Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Lëkura e kunadhes

| E shtune, 17.07.2010, 08:04 PM |


Lëkura e kunadhes

 

Tregim

 

Nga Përparim Hysi

 

Qe pasdite kur mbrrita në atë qytet.I vogël

qyteti,aty mes malesh,të jepte përshtypjen sikur dikush kish zbritur

nga mali dhe tak e kish lëshuar si me dorë aty.Në qendër të qytetit

një klub dhe sikur vëndasit,enkas për të treguar se qenë nga malet,mu

në qendër kishin ngritur një statujë të një sorkadheje,kafshë tipike e

atyre anëve,dhe njerëzit,mandej,në vënd të thoshin po dalim nga

klubi,thoshin:tek "sorkadhja".Pra,tek "Sorkadhja" qeshë ulur dhe

vet.Si jambanxhi që qeshë,kisha porositur një rehani të ftohtë,se e

qajnë vëndasit këtë lloj pijeje freskuese.Qe pak nxehtë dhe kisha zënë

tavolinën në hije.Sa po bëhesha gati të gjerbja gurrmazin e parë nga

goda e rehanisë,kur pashë që jo vetëm u afrua tek tavolina ime,po dhe

më foli pa më njohur,një xhaxho,veshur pak trashë për kohën,por këta

vëndalinjtë e këtyre anëve dhe në palcë të verës,nuk i heqin

shajaket.-More shok,- foli xhaxhai,-  a më bën dhe mua jarallëk në atë

hijen aty.-Urdhëro, e ftova  me plot politesë.U ul dhe siç ma  donte

nderi,i them:-Të marr një nga këto të ftohtat se ju e qani këtë të

shkretë rehani!Ëhë,rehaninë... e qajmë e qajmë vërtet.E pëlqejnë shumë

çiliminjtë.Po dhe gratë.-foli me shpoti xhaxhai,duke më shpuar rëndë

me atë bodecin që nuk e kurseu.Xhaxhai,që thuaj,or mik,do nga ajo

"rehania" e bardhë,që thuaj zotrote.E kuptova aluzionin e tij dhe për

të ndrequr ç'prisha,i them kamarierit:-Silli një raki xhaxhait.Sa mori

godën në dorë,xhaxhai,pasi e takoi me godën time të rehanisë(

menjëherë m'u duk sikur më tha:e pëlqejnë çiliminjtë dhe gratë!),dhe

bëri urimin karakteristik:-Ja të paça,mor mik!-Edhe unë të paça!-iu

përgjigja flakë për flakë urimit.

-Nga të kemi,xhaxha?-shpejtova të pyes.-Nga Rrëza jam.Nga Rrëza e

malit,- plotësoi.Sa dëgjova që qe nga Rrëza e malit,menjëherë,kalova

në "sulm",sikur doja t'i thosha.-Vërtet rehani po pi,po jam i ditur

unë,babam.Se,vërtet,jambanxhi,po për Rrëzën e malit jo vetëm kam

dëgjuar,po di dhe një këngë.Më sakt 4 rreshta nga një këngë.Dhe pa i

lënë kohë xhaxhait për të ndërhyrë,i them:-Nga Rrëza e Çelo Rrëzës,me

demek.Atij Çelos me famë që dhe i këndoni:

Mu në Rrëzë të malit/Veçan një shtëpi/Rrethuar me koshadhe/Për një

djalë të ri...Deri këtu.Se deri këtu qe dhe "gjeografia" ime e njohjes

për RRëzën e malit,por plaku,si hazer-xhevap që qe, vazhdoi:-Kërkojnë

Çelo RRëzën që ka dal firar/Çelua është nga Rrëza/fshehur rri në

mal.Dhe nuk e di se deri ku shkonte kjo këngë,së cilës unë i dija

vetëm 4 rreshta,por xhaxhai,bërë në qejff që dolëm si "të njohur",pasi

e ktheu njëherësh atë "rehaninë e bardhë",më tha:

  hape tefterë të vjetër,o mik.Tefterë që kapakët ua hapim veç nëpër

gosti,dasma e ziafete.Po me që vet i hape këta"konakë",tani dëgjoje

deri në fund historinë e atij Çelo RRëzës.

-Të porosit edhe një?-i propozova.-Aha,- më tha,- miku edhe peshku

vetëm njëherë e kanë lezetin.Se pastaj marin erë dhe qelbin dynjanë.Do

marrim,po këtë radhë "vallen" do ta kërcej vet.Dhe kështu bëmë.Unë,për

t'u treguar burrë, mora nga ajo "rehania e bardhë".Xhaxhait iu bë

qejfi se do "luftonim me të njëjtat armë" dhe,pasi bëri prapë atë

ritin,"të paça",e gjerbi me nge dhe filloi:

 

 

