| E hene, 19.07.2010, 09:58 PM |
BISLIM B. PIREVA
DHUNA NJËQINDVJEÇARE SERBE
SFIRCA
I. Të vrarë dhe të zhdukur
Me vendimin e Kongresit të Berlinit Sfirca ndahet në dy pjesë. Kufiri është caktuar në gusht të vitit 1878. Pa dyshim se Sfirca paraqet fatin më tragjik të Gallapit. Ky fshat e ka pësuar më së keqi në mbarë trevën e Gallapit, ngase në kufi u sollën kolonë nga Piva e Malit të Zi dhe nga Qaplina. Ata vrisnin këdo dhe kushdo që u vinte ndore. Madje i vrisnin edhe barinjtë vetëm se i dëgjonin duke i rënë fyellit.
1. Zymer Musë Berisha ishte në moshë të shtyrë dhe ishte vrarë nga serbët pranë kufirit më 1889. Ka lënë pas tre djem: Limanin, Sahitin dhe Jakupin.
2. Lah Berisha, djali i dytë i Sahitit, është plagosur për vdekje më 1890 dhe pas disa javësh ka vdekur në Krilevë. Ka lënë pas Hysenin, kurse tre muaj pas vrasjes së tij, i lind edhe një djalë që pagëzohet me emrin e të atit, pra me emrin Lah.
3. Latif Berisha djali i tretë i Sahitit është vrarë, të njëjtën ditë me Lahun. La pas vetes vetëm vajzën Zylën, e cila ka qenë e martuar në Leshtar.
4. Myrtë Berisha, djali i madh i Sahitit, është vrarë më 1892. Ka lënë pas djemt Shefkiun dhe Zymerin. Pasardhësit e Shefkiut jetojnë në Hajvali, kurse të Zymerit në Prishtinë
5. Bajram Sahit Berisha është vrarë pranë kufirit rreth vitit 1896 dhe nuk ka lënë pasardhës.
6. Kadri Sahit Berisha është vrarë pranë kufirit rreth vitit 1896 dhe nuk ka lënë pasardhës.
7. Ali Sahit Berisha është vrarë pranë kufirit rreth vitit 1896 dhe nuk ka lënë pasardhës.
8. Murat Sahit Berisha është vrarë pranë kufirit rreth vitit 1896 dhe nuk ka lënë pasardhës.
9. Ahmet Sahit Berisha është vrarë pranë kufirit rreth vitit 1896 dhe nuk ka lënë pasardhës.
10. Nazlie Sahit Berisha ishte 16 vjeçe dhe është vrarë të njëjtën ditë me të tjerët rreth vitit 1896. Pasi njëri nga vëllezërit ishte plagosur dhe i kishte kërkuar ujë, ajo niset drejt të vëllait për ndihmë, por vritet.
11. Rushit Sherif Berisha është vrarë pranë kufirit rreth vitit 1901. Ka lënë pas djalin Hutën, i cili poashtu vritet pas një viti.
12. Hutë Rushit Berisha është vrarë nga serbët më 1902 dhe ka lënë një vajzë me emrin Hajrie, e cila ka qenë e martuar në Dabishec për Hajdin Ramadenin.
13. Sejdi Keka ishte në moshë të shtyrë edhe është vrarë më 1902 në vendin e quajtur te Karolli i Bunarit. Ishte mjeshtër për t’i rënë fyellit. Në momentin e vrasjes kishte qenë duke i rënë fyellit. Ka lënë pas tre djem: Selimin dhe Ajetin të cilët më 1912 janë vrarë në mbrojtje të kufirit si dhe Arifin.
14. Një afërm i familjes së Ramë Sefedin Berishës rreth vitit 1910 pasi që në kulm të dimrit kishte mbetur pa drith shkon në fshatin Vrapcë, i banuar me kolonistë malazezë për të blerë drith, por nuk kthehet më. Atë e kishin prerë bërë copë-copë, e kishin futur në një thes dhe e kishin varrë në një degë të një lisi. Në pranverë kafshët duke kullotur i afrohen atij vendi dhe nga kundërmimi i erës së kufomës nisin të pëllasin. Kur barinjët arrijnë e shohin atë thes dhe i ftojnë prindërit, të cilët e marrin kofomën, e varrosin dhe vendosin të largohen nga Sfirca. Vendosen një bregore të Radashecit të komunës së Prishtinës, me gjasë në atë fshat e kishin një bijë. Aty kanë jetuar disa dekada, janë bërë disa familje. Nga vitet e ’70 janë vendosur kryesisht në Prishtinë.
15. Sefedin mulla Jakup Berisha është vrarë në mbrojtje të kufirit më 1912. La pas vetes: Hafizin, Azizin, Arifin dhe Ramizin, pasardhësit e të cilëve jetojnë në Prishtinë.
