| E merkure, 14.07.2010, 09:58 PM |
Për njeriun nuk ka thesar më të madh se një mendje që di.
Sofokliu
NJË DREJTUES LARGËPAMËS
Portret miqësor, nga Luan Çipi
E njoha nga afër Ejup Mitën kur shkova me punë në Llakatund. Atë e gjeta atje, Drejtor të Ndërmarrjes Bujqësore Shtetërore “Lufta e Vlorës”. Kjo zonë, me tradita shumë të hershme në agro - kulturë, me toka fushore e kodrinore pjellore e me mundësi të mëdha ndryshimesh, kishte ngelur shumë pas nga si shoqet e saj dhe duket se priste prej kohësh Ejup Mitën me shokët e tij bashkëmoshatarë e të guximshëm.
Ejup Mita kishte lindur në vitin 1936, në fshatin Fterrë të krahinës së Kurveleshit, fshat me tradita për shqiptari dhe arsimdashje. Djalë i një hoxhe fshati dhe nga një fis me intelektual të shquar e patriotë, u edukua qysh në fëmijëri me korrektesë e dashuri për njeriun, punën, Shqipërinë dhe për librat. Ejupi erdhi fillimisht në Myzeqe të Vlorës dhe pasi përfundoi me sukses Shkollën e Mesme Bujqësore të Kamzës dhe Degën e Agronomisë në Institutin e Lart Bujqësor në Tiranë, i ngjeu pa qibër, këmbët e njoma, në baltën e kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore të rrethit të Vlorës, duke përfituar një përvojë të madhe. Më pas kreu dhe një kurs pas universitar për agrikulturë në Itali dhe, agronomi i talentuar, pasi u pajis me njohuritë e nevojshme, u përzgjodh për të drejtuar bujqësinë intensive në Fermën Bujqësore të Llakatundit të Vlorës.
Ferma e Llakatundit, në bërthamën e vetë është një nga qendrat e organizuara të prodhimit bujqësor e blegtoral ndër më të vjetrat në Shqipëri. Sipas dokumentit nr. 1741 të AQV, në vitin 1934 konsulli italian në Vlorë raporton: “Çifligu më i frytshëm dhe më me rëndësi i krahinës së Vlorës është ai i Llakatundit, pronë e familjes Vlora…” Atë e merrte me qira gjirokastriti Rasim Babameto. Më vonë, në proces formimi si ekonomi bujqësore me vete, atë e bleu një kont italian dhe pas tij, rreth vitit 1938, u bë pronë e Kavalier Orlandos, po italian, që u përpoq për ta kompletuar me blegtori të racës, teknologji dhe mekanizma. Sidoqoftë, kjo bërthamë, megjithëse e përparuar për kohën, ngeli e vogël, me rreth 250 hektarë tokë bujqësore dhe me 100 njësi gjedhi.
Dalëngadalë gjithë fusha e Llakatundit dhe më pas ajo e Lubonjës, Selenicës, buzë lumit Vjosë e fundit të lumit Shushicë, deri në kufi me Beshishtin dhe fushën e Myzeqesë, në tokat e shtatë fshatrave të krahinës së Topalltisë, u përfshinë në një ndërmarrje bujqësore të madhe, me gati 3000 hektarë tokë fushore e kodrinore, nga më pjelloret, me 2000 njësi gjedhi të të gjitha kategorive e racave të zgjedhura të blegtorisë, si lopë, dele, pula dhe derra. Nuk ishte e lehtë të drejtoje dhe të organizoje punën e tremijë punonjësve të kësaj ndërmarrje intensive, që vepronte me cikël të mbyllur dhe me një bazë prodhuese e teknikë, fillimisht thuajse primitive. Në këto kushte, deri në vitet 1974 në fermë, rezultatet ekonomiko financiare, kur edhe çmimet e shitjes, caktuar nga shteti, ishin fikse, ekonomia bujqësore ishte në pragun e katastrofës. Ndërmarrja punonte me humbje dhe për mbijetesë, merrte donacion shtetëror.
Brenda një kohe të shkurtër u bë një përmbysje e madhe drejt përmirësimit tekniko ekonomik e financiar të kësaj ndërmarrje të madhësisë mbi mesatare. Dhe pa dyshim merita, për shndërrimet e shpejta e të menjëhershme, i takojnë Ejup Mitës, këtij drejtuesi e organizatori të talentuar, idealist e guximtar, që për mua është një nga burrat më të mençur, më të aftë, më të vendosur dhe më të ndershëm që kam njohur.
