Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Vangjel Zhapa - shenjtori shqiptar ende i pakurorëzuar

| E diele, 18.07.2010, 07:59 PM |


Vangjel Zhapa - shenjtori shqiptar ende i pakurorëzuar

 

Nga Mihal Gjergji

 

Mes personaliteteve tona të shumta, që bamirësinë dhe humanizmin e kanë bërë qëllim të jetës së tyre, duke arritur kështu pragun e shenjtërimit, paçka se s’e kanë përfitur këtë titull të lartë, për faktin e të qënit shqiptar apo për shkaqe të tjera që s’vareshin prej tyre, unë do të veçoja Vangjel Zhapën, Peshop Nolin dhe Nënë Terezën. I pari, megjithëse është po aq luftëtar në betejën e progresit shoqëror dhe  ekonomik, po aq shenjtor sa Nënë Tereza, ndoshta më shumë bamirës se ajo, me përjashtim të trevave të Shqipërisë së jugut, vështirë se mund t’i njihet emri dhe veprimtaria e tij e madhe. Me siguri edhe Papa i Romës i ka njohur kontributet e panumurta e të shumëllojta të Vangjel Zhapës, ndoshta edhe ka menduar të organizonte meshën e “celebrimit” të tij me zotin, dhe së fundmi shënjtërimin e tij në katedralet e mirënjohura të Vatikanit, në shekullin ku jetoi. Ndoshta...! Mirëpo këto janë vetëm hamëndësime, sepse njihen mirë marrdhëniet vazhdimisht të tensionuara mes Vatikanit dhe Patriakanës së Stambollit. Dy perandoritë shpirtërore janë ndarë ‘de fakto’ që në shekullin e tetë, ndërsa ‘de juro’ tre shekuj më vonë. Dhjetra sinode të shenjta janë organizuar për këtë qëllim. Lufta bëhej për të caktuar vënvendosjen e Primateve dhe zonat e inflyencës, derisa katolicizmi caktoi Vatikanin ndërsa ortodoksia Kostandinopojën.

E Shqipëria, që aq shumë i ka falur qytetërimit botëror, ky vend i bekuar,  me fytyrën andej nga vjen drita e Perëndisë, por me trupin të gjakosur nga barbaritë e panumurta, i takoi “fati” të jetë në kufirin ndarës mes tyre, ashtu siç do të ndodhte edhe para 50-viteve, kur vendi ynë u caktua si kufiri ndarës dhe eksperimentues mes dy ideologjive që sunduan botën në gjysmën e dytë të shekullit kaluar.

Sipas At Arthur Liolin, Kancelar i Kishës Ortodose Shqiptare të Shën Gjergjit: “Noli mund të shënjtërohet”. Gjykimi Arthurit: mjafton përkthimi që i ka bërë Biblës në gjuhën shqipe. Kisha Ortodokse mund ta shpallë shenjt, sepse e meriton. Po përse s’është realizuar ky shenjtërim, mund të pyesni me të drejtë ?! Sepse u dashka bashkëpunimi i Kishës sonë në Amerikë me atë në Shqipëri. Po mirë, mund të pyesni përsëri, ku qëndron e keqja?! Është e vështirë përgjigjia, ashtu si fakti i pakuptimtë i heqjes së portretit të Imzot Nolit nga Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që aktualisht drejtohet nga një shtetas joshqiptar. Kështu ka ndodhur me Nolin, këtë figurë të madhe të kulturës sonë kombëtare. Fatkeqësitë tona janë të shumta, shkaqet po ashtu. Mungesa e shtetit për një kohë shumë të gjatë dhe sundimi i vendit nga pushtuesit që zvëndësonin njeri-tjetrin, bënë që vlerat e krijuara nga ky popull të mos promovoheshin, përkundrazi.

Kështu ndodhi edhe me Vangjel Zhapën.  Fatkeqësisht, ky emër s’është futur as në tekstet shkollore, në vendin e orgjinës. S’ka histori të publikuar në  programet e mësimdhënies për vendlindjen e tij dhe vlerat që ka krijuar, me qëllim që të njihet nga fëmijët tanë.

Ndërkohë, Rumania organizon përvjetorë themelimesh të teatrove apo universiteteve të financuara nga ky bamirës, komente pa fund në shtypin e shkruar, boton libra dhe promovon monografi kushtuar Vangjel Zhapës; Greqia e rendit ndër burrat më të shquar që kanë kontribuar për këtë komb ( sigurisht që s’nguron t’i bashkangjit edhe kombësinë greke siç bën edhe me personalitete të tjera të shquara shqiptare që kanë kontribuar për këtë vend); Turqia përkujton dhe vlerëson me  nderim emrin dhe bamirësitë e tij në fushën e arsimit; në Shqipëri s’zhvillohet asnjë aktivitet kushtuar këtij burri të shquar. Asnjë shkollë s’mban emrin e tij, megjithse ka hapur apo financuar dhjetra të tilla, jo më pak se 120 shkolla të ndërtura e rindërtuara, në Gjirokastër, Delvinë, Përmet, Sarandë, Janinë etj. Asnjë rrugë s’mban emrin e nderuar të Zhapës, megjithse ka ndërtuar shumë të tilla, krahas veprave të kultit. Sa keq! Vetëm Labovës i dhimbset  Vangjeli, si nënës djali. Vetëm labovitët kanë bërë përpjekje për të mësuar sa më shumë rreth jetës dhe veprimtarisë bamirëse të bashkëfshatarit të tyre, jashtë atdheut.