16. Ejup Sefedin Berisha është vrarë të njëjtën ditë me të atin Sefedinin dhe nuk ka lënë pasardhës.
17. Tal mulla Jakup Berisha është vrarë të njëjtën ditë në mbrojtje të kufirit dhe nuk i dihet as varri.
18. Mulla Ramë Berisha është vrarë më 1912 në mbrojtje të kufirit. Varri i tij është në lagjen e Dodajve në Sfircë. Varrin e Tal mulla Jakupit, në vitin 2008, e kanë rregulluar të bijtë e Tahires, Bajrami dhe Zahiri nga Shahiqi, të cilët ka kohë që janë vendosur në Gjilan. Bajrami tani është i ndjerë. Ramë Berisha ka lënë pas djemtë Bekën dhe Azizin si dhe vajzat Rabën, Tahiren dhe Limen.
19. Mulla Misin Doda është vrarë më 1912 në mbrojtje të kufirit, ndërsa eshtrat e tij ndodhen në Sfircë të Brendshme në të njëjtin varr me Arif Kosumin e Tugjecit. Ka qenë imami i parë i xhamisë së Tygjecit. Ka lënë pas djalin Hetemin, ndërsa Hetemi ka lënë Muharremin. Të bijtë e Muharremit: Misini (është i ndjerë), pasardhësit e të cilit jetojnë në Sfircë, Ganiu i cili me pasardhës jeton në Prishtinë, Shefkiu, i cili me familje ende jeton në Sfircë dhe Hetemin-Hetushin i cili është arsimtar dhe me familje jeton në Prizren.
20. Avdil Kadri Doda është vrarë te Kapia e Sfircës në luftë me forcat serbe më 1912. Ishte vëlla i Rrustem Dodës.
21. Bardhec Sefedin Doda po ashtu është vrarë të njëjtën ditë me Avdilin.
22. Sadik Jashar Doda, vëlla i Ramë Dodës, është djegur në shtëpi të vet bashkë me të ëmën Zahën më 1912, pas depërtimit të ushtrisë serbe.
23. Zaha Jashar Doda është djegur bashkë me të birin Sadikun të njëjtën ditë. Zaha ishte e verbër.
24. Myrtë Ramë Doda është vrarë, të njëjtën ditë me tjerët, më 1912.
25. Tez Ramë Doda është vrarë bashkë me të vëllain Myrtën më 1912.
26. Tal Zekë Doda është vrarë te Kapia në luftë me forcat serbe më 1912.
27. Ramë Hysen Doda është vrarë, të njëjtën ditë me të lartpërmendurit, më 1912.
28. Sinan Hazir Berisha është vrarë më 1912 nga Stojku i Meshinës, i cili nga Meshina më heret ishte vendosur në Ramabajë të Medvegjës.
29. Brahim Rushit Berisha është vrarë në Gjilan nga serbët më 1915. Pas vrasjes i ka lindur një djalë të cilin e kanë pagëzuar me emrin Brahim, por gjithnjë e kanë quajtur Brahimi i Ajshës (në emër të së ëmës). Qe disa vite të bijtë e tij jetojnë në Gjilan, kurse përkohësisht punojnë në Zvicër.
30. Sejdi Lan Berisha është vrarë te Kapia e Sfircës më 1912. Sejdiu la pas Shefkiun dhe Shabanin-Banin, pasardhësit e të cilit jetojnë në Gjilan dhe në Prishtinë.
31. Smajl Musë Berisha është vrarë te Kapia më 1912. Smajli kishte pesë djem: Lahin dhe Ajetin (të cilët i janë masakruar) si dhe Metin, Rexhepin dhe Musën, pasardhësit e të cilëve jetojnë në Kamenicë, në Gjilan dhe në Prishtinë.
32. Lah Smajl Berisha është masakruar në shtëpi të vet nga kolonistët e Majmullocit.
33. Ajet Smajl Berisha është masakruar po ashtu afër shtëpisë nga kolonistët e Majmullocit më 1912. E ëma Hanifja ua ka mbledhur zorrët në pshtjellak. Edhe sot vendi ku janë masakruar thirret Rrafshi i Ajetit.
34. Tafë Mehmet Demaj është vrarë te Kapia më 1912.
35. Dibran Mehmet Demaj është vrarë më 1912 te Kapia e Sfircës.
36. Munishi i Ajshes është vrarë te Kapia më 1912.
37. Adem Vrapca është vrarë te Kapia e Sfircës më 1912.
38. Mustafë Mehmet Berisha është vrarë në mbrojtje të kufirit më 1912. Ka lënë pas djalin Ajvazin. Të bijtë e Ajvazit Esati (veteran i arsimit, tani i ndjerë) pasardhësit e të cilit jetojnë në Kamenicë, ndërsa Musa dhe Rushiti me familje jetojnë në Prishtinë.