Së pari ai drejtoi dhe përfundoi vetë studimin shkencor për përqendrimin, specializimin dhe kooperimin e zhvillimit prodhues perspektiv të Ndërmarrjes Bujqësore Llakatund, mbi bazën e përvojës së tij shumëvjeçare dhe shfrytëzimit të literaturës botërore. Për Llakatundin ky studim u kthye në një program shumë vjeçar për qarkullimin optimal bujqësor dhe të koordinimit të zhvillimit të harmonizuar të bujqësisë intensive me racat e zgjedhura të blegtorisë. Këtu u përfshinë strukturat e kulturave që do të mbilleshin, në përshtatje me mikroklimat, përbërjen pedologjike dhe qarkullimin bujqësor, puna me tokën për plotësimin e bonifikimit të nisur herët, sistemimi sipërfaqësor dhe deri në mobilimi i saj, kullimi dhe drenazhimet në gjithë sipërfaqen, shtimi i tokës nën ujë dhe përmirësimi i ujitjes, ngritja e serave diellore me xham e plasmas, shtimi i vreshtave dhe i pemëtarisë, ngritja e vreshtave në tel, shtimi dhe përmirësimi racor blegtorisë, në kombinim me nevojat për pleh organik, ngritja e pularive moderne dhe e qendrës racore për mbarështimin e paradosave e deri te rritja e shkallës së mekanizimit, ndërtimi plehrishteve, padoqeve, stallave, hangarëve, gropave të silazhit, etj.
Ejup Mita punoi shtatë vjet për plotësimin e kësaj “ëndrre” të guximshme, që u bë qëllim i jetës së tij prej heroi e strategu të vërtetë. Kjo nisi me zgjedhjen e kuadrit të përshtatshëm e deri te përputhja e interesave dhe e sedrës së secilit, në një gërshetim harmonik, me të gjithë institucionet e kohës, gjithnjë duke i edukuar ata, në radhë të parë, me shembullin e tij vetjak. Në dispozicion, pa rezerva u përfshinë: Nëndrejtori i pa lodhur Vasillaq Ndini, që mbuloi me sukses kryesisht, sektorin e ndërtimeve, inxhinieri i talentuar politeknik Feri Dishnica, inxhinieri mekanik këmbëngulës Fatmir Shkupi e Andrea Qirjo, agronomët e aftë Llambro Billa, Reuf Muhameti, Llano Lanaj, Zigur Sulo, Selam Malaj, Xhevdet Suli, Sazan Kaleshi, Pajtim Xhelo, zooteknikë e veterinerë, njohës të mirë të fushave të veta si Petref Lameborshi, Llambro Berberi, Shpëtim Sulçe, Niazi Tahiri, Dhimitraq Loli, ekonomistët dhe financieret pasionantë Bastri Sofia, Agaçe Bregu, Vladimir Petani, Pirro Dodbiba, Osman Rexho, Zylfie Sulçe, Sulo Sulejmani, Enver Zeneli, Qemal Haxhiraj dhe dhjetra specialistë e mekanizatorë të shquar.
Po, shpirti dhe epiqendra e këtij stafi të mrekullueshëm idealistësh, ishte ai që qe, njëkohësisht, ideatori dhe kreu i tij, agronomi shkencëtar, Ejup Mita.
I urtë dhe i ashpër, i matur dhe i rrufeshëm, gjithnjë me libër, penë, gërshërë, drapër, lopatë në dorë, do të më kujtohet, drejtori im i dashur, Ejup Mita. Asnjë shenjë lavdie, pa bujë, pa as më të voglin pretendim për përfitim e rehati vetjake, mjeshtër i aksioneve masive, karakteristike për bujqësinë në kohë fushatash, shembull personal në punë. E gdhinte me traktoristët në kohën e mbjelljeve pranverore, aq sa shpesh gruaja e tij e mirë dhe e mbi ngarkuar, si të gjitha gratë shqiptare, kur më takonte në Vlorë, më pyeste e shqetësuar :
-A ma ke parë burrin? Gjallë është? Bëj të fala dhe thuaj se dhe ne, me gjithë fëmijët, vërtetë vuajmë dhe e ndjejmë nevojën e tij, po mirë jemi.