Janë të shumtë ata që kanë shkruar për Vangjel Zhapën: Vangjel Meksi, Qirjako Hila, Thanas Hoda, Thanas Meksi, Ilir Kontini, Agron Alibali, Fedhon Meksi, Filip Boga, Koço Toti, Dhimo Mali, Fejzi Hoxha, Foto Toti etj. Prof. Thanas Meksi dhe shoqata “Odria” që ai drejton, vazhdojn të investojë kohë dhe përkushtim për të dokumentuar të vërteta të panjohura ende. Fisniku  Thanas Hoda, laboviti i interrnuar në fshatrat e Tepelenës gjatë viteve të  diktaturës komuniste, mësuesi i apasionuar i historisë, në librin e tij “Rrugët e jetës më shpien në Labovë”, shkruan me një gjuhë shpirtërore dhe  me pjekurinë e mendimit që të jep mosha: “ Kanë kaluar mbi 100 vjet nga vdekja fizike e të paharruarve Zhapa (Vangjeli dhe Konstandini-M.Gj). Gjithësesi mendoj se jeta dhe mesazhi i tyre i kulluar shqiptar, dhe njëkohësisht thellësisht kristian, do të shërbejë përjetësisht si burim krenarie dhe udhërrëfimi për brezat që do të vijnë. Zhapajt vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje  pas mohimit të gjatë nga qeverritë komuniste dhe dhunimit satanik të varreve dhe eshtrave të tyre në gjirin e varfëruar të Labovës në vitin 1967”. Qirjako Hila, në librin e tij “Vangjel Zhapa mirëbërës i madh labovit” pas një pune intensive  dhe të kualifikuar në arkiva, ka pasqyruar me shumë përgjegjësi dhe ndjenjë adhurimi të thellë, histori të dokumentuara nga jeta dhe veprimtaria interesante e këtij laboviti që meriton nderimin e gjithë bashkëkombasve të tij shqiptarë.

Në ndryshim nga autorët e tjerë, që në shumicën e rasteve përsëritin njeri-tjetrin, Fedhon Meksi dhe veçanrisht Qirjako Hila, sjellin gjëra të reja për figurën e këtij bamirësi. Ky i fundit, konkludon: “Figura e Vangjel Zhapës u politizua aq shumë, sa iu errësua çdo ide, nisiativë dhe aspiratë iluministe. Emri i tij i integruar në historinë e kulturës dhe të qytetërimit panballkanik të shekullit 19-të, u la në hije”. Fisnikëria dhe bujaria labovite–shkruan më tej Qirjakua-s’janë rastësi, por tipare të kësaj treve. Dhe kjo është një e vërtetë e padiskutueshme. Koço Toti, një tjetër labovit, nga një familje fisnike që meriton të hyjë në radhën e atyre familjeve që labovitët i quajn me krenari “Arhondë” ose thënë ndryshe: familje të para, megjithë peshën e 80 viteve që mban në shpinë, vazhdon të grumbullojë materiale dhe të shkruaj me dashuri për Labovën dhe labovitët. I shqetësuar për figurën e pavlerësuar e të mbetur në hije të Vangjel Zhapës, është duke shkruar librin e tij të tretë. Beson, që edhe me ndihmën e të palodhurit Thanas Meksi, drejtuesit kryesor të shoqatës “Odria”, ta përfundojë. Le të shpresojmë. Është një shqetësim i bukur ky që e tremb edhe “Xhebrailin” i cili s’guxon t’i afrohet këtij shqiptari patriot, këtij vjershëtori gojëmjaltë që me modesti e realizëm s’pretendon të meritojë titullin e lartë të poetit, e megjithëatë  qëmton me kujdes traditën, gurrën popullore, ritet, këngët dhe vallet e trevës, kujtimet që duhet të njihen e trashëgohen  edhe nga brezi i ri. Përshkruan dasmën e vllejve të bërë sipas zakoneve labovite.

Labova e madhe mbante në teritoret e saj mbi 60 familje çobenjësh, të ardhur që prej viteve 1945-1946,  mirëpo ata s’mundën t’ua impononin zakonet e tyre vendasve , ndërsa u asimiluan nga labovitët, megjithse këta të fundit, janë shumë sqimatarë dhe s’pranuan ta përziejn gjakun me të ardhurit. Koçua u  këndon njerzve të mirë të Labovës, kujtimit të të ikurve, vëndeve të shenjta, natyrës së pakrahësueshme, sa “Kur del në majën e gurrës/ e kap diellin me dorë” . Është kujdesur të sigurojë edhe harta të fshatit e zonës, të viteve 1900, 1940, 1950, 1990, 2000 etj, të dokumentohen edhe trojet, sepse matanë sinoreve ka ardhur gjithmonë e keqja, e më mirë se brezi i Koços këtë të vërtetë s’mund ta dijë askush. Mirëpo ka një brengë, për të cilin ndien edhe një “fajësim” moral, për monumentet e Vangjel e Konstandin Zhapës.

Në vitin 1967, në kohën kur u shpall ashpërsisht lufta ndaj fesë, ketyre dy monumenteve të gdhëndur në mermer të bardhë e të ardhur ndoshta që nga Rumania, u hoqën pjesën fundore, ose më saktë bazamentin ku ishte gdhëndur Shën Maria me Jezusin në gji. Ishte njëlloj si tu hiqje besimin ndaj zotit, megjithëse ishin të vdekur. Mirëpo ky ishte një mësim për labovitët që shikonin me dhimbje e që s’mund të protestonin nga frika e diktaturës.