39. Selim Sejdi Keka është vrarë më 1912 në mbrojtje të kufirit. Ka lënë pas djalin Salihin. Salihi ka lënë tre djem, Xhemën, pasardhësit e të cilit jetojnë në Hajvali, Hasanin pasardhësit e të cilit jetojnë në Kamenicë, kurse pasardhësit e Nezirit disa jetojnë në Kamenicë e disa në Hajvali.
40. Nezir Selim Keka është vrarë po të njëjtën ditë me të atin Selimin dhe xhaxhain Ajetin. Neziri ishte vetëm 18 vjeç kur u vra.
41. Ajet Sejdi Keka është vrarë po të njëjtën ditë. La pas djemt Avdiun, Fetiun dhe Ozmanin. Avdiu ka lënë Ajetin i cili tani është i ndjerë, kurse të bijtë jetojnë në Gjilan. Fetiu ka lënë Lamin (tani i ndjerë) pasardhësit e të cilit jetojnë në Hajvali dhe Ramadanin i cili jeton në Hajvali. Në vendin Laku i Zekajve në një varr janë të varrosur Mustafa, Selimi me të birin Nezirin, të vëllain Ajetin dhe një kufomë tjetër që nuk dihet se kujt është. Sypozohet se mund të jetë i luftëtarit haxhi Salihit nga nga Pogragja e Gjilanit
42. Zajm Selim Berisha është vrarë në mbrojtje të kufirit te Kapia e Sfircës më 1912. La pas Fatimen e martuar për Ramë Shahiqin dhe Beqiren, e cila ishte e martuar në Topanicë.
43. Ramë Sfirca është vrarë më 1912 nga Kojica Papoviqi i Marocës për faktin se nuk kishte pranuar të konvertohej në ortodoks-serb.
44. Ali Sylë Doda më 1912 është kidnapuar nga malazeztë-kolonë të Vrapcës dhe për të nuk ka asnjë gjurmë. Nuk ka lënë pasardhës. Ishte axhë i Sylë Musli Dodës. Sipas asaj që Syla i ka rrëfyer të birit Sahitit, Aliu në vendin e quajtur Gurapesh, paska qenë duke kositur fier dhe disa malazezë, ndonëse të armatosur, e kishin rrethuar që ta zinin të gjallë. Thuhet se ka qenë aq i fuqishëm sa që një orë të plotë është mbrojtur me kosë si prej bishave, por pasi që ishte lodhur e kishin kapur të gjallë, e kishin shpënë në Vrapcë dhe më s’dihet gjë për të.
45. Izeti i hoxhës është vrarë më 1915 në Shahiq, ku ishte mysafir. Atë natë kolonistët e Starabajës kanë vrarë pesë anëtarë të familjes Tahiri, në mesin e tyre një fëmij, Izetin dhe Ali Huruglicën nga Lisocka, po ashtu mysafir.
46. Emrush Januz Berisha është mobilizuar me dhunë bashkë me të vëllanë Zullufin më 1917 dhe kurrë më nuk është ditur gjë për të. Ka lënë pas djalin Hakiun, i cili ka vdekur në vogëli dhe vajzën Ajeten, e cila ka qenë martuar për Hasan Demë Korçën në Gmicë.
47. Zulluf Januz Berisha ishte mobilizuar bashkë më të vëllanë Emrushin dhe ka humbur pa gjurmë. Ishte i martuar me Ramizen dhe kishte lënë një vajzë të vogël, por edhe ajo kishte vdekur. Ramizja, pasi i humb shpresat se Zullufi ishte gjallë, kthehet për të kunatin Isufin dhe më të më 1920 lind një vajzë, së cilës ia vë emrin e vet Ramize me besëtytninë se do të jetojë gjatë. Ramizja ishte martuar për Hatem Maliqin në Busavatë dhe ende jeton. Djali i madh i Januzit Isufi kishte arritur të mbetej gjallë dhe të krijonte familje. Ai kishte tre djem: Muharremin dhe Rexhepin, të cilët tani janë të ndjerë, kurse pasardhësit e tyre jetojnë në Prishtinë dhe Hajvali. Djali më i vogël i Isufit , Rifati me familje jeton në Gjilan. Azizja, e bija e Isufit, ishte e martuar për Sadik Pirevën në Tugjec, kurse më 1958 është shpërngulur në Turqi. Ka vdekur më 2007 në Brusë. E bija tjetër e Isufit Selimja ishte e martuar po ashtu në Tygjec për Rizah Pirevën dhe më 1958 është shpërngulur në Turqi. Ka vdekur në Brusë para 25 vitesh.