Ejup Mitën zor se e arrije dot as kur punonte në aksionet, bashkë me ne, as kur ikte nëpër ugare, vija, rrugë e ngastra. Sa shumë punë konkretisht dhe direkt drejtoi ai : Shpyllëzimin me mina të rrapishtës në fushën e Selenicës, që zinte ballin e tokës, buzë lumit Vjosë, aq të domosdoshme, qoftë dhe për t’i hapur front pune mijëra grave të pa puna të minatorëve të Minierës së Selenicës; sistemime e modelime fushore e kodrinore në të pesë fshatrat e Topalltisë, duke shfrytëzuar edhe talentet e rralla projektuese, ndërtuese e rilevuese të burrave të talentuar dibranë të fisit të të internuarve të Ndreasve, pinjollë të patriotit të madh antishqa, Elez Isuf Ndreut; sisteme ujitëse me puse artizane, duke shfrytëzuar shpim kërkimet e Ndërmarrjes së posaçme Hidroenergjetike Tiranë; shpyllëzim kodrash dhe mbjellje vreshti në zonat e preferuara kodrinore të Selenicës, Lubonjës dhe Llakatundit; ndërtime të serave diellore me xham, për kultivim perimesh, kryesisht për eksport; ndërtim e pajisje ofiçine, hangarësh në të tre sektorët, ndërtim pularie moderne për vezë dhe mish në Lubonjë, që e përmirësoi shumë mbulimin me nevojës për treg, në shkallë rrethi; stalla moderne për gjedhin në të tre sektorët, koçekë e tharëse misri në sektorin e qëndresë; kanalizime e drenazhime, në të gjithë sipërfaqen nën ujë; ujitje në formë shiu me impiante për jonxhishtet dhe kulturat kryesore; plehërishte e padoqe në të tre sektorët ; qendra të mekanizuara të përpunimit të ushqimeve të blegtorisë në të tre sektorët; depo silazhimi, ngritje vreshti në tel në Lubonjë e Selenicë etj. Ferma u plotësua me një baze mekanike të fuqishme me dhjetëra automjete me rimorkio, traktorë me goma e me zinxhirë, kombajna, makina mbjellëse e korrëse, plugje, freza, shkoqëse misri e tharëse, etj., si dhe me një Ofiçinë Riparuese të kompletuar me pajisje ngritëse e metal prerëse, nga më të mirat.
Kaluan pak vjet dhe të gjithë treguesit tekniko-ekonomikë e financiarë, prodhimi dhe rendimentet u dyfishuan. Ferma e Llakatundit u bë model dhe vend pelegrinazhi, që vinin e vizitonin dhe merrnin përvojë specialistë nga i gjithë vendi.
Ishte po kaq interesante ta njihje Ejup Mitën në jetën vetjake. Mua mu dha rasti sidomos, kur pas tre vjet pune pa ndërprerje, pa asnjë pushim, përfshirë të dielat dhe festat, dhe pa pushimet e ligjshme vjetore, të domosdoshme për rehabilitimin e punonjësve, ta bindja dhe ta merrja me vete Ejupin, pesëmbëdhjetë ditë, në Kampin e pushimit të punëtorëve në Dhërmi të Vlorës. Atje, buzë detit Jon, e pash të zhveshur, me kostum banje, Ejupin, muskulor e të shëndetshëm, me ato këmbë pak të shtrembra, si të një futbollisti. Ai edhe këtu na çuditi të gjithëve, se kudo u klasifikua i pari: në shah dhe në pingpong, në karambol dhe në bilardo. Ishte përdorues mjeshtëror i topit me këmbë veçanërisht, po dhe si volejbollist. Aty morra vesh se në shkollë kish qenë aktiv dhe ndër më të mirët dhe më shumë qe dalluar si sulmues e golashënues në ekipin përfaqësues të Institutit të Lart Bujqësor. Aq të vërteta ishin këto, saqë kur ua tregoja shokëve të rinj, më vonë, dukej për ta e pabesueshme, duke ndjell deri xhelozi.