Goditja e dytë dhe më fatkeqe ishte në vitin 1992. Një labovit, për arsye që ende s’janë zbardhur, i ngarkoi në një makinë dy bustet e Vangjel e Konstandin Zhapës dhe u nis për ti shpurë në Greqi. Mbase ia kishin kërkuar në këmbim të ndonjë shpërblimi të mirë, mbase... Policia shqiptare, i kapi dhe i ktheu mbrapsh, i shpuri në ambjentet e komisariatit Gjirokastër, ku qëndruan disa muaj, pastaj u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë. Vite më vonë, me këmbënguljen e shoqatës kulturore-atdhetare “Odria” dhe me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, u ndërtua një bust i ri për Vangjel Zhapën, sigurisht jo si ai për të cilin folëm më lartë, por një i thjeshtë, sa për ta kujtuar.

Ilir Kontini shkruan se: “Vangjel Zhapa është shqiptari që ndërtoi perlat e Athinës...lojrat olimpike janë veprimtaria më e vjetër në sportin botëror. Zanafilla e tyre është që te grekët e lashtë dhe janë zhvilluar deri në vitin 329 të erës së re, vit kur këto lojëra u shktërruan nga një perandor romak...pas 15 shekujsh rilindi përballja sportive. Në biblotekën e Akademisë Olimpike Ndërkombëtare ekzistojnë dokumente dhe fakte që vërtetojnë se një nga figurat e shquara që kontribuan për ringjalljen e Lojrave Olimpike ishte Vangjel Zhapa, filantropi nga Labova e Madhe”.

Agron Alibali përshkruan detaje nga jeta dhe veprimtaria ekonomike e Vangjel Zhapës, investimet e tij në Greqi, Turqi, Rumani etj, kujdesi për vendlindjen e tij, Labovën  dhe pasuria e tij e caktuar enkas për vendlindjen; ( për ndërtimin e rrugëve, shkollave, kishave, manastirit, krojeve, qëndrës shëndetësore e farmaceutike, etj). Alibali i referohet edhe  historianit romuno-grek Nikolia Postolaqi, libërit të tij kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Vangjel Zhapës lidhur me kohën që jetoi e punoi në Rumani : “ Përsa na përket neve (romunëve-M.Gj), e kemi evokuar e përkujtuar Vangjel Zhapën, duke i dhënë vendin që meriton, qysh nga inagurimi i Muzeut të Sportit të Rumanisë në majin e vitit 1971. Kishim ndërmend atherë që të paraqisnim dhe një bust  prej bronzi, i cili ishte bërë që në vitin 1867 dhe u zbulua në mbledhjen përkujtimore historike të 1 gushtit të atij viti, në inagurimin e Shoqërisë Letrare  Romune që u bë nga Akademia e Rumanisë...”

Filip Boga trajton zhvillimin e lojrave olimpike në Athinë në vitin 2008. “U ndez flaka olimpike në Athinë,-komenton Filipi- shkoi në Pekin, në vendin organizator dhe prej andej përshkon xhiron rreth botës. Filloi në Kazakistan...do të kthehet përsëri në Kinë. Shqipëria është e përjashtuar. E kemi ndjekur spektaklin e lojrave olimpike në Athinë. Asgjë për atdheun dhe themeluesin e lojrave olimpike moderrne, Vangjel Zhapën nga Labova e Madhe e Gjirokastrës.” Ka edhe emra të tjerë që kanë shkruar për kontributet e mëdha të këtij laboviti të pakrahasueshëm, mirëpo s’mund ti përmëndim të gjithë në rreshtat e kufizuar të një shkrimi .

 

Rregjimi komunist dhe qëndrimi ndaj Vangjel  Zhapës.

 

Ekziston një urdhër i Enver Hoxhës i vitit 1955, për Kryeministrin Mehmet Shehu: të përdoren të gjithë mekanizmat shtetrorë dhe pasuria e Vangjel Zhapës të vijë në Shqipëri. Bëhej fjalë për një sasi prej 800 milionë dollarësh që administrohej nga Patriakana e Stambollit, pronar legjitim i së cilës ishte gjirokastriti nga Labova e madhe, Vangjel Zhapa. Shteti shqiptar nëpërmjet shoqërive komisionere filloi procedurat e nevojshme, të cilat asnjëherë s’patën suksesin e pretenduar.
Ministria e Jashtme aktivizoi avokatin Arqiviadh Lamani për të verifikuar trungun familjar dhe lidhjet e afërta e shumë të afërta të Vangjelit. Këtë gjë, bashkë me  pemën gjenalogjike të familjes Zhapa ia besuan për ta ndërtuar trashëgimtarit të fisit të Vangjelit, Jani Malos. Ndërkohë, ambasadori i Shqipërisë në Turqi Lik Seiti, vazhdonte interesimin në zbatim të detyrave të Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm. Shteti shqiptar aktivizoi kundrejt pagesave të larta ( 20% të shumës) edhe një avokat turk të quajtur Aqif Akçu.

Shumë pikëpyetje ngrihen mbi dështimin e këtyre përpjekjeve. Komisionerët tanë flisnin në emër të shtetit dhe s’përfaqësonin  trashëgimtarët legjitimë të kësaj pasurie. Shqipëria ishte vend komunist dhe s’mund t’i besohej pasuria private e askujt, aq më tepër shuma kaq të mëdha, për arsyet e njohura se ky rregjim e shtetëzonte pronën private, pra e tjetërsonte në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare, dhe pronarët legjitimë s’do ta gëzonin kurrë atë. Kjo e vërtetë u provua nga qindra e mijëra familje shqiptare që ende vazhdojnë përpjekje të dëshpëruara për të marrë pronat e gjyshërve dhe baballarve të tyre, të grabitura e sekuestruara nga diktatura 50-vjeçare dhe më pas.

