me hamendje, ndoj
fjalë jo fort të bukur për një prift, aq ma tepër për dom Mëhillin, që askush nuk ia dinte nji të keqe. Por duhet thanë se vetë ia kishte ba hyzmetin përgojimit me hoket e teprueme.
Pal Shkreli, mësues në Dajç në atë kohë, i pat qitë edhe një bejte ku ndër të tjera thuhej:
…Këto po flasin edhe për Krishtin,
veç shyqyr që kanë larg qiellin,
- jo s’po flasin për dom Mëhillin ..
Nji ditë Pali e dom Mëhilli na ndeshen në Va të Grashit.
- Dom Mëhill, - i thotë Pali, gjithmonë buzagaz – a të ka mbetë hatri që të kam qitë në bejte?
Dom Mëhillit nuk po i qeshte as buza e as sytë, si e kishte gjithmonë zakon. I ven dorën në sup Palit e i thotë:
- Jo, Pal, për veti jo. Po këta po flasin edhe për Krishtin, edhe pse e kanë larg qiellin, e çfarë s’po flasin. Po do të vijë koha që një Zot ka me i vra.
Ma ka tregue vetë Pali, sytë mbushë me lot, se ruente kujtimet ma të bukura e nderimin ma të madh për dom Mëhill Çunin, i shtëpisë së Çunëve të Bushatit, që i ka lanë emen vetes në sa përpjekje për Atdhe.
15. E vejë pa u martue
Në kohë të Turkut kanë qenë të shumtë nizamët që nuk ktheheshin ma e u hiqej filli. Po mort nuk ishte zakon me u ba, sado të kishin kalue vitet, se kësaj bote nuk i dihet.
Kur i mbaroi koha e nizamit Gjush Krythës, shkon i ati në Saraje të Dajçit e pyetë: A dihet, pse nuk po më kthehet djali? Nëse ka mbetë në luftë, më thoni të paktën ku. Jo, i thanë, nuk dihet asgja. Po të kishte mbetë në luftë, do të kishte njoftue Stambolli.
Kaluen dymbëdhjetë muej e atëherë i ati shkoi te miku, se e kishte pasë djalin të fejuem, e i tha: Ke leje me e fejue vajzën. Djali im nuk kthehet ma.
E rrahen punën me mikun, se ky ishte burrë i matun, e i dhanë karar me ia lanë në dorë vajzës nëse ishte gati me e pritë apo jo.
Jo, u tha vajza, unë nuk fejohem për tjetër. Ai ka qenë fati im e do Zoti e kthehet një ditë. Në mos u ktheftë, unë jam grue e vejë. Jo, moj bijë, i tha Tomë Krytha, e vejë pa u martue nuk ke me mbetë. Prandaj, në të ardhtë fat i mirë në derë, mos iu shmang.
U hap fjala se Tomë Krytha kishte dhanë leje e ia mësyen njerëzit te shtëpia e Lenës, se ku gjendeshin vajzat si ajo, e mirë me të tana të mirat. Kund mbas nja tre muejsh ia behu
edhe një tregtar prej Shkodre, pse e kishte njoftë vajzën kur kishte qenë dimnit për gjueti në Zadrimë, dhe e kërkoi për djalin e tij të vetëm.
I ati u prek: një rreshper si ai, si u thonin atëherë tregtarëve të mëdhej, me kërkue vajzën time! E iu lut të bijës të pranonte, po ajo jo e jo. Tjetër veç Gjushit nuk bahet kush burri im, ia ktheu Lena të atit.
U hap fjala se çfarë kishte thanë Lena e filluen mos me i shkue ma me e kërkue.
Mbas shtatë vjetësh, shih ti, të dielën e Pashkëve, ia behu në oborr të Kishës një shpurë e madhe me zapti me në krye një oficer të ri, i pashëm si ai.
- Si jeni, burra? - u foli ai krejt në zakon të vendit, por me shumë kreni.
Njerëzit u çuditen se si e fliste shqipen aq bukur turku me grada të mëdha, po turku turk e mezi ia kthyen përshëndetjen. Çka donte ai te Kisha?
Kapedani i madh u drejtue kah Tomë Krytha, e i tha:
- Mirë se të gjeta, Tomë Krytha!