48. Munish Rrustem Kadriu-Doda është mobilizuar më 1917 dhe thuhet se është dërguar në punë të dhunshme në Kërçovë dhe nuk dihet gjë për të. Ka lënë ende të palindur Halimin, i cili tani është i ndjerë. Të bijtë Halimit Nazmiu e Aliu përkohësisht jetojnë në Zvicër, kurse Naseri në Hajvali.
49. Liman-Man Rrustem Kadriu-Doda ishte 18 vjeç kur u mobilizua bashkë me të vëllain Munishin dhe nuk dihet gjë për të. Ishin vëllazër të Sheqirit, të Kadriut, të Bejtës dhe dhe të Ibishit të gjithë të ndjerë. Pasardhësit e Sheqirit jetojnë në Hajvali, të Kadriut në Prishtinë dhe në Tiranë, të Bejtës në Gjilan, në Prishtinë dhe në Lypjan, të bijtë e Ibishit Qazimi (i ndjerë) dhe Halili në Prishtinë, kurse Limani, veteran i arsimit ende jeton në Sfircë.
50. Zeqë mulla Jakup Berisha është vrarë më 1918 në Zajqec në vendin e quajtur te Kojsia e Kuqe. La pas djemtë Zukën dhe Jakupin
51. Hamit Liman Berisha ishte nip i mulla Jakupit dhe është vrarë po ashtu më 1918. Ka lënë pas vetes vajzën Fatën, e cila ka qenë e martuar në Prapashticë.
52. Jakup Zeqë Berisha është therur me thikë nga kolonët e Vrapcës më 1922. Në trupin e tij janë gjetur 18 plagë nga thika. La pas djemt: Zeqën, Xhemën dhe Halilin, të cilët qysh para 35 viteve janë vendosur në Prishtinë.
53. Murtez Hajrullah Doda është vrarë nga serbët më 1926, duke shkuar nga Lashtica në Zhegër, ku shërbente në stacionin e xhandarmërisë nga shkaku se i mbronte interesat e shqiptarëve. Zhegrasit, duke e njohur për njeri të mirë dhe atdhetar, e varrosën në oborr të xhamisë, ku edhe sot e ka varrin. Hajrullah Doda pasi që ishte buzë kufirit për t’i ikur rrezikut më 1890 bashkë me të bijtë Murtezin, Behlulin, Azemin dhe Ademin ishin vendosur në Lisockë. Më 1966 Ademi vendoset në Dardanë, Behluli dhe Azemi vendosen në Gjilan. Murtezi kishte lënë pas vetes tre fëmijë: Ajshen 4 vjeçe, e cila tash është e ndjerë. Ishte e martuar në Magurë për Zahir Dërvodelin dhe ka lënë pas djemtë Sadriun, Ramizin dhe Nebiun, të cilët para shumë viteve janë vendosur në Mateç afër Komanovës me qëllim që të shpërnguleshin në Turqi. Kishte lënë edhe Xhemilen 2 vjeçe, e cila tash është po ashtu e ndjerë. Ishte e martuar për Hisen Demin në Lisockë dhe ka lënë pas djemt: Ibrahimin, Rahimin Zijadinin dhe Hevziun, të cilët jetojnë në lagjen Arbëria në Gjilan. I vetmi djalë Xhemaili ishte 6 muajsh kur ishte vrarë Murtezi. Edhe Xhemaili ka vdekur para disa vitesh, kurse të bijtë Murtesi, Elezi, Musliu dhe Veliu jetojnë në lagjen Arbëria në Gjilan. Ata, pasi ishin nipa të Lisockës dhe ishin vendosur atje, tani e mbajnë mbiemrin Kërqeli.
54. Ozman Ajet Keka më 1938 ka qenë ushtar. Gjatë shërbimit i janë bërë maltretime nga më të ndryshme dhe së fundi është helmuar. Pas disa ditësh që është kthyer nga ushtria ka vdekur. Nuk ka qenë i martuar.
55. Ramë Sherif Berisha është vrarë në ushtri më 1938. Nuk ka lënë pasardhës. Ishte vëlla i Rahimit.
56. Hetem-Keq Ibrahim Berisha është kindapuar dhe është zhdukur pa gjurmë diku në Leskoc më 1938. Nuk la pasardhës. Ka qenë vëlla i Hafiz, Sheqir dhe Feriz Berishës. Gjithashtu më 26.7.1944 në Velegllavë u vra e motra e tyre Hasimja, ku ishte e martuar.
57. Shukri Dalip Berisha më 1938 ka qenë ushtar në Suboticë. Familjes i ka ardhur një shkresë kinse e kanë mbytur kuajt. La pas vajzat Nazlinë, e cila ishte e martuar në Shahiq për Smajl Tahirin, pasardhësit e së cilës jetojnë në Kamenicë, kurse ajo është e ndjerë. Vajza tjetër Kumrija është e martuar për Hasan Ymer Matoshin dhe jeton në Gjilan. I vëllai i Shukriut Idrizi, që tani është i ndjerë, në vitin 1958 ishte vendosur në Gjilan ku edhe jetojnë të bijtë Hamdiu dhe Shukriu me gjithë familje.
