| E shtune, 17.07.2010, 09:53 PM |
Puntorie Ziba
Atdheu është gjithkund
Atdheu është atje ku dielli lind me bollëk
dhe njëmijë rreze mbeten për ta përkëdhelur
nervin e punëtorit,poetit,mësuesit,mjekut...
Atdheu është atje ku thith ajër pa frikë,
e barku nuk të mbetet bosh,
atje ku të përshëndesin me njërën gjuhë perëndie
që nuk përngjan me melodinë e gjuhës tënde,
atje ku fyerja nuk të zë
e ti mbetesh pa sedër,
as thashethemnaja nuk të bëhet gur në fyt.
Eh, atdheu është atje ku vjeshta e dimri zgjasin pak më shumë,
e ti ke zjarr për aromën e kopshtit të mollëve, gështenjave e ftonjëve,
ku si fëmijë shpoje gishtërinj e thembra, ferrë më ferrë.
Atdheu është gjithkund ku ka lule e zhurmë zogjësh,
ku nëpër rrugë nuk enden zhurmaxhinjë, shkatërrues ëndrrash ,
vrasës çiliminjsh me çanta në krahë.
Atdheu është atje ku rri zgjuar me këmbë te shtrira
mbi mobilje të bardha duke trembur një mizë vere
me nje lëvere pambuku te bardhë si borë,
duke dëgjuar lajme të reja për dërdëllitësit e një politike pa ligje, pa etikë.
Atdheu është atje ku i lanë gishtërinjtë me sapun aromë manushaqeje,
dhe përlotesh në kujtime për njerëzit e tu të lagjeve nga Skupi
që në gjumë thithin aromë myku dhomash të qullura pa kulm.
Atdheu është në tërë dheun e tokës ku mund të kesh një copë varr...
Edhe atje ku shqiptarët e mi kërkojnë lëmoshë nga matrapazët që bëjnë pazar,
e luajnë kukumsheftas me shkjaun e zi.
Atdheu është atje ku shijon gjellë me aromë peshku,
dezerte me arrë kokosi, ananasi e hurme,
pa u mrekulluar me sy nëne
pa u mrekulluar me sy vëllai e motre
ah, atje ku mbetesh pa u mrekulluar...
Atdheu është atje ku shpirtit i del tymi
për lirinë e tokës time,
si nga kandili i vjetëruar, i mbushur me gaz toksik.
Friburg,13.07.201