                              *     *      *

Sos se jemi fshat i madh ne të RRëzës së malit.Po fshat malor,me

shtëpitë të shpërndara sa  një të shtirë pushke larg

njëra-tjetrës.Bujqësinë e kemi patur të paktë.Blegtoria na mbante

gjallë.Blegtoria dhe mali.Se mali ynë,or mik,sos se është mali i thatë

si ai mali  në Pogradec,po është mal që na mban gjallë.Ujtë si ta

kërkosh:të ftohtë akull dhe të bardhë si dëbora,se nga dëbora dhe

vjen.Pyll po sa të duash.Lloj-lloj drurësh.Po mbushur dhe me kafshë të

egra.Dhe,kështu,mbet pa gjë veç në i paçë krahët të thyera dhe je

ulok.Se krahëthyer dhe ulok je,në se pret që të bjerë gjëkafshë nga

qielli.Ta thotë xhaxhai:mali për fshatin tonë është si çapok.E di

ç'është çapoku ti?Çapok nga anët tona i themi kofshës së

njeriut.Pra,mali,është çapoku dhe ne të RRëzës,këmba.Çapoku i fortë,po

dhe këmba e shëndoshë.Pse jemi kështu,pa dhe s'luajmë kollaj ne të

RRëzës.Epo në hesap tonë,o burazer.Tani me radhë të gjitha.I këndohet

këngë Çelos.Jo vetëm t'i këndohet,po meriton më shumë ai,Çelo

RRëza.Kur qe vetëm 14 vjeç,mori hakën e të jatit,Kajmakut.Që atëherë i

ngritën këngë.Kjo që the zotrote,është e dyta.Se,thashë,që për këngë

është Çelua.Ajo e para,sa më kujtohet,thoshte:

Mu në Rrëzë të malit,/krisi një dogra/Ç'kërkove,e gjete/O Dalip-aga/.E

14-vjeç qe,e vrau atë Dalip-aganë dhe tërr se ia bëri syri.Erdhi dhe

zaptieja e mbretit(se mbreti qe aso kohe),po doli tërë fshati shahit

dhe,si mituri që qe,ky,Çelua,e lanë të lirë.E lanë të lirë,po hiç s'e

mori  përpjetë.Domethënë,se unë kështu e kështu të bëj qametin.Se

kështu jemi ne të RRëzës,o mik,shikojmë punën tonë dhe nuk mbahemi në

të madh.Dhe Çelua,po kështu.Gjallë  Kajmaku,rahmet pastë!Se sojli qe

dhe Kajmaku.Epo me radhë,o mik, me radhë.

 

 

                                *     *     *

        Kishin kaluar nja 10 vjet të mira nga kjo dograja që krisi në

Rrëzë të malit.Një  ditë Çelua na zë një kunadhe.U gëzua se lëkura e

kunadhes është e shtrenjtë.U gëzua dhe Shanikua,e shoqja, dhe,pa e

mbajtur dot gazin i tha:-Çelo,nesër kur ta shesësh këtë lëkurën,na mer

ca gaz(vaj-guri),ca petka sheqeri dhe pak kripë.Po unë s'kam vajtur

akoma në pazar,ia priti ky.Apo peshku në det dhe tigani në zjarr.Epo

mëndje grash,or tunjatjeta.Se gratë një metro i ka prerë Zoti.Tyryfyle

nga mëndja.Më pa që po e ndiqja me kërshëri dhe vazhdoi.Që të nesërmen

zbriti në kasabanë e Korçës(andej na pret pazari më lirë ne)  .Lidhi

mushkën në një han dhe lëkurën e kunadhes e kish hedhur mbi pallton e

shajakut(për ta parë

mileti,de) ,dhe,tek po ecte avash-avash,se bodecin s'i kish vënë

njeri,ndjeu që nga një klub e thërresin:-Na,mor ti,me atë lëkurën e

kunadhes në qafë.Ma sill këtu se do t'ia bëj gëzogf zonnjës unë!Çelua

hodhi sytë andej nga erdhi zëri,dhe pa  një nga ata kasaballinjtë që e

vrisnin lart pazarin.Ngjeshur e veshur si kokoroç,ky bandill bërë

çakërrqejf i shikonte të tjerët si miza.Ne jemi malësorë,or

tunjatjeta,dhe më mirë na vra se  sa të na thuash:-Na,more!Se na ne

ndjellim qenin.Ta zëmë:-Na  balo,na!Ou,bëri Çelua dhe përbrënda zu ta

bluaj një e keqe që ia shponte si me shtizë zemrën.More kujt i thërret

na,ky qenbirqeni!Dhe tek  jepte e merte me vete,e vendosi.Ngjiti me

çap të rëndë shkallët e klubit(se ai bandilli qe  në ballkon të katit

të dytë)  , dhe,tek e gjeti duke mbllaçitur akoma atë pizevengun e

kasabasë,hoqi lëkurën nga qafa dhe i thotë:-Bej,e doje për gëzof këtë

lëkurën.Epo të ta mbajë  shëndosh,o bej.Dhe,mbasi nxori koburen,i ra

tri herë.Jam Çelo Rrëza unë dhe nuk jam qen të më

thërasësh,na,more,ti...

E  iku  e doli firar.Ndaj dhe iu ngrit këngë tjetër.Këngë që e

këndojmë dhe sot.Epo të paça,o mik,dhe rrofsh që na çove në ato mote.U

përqafova me xhaxhanë nga RRëza dhe kur u ndava me të,m'u duk se u

ndava me një njeri të dashur.Para sysh më dilte sa lëkura e

kunadhes,aq edhe ajo:-Na,mor,ti...   E,sa për Çelo Rrëzën,ai ka mbetur

i përjetësuar në këngë.Se kurrë populli nuk  thur këngë kot.

 

 

14 korrik 2010