Fjalët e tij ishin si të kishte ra nji gjamë e madhe e që kishte rropullisë gjithçka. Jo vetëm Toma, po shumë kush e njofti: ai ishte Gjushi vetë!
Mandej iu drejtue të atit të Lenës.
- Kam marrë vesht se ç’vajzë fisnike ke rritë – i tha ai. – Kam ardhë me e marrë.
Po Lena, që kishte qenë diku në anë të burrave dhe e kishte njoftë sa kishte mbrri në krye të zaptive, ia pat menjëherë:
- Unë jam grue e vejë, Gjylsan beg – i tha ajo – Një kapedani të madh si ti nuk i shkon me marrë grue të vejë.
- Lenë! – iu afrue ai – Unë jam Gjushi! S’po më njeh?
- Ti m’i gëzofsh gradat, zotni, po Gjushi ka shtatë vjet që ka dekë. Lena nuk martohet ma.
E i paten qit kangën: Pa martue pat mbetë e vejë ....
16. Ç’ po çon rruga, pluhun o!
Ia mori kangës njeni prej krushqve:
Ç’po çon rruga pluhun, o!
E ia priti tjetri:
Ta pluhnoi duvakun, o!
Mish të pjekun e raki te dhandrri, mish të pjekun e raki te nusja, avull u nxirrte goja krushqëve. Mirë që ishin në kuaj, se as dy sish nuk ishin në gjendje me ecë në kambë të veta.
I shpuren kuajt e ata moren revan ma shumë se duhej e kumbarët, edhe ata tue u kalamendë, mezi po e mbanin nusen mos të rrëzohej prej kali.
Atëbotë dikush shtiu pesë herë në allti e kali i nuses u hodh papritë e nusja u shkarr për tokë.
U ndalen të gjithë. U banë, si i thonë nji fjale, nji grusht e turp po u vinte për çka u kishte ndodhë. E rregulluen dhe e ndihmuen nusen të hipte prap në kalë, po ajo, kur hipi, çka nuk kishte ndodhë kurrë, e largoi duvakun prej fytyre e u tha kumbarëve: Tash mbahem vetë. U kthye daja e i foli me za të ultë, po ashpër: Ule duvakun, moj!
Nusja nuk lëvizi as qerpikët e synit, po fytyrën nuk e mbuloi ma me duvak.
Atëherë daja u dha urdhen të ndalnin kalin e ta linin pak vetëm sa t’i thonte mbesës dy fjalë:
- Ulë duvakun, se për emën të Zotit, të ktheva mbrapsht e u ba një nam!
- Dajë, kur burrat dehen, nusja ka rrezik që tue mbulue fytyrën të zbulojë bythën. Thashë të mos ma shihte kush të paktën deri nesër mbrama!
Daja, që nuk ishte ma pak në qef se të tjerët, u ba esell e i tha krushkaparit:
- Mbesa ime do të hyjë nuse me fytyrë të zbulueme.
17. Edhe Parota gabon …
Si e dini, në kohë të para, gjyqet ma të vështira i zgjidhte Parota. Ndodhte shpesh që burrat mblidheshin jo një herë e dy, po edhe me javë e muej, se nuk ishte lehtë me u dhanë
karar sherreve të randa.
Një herë Parota kishte vendosë me i dhanë të drejtë një troshanasi që i kishin vra djalin në Blinisht, se e kishin zanë tue vjedhë. Mirëpo ishte kalue caku i të drejtës: si mund të
shtihej mbi djalë të ri pse po hiqte rrëshanë një dash? Tue vjedhë kishte qenë, e gjak nuk do t’i paguente, po u la me i pague të damtuemit hajrin që do t’i kishte sjellë i biri tue punue në dhjetë vite, ose ndrysh dy ditë-arë tokë. Puna ishte të mos mbetej e drejta e gjakmarrjes, por edhe të damtuemit disi t’i njihej e drejta e damshpërblimit.
Parota po e mbante kuvendin në shtëpi të Zentajve dhe, e zoja e shtëpisë, që hynte e dilte tash e parë, herë tue sjellë kafe, herë diçka tjetër, kishte ndigjue gjithçka ishte thanë.