Edhe qeverria greke ishte interesuar që të mos binte në dorë të shtetit shqiptar kjo pasuri kaq e madhe. Qeverria greke kishte lënë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë (fatkeqësisht një gjëndje e tillë vazhdon edhe sot, me gjithë ndryshimet e shumta gjeopolitike !). Mardhëniet thuajse ishin të ngrira. Veç asaj, edhe në Greqi kishte pasuri shumë herë më të madhe të Vangjel Zhapës, të cilat ata asnjëherë s’do pranonin t’i tjetërsonin. Rumania ku Vangjel Zhapa kishte lënë miliarda dollarë, ishte nën rregjimin komunist, i cili s’njihte pasuri të individit, prandaj edhe shteti shqiptar s’bëri asnjë përpjekje për ta kërkuar atë. Nën presionin e diplomatëve të shtetit të tij dhe nga kërcënimet e punonjësve të diplomacisë greke, të veshur me petkun e emisarëve të tregëtisë, avokati turk Aqif Akçu u largua në mënyrë graduale derisa humbi çdo lidhje me përfaqësuesit tanë.

Shteti turk u la përfaqësuesve tanë një afat 10 vjeçar ( 1955-1965) për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm ligjor në përputhje me ligjet ndërkombëtare, ndërkohë, në vitin 1960, pasurinë e madhe të Vangjel Zhapës ja kaloi përsëri në përdorim Patriaknës ( të cilës ja kishte marrë në vitin 1940), për aq kohë sa ti delnin trashëgimtarët e vërtetë të saj. Arkivat e Athinës, Bukureshtit dhe Stambollit, mbajnë brenda një informacion të bollshëm e interesant për Vangjel Zhapën, por, ende të panjohur për studiuesit shqiptarë. Autorë të tjerë, të mirëinformuar për problemin Zhapa, pretendojnë se me interesat e miliardave të tij e të administruara nga Greqia, kjo e fundit ka ndërtuar dhe vazhdon të ndërtojë me dhjetra kisha në trojet shqiptare brenda kufirit tonë shtetror.

Nuk dihet nëse aktualisht shteti shqiptar ka tentuar për të kthyer në Shqipëri pasurinë përrallore të shtetasit të tij, dhe nëse po, a mund të shpresojë Labova e Madhe se mund të shikojë ndonjëherë ditë të bardha  nga  biri i saj, të cilin e ka mbajtur brenda gjirit deri në moshën 13 vjeçare, apo të kënaqet vetëm me shkëlqimin e emrit të tij, i cili s’ka për t’u shuar kurrë...Testameti “Zhapa”, që prej viti 1940 vazhdon të jetë i “ngurtësuar” nga shteti helen, ndërkohë, trashëgimtarët ligjorë, së  paku shqiptarët, vazhdojnë të jenë si të tillë vetëm në shkresat e hartuara nga bashkëatdhetari i tyre para 150 vitesh.

 

Pak histori për lexuesit kurreshtar

 

Vangjel Zhapa ka lindur më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin Labovë e Madhe, në rrethin e Gjirokastrës.  Biografët që kanë shkruar për Vangjelin, theksojnë se ky i fundit është larguar nga Labova në moshën 13 vjeçare dhe ka shkuar në Janinë. Atje është përkrahur nga bashkëfshatari i tij Vangjel Meksi, i cili ushtronte profesionin e mjekut popullor në Vilajetin e Janinës. Për një periudhë gati pesë vjeçare, bashkëpunoi me Vangjel Meksin dhe mësoi prej tij mjeshtërinë e përdorimit të bimëve kurative që rriteshin në malet shqiptare. Jo më pak se dy vite, Vangjeli shërbeu si ushtar në garrnizonin e Ali Pashë Tepelenës, ndërsa më vonë u shkëput (1820) dhe u bashkua me kryengritësit suliotë në revolucionin grek kundra Turqisë, duke luftuar në krahë të Marko e Kosta Boçarit, Zervës, Vejkut, Panarjasë, Gurras etj, për çlirimin e Sulit, Mesollongjit, Vasilikas, Termopile, Aito, Gravia, Spllanxa, etj. Trupi i tij mban shumë gjurmë lufte dhe është plagosur më shumë se 5 herë. Ai është nderuar me medaljen e argjendtë:” Për kontribut në luftën për pavarësi të Greqisë”.  Kjo konfirmohet edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë L.Deligeorges në një shkresë që mban datën 31.12.1890.  Në shënjë hakmarrjeje, turqit i arrestuan nënën, Sotirën dhe i morën gjithë pasurinë që zotronte në fshat. Revista greke “Epirotiqi Eteria” botimi i vitit 1996 në Athinë, e pasqyron shqetësimin e Vangjelit për këtë ngjarje:

“...e nderuara mëma ime plakë me urdhër të vezirit turk, Qytahi, më 1825 u rrëmbye nga shtëpia dhe u soll e lidhur me pranga në Janinë, ku e izoluan për dy vjet në burgun e nëndheshëm të ishullit të liqenit të Janinës...gjërat e shtëpisë sime u bënë placka për të dërguarit e vezirit Kalobej Kastrino...Nëna ime e di që i kam jetën borxh atdheut dhe gjallë ta pjekin ajo nuk do të ankohet”. Kjo është shkëputur nga letra e protestës, që Vangjel Zhapa në vitin 1845 i drejton Konsullatës greke në Bukuresht, duke u ankuar kështu për vlerësimin e pamjaftueshëm të bërë nga pushtetarët grekë të asaj kohe.

