Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Topi në Theth, promovim në luginën ku natyra ka ngritur çadrën

| E marte, 13.07.2010, 09:11 PM |


Nga i dërguari ynë, Ferdinand Dervishi

 

Në Theth, aty ku retë mund t'i kapësh me dorë dhe ende mund të luash me topa bore, aty ku ajrin e freskët e të mbushur me oksigjen mund ta marrësh pa u munduar të frysh tullumbacet e mushkërive, tani mund të shkojë kushdo që ka mundësinë të posedojë një makinë të mirë. Një makinë që të jetë e lartë të paktën sa një autoveturë "Benz", edhe pse fuoristradat janë më të këshillueshme. Gjithë problemi është apo mbetet, vetëm për të kaluar një segment prej rreth 30 kilometrash udhe të shtruar me çakëll, nga Boga në Theth, që gjithsesi nuk të bëhet e mërzitshme përmes një natyre të mrekullueshme, ku nga dritaret mund të vëzhgosh, mbase për herë të parë në jetën tënde, edhe harlisjen e pyjeve të virgjër, edhe lartësimin e pafund të maleve, edhe honet e rrokullisur 1000 metër poshtë, apo, ardhur në detaje më të imta, edhe kokrrat e kuqe të luleshtrydheve të egra, mes barit.    

Shkaku, për të shkuar në çati të Shqipërisë, rreth 70 km në veri të Shkodrës, në këtë fillimvere alpine, këtë radhë është bërë Presidenti i Republikës Bamir Topi, Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, ai i KE, Lohan dhe disa zyrtarë të GTZ (Kooperimi Teknik Gjerman), që organizojnë promovimin e nisjes së sezonit turistik në Theth.

 

Thethi

 

Në majën më të lartë, aty ku rruga nis gjarpërimin zbritës për në luginën e Thethit, makina gati sa nuk fërkohet me një masiv dëbore, që mes diellit përvëlues dhe tokës së thatë që e rrethon, duket sikur të jetë sjellë aty nga ufo-t. "Këtu bora ka qenë rreth 5 metër në dimër në të dyja anët e rrugës. Kjo është copa e fundit, pa llogaritur ato që shihni majave të maleve", shpjegon një vendali. Thethi është një fshat të zemër të Alpeve dhe i vendosur në ekstrem, apo në veri të luginës së Shalës. Majat e maleve rreth tij janë në lartësinë 2500 metër mbi nivelin e detit dhe shpesh bora nuk arrin të shkrijë gjatë gjithë verës, deri në nisjen e borës së re, ndërkohë që vetë fshati, poshtë në luginë, ndodhet në një lartësi 750 deri 950 metër mbi nivelin e detit.

Me rreth 200 shtëpi, në kohën e komunizmit Thethi konsiderohej një fshat i kompletuar, ndërsa resorti i pushimit të punëtorëve i jepte goxha publicitet emrit të tij. Por, pas viteve 1990, banorët nisën të largoheshin nga kjo zonë e varfër, për t'u rikthyer vetëm këto vite të fundit, pas 2000, së bashku me rizgjimin e dëshirës së shumëkujt për turizmin malor. Një mundësi e nuhatur që në kohë të shkuara nga udhëtarë të shquar, që e kanë krahasuar edhe me peizazhet e Tirolit në Austri. Zona është vizituar edhe nga personazhe të njohur të dijes apo shkencës, si për shembull nga baroni Franc Nopça, apo studiuesja Edith Durham, për të cilën banorët e zonës kanë ndërtuar edhe një memorial, lart në qafë, në një vend nga ku duket Thethi, madje edhe krejt lugina e Shalës. Gjithsesi edhe më i njohur, Thethi është bërë nga pena e një shqiptari, At Shtjefën Gjeçovit, që e vizitoi atë në vitet 1916-1917. Shkolla e parë në fshat u ndërtua më 1921 nga Kryqi i Kuq Amerikan, ndërsa në shërbimet e një agjencie turistike Thethi është futur për herë të parë në vitin 1936, fill pas hapjes së rrugës automobilistike. Interesi i komunistëve vjen në vitin 1968, kur u nis ndërtimi i disa qendrave turistike, që mund të strehonin deri në 500 vetë, ndërkohë që në vitin 1976 Thethin e shpallën "Park Kombëtar".