Gati në të mbyllun të Parotës, ndërhyni edhe ajo:
- A kam leje me e thanë një fjalë, o burra? – foli Drandja.
- Çka asht ajo fjalë? Si nuk paske leje. Ti je burrë e përmbi burrë! – i tha kryetari i Parotës.
- A kishte pushkë në krah troshanasi kur u vra?
- Po, kishte, por ..
- Mos u ngut, Kolë. E zamë se Filipi do të kishte shti me e ndalë, jo me e vra. Troshanasi, me pushkë në krah, a thue nuk do t’i ishte kthye e me vra Filipin prej frikës se po e vriste ai?
Burrat shikuen njeni tjetrin.
- Se, them unë, të më falni, po kush vjedh me pushkë në krah, e ka da mendjen edhe me shti me te në ia dashtë puna.
Qysh atëherë vrasjet në vjedhje, kur cubi kishte pushkë në krah, nuk u moren ma për gjykim.
18. Kush ka dekë që po u bienë kumbonëve?
Nuk thonë kot, fjala e keqe hipë në kalë të mirë. Sa kaluen Vaun e Kuklit zaptitë, re e zezë, u hap fjala në mbarë katundet për gjamën që po banin në Grash e në Zojz. Diku vranë një djalë të ri, diku dogjën një shtëpi, ma andej vunë përpara bagtitë e u moren edhe miellin në tinar. Burrat u fshehen nëpër pyje. Gratë e shkreta e fëmijët panë e jetuen gazepin e zi.
Po ajo që i randoi ma shumë njerëzit ishte përdhunimi i vajzave të reja, ka një here krejt fëmijë.
Komandanti i zaptive, një gjysë harapi prej Jemeni, kishte dhanë urdhën me farue gjithçka e me vra në vend kedo që do t’i kundërshtonte.
Kaloi kështu një javë e u hapën në mbarë Zadrimë tue ba zjarr e gjak.
Një ditë, një vajzë e vogël, që gati i kishte ikë mendja prej dhunës që kishte provue mbi trupin e saj të njomë, hipi në kompanjel të Kishës e po i binte kumbonës më një anë si asht zakon kur vdes dikush. Po nuk i ra një herë e dy, as një orë e dy, po gjithë ditën e lume, deri sa nuk pat forcë ma.
Në mbramje një plakë shkoi në pyllë t’u çonte bukë burrave të fshehun.
- Kush ka dekë që nuk po dijnë me pushue kumbonët, moj Marie? – e pyeti njeni prej tyne.
- Burrat e këtij vendi që fshihen në pyll, nësa harapët e Jemenit u përdhunojnë gra e vajza.
Mbas pak orësh pyjet u boshatisën e u derdh shumë gjak nga te dyja anët, po mbas dy ditësh e dy netësh lufte zaptitë u tërhoqën për në Kala të Shkodrës.
19. Shëmtimi i Blinishtit
Si ishte traditë, të hanën e Pashkëve, burrat mbarë, po sidomos të rijtë, shkonin për vizitë sa te njeni te tjetri. E vlonin raki e petulla, djathë i njomë e hudra. Kuptohet, jo rrallë avullonin edhe mendt e kresë.
Ka një shekull kjo punë. Një tufë burra ia mësyen shtëpisë së Ndokë Zhubës. Në mes tyne edhe një djalë i pashëm, lulja e djalit, Nush Sallaku i thonin.
Tue pi raki e tue ba hoke, ra fjala për një vajzë Zhubësh, ndejë murgeshë.
Nush Sallaku, ardhë në qef prej rakie, tha do fjalë të pabukura për murgeshën. Atëherë i zoti i shtëpisë, kur u çuen me dalë, i thotë Nush Sallakut:
- Ndigjo ti, djali i Sallakave. Për fyemjen që i bane sot këtij konaku, me që je në bukë teme, nuk mundem me të prekë. Por ke besë deri sa të kapërcesh derën e shtëpisë tande. Mandej më ke gjakun.
Nush Sallaku u ngut prap e i tha të Zhubës se po t’ia mbante, të provonte me vu dorë në të, se ... , e lum fjalësh të randa që nuk i thotë burri.