Një ditë, kur deti ishte i qetë dhe na tërhiqte si me magji, duke dëgjuar, të informuar nga vendësit dhe nga që na kishte bërë përshtypje novela e shkrimtarit Petro Marko “Shpella e Pirateve”, se ajo shpellë e famshme, siç morëm vesh rastësisht, ishte fare afër, rreth dy kilometra larg bregut, vendosëm të nisemi me not. Ishim unë, një miku ynë, Besim Resuli, me i ri dhe Ejupi, moshatar me mua, madje pak me i ri. Ik e s’ka të sosur. Rrugës, më afër mbërritjes, na zuri një shirok. Dallgët e vogla ishin shqetësuese dhe na bënim që hera herës të gëlltisnim shtëllunga uji. Ejupi, që me sa duket, qysh atëherë kish ndonjë cen në zemër, nisi të verdhet dhe të lodhet. Ishte më mirë të venim te “shpella” sesa të ktheheshim, mbasi kthimi binte shumë më gjatë. Shkuam dhe atje u zhgënjyem. Nuk kishte asgjë interesante. Petrua, si shkrimtar kishte shfaqur fantazinë e vetë. Atje, ishte, në të vërtetë, një e çarë e zakonshme deti, nën shkëmbinj dhe midis “shpellës” një pllakë e madhe shkëmbore. Shyqyr që ishte kështu, se, të rraskapitur siç ishim, hipëm mbi të dhe u çlodhëm.
Kthimi ishte më i vështirë, se Ejupi u lëshua fare dhe na duhej ta ndihmonim, duke e tërhequr deri në breg të detit, gati dy ore notim të lodhshëm… E, si vajti kjo punë: Edhe një herë që desha të vihesha në komandë, se unë ngula më shumë këmbë për ekskursionin, për desh e mbyta Ejupin. Duket ai kish lindur për të qenë prijës.
Kur Ejup Mita iku nga Llakatundi, për të drejtuar bujqësinë në shkallë rrethi, si Shef i Seksionit të Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të K.P. të Rrethit Vlorë, ne u takuam, sërish. Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ynë edhe këtu ishte i frytshëm dhe i plot.
Njëherë ishim bashkërisht në një ekip për kontroll e ndihmë në kooperativat bujqësore të Bregut të Detit, që e kryesonte vetë Kryetari i Komitetit. Duke dhënë konkluzionet, në Kooperativën Bujqësore Himarë, në një mbledhje me popullin Kryetari u tërhoqi vëmendjen për pjesëmarrje më të madhe në punë dhe për ruajtjen dhe forcimin e pronës kooperativiste, si rruga dhe burimi i vetëm për rritjen e mirëqenies së popullit. Një kooperativist i moshuar, nga ata kapedanët e bregut të detit, që s’pyesin se kë kanë përpara, po shfaqin mendime haptazi, mendoi se i erdhi radha ta tregoj se kush është:
-More, shoku kryetar! Ç’thua, more? Po, si ta ruajmë? Ne u mësuam me kusari e nuk kthejmë dot pas. Ti e di , më së shumti, ne jemi origjinë labi dhe djemve, po nuk dhanë prova trimërie për të vjedhur, të paktën, një berr, ne nuk u japim nuse. Po tani ka dalë një ligj tjetër kanunor: Po nuk erdhi nusja e re, apo gruaja plakë në shtëpi, ç’do ditë, me pëqinj plot me portokall apo ullinj kooperative, neve e ndajmë, se oborr tonin nuk kemi më, ndërsa ne, tradicionalisht, jemi mësuar me lëng portokallieje dhe vaj ulliri.
Këtë, kusarinë e grave, që më parë ishte turp, ne e kemi bërë zanat, se na keni mësuar e detyruar ju, në këto kohë. Prandaj fol sakllam e mos gënje veten, zotërote.
Kryetari u rrek, disa herë t’i priste fjalën guximtarit dhe arriti deri në kërcënim, po u desh ndërhyrja e matur e Ejupit, që nisi të qetësonte gjendjen, e cila ishte gati të shpërthente në zënkë.