58. Rizah mulla Xhafë Berisha është vrarë në ushtrinë serbe më 1938 në Rozhajë, ku edhe është varrosur pranë xhamisë. Nuk ka qenë i martuar. Ishte vëlla i Bejtë dhe Bislim Berishës, pasardhësit e të cilëve jetojnë në Prishtinë
59. Sinan Ramë Doda është mbytur nga serbët në Gazdar të Medvegjës më 1938. Nuk ka lënë pasardhës.
60. Idriz Halil Berisha është vrarë në ushtri më 1938. Nuk la pasardhës. Ishte vëlla i Qazimit, i cili tani është i ndjerë. I biri i Qazimit Bejta është i vendosur në Gjilan, ndërsa përkohësisht punon në Zvicër.
61. Ruhan Sefer Demaj ka qenë dhe është vrarë në Suboticë më 1938. Ka lënë pas Hasanin.
62. Sadik Lah Berisha kishte të kryera katër klasë të fillores në Banjë të Siarinës dhe si i shkolluar për atë kohë kishte qenë sekretar komune në Karaçevë, kur kryetar ishte Jakup Karaçeva. Është helmuar më 1938 nga serbët dhe pas disa ditësh ka vdekur në Krilevë. Nuk ka lënë pasardhës. Ishte vëlla i Salih,
63. Rahim Sherif Berisha është vrarë më 1944. La pas djemt: Ramën, Aliun, Sejdiun dhe Baliun. Pasardhësit e Ramës jetojnë në Prishtinë, kurse të Aliut në Sfircë dhe në Prishtinë.
64. Bajram B. Osmani i Sfircës është vrarë në Veleg -llavë më 9 korrik 1944.
65. Salih Lah Berisha është vrarë nga serbët në Gllogovicë më 1947. Ka lënë pas djalin Sadikun, i cili me familje jeton në Gjilan.
66. Ramë Halil Demaj është vrarë më 1945. Ka lënë pas djemtë Shaipin, Nazifin, Tefikun dhe Ramushin të cilët me familje jetojnë në Prishtinë.
67. Bajram Halil Demaj është vrarë bashkë me të vëllanë Ramëm, kufomat e të cilëve pas gjashtë javësh janë gjetur në Marocë. Edhe i vëllai i tyre Islami është vrarë nga paramilitarët në Prishtinë më l999. Bajrami la vajzën Xhevrijen, e cila ishte e martuar në Gërbac, ndërsa tash jeton në Lagjen e Spitalit në Prishtinë. Kufomat e Ramës dhe të Bajramit i kanë gjetur barinjtë e Velegllavës në male të Marocës. Lajmin e ka sjellë në xhami të Sfircës Braha i Velegllavës, dëshmitar i të cilit ishte Musë Ajvaz Berisha, asokohe 18 vjeç. Ai deklaron se edhe ai kishte shkuar atje i kishin marrë kufomat dhe i kishin varrosur në Velegllavë.
68. Sejdi Salih Doda është vrarë në masakrën e Tivarit më 1945. Nuk ka lënë pasardhës.
69. Sheqir Arif Keka është vrarë në masakrën e Tivarit më 1945. Në momentin e vrasjes bashkë me Sheqirin kanë qenë Ramiz Tal Berisha dhe Kadri Jashar Berisha, të cilët kur janë kthyer edhe e kanë kumtuar lajmin për vrasjen e tij. Po ashtu është masakruar në janar të vitit 1945 e motra Zelihja, e cila ishte e martuar për Lam Shahiqin, që po ashtu është vrarë në Luftën e Kikës.
70. Zukë Zeqë Berisha është marrë në shtëpi nga serbët në fund të dhjetorit të vitit 1944. Musë Ajvaz Berisha 85 vjeç pohon se i ka parë me sy të vet kur serbët e kanë marrë në shtëpi, e kanë lidhur dhe e kanë marrë me vete. Më vonë e ka marrë vesh se është vrarë në Starabajë. La pas vajzën Rabën, e cila është martuar në Tygjec për Adem Pirevën. Ademi tani është i ndjerë, kurse ajo me të birin Ganiun jeton në Gjilan.
71. Mehmet Hetem Doda është vrarë afër shtëpisë së vet më 7 janar 1945.
72. Ali Mehmet Doda është vrarë në masakrën e Tivarit më 1945. Nuk ka lënë pasardhës.
73. Avdyl-Losh Brahim Doda është plagosur më 23.12.1944 në Gjilan, ndërsa nga plagët ka vdekur në Sfircë pas disa ditësh. Është varrosur në oborr të Cenit të Brahimit ku edhe sot e ka varrin, sepse nuk kanë guxuar ta çojnë te varrezat.