Nuk kaloj shumë, aty nja një gjysë ore pa ra kumbonët e mesditës, nësa Nush Sallaku po ngjitej shkallëve të shtëpisë, e mori pushka e Zhubëve e mbet në vend.
E i patën qitë kangën:
Nush Sallaku djali i giatë
Midis shkallëve hallakatë …
E atë ditë Pashkësh shëmtimi nuk njofti shoq: vrit një Sallak Zhubën me marrë gjak, vrit një Zhubë Sallakun po me marrë gjak, në dy orë u vranë 15 burra, tetë Zhubë e shtatë Sallakë. Zhubësh mbeten vetem dy mashkuj nën shtatë vjeç.
E sikur ky shëmtim të mos mjaftonte, kanga thotë:
Ky Ndokë Zhuba thotë nji fjalë:
- N’kjoftë kismet me u rritë ky djalë,
faqen Ndokës ka me ia zbardhë …
Po desht Zoti e Zhubë e Sallakë, mbas atij shëmtimi të pashoq, ranë në ujdi, ndrruen vajza, lidhën miqsi, e gjaku u mbyll një herë e përgjithmonë.
Nuk thonë kot: Fjala vret ma keq se plumbi. E një fjalë e pavend e Nush Sallakut bani tanë atë gjamë.
20. Pushka e Ndoc Zentës
Pushkën e Ndoc Zentës e njihte mbarë Zadrima prej krisme që e kishte ndryshe prej tana pushkëve të tjera, si me thanë, e ndame në dy krisma a në një krismë e gjysë. E njihnin edhe për diçka tjetër: ku ndihej pushka e tij, me siguri kishte ba dam. Ndoc Zenta nuk shtinte kot e as i shkonte plumbi bosh.
Do mirditas kishin ra me vjedhë bagëti në Zadrimë. Dimni kishte ardhë heret e zullumqar. Ku pse u duhej me ushqye fëmijët, e ma shumë se e kishin ves, kishin ba dam
ma shumë se ujqit tue vjedhë bagëti atë vit.
Ishin katër vetë bashkë. Ia mësyen një shtëpije pak në shmang të Kodhelit, hynë në burg t’bagëtive, zgjidhen pendën e qeve dhe u nisën me shpejtësi për kah Mali i Troshanit e prej andej me kalue në Kashnjet.
Nuk kishin ba veç se pak udhë kur ndigjuen një krismë pushke.
- A pa! – thirri ma i vjetri prej tyne –Shpejt, burra, se na prishi! E njoh prej krisme: asht pushka e Ndoc Zentës!
Lanë qetë në mes të pyllit e ia mbathën kush të ikte ma i pari.
Kur iu afruen Krajnit, foli prap ai ma i moshuemi:
- Po si kemi me u kthye kështu, duert bosh? A s’ia mësyjmë një shtëpije tjetër? Ndobare vjedhim një dash.
Pa një e pa dy, u drejtuen kah një jerevi në Fang. Mirëpo, sa tue dashtë me hy mbrendë, kur qe prap pushka e Ndoc Zentës! Nuk pati nevojë me folë askush se u kthyen vrik e, si i thonë fjalës, kambët e lehta e drejt Qafës së Brungajve.
Sa iu afruen Krajnit, qé ku u doli para Ndoc Zenta vetë që kishte qenë mik te një kumbarë. U falen e u përfalen. Ndrruen edhe duhan.
Atij ma të riut nuk iu ndej pa folë:
- Sonte kemi ndie dy herë pushkën tande me na vishkëllye te veshi. Na thuej, pash Zotin, si asht puna, pse na ke ndjekë?
Ndoc Zenta vuni buzën në gaz.
- Ndigjo, mor bir, - i tha – këte pushkë s’e ven tjetërkush për syni përveç meje. E deri sa plumbi nuk u ka kapë, do me thanë se nuk ka qenë pushka ime. Po kur je në punë të ligë, të trembë edhe një grue tue përplasë tenxheret për inat të burrit e të duket si pushka e Ndoc Zentës. Po me që u paska shkue mundi kot, kthehuni e po u jap unë një barrë kollomoq sa me ushqye fëmijët.