Shteti shqiptar do të mungonte edhe për 87 vite të tjera, prandaj nënëshkrimet e Vangjelit saktësonin: nga Labova e Epirit. Pas 18 vitesh largimi nga vendlindja e tij, Labova,Vangjeli kthehet përsëri për të takuar njerzit e gjakut dhe për t’u çmallur me natyrën e bukur të Odries, që e shoqëronte ngado. Duhet të merrte bekimin e nënës para se të largohej në rrugën e fatit. Për pak kohë qëndroi në disa teritore të greqisë, mirëpo nuk gjeti ngrohtësinë që priste. Megjithse ishte oficer i graduar dhe i dekoruar, luftëtar i shquar për jo më pak se 10 vite ( 1820-1830), e braktisi qëndrimin e mëtejshëm në radhët e armatave greke, për shkak të pakënaqësive ndaj drejtuesve të tyre.  Zgjodhi Rumaninë si vendqëndrim të tij, atdheun e “adaptuar” siç e quante edhe vetë. Mendonte të merrej me bujqësinë, për të cilën kishte jo vetëm njohje, por edhe një praktikë të bollshme.

Fillimisht ushtroi profesionin e mjekut popullor të cilin e njihte shumë mirë dhe e kishte ushtruar me sukses mes banorve të Janinës dhe me luftëtarët e plagosur në luftë. Bënte vizita pa shpërblim duke fituar emër në një kohë të shkurtër. Ora e fatit trokiti. Mbreti i Rumanisë, Maruzi, kishte vajzën të paralizuar nga gangrena. E kishin vizituar mjekë nga më të mirët dhe i kishin sygjeruar prerjen e këmbës. E vizitoi edhe Vangjel Zhapa, i cili i premtoi mbretit se do ta shërojë. Falë mjeshtërisë së tij në njohjen e vlerave kurative të bimëve mjekësore, brenda 5  muajve, vajzën e mbretit e ngriti në këmbë. Mbreti i fali Vangjelit një sipërfaqe të madhe toke brenda së cilës ishte edhe një mulli bloje me ujë. Mirëpo fati s’ishte vetëm ky, ai rridhte si një lumë që do të shtohej nga prurje të reja. Një shoqëri anglo-persiane, naftëkërkuese, mbasi kishte vërtetuar se në këtë tokë kishte rezerva të mëdha nafte, i kërkoi pronarit të ri bashkëpunimin. Aksioneri shqiptar filloi të pasurohej në mënyrë të rrufeshme, duke blerë toka të tjera, prona të ndryeshme dhe duke investuar lekët e fituara.

Mbas dy vitesh qëndrimi në Rumani, ftoi edhe kushëriun e parë të tij, Konstandinin 20 vjeçar. Pronat e tyre shtohen në Broshten, Jalomicë, Bereaska, Pisika etj, duke arritur në  66 cifliqe (1860). Për seicilin prej tyre fitonin rreth 1500 napolona flori në vit, duke u bërë kështu një nga pronarët më të mëdhenj të tokës në Rumani. Në vitet 1935-1938 Vangjeli ka ndjekur studimet në Paris. Për idetë dhe eksperiencën në fushën e agrokulturës, gjithashtu për dijet që zotronte, iu akordua titulli i lartë “Këshilltar i oborrit të mbretit të Rumanisë”. Në vitin 1856, i drejton mbretit të greqisë një propozim me synimin e mëposhtëm: afron të gjitha shpenzimet financiare për rilindjen e Olimpizmit moderrn në djepin e vjetër të orgjinës, në Greqi. Jep si dhuratë 400 aksione që posedon në shoqërinë e lundrimit në Rumani, gjithashtu edhe 3000 napolona flori. I detyruar përballë kësaj dhurate kaq të madhe, mbreti Othon, në gusht 1856 publikon dekretin mbretëror ku mishërohet edhe konkretizimi i nismës së bamirësit labovit. Finalizimi i këtyre përpjekjeve u kurorizua me sukses në nëntor të vitit 1859, vit në të cilin u realizua çelja e parë e manifestimeve olimpike. Me vendim të qeverrisë greke (30.11.1869) jepet një truall në qëndër të Athinës ( sipas kërkesës së Vangjelit) për ndërtimin e një kompleksi moderrn, i cili u quajt Pallati “Zappion” ose siç emërtohet ndryshe nga vendasit-një stoli floriri në mes të kryeqytetit. Në të majtë të hyrjes së këtij pallati, shteti grek ndërtoi një statujë madhështore përjetësimi të Vangjel Zhapës.