74. Tahir Mustafë Doda është vrarë në Tygjec më 1945 nga bandat e Vojisllav Kuliqit të Vrapcës. Ka lënë pas djalin Sejdiun, i cili pas vrasjes së të atit për shkak të rrezikut bashkë me xhaxhallarët Sheqirin dhe Hamdiun largohen nga vendlindja dhe vendosen në Zagreb. Sheqiri e Hamdiu janë të ndjerë, kurse Sejdiu ka dy fëmijë dhe jeton në Zagreb. Tahiri ka lënë vajzat Zelihen dhe Shahen. Zelihja ka qenë martuar me Shaban Ademin nga Hajkobilla, i cili ndërkohë, është vendosur në Prishtinë. Njëri djalë i Zelihes Ragipi ka të mbaruar Akademinë Ushtarake, ka gradë të lartë, punon në TMK dhe është shumë i respektuar. Shaha, të cilën të gjithë e quanin Mire, më 7 korrik 1966 u vra nga një dorë gjakatare. I vëllai i Tahirit Avdushi në vitet ‘60 është vendosur në Prishtinë ku edhe jetojnë pasardhësit e tij, kurse ai është i ndjerë.
75. Salih Aziz Doda është vrarë pranë shtëpisë së vet më 7 janar 1945 dhe nuk ka lënë pasardhës.
76. Ramush Aziz Doda është vrarë të njëjtën ditë me të vëllain dhe nuk ka lënë pasardhës.
77. Mehremja, e shoqja e Bekë Dodës, bijë e Marecit.
78. Fatimja, e bija e Bekë Dodës, 20 vjeçe.
79. Xhezidja, e bija e Bekë Dodës, 18 vjeçe.
80. Zarifja, e bija e Bekë Dodës, 16 vjeçe.
Mendohet se vajzat ishin të një moshe më të re. Janë masakruar (prerë) në mengjezin e 7 janar 1945 nga Vojisllav Kuliqi, Radosh Kuliqi dhe Radomir Joiqi që të tre kolonë nga Vrapca. Pas masakrës, e para në vend të ngjarjes ka arritur Selimja, e bija e Sheqir Dodës. Kur e ka hapur derën e mban mend se Mehremja i është drejtuar me fjalët: “Oj Selime neve na prenë shkijet e juve a ju prenë”, kurse vajza e vogël Zarifja i kishte kërkuar ujë. Nga trishtimi Selimja kishte ikur. Selimja prej atëherë e deri në vdekje ka qenë e traumatizuar. Më pas ka shkuar Sylë Musli Doda, e ka parë të jetë plot gjak. Mehremja ende kishte qenë gjallë, njëra nga vajzat kërkonte ujë, kurse Fatimja në momentin masakrimit kishte qenë duke punuar me kërrabëza, të cilat i kishin mbetur në dorë. Atë ditë kufomat kanë mbetur ashtu, sepse nuk kanë guxuar t’i varrosin. Kufomat duke qendruar ashtu të lara në gjak ishin dëmtuar nga minjtë. Ato nuk janë varrosur në varrezat e lagjes, sepse nuk kanë guxuar, por në një përrua afër shtëpisë së Bellanit, ku edhe sot janë. Pasi i ishte masakruar e tërë familja, Beka sërish ishte martuar dhe ka lënë pas dy djem Zymerin (pra e kishte përtërirë emrin e djalin të vrarë), i cili me familje jeton në Prishtinë dhe Tahirin, që po ashtu me familje jeton në Prishtinë.
81. Qazim Bellan Doda në momentin kur ishte rrethuar shtëpia e Bekës kishte qëlluar aty dhe si i ri që ishte kishte tentuar të ikte, por në ikje e sipër vritet. E kanë qëlluar tri herë me nga dy të shtëna. Herën e fundit e kanë goditur për vdekje, por Voja Kuliq, Radosh Kuliq e Radimir Joiq nuk janë kënaqur me aq. Janë kthyer në oborr të Bekës, e kanë marrë sëpatën dhe më të e kanë masakruar Qazimin. Pas largimit të tyre, Sylë Musli Doda e ka marrë kufomën e tij dhe e ka fshehur në një stog të sanës, ndërsa më vonë ashtu si kanë mundur e kanë varrosur.