Ardhur në kohët moderne, sidomos pas viteve 1999-2000, për çudi janë sërish të huajt, ata që i kanë dhënë jetë kësaj zone. Sërish gjermanë, austriakë apo holandezë, që duke e zbuluar Thethin si shumë të ngjashëm, apo edhe më të bukur, se një numër peizazhesh alpine të Europës, kanë menduar për të ringjallur turizmin. Ndërkohë që në të njëjtat kohëra, dora e shtetit nuk duket të ketë qenë kurrkund, nëse nuk do të llogarisim restaurimin e rrugës automobilistike nga Kopliku deri në Bogë.

 

Gati për turistët

 

Presidenti Bamir Topi është i pari President shqiptar në detyrë që viziton Thethin. Shoqërohet nga Ambasadori gjerman dhe disa zyrtarë të fondacioneve që kanë investuar në këtë zonë, sidomos të GTZ-së gjermane. Qëllimi i këtij udhëtimi të gjatë është krejt i dobishëm dhe krejt human: të promovohet turizmi në këtë zonë të jashtëzakonshme të Shqipërisë. Një ndërmarrje që vjen në kohën e duhur, pasi standardet e ofruara të akomodimit, të të gjithë llojeve të turistëve, kanë mbërritur në parametra normalë. Aktualisht në Theth numërohen rreth 15 hotele e minihotele që ofrojnë shërbimet për turistët. Janë restauruar dhe vënë në punë disa nga hotelet e vjetra të kohës së komunizmit, por kureshtinë e zgjon edhe më tepër një tjetër risi. Sipas një ideje të të huajve, banorët e zonës kanë përshtatur kullat e tyre të vjetra dykatëshe për turizëm. Ndërsa fondet, për këtë qëllim, shumë të monitoruara, janë lëvruar nga GTZ-ja gjermane. Banorët që përfitonin këto fonde, sipas një marrëveshjeje dypalëshe, do të përshtatnin kullat e tyre për turizëm, duke realizuar disa investime të kushtëzuara: ata do të ndërtonin një banjë moderne në brendësi të kullave, do të fusnin në brendësi edhe ujin e pijshëm të rrjedhshëm dhe do të krijonin kushte dhe ambiente të pranueshme për akomodim dhe fjetje. Dhe fakt është që banorët i kanë përshtatur kullat e tyre në kohë rekord, duke i shndërruar në minihotele mikpritëse, ku veç fjetjes, ofrojnë edhe ushqim të plotë, madje sigurojnë edhe guidat nëpër zonë. Gjithçka, fjetja dhe ushqimi, nuk kalojnë më shumë se 20 euro në ditë, apo më saktë sillen rreth këtij çmimi. Në menu ofrohen mishra, qengji apo keci në hell, por në raste speciale edhe trofta të egra të lumit që ndan fshatin në dy pjesë, të peshkuara kryesisht me grep. Tryeza plotësohet me produkte qumështi të zonës, apo zarzavate bio dhe nuk mungon byreku tradicional. Gudiat, që mund të jenë djem apo vajza të reja të zonës, mund të bëjnë shoqërimin e turistëve për të vizituar vendet më të bukura në afërsi, për të bërë alpinizëm, apo thjesht për t'u njohur me traditat e zonës së Shalës. Turistët mund të vizitojnë kanionin e Grunasit, që është rreth 2 km i gjatë dhe 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 metër i gjerë. Po kështu, në Theth mund të vizitohet një numër i madh shpellash, si ajo e Harapit, apo Bira e Rrathëve, bukuria e të cilave është bërë shkak për lindjen e legjendave të krijuara nga vetë banorët. Ujëvara e Thethit, 25 metër e lartë, është një tjetër vend mahnitës në listën e atyre që nuk duhen lënë pa u vizituar, ndërkohë që jo më larg mbetet në madhështinë e vet edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, nga ku del deri në 3 metër/kub ujë i kristaltë në sekondë.

Thjesht dhe saktë, gjithçka është me përmasa të paharrueshme, të papërsëritshme, nga ato që nguliten gjatë dhe pakrahasimisht në mendje.