“Përfytyrimi dhe pasioni i Zhapës-komentojnë personalitetet greke të kohës- ishin bashkimi i Evropës përmes ringjalljes së Lojrave Olimpike ku do të sundonin fjalët: dashuri, paqe e mirëqënie.” Vangjel Zhapa, me zemërgjërësinë e pakrahasueshmë dhe me vizione tepër të qarta, investoi qindra miliona dollarë: në Rumani ka financuar ndërtimin e Akademisë , Universitetin dhe Teatrin e Bukureshtit, në Broshteni  Kishën e Shën Vangjelizmoit dhe disa rjete të rëndësishëm hekurudhor, ndihma konkrete për spitalet e këtij vendi etj; Në Turqi ndërtoi godina publike për bamirësi, në Stamboll, Edrene, Kerkelleri, Firkides, shkollë në truallin e Sulltan Bajazitit etj; në Greqi përveç Stadiumit Olimpik, pallatit “Zhapion”, rrugëve, jetimores të Amelias(Peloponez) që i jepeshin 100 napolona flori çdo vit, ka financuar ndërtimin e shkollave të shumta( në Kostandinopojë e Adrianopojë); dhe në jugun e Shqipërisë hapi shumë shkolla sipas modelit të shtetit grek të asaj kohe. Shkolla “Zhappion” në Kostandinopojë e përuruar në vitin 1875, përgatiste me një nivel të lartë vajza të ardhura nga Greqia, Kostandinopoja, Rumelia lindore, Azia e vogël, Maqedonia, Rusia, Pondët dhe Epiri i shumëvuajtur me mungesa të theksuara. Në Shqipërinë jugore financoi shkollat: Lekël, Dhrovjan, Karajan, Kakoz, Nivan, Përmet, Delvinë, Filat, Qeparo etj, Për këto shkolla paguante nga 1200 franga ari në vit (pagesa mësuesish etjera), ndërkohë që paguan botimin e dy abetareve të Naum Veqilharxhit në Bukuresht, gazetën “Pellazgu” që botohej në Lamia të Greqisë(1859-1861) e shumë kontribute të tjera. Shumë familje të varfëra të Labovës( mbi 50) kanë përfituar ndihma konkrete financiare nga Vangjeli për një periudhë të gjatë kohore, rreth 250 napolona flori ndihmë vjetore; nga 160 mësues labovitë, rreth 90% e tyre u shkolluan me financimet e Vangjelit; ngjitur me fshatin Tërbuq ( Tre bujq) bleu një sipërfaqe të madhe toke nga ish pronarët dhe u fali banorve të fshatit, ndërkohë që në Labovë ndërtoi manastirin dhe kisha të reja, në Hormovë financoi ndërtimin e Xhamisë, pra kontributet e tij janë të shumta dhe një pjesë e mirë e tyre të padokumentuara ende. Vangjeli e donte shumë çdo gjë shqiptare, madje edhe në rezidencën e tij në Broshten, mbante një gardë prej 100 shqiptarësh të veshur me fustanella të bardha, ndërsa besoi që pasurinë ta linte në duart e shtetit grek, për arsye se në Shqipëri s’kishte shtet, s’kishte siguri, dhe shuma kaq të mëdha s’mund të administroheshin ndryshe. Sigurisht që të gjitha këto janë mendimet tona dhe jo fakte të dokumentuara të Vangjelit.

 

Mendime për shkollën e parë shqipe

 

Duhet sqaruar se Vangjel Zhapa, megjithse ishte iluminist që i gëzohej dritës së diturisë, kishte kufizime të theksuara ideore, të kushtëzuara ndoshta edhe nga gjeopolitika e rajonit. Boton abetaren e Veqilharxhit, por në shkollat e shumta që financon, kërkon që mësimi të bëhet në gjuhën greke, financon botimin e gazetës “Pellazgu” të shqiptarit tjetër Anastas Byku me orgjinë nga Lekli i Tepelenës, por s’bien dakort me njëri tjetrin përsëri për problemin e gjuhës shqipe. Megjithatë, në numurin e fundit të kësaj gazete, Vangjel Zhapa publikon letrën e tij ku këron që në shkollën e Labovës, krahas gjuhës greke, të mësohet edhe gjuha shqipe. Kjo është edhe shkolla e parë shqipe e dokumentuar (1860), para asaj të Korçës. Këtë e sqaron edhe Fedhon Meksi në një nga shkrimet e tij: “Vendimi për të lejuar mësimin e shqipes në shkollën e Labovës u bë i njohur nëpërmjet një letre të shkruar nga vetë V. Zhapa, që u botua në numrin e fundit të gazetës “Pellazgos” (01.03.1861). Vangjel Zhapa bënte të ditur se, “në shkollën e Labovës nuk mësohet vetëm greqisht, por edhe shqip, si mjet ndihmës për mësimin e gjuhës greqishte.”

Botimi në gazetën “Pellazgos” i letrës së Vangjel Zhapës duket se kërkonte të siguronte grekët se vetëm për shkollën e Labovës do të bëhej përjashtim dhe njëkohësisht të paralajmëronte shqiptarët e tjerë, të cilët sigurisht do të pretendonin trajtim të njëjtë edhe për shkollat e qyteteve ose fshatrave të tyre, se Labova do të ishte rast unik.
Në të vërtetë përdorimi i gjuhës shqipe për të ndihmuar mësimin e greqishtes ishte vetëm një pretekst i pastudiuar mirë dhe i zgjedhur me nxitim, mbasi gjuha shqipe, që gjoja do të ndihmonte mësimin e greqishtes në shkollën e Labovës, të njëjtën ndihmë do ta jepte edhe në shkollat e tjera, të cilat Vangjel Zhapa i kishte përjashtuar. Sipas Vangjel Meksit, (1903-1983) ishin labovitët që e detyruan V. Zhapën të bënte një lëshim për shkollën e tyre. Ata, pasi dështuan fillimisht në tratativat me bashkëfshatarin milioner, udhëzuan fëmijët e tyre të silleshin sikur nuk i kuptonin mësimet në gjuhën greke dhe për më tepër ata nuk përgjigjeshin fare kur mësuesit i pyesnin në gjuhën e huaj, duke bllokuar në këtë mënyrë zhvillimin normal të mësimeve.
Vangjel Zhapa e kuptoi fare mirë se pas fëmijëve ishin prindërit e tyre, po u detyrua të pranonte shqipen në shkollën e Labovës pa gjetur zgjidhje tjetër… Veçse duhet theksuar se Vangjel Zhapa pati kurajën të pranonte humbjen dhe t’i bindej pjesës dërrmuese të labovitëve dhe për më tepër e bëri të ditur botërisht se në shkollën e Labovës po mësohej shqipja.” Ndërsa Vangjel Meksi, në librin e tij “Labova në shekuj”, afron statistikat e mëposhtme: “Shkolla e Labovës, përbëhej nga: foshnjore, fillore, qytetëse me tri klasa dhe dy klasa gjimnazi. Numri i nxënësve shtohej vazhdimisht duke arritur në vitin shkollor 1875-1876 në: 108 nxënës në klasat foshnjore dhe fillore, 31 në tre klasat qytetëse dhe 4 në dy klasat e gjimnazit.