82. Tahir Hetem Doda është vrarë nga serbët te Guri i Hoxhës në Përlepnicë më 26 dhjetor 1944. Pasi i kishin zënë pritën një grup serbësh të armatusor, kërkojnë prej tij që ta hudhte armën. Tahiri e hudh armën, kurse ata vërsulen drejt tij për ta kapur të gjallë duke iu drejtuar me fjalët ’’ Shiptarsku ti majku j...’’ (Ta q... nënën shqiptare). Tahiri më të shpejtë e kap pushkën që e kishte hudhur dhe e vret njërin prej tyre, por kuptohet të tjerët e vrasin. La pas të vetmin djalë Fehmiun, me të cilin nga frika e ëma e tij shkoi në gjini të vet në Marec ku edhe u rrit e u martua Fehmiu. Para disa vitesh ishte vendosur në Hajvali, ku edhe jetojnë pasardhësit e tij, kurse ai ka vdekur në prill të vitit 2008.
83. Azllan Rushit Doda bashkë me Sinan Dodën, më 7 janar të vitit 1945, i kanë lidhur dhe i kanë dërguar në Bungishtë nën shtëpinë e Radovan Peroviqit dhe i kanë masakruar me singia të pushkëve. Nuk ka lënë pasardhës.
84. Sinan Lim Doda është masakruar bashkë me Azllanin. Pas gjashtë muajve, i vëllai Hakiu, përmes një malazezi, i ka gjetur kufomat të tëra të kalbura, ndërsa sytë e nxjerrë nga korbat. Si kompensim për ta treguar vendin se ku ndodheshin kufomat Hakiu është dashur që t’i japë malazezit
85. Mehmet Hetem Doda është vrarë të njëjtën ditë, më 7 janar 1945, dhe nuk ka lënë pasardhës.
86. Ymer Latif Doda është vrarë në dhjetor të vitit 1944 dhe nuk ka lënë pasardhës. I vëllai Zeneli tashmë është i ndjerë, kurse pasardhësit e tij jetojnë në Prishtinë.
87. Rexhep Din Doda është vrarë në dhjetor të vitit 1944. Nuk la pasardhës. I vëllai Ferizi që moti ka shkuar në Beograd. Ymeri dhe Rexhepi janë vrarë në kodër të Dodajve.
88. Bajram Latif Doda është vrarë në janar të vitit 1945 dhe nuk ka lënë pasardhës. Në popull njihet si Bajrami i Dinit të Tezit. Një pasardhës i asaj familje i biri i Zenelit e ka trashëguar emrin e tij, por edhe ai njihej në popull Lushi i Nelit të Tifit, i cili tash jeton në Suedi, kurse Neli ka vdekur më 2003. I vëllai Hasani me pasardhës jetojnë në Prishtinë dhe në Hajvali.
89. Ali Tal Doda është mobilizuar më dhunë dhe është vrarë në Lebanë apo në Leskoc më 1944. Ka lënë pas një vajzë. . 90. Sejdi Tal Doda është vrarë në Leskoc. Sipas një varianti tjetër ia ka arritur deri në Zarë ku është hedhur nga anija në det nga disa kolonistë të Vrapcës, të cilët e kanë njohur. Nuk ka lënë pasardhës.
91. Zymer Bekë Doda është vrarë më 31 mars 1946. Ka qenë tmerr për kolonët malazezë. Pasi ia kishin masakruar nënën tri motrat dhe kushëririn ishte betuar se do t’u hakmerrej të gjithë kolonëve të Vrapcës. Mjerisht bashkëvendësit i janë lutur që të mos e merrte një veprim të tillë se do të pësonte e gjithë Sfirca, por edhe fshatrat e tjera. Zymeri kishte hequr dorë.
92. Bali Lah Berisha është vrarë në Gllogovicë nga OZN-a më 1947. La pas Nazifen, e cila ishte martuar për Smajl Krasniqin në Zllashë (tani e ndjerë), kurse tre muaj pas vrasjes i lind një djalë të cilin e pagëzojnë me me emrin Mujë. Ai me familje tani jeton në Gjilan.
93. Nuhi Rexhep Berisha është vrarë në Prishtinë mes 11 e 12 janarit të vitit 1984. Për një popull të robëruar, siç ishim ne, në një mënyrë a tjetër, lufta s’ka pushuar kurrë, por në luftën e fundit, sipas bindjes sime, të parët që ia kthyen pushkën pushtuesit ishin Nebi e Tahir Meha në Prekaz dhe pas tyre Rexhep Mala e Nuhi Berisha në Kodër të Trimave në Prishtinë, të cilët ranë heroikisht në luftë me forcat policore, që quheshin jugosllave, e që në realitet ishin serbosllave. I ati i Nuhiut Rexhepi me të bijtë Muratin dhe Feratin me familje jetojnë në Gjilan
94. Islam Halil Demaj është vrarë më 25 mars 1999 nga paramilitarët serbë në Prishtinë. Islamit dy vëllezër të tjerë Rama dhe Bajrami i janë vrarë nga serbët më 1945. Pra ishin tre vëllazër dhe që të tre janë vrarë nga serbët. Islami la pas katër djem. Bajramin dhe Zymerin të cilët me familje jetojnë në Prishtinë, Enverin i cili përkohësisht është i punësuar në Gjermani dhe Arbenin i cili jeton në Hajvali.