 

Kulla e ngujimit

 

I mahnitur, se e ka për herë të parë, Presidenti Bamir Topi nuk lë rast pa vlerësuar natyrën dhe mikpritjen e banorëve të zonës. "Është kartolina më e bukur e Shqipërisë. E kemi mësuar në gjeografi, tashmë duhet që të gjithë ne, shqiptarët, mundësisht ta vizitojmë një herë në jetën tonë", janë disa nga fjalitë e Presidentit, që duket qartazi se është sugjestionuar nga gjithçka e rrethon. Si pjesë e guidës turistike të fshatit, ndërtuar para rreth 350 vjetësh dhe arnuar, apo restauruar, pak vite më parë nga Ambasada holandeze në Tiranë, gjendet një kullë e vërtetë ngujimi. Një kullë nga ato që kanë lidhje me Kanunin e Lekë Dukagjinit, me vrasjet për hasmëri. Një vend ku vrasësi mund të futej dhe të rrinte, si në një qeli burgu, i sigurt se vetëm aty hasmi nuk do të vriste, se vetëm aty jeta e tij mund të ruhej.

"Vrasësi rrinte aty jo më shumë se 15 ditë. Kështu ka qenë zakoni", thotë për kullën e ngujimit, Sokol Koçeku, një nga mirëmbajtësit e saj. Sipas Sokolit, që shfaqet me qeleshe të bardhë, karakteristike e zonës, në kokë, kulla ka shërbyer më shumë si një lloj qelie paraburgimi, derisa pleqtë të vendosnin për fatin e vrasësit të futur aty. Po sipas të njëjtit, në kullë nuk ka pasur të ngujuar prej më shumë se 100 vjetësh, apo më saktë 10 vjet para se Edith Durhami të vinte në Theth. Dhe historia thotë se Edith Durhami, shkrimtarja, udhëtuesja dhe artistja britanike, e ka vizituar veriun e Shqipërisë më 1913. Ndërsa investimi i Ambasadës holandeze i ka kthyer kullës trekatëshe një vlerë të konsiderueshme turistike. "Vitin që shkoi, gjatë 2009, kullën e kanë vizituar rreth 7 mijë turistë, pothuaj të gjithë të huaj, ndërsa dy vjet më parë, më 2008, ishin rreth 5200", rrëfen Sokoli, njëkohësisht edhe shifrën totale të vizitorëve të Thethit, kurba e së cilës është lakuar me një ngritje marramendëse.

Presidenti Topi dhe Ambasadori gjerman mbërthehen edhe ata nga kureshtja të shohin se çfarë ka në brendësi të kullës së ngujimit. Duke rrezikuar të rrëshqasin në faqet e lëmuara të një shkëmbi të kuq, të stërmadh dhe shumë të çuditshëm, mbi të cilin ajo është ndërtuar. Natyrisht brenda ka ende frikë të konservuar, një varfëri mobilimi, por edhe frëngji pushke, që shohin kërcënuese në të gjitha drejtimet. "Pasi vrasësi futej në kullë, ai pranonte aty vetëm pleq që organizonin tratativa me palën e dëmtuar. Zakonisht ato mund të zgjasnin për 15 ditë, jo më shumë, para se fati i të ngujuarit të vendosej. Atij, ose do i falej gjaku, ose do të pësonte fatin e atij që kishte vrarë", shpjegon Sokoli, duke na lënë pa mend kur shton se të parët e tij e kishin ndërtuar kullën si mjet përfitimi, pasi çdo i ngujuar paguante për ditët që rrinte në brendësi.

Pak a shumë këto janë ato që Thethi ofron për një vizitor. Kuptohet që këndvështrimi që ofrohet në këtë rast është me përmasa shumë të zvogëluara, aq sa mund të shihet e gjykohet në 4-5 orë, pa lëvizur nga qendra e fshatit. Pasi përshtypja e vërtetë duhet të jetë sigurisht shumë më e fortë, nëse në mundësi të një kohe më të tepërt, do të shkeleshin me këmbë e do të kundroheshin me nge të gjitha ato që kjo zonë ofron.

 

Si shkohet në Theth?

 

Që të shkosh në Theth duhet të mbërrish në Shkodër dhe më pas të marrësh rrugën për në Koplik. Në qendër të këtij qyteti, tabela në rrugë tregon kthimin djathtas për në Bogë. Nga Kopliku deri në Bogë, rruga është e shtruar me asfalt dhe pa gropa, por me një kalim. Në Bogë nis një rrugë e shtruar me çakëll, që në dy orë udhëtim me shpejtësi të reduktuar, të çon në Theth. Largësia Tiranë-Theth është rreth 180 km.

 

Panorama - Për ZSH: Gjergj Kabashi