Në vitin 1878 në Labovë u hap shkolla për vajza me dy mësuese. Në fillim ishin 80 vajza, por më vonë ato u shtuan. Nxënëset vinin nga fshatrat përreth, por edhe nga Gjirokastra, Tepelena, Dropulli etj. Godinat e shkollës ishin nga më të mirat për atë kohë dhe të pajisura me orendi shkollore dhe bibliotekë…”.Sigurisht që konstatimet e Vangjelit apo më vonë edhe të Fedhonit, s’janë të fabrikuara dhe as dashakeqe, mbasi figura e Vangjel Zhapës s’mund të errësojë asnjë nga emrat e familjeve të para të Labovës, përkundrazi, u shton krenarinë. Fenomeni i shkollimit në gjuhën greke është bërë objekt analize nga shumë personalitete të kulturës shqiptare. Në gjykimin e Mehdi Frashërit, ligjërimi i gjuhës greke në gjimnazin “Zosimea” në kryeqytetin e Toskërisë, në Janinë, dhe mbështetja e dhënë kësaj gjuhe nga Ali Pashë Tepelena, do ti sillte shumë të këqija popullit shqiptar. “Më 1934 në Athinë u çel universiteti, që u bë vatra dritëhedhëse, jo vetëm për helenizmin, por për gjithë ortodoksët e Ballkanit dhe të Orientit mbarë. Ideja që përhapte ky universitet ishte: “I megali idea” ( ideja e madhe), që kishte për kuptim mbledhjen e gjithë ortodoksëve në një shtet helenik. Natyrisht këto mendime depërtonin edhe mes shqiptarve ortodoksë, të cilët kishin derdhur gjakun e tyre për ringjalljen e Greqisë së re.”

Meqënse qëndrimi grek ndaj Shqipërisë filloi të ndryshojë dukshëm që mbas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës, Gjirokastra dhe disa zona tipike siç është edhe Labova, shërbyen ‘de juro’ si vatër e edukimit arsimor dhe atdhetar të Toskërisë, duke zvëndësuar kështu Janinën që filloi të bëhet gjithnjë e më e largët ndaj interesave shqiptare, për arsyet që dihen mirë nga të gjithë.  Shumë studiues, të detyruar e kanë lënë të papërfunduar plotësimin e figurës madhore për të cilin flasim. Kjo ka arsyet e veta. Më kryesorja është gjuha. Materialet për Vangjel Zhapën janë të shkruara në gjuhët romune, greke dhe  turke, pra duhen përkthyer. E dyta është faktori ekonomik. Asnjë punë s’mund të bëhet pa mjete financiare, të cilat mundësojnë lëvizjen, studimin dhe publikimin e rezultateve.

Për Vangjel Zhapën, i cili ka financuar qindra milionë dollarë në fushën e kulturës, askush s’kujtohet të investojë për t’i pasqyruar këto veprime bamirësie, duke mundësuar kështu edhe formësimin e portretit të plotë të këtij shqiptari, i cili mishëron dukshëm vlerat e mëdha shpirtërore që bartin edhe bashkëkombasit e tij më të mirë. Në epikën historike, bashkëatdhetarët e tij shqiptarë, kontributin e Vangjel  dhe Konstandin Zhapës e kanë përjetësuar në vargjet e këngës:                   

“Kostandini në Vllahi

Mbushi Labovën flori

Bëri qish’ edhe skoli

Në Tërbuq bëri mulli

Në Hormov’ bëri xhami...”

Ndërsa studiuesi i njohur grek Aleksandër Farmaqi, do të shkruante: “Asnjë copë e tokës greke nuk lindi kaq bamirës sa Epiri”

 

Testamenti  “Zhappa” dhe përmbajtja e tij

 

Në moshën 60 vjeçare, më 30 nëntor 1860, Vangjel Zhapa, në Broshten të Rumanisë harton dhe nënëshkruan një testament të rëndësishëm, i cili vazhdon të quhet “Testamenti Zhappa”. Në këtë testament prej 9 pikësh, paracaktohet destinacioni i pasurisë përrallore të tij, pas vdekjes. Për kurreshtjen e lexuesit të interesuar, shumë shkurt po pasqyroj vetëm ato që në gjykimin tim mund të quhen kryesore:

1- T’i jap njëherë e përgjithmonë dhe t’u ndahet në pjesë të barabarta shuma prej 30.000 leiva gjithë farefisit tim me të drejtë trashëgimie, 1000 verdhushka Komisionit të shkollave në Bukuresht, 1500 verdhushka komisionit të Olimpeve të Athinës, 1700 verdhushka Epitropisë së Labovës etj.