95. Gani Idriz Berisha ishte student i Fakultetit të Makinerisë në Universitetin e Prishtinës. U vra në përballje me policinë serbe, më 14 prill 1999, në lagjen Kolevica e Re në Prishtinë. Ka lënë dy fëmijë. Duke i llogaritur edhe dy bija të Sfircës Hasime I. Berisha që u vra më 26.7.1944 në Velegllavë dhe Zelihe Arif Keka e cila u vra në Gjilan në fillim të janarit të vitit 1945 del se nga Sfirca janë vrarë 97 vetë.
II. Të rrahur dhe të ndjekur
Pas vitit 1989 në Sfircë, që ishte mu në kufi, u intensifikua dhuna. Si pretekst mirrej kërkimi i armëve dhe rekrutimi i të rinjëve në ushtri.
1. Hisen Berisha u rrah për armë më 1991 dhe nga lëndimet që mori pas nëntë muajve vdiq në Sfircë. La pas Rrahmanin, Ramadanin, Imerin si dhe Agimin. Ramadani me familje jeton në Prishtinë, kurse të tjerët në Kamenicë.
2. Ajet Berisha shtëpia e të cilit ndodhej afër kufirit në shtator të vitit 1991 ishte rrethuar nga 40 policë në mesin e të cilëve printe Miladin Savë Bleçiqi nga Vrapca, po ashtu me shtëpi pranë kufirit Kosovë-Serbi, me pretekst të kërkimit të armëve. Pasi që bastisin kudo në shtëpi dhe përreth shtëpisë duke i tmerruar, torturuar dhe rrahur tërë familjen me vete e marrin Ajetin me të birin Nazmiun, të cilët në stacionin e policisë në Kamenicë i rrahin pamëshirshëm, sa që Ajetit që ishte edhe në moshë ia thejnë edhe tri brinj.
3. Hajrullah Ali Berisha në verë të vitit 1997 u rrah brutalisht nga policia dhe mbeti me pasoja jo vetëm fizike, por edhe psikike deri në vdekje.
4. Latif Hajdin Demaj po ashtu nga rrahja brutale e policisë vdiq në Kamenicë më 31 mars 1999. La pas vetës djemt: Ismetin, Ilazin Tefikun dhe Alldyzin.
5. Nezir Musë Berisha për shkak se i kërkoheshin armë më 1990 u arratis në Gjermani.
6. Zahir Musë Berisha, po ashtu për shkak se i kërkoheshin armë më 1991 u arratis në Suedi.
7. Agim Xhemë Berisha për shkak se i kërkoheshin armë më 1991 u arratis në Gjermani.
8. Januz Bajram Berisha për shkak se i kërkoheshin armë më 1991 u arratis në Gjermani. . 9. Ismet Bajram Berisha për shkak se i kërkoheshin armë më 1991 u arratis në Suedi.
10. Bajram Zenel Berisha (Lush Doda) për shkak se i kërkoheshin armë më 1991 u arratis në Suedi.
11. Zenel Zukë Demaj më 1992 për shkak se i kërkoheshin armë u arratis në Suedi.
12. Hasan Rizah Demaj më 1993 dezertoi nga ushtria serbe dhe u arratis në Austri.
13. Shaip Malë Berisha arsimtar në shkollën fillore të Hajvalisë, kurse me shtëpi në hyrje të Graçanicës gjatë bombardimeve të NATO-së më...........1999 nga ushtria paramilitarët dhe policia serbe u mor nga shtëpia dhe....
**Këto të dhëna as përafërsisht nuk janë të plota, prandaj është jo vetëm mëkat, por edhe turp për ne të gjallët që së paku të mos ua kujtojmë emrat dhe së paku që ua dimë varret t’ua vëmë nga një gur ku ata prehen.
III. Të shpërngulur
Vlen për ta theksuar se, edhe pse ky fshat vazhdimisht ishte në shënjestër të bandave, në Turqi është shpërngulur familja e Miftar-Tal Dodës më 1934 dhe i cili ka lënë pas vetëm një vajzë si dhe e Demë Sylë Berishës më 1970. Tani Dema është i ndjerë, kurse pasardhësit e tij jetojnë në Brusë. Gjithashtu, në Shqipëri ka migruar më 1948 Hamdi Kadri Berisha, i cili me familje jeton në Tiranë.
Informatorë: Esat Berisha, Xhemë Berisha, Halil Berisha, Ramize Berisha, Gani Berisha, Musë Ajvaz Berisha, Osman A Berisha, Ramiz Pajaziti nga Kremenata. Në veçanti është angazhuar Sahit Sylë Doda, edhe pse me shëndet nuk ishte mirë, ndaj edhe meriton falënderim të veçantë.