Më kujtohet, po për këtë rast, kur u dhanë konkluzionet e kontrollit në Byronë e Komitetit të Partisë së Rrethit, ku Ejupi, që morri shkas edhe nga polemika e mësipërme, ngriti problemin e domosdoshmërisë së një minimumi oborri kooperativist. Po aty ai me indinjatë, ngriti dhe problemin e ndalimit të përdorimit të gjuhës greke në zyrat e shtetit dhe në shkollat e bregdetit, që sipas tij i bënin një dëm të madh unitetit dhe qetësisë në këtë trevë me origjinë të sigurt shqiptare, pa ndaluar përdorimin e gjuhëve të huaja jashtë institucioneve shtetërore. Këto probleme mund t’i trajtonin haptazi dhe me guxim vetëm burra si Ejupi, që kishin një vizion largpamës dhe të kthjellët për të ardhmen e vendit.
Ejup Mita ishte kompetent dhe nuk lejonte tjetër kënd të futej në punën e vetë. Vendimet i merrte pasi e studionte mirë çështjen dhe pasi kish tërhequr mendimet e kualifikuara të specialistëve që e rrethonin, që i zgjidhte dhe i mbante me kujdes, por kur vendoste, për mënyrën më të mirë të zgjidhjes së ndonjë problemi, nuk lejonte njeri të ndërhynte. Zëvendëskryetari që e mbulonte direkt, madje dhe kryetari, megjithëse ishin edhe ata agronomë me përvojë, asnjëherë nuk i diskutonin detyrat që Ejupi u linte punonjësve të sektorit të vetë, se jo vetëm ia dinin këtë “huq”, por e gjykonin se pikërisht ajo rrugëzgjidhje ishte më optimale. Vështirësi Ejupi haste ndër drejtuesit partiakë, sidomos me Sekretarin e parë të Komitetit të Partisë, të cilit i duhej të ndërhynte, qoftë dhe për të treguar se do bëhej siç thoshte Partia, “drejtuesja e vetme unike dhe e pagabueshme e të gjitha punëve”. Disa ndërhyrje të dhëna në drejtim të kundërte me porositë e Ejupit nga sekretari i parë, e bënë atë të dorëzojë çelësat. Të gjitha përpjekjet për ta rikthyer në punë, dështuan. Ja, ky ishte Ejup Mita: Jo vetëm tepër i aftë, po dhe trim.
Vitet e fundit Ejupin, me interesimin e vetë Ministres së Bujqësisë, që ia njihte mirë vlerat dhe prirjet e tij shkencore, e caktuan Drejtor në Institutin e Kërkimeve dhe Studimeve të Ullinj-Agrumeve të Shqipërisë, me qendër në qytetin e Vlorës, institucion shkencor ky që u dallua dhe bëri emër në shkallë Evropiane.
Erdhën vitet e ndryshimeve e përmbysjeve të thella pozitive, po fatkeqësisht, bashkë me to, edhe shkatërrimet e ç’do gjëje që kish bërë Ejup Mita dhe ajka e inteligjencies shqiptare, megjithëse në një periudhë skllavërie, po pronë e pasuri për brezat. Çdo dëmtim, çdo prishje dhe këto ishin radikale, deri mbi pemëtoret, vreshtat, serat, stallat, kanalizimet, drenazhet, sikur godisnin, pamëshirë dhe mbi trupat tanë, mbi punën tonë, mbi ndërgjegjen tonë të pastër. “Ç’i duam këto të mira që na kujtojnë të kaluarën komuniste, t’i shkatërrojmë, ta nisim nga kuota zero.” Si shekuj më parë kur nga stepat e Mongolisë së largët, nëpërmjet Rusisë dhe shkretëtirave të Anadollit, u pushtua dhe shkatërrua Evropa, na dolën ca, e midis tyre, pinjollë komunistësh fanatik, që ideuan shkatërrimin e çdo gjëje të mirë të ndërtuar me djersën e popullit, me vjegën se ishte ndërtuar në kohën e baballarëve të tyre, po komunistë.
Ejup Mitën, shkencëtarin e afirmuar, në kulmin e krijimtarisë së tij, e ndaluan të punonte, e nxorën para kohe me dhunë nga procesi krijues, në rrugën e madhe. Një luftë e re klase pastruese, gjoja “antikomuniste”, zëvendësoi “diktaturën e proletariatit” dhe kjo u sanksionua me vendime komisionesh të posaçme partiake.
U deshën vitet e fundit kur, me rastin e 70 vjetorit të lindjes, iu njohën meritat dhe ishte Prefektura e Vlorës, ajo që u kujtua për EJUP MITËN dhe e shpalli atë PERSONALITET TË SHQUAR TË QARKURT TË VLORËS.