2- Është i detyruar (trashëgimtari – M.Gj) të ndërtojë Stabilimentin e Olimpiadave së bashku me pasurinë e tij...Të ndërtojë dhe të zografisë kishën e manastirit të Tërbuqit...

3- Mbas vdekjes time, menjëherë të shtypet testamenti në  gjuhën helenike dhe bashkë me gjithë dokumentacionin tim, të përkthehen edhe në gjuhën romune.

4- Nga pronat e lartëpërmëndura nuk ka të drejtë asnjeri dhe asnjëherë për të ndryshuar...

5- Mbas vdekjes së Kostandimit...komisioni i trashëgimisë së Athinës, detyrohet përgjithmonë për t’i dorëzuar këto dhurata (trashëgimi), atyre ku janë përcaktuar përgjithmonë...

6- Ditën e dytë të shkurtit, të mblidhen në Labovë, ku është edhe vendi i shenjtë i takimit me zotin...përfaqësuesit e Epitropisë, me të marrë 1700 verdhushkat nga komisioni i trashëgimtarve në Athinë, ti ndajë ato...

7- Gjithë farefisi tim pa përjashtim, nga fisi në fis, kanë të drejtë të mbikqyrin ekzekutimin e dispozitave të testamentit...

8- Çdo ndryshim ose shtesë në këtë testament, do të bëhet vetëm me dorën dhe firmën time...9- Mbas vdekjes time, varrimi të bëhet në kishën e ndërtuar prej meje në Broshteni ( Shën Vangjelizmoi-M.Gj) para altarit të shenjtë...varri im të ndërtohet me gurë, përmbi varr të vendoset mbishkrimi: “ Këtu qetësohet mëkatari dhe robi i zotit...mbas katër viteve të nxirren nga varri eshtrat e mia dhe të rivarrosen përsëri: koka përpara stabilimentit të Olimpeve në Athinë, ndërsa eshtrat e mia në oborrin e shkollës në Labovë...Testamenti “Zhapa” pas vitit 1940 s’është zbatuar, për rrjedhojë edhe përfituesit ligjorë të paracaktuar që para 150 viteve,  të paktën shqiptarët, mbeten të tillë vetëm në letër. 

 

Shqiptari që tronditi marrdhëniet Greko-Rumune

 

Pasuria e jashtëzakonshme e Vangjel Zhapës, u bë shkak për tensionimin e marrdhënieve Greko – Rumune, deri në ndërprerjen e tyre në vitet 1892-1896. Sipas testamentit “Zhapa”, pasuria e Vangjelit do të njihte si trashëgimtarë “shtetin e mbretërisë greke me disa kushte të përcaktuara e që të mos bëhen ndryshime”. Ekzistojnë dokumenta në të cilat pasqyrohen letra të shtetit helen drejtuar Presidentit të Gjykatës së Shkallës Parë të Ilfovit në Rumani, e nënëshkruar nga i ngarkuari  me punë i Mbretërisë Greke A.Tombazis; letër tjetër e shtetit helen drejtuar Tribunalit të Jalomicës, e nënëshkruar nga Kryeprokurorët: B.Gamesku dhe M.Kornea; nota të shumta proteste të ngarkuara me tensione, midis përfaqësive diplomatike të dy vendeve respektive, etj. Në këto kushte, shteti grek u detyrua të kërkojë ndihmën e fuqive të mëdha. Parimet e nënëshkruara e të legalizuara në konferenca ndërkombëtare, u bënë të detyrueshme për zbatim.

 

Labova mes shpresës dhe zhgënjimit

 

Labovitët janë shprëndarë gjithandej, jo vetëm brenda vendit, por në të gjitha shtetet, deri në Amerikën e largët. Ata e duan atdheun e tyre siç duan edhe zotin, mirëpo, ndryshimet politike dhe rrënimi ekonomik i vëndit, i detyroi të bënin një zgjidhje, emigrimin. Labova e bukur mbeti si një natë pa hënë. Familjet e fshatit i sosi kurbeti. Të gjitha stinët e vitit u kthyen në  dimër, çuditërisht. Udhët për të arritur dritën e mungur, u shëndërruan në humnera, hapat e labovitëve janë nisur në kërkim të shtigjeve të reja. Arben Duka e krahason me një sy të mbushur plot dhimbje e lot, vendlindjen e tij: “U thave në Odrie/ po çele nëpër botë”, shkruan poeti. Labova thuajse është shkatërruar.

Të ardhurit, që s’i lidh asgjë me këtë vend, ndërtojnë stalla bagëtish në mes të luarisë, atje ku mblidheshin dikur burrat e dëgjuar, në kuvendet e tyre. Mirëpo, e djeshmja gjallon në kujtimet e banorve, të cilët enden kështu mes shpresës dhe zhgënjimit. Vendlindja u çelet në sy kudo që janë, ndërsa sipër atyre që harrojnë gurin e portës dhe prushin e vatrës, varet mallkimi stërgjyshor: “u pjekshi pazarëve të botës”. Por, ky fshat ka një traditë të hershme, të kultivuar. Pinjollët e familjeve të mëdha, të cilat s’janë të pakta, kanë filluar të ndërtojnë mbi themelet e rrënuara. Pas tyre besojmë të kthehen edhe të tjerët, “në vendin e shenjtë të takimit me zotin”, kushtëzuar kjo edhe nga mundësitë ekonomike. A thua t’ua bekojë këtë dëshirë edhe ‘Krishti’ i tyre, Vangjel Zhapa.   Mrekullitë  ndodhin rrallë, por ndodhin ama ! Le të shpresojmë bashkarisht.